Fadil Rexha: Pranvera e Lavdishme 1981 – evokim

Fadil Rexha: Pranvera e Lavdishme 1981 – evokim

Në vitet ’70 Enveri në takim me oficerët e lartë u kishte thënë: “ Me vdekjen e Titos, Jugosllavia do të përfshihet nga konfliktet e brendshme! Ne duhet të jemi gati që viset shqiptare t’i çlirojmë dhe bashkojmë me Shqipërinë! Nga të tjerët kisha krijuar idenë se aviacioni shqiptar një ditë do ta mbuloj hapësirën tonë dhe do të çlirohemi dhe bashkohemi! Shpërthimi i demonstratave me 11 mars për mua ishte zhgënjim: Rrugë e gjatë, Statusi i Republikës e mandej bashkimi!

Erdhi 26 marsi i 1981-shës. Motra Hajrie na e përshkruan revoltat e studentëve dhe dhunën e forcave barbare të njësive speciale të milicisë nga Beogradi në konviktet e studentëve. Në familjen tonë ndizen ndjenjat e simpatisë për demonstruesit dhe urrejtja për pushtuesin!

1 e 2 prill 1981. Prishtina vërshohet nga demonstruesit me thirrjet: ,,Kosova Republikë”, ,,Republikë/ Kushtetutë/ ja me hatër/ ja me luftë”! Sot u derdh gjak për lirinë e Kosovës! Një prishtinas më flet: ,,ka pas shumë demonstrata në Prishtinë, por kanë qenë shumë të vogla në krahasim me demonstratat e 1981-shës! Me 1 e 2 prill 1981 u vërshua e gjithë Prishtina!”

3 prill 1981. Motra Hidajete (atëherë 16 vjeçe) vjen në shtëpi, kryen drekën dhe i thotë nënës se do të dal. Nëna këshillon që ajo të mos dal, por vendosmëria e saj është e pakontestueshme! Pasditja e vonë, në familjen tonë, është me vizita nga njerëz të ndryshëm dhe komentimin e ngjarjeve nga pjesëmarrësit e demonstratave.

Babë Mehdiu tregonte: ,,Lash punën (në firmën ndërtimore) dhe dola në rrugë. Një demonstrues më thotë: ,,Axhë a vjen me ne?” Unë ju thash: ,,Juve jam duke ju pritur!” Shpërthyen ndjenja kënaqësie te ta dhe kështu ju bashkova demonstruesve! Braha i Beqës (Dëshmor Ibrahim Shabani, dhjetor 1998) e kishte hapur derën për me ju bashkuar punëtorët e Kombinatit të Drurit demonstratës! Fillova të gjuaj me gurë drejt forcave speciale të milicisë, por më vinte inat se nuk e gjuaja gurin larg. Në përleshje me njësinë speciale të milicisë, i trullosur nga gazi lotësjellës, u rrëzova, një milic më ka mshuar me qizme në dorë dhe më rrjedhke gjak! Disa të tjerë ja gjuanin gurët në mes të njësisë speciale. ,,O e vranë një!” tha dikush! Plumbin nuk e ka pas në gjoks, por në krah, vrima hyrëse më lartë dhe dalësja më poshtë. Ai nuk është vrarë nga milicia në rrugë, por nga banesat. Kam vrapuar drejt atij, para meje ishin edhe dy të tjerë dhe një pas meje. E kemi kapur katër vetë, dikush ka ndal një kerr (veturë) dhe e kemi hipur, e unë bashkë me të! E kam mbajtur mbështetur në gjoks deri në ambulancë! Aty ja kanë dhënë ndihmën e parë dhe me autoambulancë e kanë nisur për Prishtinë! Kam dashur të shkoj me të, por nuk më kanë lënë! Në ambulancë kanë dashur të ma lidhin dorën, që e kisha krejt gjak, por ju kam thënë nuk ka nevojë, aty m’i kanë marr shënimet!” përfundonte Babë Mehdiu. Në mbrëmje e kuptuam se i plagosuri kishte vdekur rrugës për Prishtinë dhe ishte Dëshmori Rizah Matoshi. Atë ditë ranë dy dëshmorë: Rizah Matoshi e Sherif Frangu, kishte shumë të plagosur, të rrahur e burgosur, por edhe shumë demonstrues që ngritën krye për liri. Në mbrëmje e përcjellim Halitin (burrin e motrës)! Bisedat për demonstratën, mbrëmja dhe qielli i ngarkuar me re të zeza furtune, mua, edhepse kisha parasysh mundësinë e vrasjes, ma ngjallën një ndjenjë, jo frike, por të kënaqësisë së luftës për liri! Babë Mehdiu të nesërmen ishte i pranishëm në varrosjen e Dëshmor Rizah Matoshit dhe në çdo përvjetor në homazhe në vendin e rënies së tij dhe në vizitë në familjen e tij!

Shoqërinë tonë  e përbëjnë dy grupe:

  1. Tradhtarët, veglat e pushtetit, i lehën krushqëve të Lirisë, me burgosje, tortura, etiketime: Terrorist, Armiq të popullit, kundër revolucionarë, vegla të zgjatura, njerëz të malit,  njerëz të paditur, kriminelë, hajna, e plot epitete tjera degraduese e njëllosëse! Urrejtjen e tyre për misionin e shenjtë të lirisë e shprehin në urrejtje të bartësve të proceseve madhore!
  2. Krushqit e Lirisë dhe vargu i tyre, të prirë nga: Mici, Oso Kuka, Azemi e Shota, Shabani, Fazliu, Enveri, Rizahu, Sherifi, Afrimi, Kadriu, Bardhoshi, Rexhepi, Nuhiu, Xhemajliu, Azemi, Xhaviti, Hashimi, Ademi, Kadriu, Zahiri, Kudusiu, Rexhepi (Bislimi), Xheva e Fehmiu, Rexha (Selimi), Hanumshahja e Tefiku, dëshmori Italiani Françesko, dëshmori Francezi Pallard, algjeriani, Murad,  pa u penguar nga langojtë e pa u marrë me tradhtarët, por triumfisht luftuan për liri dhe mbrojtën vlerat edhe me jetën e tyre, në burgje, tortura, vuajtje dhe luftë, krenar për të arriturat e vendit të tyre. Krushqit e lirisë njohën burgjet e Kosovës, të Jugosllavisë dhe të Evropës!

Lavdi Krushqve të Lirisë! Respekt karvanit të tyre!

Kontrolloni gjithashtu

RrGK: Sot gjithë shoqëria duhet të bëhet zë ri i grave dhe vajzave

Ende pa kaluar 5 ditë nga rasti tragjik i vrasjes së gruas në Ferizaj, sot …