Brickos

 Fadil Shyti: DUKE LEXUAR VEPRËN, "REXHEP MALAJ NË KUJTIMET E MIA" TË VEPRIMTARIT ATDHETAR,  SHERIF SHERIFI

 Fadil Shyti: DUKE LEXUAR VEPRËN, “REXHEP MALAJ NË KUJTIMET E MIA” TË VEPRIMTARIT ATDHETAR,  SHERIF SHERIFI

Të shkruash për vepra të tilla të një kronologjie biografike për heronjtë dhe heroinat e popullit tonë, në radhë të parë është nder, është forcë dhe kurajë, por mbi të gjitha është detyrë kombëtare dhe njerëzore. Gjatë leximit të kësaj vepre madhështore, të intelektualit veprimtar dhe punëtorit të devotshëm Sherif Sherifi, plotësisht u binda për këtë. Nuk ishte aspak e lehtë, për mua lexuesin e pasionuar të zhanrit të këtyre veprave historike. Them historike, sepse personazhet e këtyre veprave si kjo, nuk ishin as nuk janë personazhe të imagjinuara “filozofike” të shkrimtarëve që shkruajnë në sallonet e ngrohta, apo në kamp shtëpiza verore dikund brigjeve detare, por, ishin dhe janë personazhe realë, që tërë, “Jetën e tyre luftë”-siç thoshte gjeniu, Enver Hoxha, që luftuan për një Shqipëri të lirë, të ribashkuar dhe të përparuar.
Prandaj, duke qenë besnikë të këtyre idealeve, gjegjësisht luftëtarë dhe luftëtare të këtyre objektivave madhështore kombëtare, heronjtë dhe heroinat tona, si Adem Demaçi, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Rafi Halili, Zija Shemsiu, Bajram Bahtiri, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Metush Krasniaqi, Hasan Ramadani, Besim Ndrecaj, Nebih e Tahir Mehaj, Adem Jashari, Fehmi Lladrovci, Xhevë Lladrovci-Krasniqi, Fatime Hetemi dhe në kolonën shumë vjeçare, për më tepër se një shekull, duke mos u ngjitur në lart në histori, marshoi një armatë e pathyeshme idealistë dhe idealiste u ndesh dhëmbë për dhëmbë e flakë për flakë, me armiqtë dhe tradhtarët, në sheshet e demonstratave, në gjyqet e shtetit pushtues jugosllav duke e mbrojtur kauzën tonë të drejtë kombëtare,-pastaj, qëndruan si viganët dhe viganet në burgjet e rënda, ku jeta dhe vdekja “puthen” ditë e natë, krejt “papritur” tmerrësisht u ndeshën dhe në llogoret e LÇ-re, si guerilas të orëve të para të krismave të armëve të lirisë.
Derisa po shkruaja këtë vështrim modest, rreth këtij libri që, vërtet është libër që karakterizohet nga elemente të fuqishme mbresëlënëse për lexuesit në veçanti nga dy aspekte: nga thjeshtësia e frymës revolucionare dhe nga madhështorja e veprimtarisë revolucionare kombëtare të heroit, Rexhep Malaj, duke filluar me pjesëtarët e familjes, me shoqet, me shokët në çdo cep të atdheut, që nga Gjilani, në Besianë, në Prishtinë, në Vushtrri, në Tetovë, në Tiranë në Vlorë e gjetkë duke i kapërcyer kufijtë e Shqipërisë Natyrale, në ish-Jugosllavi dhe duke kaluar më tej në shtetet perëndimore me qëllime të caktuara për të çuar përpara organizimin e Lëvizjes Çlirimtare duke u organizuar grupet dhe organizatat ilegale, që me veprimtarinë e tyre të pandërprerë atdhetare, filluan t’ia lëkundin themelet shtetit pushtues jugosllav; kujtojmë këtu, demonstratat e fuqishme në Kosovë, Tetovë e gjetkë, të viteve 1968, 1981 dhe më pastaj, gjer në organizimin e guerilës shqiptare e cila daton që nga fillim-vitet pesëdhjeta e formuar në Tiranë, me udhëzimin direkt të Komandantit legjendar të LANÇ-re, shokut Enver Hoxha.
-Me këtë rast, vlen t’ia kujtojmë lexuesit që, në këtë formacion ushtarak i cili mund të quhet me plot të drejt: bërthama e parë e UÇK-së, e formuar nga shteti shqiptar. Këtë e ka theksuar dhe analisti i njohur, James Pettifer, në librin e tij, “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”-nga një luftë e fshehtë në një kryengritje të Ballkanit 1948-2001. Prishtinë, Onufri, 2013.
 “Në vitin 1949 Enver Hoxha dhe komandanti ushtarak, Mehmet Shehu, kishin pasur komunikim me Stalinin për mundësinë e krijimit të një force të armatosur për të përmbysur qeverinë e Titos në Beograd, duke filluar me një kryengritje të armatosur në Kosovë, në ditarin e tij të 5 korrikut të vitit 1949 Çuvahini përmend një diskutim që kishte pasur me Shehun për mundësitë ushtarake për të luftuar kundër regjimit “revizionist”, brenda Jugosllavisë Jugore, edhe pse nuk kishte një tablo të qartë të strategjisë së Moskës, ai shkruan:
“Midis nesh është shtruar çështja sesi të organizojmë luftën kundër titistëve në Jugosllavi. Nuk e dimë se cila mënyrë është më e mirë, që çdo republikë në Federatën Jugosllave të luftojë kundër klikës së Titos në mënyrë të pavarur dhe, në një rast të tillë lufta mund të caktohet në krahinën autonome të Kosovës dhe Metohisë, apo që lufta kundër trockistëve jugosllavë nga klika e Titos duhet të zhvillohet nga një qendër e vetme” -7 , f. 55.
-Më tej, në këtë libër jepen të dhëna faktike që lexuesi mund të mësojë më tej për ekzistencën e guerilës shqiptare, e formuar me direktivë të strategut Enver Hoxha dhe të PPSH-së, kryesisht e përbërë nga struktura të shtetit shqiptar që, në radhët e saj ishin atdhetarë të dëshmuar me veprimtari kundër-jugosllave dhe të ndjekur politikë si Salih Shatri, Ajet Haxhiu, Sherif Tërstena Shaban Braha, rapsodët popullor, Dervish Shaqa, Ibush Neziri e shumë të tjerë…
Atdhetari i devotshëm, Sherif Sherifi, në veprën biografike të heroit Rexhep Malaj të cilin e kishte shok që nga rinia e tij, në bankat shkollore iu ka qëndruar besnik rrëfimit të ngjarjeve kronologjike të jetës dhe të veprimtarisë të heroit, duke arritur me sukses të pasqyrojë gjendjen e rëndë politike, ekonomike, kulturore, shkencore, sociale e të popullit tonë, në ato vite të rënda të robërisë. Duke bërë këtë, në vepër përfshihen shumë njerëz përparimtarë të cilët me sakrifica të mëdha e dhanë kontributin e tyre në shërbim të lirisë së atdheut.
Poashtu, heroin e veprës e ka përshkruar thjesht dhe bukur, në mënyrën më realiste, pa bërë as më të voglën përpjekje që ta “tjetërsojë” fjala vjen, duke i dhënë figurën e një personaliteti të madh, të paarritshëm, “autritativ”, si tip burokrati e të tjera.
Heroi, Rexhep Malaj në këtë vepër  biografike, paraqitet shumë origjinal; një djalosh i zgjuar, punëtor dhe intelektual i edukuar kombëtarisht i etur për dije, një revolucionar i thjeshtë dhe i vendosur, i cili fuqinë e tij nuk merr nga frymëzimet e rastësishme me vrulle që,-siç thotë një fjalë e urtë popullore jona: “Nuk shpërthente si fruthi”. Rexhepi, ishte edukuar me kohë shqiptarisht nga babai  i tij atdhetar, Mehmet Malaj. Ky burrë trim, që e kishte bartur mbi supe qëndresën e ushtarit  të lirisë, gjatë LANÇ-re, por që më vonë e kishte ndier thellë padrejtësinë që popullit tonë iu bë, me ricopëtimin e atdheut në vitin famëkeq 1945, nga fuqitë e mëdha imperialiste dhe renegati i LANÇ-re, Josip Broz Tito.
Autori, duke mos e larguar për asnjë çast, heroin e tij nga gjiri i popullit, bukur e ka pasqyruar figurën e  tij të vërtetë; figurën e ndritur të një komunisti shqiptar të vendosur, i edukuar dhe i mbrujtur fuqishëm me idetë enveriane, thellësisht kombëtare shqiptare.
Vlen të theksohet fakti që, publicisti-kronikan i asaj kohe të mbarsur me shumë ngjarje epike, me shumë rreziqe, nuk bie në subjektivizëm borgjez, krahinorist, bajraktarist e të tjera dobësi, për asnjë çast shokut tij nuk ia ka dhënë, atributin e një “organizatori kryesor” të një shoku mospërfillës, mendjemadh, që vuante nga sindromi i “personaltetit të madh”, të cilit i pëlqente të komandonte apo vepronte krye më vete, thjesht; heroi ynë, nuk ishte i sëmurë nga elemente borgjeze revizioniste si ato: bajraktariste, lokaliste, burokratike, teknokratike e të tjera…
Rexhep Malaj, nuk vuante aspak nga idetë trockiste, sipas idesë së tyre famëkeqe, “të ruajtjes së kuadrove  kryesore të Partisë, të ruajtjes së “personaliteteve  të mëdha”, ndonëse Ay, shpesh ishte organizatori kryesor i aksioneve, gjurmuesi për sigurimin e teknikës dhe të materialeve për shkrimin dhe shpërndarjen e parullave, sigurimin e librave, të gazetave ilegale dhe videove (kasetave) që propagandonin vijën e drejtë të mësimeve të shokut Enver Hoxha dhe të Partisë së Punës, por jo vetëm kaq; Rexhepi, interesohej dhe për sigurimin e armëve, për hapjen e bunkerëve për ruajtjen e këtyre materialeve dhe përgatitej edhe për rezistencë ushtarake, njëkohësisht, ishte i pari në krye të detyrës, që pa hezituar printe në aksionet më të rënda me rreziqe të mëdha të cilat as i honepse fare, sikur të hidhej nga një shkëmb i lartë, duke u larë në ndonjë lum të thellë, ashtu e ndiente ai freskinë e duhisë revolucionare kur bashkë me shokët besnikë i kryente aksionet me sukses.
Ay, nuk ishte nga ata që, merrte vendime kokë më vete, prandaj ishte i gatshëm që, madje edhe me sakrificën e tij të shkonte nga Gjilani në Prishtinë, fjala vjen të konsultohej me Bacin Adem Demaçi, pas daljes së tij nga burgu, pas vitit 1974, sesi të vepronin, çfarë të bënin me shokë për hapa të mëtejshëm që të ndriçonin idealet e lirisë dhe të ribashkimit kombëtar si rrezet diellore.
Sherif Sherifi, herë duke i përkëdhelur, herë duke i trazuar kujtimet, radhë-radhë që i vinin si dallgët detare dhe si rrezet diellore; që nga rinia, njohja me Rexhepin dhe më pastaj takimet e tij të shpeshta në fakultet në ato barakat e vjetra, por që brenda mureve të tyre me lagështira, kishin djelmosha dhe goca me zemrat flori, lexuesi i kësaj vepre padyshim që, do të përjetojë emocione do të fitojë njohuri më të plota dhe do të ndien mbresa të paharruara, sesi rinia jonë heroike atëbotë vuante për gjërat më elementare për jetesë: për ushqim, veshë-mbathje dhe për më keq vuante dhe për libra në gjuhën shqipe.
Mua, gjatë leximit më ka lënë mbresa të thella, në veçanti vizita e Rexhepit në Shqipërinë e andej Drinit; kjo pjesë e jetës së heroit, më thellësisht dhe më gjerësisht e trajtuar në veprat e shokut të tij të veprimtarisë dhe të burgjeve, Agim Sylejmanit, kushtuar biografisë titanike të heroit. Pasi e kishte kaluar kufirin ilegalisht me Isa Kastratin, tani dëshmor i atdheut në luftën e UÇK Heroike dhe Firdeze Mujaj, pas qëndrimit disa mujor në Shqipëri, Rexhepi dhe Isai kthehen në Kosovë, ndërsa, shoqja Firedeze jeton në Shqipëri.
Çka e bënë më mbresëlënëse këtë vizitë të Rexhepit:
1. Rexhepi, pasi e kalon kufirin shqiptaro-shqiptar, që në intervistën e parë, kur merret në pyetje nga organet kufitare dhe ato të azilit politik, deklaron hapur: “Jemi ardhur këtu në shtetin amë, që të kryejmë Akademinë Ushtarake, të aftësohemi ushtarakisht që, pastaj të kthehemi në Kosovë, të luftojmë për lirinë e popullit tonë”.
2. Pasi organet e shtetit shqiptar dy djelmoshat, i këshillojnë  që të kthehen në Kosovë, duke i bindur se, atdhetarët duhet të qëndrojnë dhe të veprojnë atje, jo në Tiranë.
-Pas disa takimeve me Shaban Brahën dhe Salih Shatrin dhe në veçanti pas takimit me udhëheqësin e PPSH-së Hysni Kapon, Rexhepi bindet që, më mirë është të kthehen që të vazhdojnë betejat në pjesën e atdheut të robëruar, pikërisht në ditën e fundit të kthimit, Rexhepi ndahet solemnisht me Salih Shatrin, ish- zyrtar i lartë në Sigurimin e Shtetit shqiptar, i ngarkuar me përgjegjësi në trajtimin e të arratisurve nga Kosova. Pas bisedës tri orëshe, pas përqafimit që, fatkeqësisht qe i fundit; Rexhepi me grushtin lart, i drejtohet si vëllai vëllait: Mirupafshim në frontet e luftës! Mirupafshim, në frontet e luftës!-ia ktheu lamtumirën luftarake, atdhetari i madh i Kosovës Kreshnike, Salih Shatri.
Nga kjo vendosmëri, lirisht mund të themi se, Rexhep Malaj kishte vendosur që në rininë e tij si gjimnazist të bënte luftën në llogore me pushtuesit, por jo i vetmuar, gjithnjë në përkrahje të atdhetarëve në çdo cep të atdheut dhe duke u bazuar direkt në udhëzimet e PPSH-së.
Në historinë e kombit tonë, kemi personalitete të shquara që kanë lënë gjurmë të thella veprimtarie që, shekujt s’do t’i shlyejnë kurrë, pa dyshim që njëri ndër këta flakadanë në radhët e para të historisë së re të Kosovës, do të ketë vendin e nderit organizatori, udhëheqësi, komandanti dhe ushtari i atdheut, Rexhep Malaj.
-Është për t’u theksuar edhe puna e Rexhepit, mësues në katundin Marec, katund në rrethin e Artanës (ish-Novobërda). Ay, veç punës së tij me dashurinë ndaj dritës në arsim t’i mësojë filizat e reja, mësuesi i thjeshtë, bisedon shtruar gju më gju me popullin e asaj ane, bile aty arrin të krijojë lidhje dhe në aspektin organizativ, duke shpjeguar  me elementë atdhetarë se, kjo gjendje në robëri nuk durohet gjatë.
Duke lexuar këtë vepër me vlera të mëdha kujtimesh, lexuesi do të mësojë për shumë aksione atdhetare, që heroi Rexhep Malaj i kishte kryer me shokë e shoqe. Do të mësojë për golgotën e burgosjeve të këtyre veprimtarëve në veçanti në vitin 1975 kur u burgos i ashtuquajturi, “Grupi i Adem Demaçit”.
Autori, duke qenë pjesëmarrës në këto aksione, i ka përshkruar të dhënat qartë dhe të sakta, i ka pasqyruar me besnikëri  gjatë situatat e këndshme gjatë takimeve me shokë e shoqe, evokon kujtime si kishin mësuar dhe kënduar këngë revolucionare, jo vetëm në natyrën e bukur shqiptare, atje pranë lumit dhe kur punonin me traktor me bashkëpunëtorin e tij, Rexhepin dhe vëllain e tij, Hasanin i cili ju thoshte: “Do t’ju shëtis me traktor, udhëve të katundeve, deri te lumi ku  merrnin rërë, nëse ju këndoni këngë për shokun Enver”, prandaj djelmoshat atdhetarë, ia krisnin këngës si bilbilat e Kosovës së Shqipërisë.
Vitet e rinisë, natyrisht që, janë më të  bukurat për njerëzit, por kur ato vite ne brezi ynë, i kaluam në robëri, dhe kur përpjekjet e rinisë nuk reshtnin së vepruari për liri, në çdo kohë dhe në çdo vend, ishim të rrezikuar të ndesheshim me hienat armike serbo-çetnike, por edhe me ish-bashkëpunëtorët e tyre shqipfolës, me tradhtarët e atdheut.
Të gjitha këto gëzime dhe hidhërime, Sherifi i ka përshkruar fort bukur dhe me nota të fuqishme melankolie njëkohësisht dhe qëndrese; me rastin e burgosjeve dhe të vrasjeve të heronjve tanë.
-Mirëpo, vlen të theksohet fakti që, përkundër gjithë atyre peripecive të jetës, kronikani i devotshëm, asnjëherë nuk bie në pesimizëm, nuk mposhtet ideja e tij dhe jona optimiste se,-siç do të shkruante me optimizëm tej-tej, parashikues historiani atdhetar,  Ajet Haxhiu:
“Populli i Kosovës, është i përjetshëm dhe do të fitojë”!…
Shikuar nga ky aspekt, ndonëse ende kemi shumë për të bërë, optimistëve koha po iu jepë të drejtë; atmëmëdheu ynë, ndonëse është ndeshur dhe ende po ndeshet ende me shumë bllokada të forcave të errëta reaksionare të jashtme dhe të brendshme, populli ynë ishte dhe është i vendosur të fitojë lirinë dhe ribashkimin kombëtar, gjithnjë ka marshuar përpara në histori, më në fund do të fitojë.
“Populli shqiptar e ka çarë historinë, me shpatë në dorë”! (Enver Hoxha).
Duke përfunduar këtë përsiatje të udhëtimit, nëpër kohëra historike, shokut tim të idealeve të larta kombëtare, Sherif Sherifit, i uroj shëndet dhe suksese,-e gëzofshim Shqipërinë e Ribashkuar!
Rroftë Shqipëria Natyrale!
Lavdi dëshmorëve të atdheut!

5 Mars, 2023

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Adem Demaçi dhe projekti i tij për TV-Diellin

Mujë Hyseni: TV DIELLIT

Për mua sot qe o një ditë e mbarë U binda unë sot qe kemi …