Faqe poetike me poezitë e Brahim Avdylit

KTHIMI I PËLLUMBIT

 

U kthyen pëllumbat

nga fundi i shekujve

nga fillimi i shekujve

nga Drita dhe Qielli

duke pëshpëritur

dhembjen e tyre pëllëmbore.

 

Nuk e di cilën ngjyrë e kishin

herë më dukeshin të bardhë deri në të zi

herë më dukeshin të zi në të bardhë

e herë ndërronte rreze dielli në sy

deri sa e mbulonin Qiellin

me krahët e përpëlitjeve.

 

A e dini ndokush dhembjen e tyre

apo dhembjen time të ma tregoni,

nuk kam fjalë për këtë këngë përpëlitëse

me ajrin e mbarsur të lindjes

me ajrin e mbarsur të jetës!

 

Ejani pëllumba, ejani gjatë dhembje

me gugutë e juaja të këndshme

nuk më jeni ndarë prej fëmijërisë sime,

dhembjen tuaj të qetë e të butë

e kam qarë në qendër të vrapimit

rreth Diellit edhe pse i zjarrtë,

 

kur ta pushtoni rrezen e shkruar

nga Dodona e parë

na e sillni atë fjalë

tërë njerëzimi do ta kuptojë

pëshpëritjen e kthimit tuaj-

 

jeni tre kujtoj apo tre miliardë

që lëshoheni nga Degët e Lisit

të zgjatura nëpër hapësirën e Diellit

 

pëllumb i pa ndalur i shpresave

pëllumb i fatthënave!…

 

 

LEJLEKU I ËNDËRRAVE

 

 

Çdo gjë fillon me ëndrrën

edhe kur nuk mund t`u bëjmë

me stërmundimin jetësor

si diçka të qenë,

 

kur hapen krahët e hapësirës

u nxjerrin juve në sipërfaqe

si pjesë e reales që vjen

me ngjyra të paqes,

 

ne u përkulemi përpara

sikur në vendlindje

edhe në Zvicër-

sytë e dritës ua ruajmë,

 

u thërrasim përtej fjalës

na e sillni një dhëmb të ri

kur ua hedhim të vjetrin…

 

dhe çdo gjë fillon me juve

lejlek të ëndrrave tona.

 

 

SHTEGËTAR I LIRISË

 

 

Me flatrat e qiellit

udhëtoni larg

për të ikur nga dhuna

për të gjetur pranverën,

 

ne jemi lelekët  e parë

prej emrit të Karianëve-

pellazgëve parahelen

dhe paralajmëtarëve

të ditëve më të mira.

 

Bëhemi së bashku

me lejlekët e sotshëm

e dalim kudo

nëpër botën e dhembjeve

për ta mundur dimrin

nëpër Evropë

dhe dëshirojmë Lirinë,

 

bëhemi shtegtarë

me ngjyrën e bardhë

si drita e Diellit

që vizëllon të buzëqeshë

larg, përtej shekujve!

 

Nuk e di nëse jemi

në jug-perëndim të Azisë

apo njeriut me qime

të rruzullit tokësor-

 

lelegë apo lejlekë

duke ikur nga vuajtjet

me flatrat e lirisë!

 

 

 

ENIGRMË E PËRJETSHME

 

1.

 

O gjarpër i shenjtë,

mblidhesh në spirale

ethesh për ne

 

e ngritesh

me kokën e goditjeve

në bishtin

e dhembjeve.

 

2.

 

Kur të shoh

më thahet pa shpirt

një fjalë në gojë

 

e regëtimat e qenies

ndrydhen të heshtura-

 

mitologjitë e botës

mblidhen sertë

 

ku do të jetë

dënimi i Zotit.

 

3.

 

Herë bëhesh

shtagë e gjatë

dhe mbi ty mbahet bota

për të mos rënë

skrupull

me dhembjet e viteve

 

e herë-herë

sa qel e mbyll sytë

bie mbi jetën

e shpërfillur

 

aty ku nuk të mendon njeriu

dhe e ka lëshuar

rrugën e zotit!…

 

4.

 

Qindra poezi

mund të shkruheshin për ty

 

edhe po të gënjenim

për të paqenën me fjalë

apo të përkryerën

 

kur të takojmë

të mbledhur lakuriq

rreth pritjes-

 

ti ngjitesh më lartë

me kokën përmbi heshtje

e hidhesh si shpatë

 

prandaj na rrëqeth

me ngjyrat e tmerrit

 

ngadalë

pështillemi larg

e largohemi

përtej vdekjes.

 

5.

 

Njëmijë vjet

jeton me dhembjet

e vetminë

 

të ka plasur gjuha

nën gur

nën dushk e shi

nën dhé

 

duke pritur jetën

të soset

nën helmin tënd-

 

helm është jeta vetë

katran

i mbyllur në gur

 

enigmë e përjetshme!…

 

 

 

ORA E SHTËPISË

 

 

1.

 

Ora e shtëpisë

ka trajtën e gjarpërit,

nën trarin kryesor

e vëzhgon shtëpinë.

 

Fishkëllima e tij

është thirrje kushtrimi

që përbanë

në tri ndarje

vlerat e familjes.

 

2.

 

Është shpirt

i mbetur gjallë

Fi-Fi-Fiu,

ndër vite dhe shekuj

 

për të mbrojtur mikun

e për të shkatërruar armikun,

edhe pjesëtarët

që shpërfillen

nën kaptimin e djallit

 

nderin e moralin

e dhunojnë pafalshëm!

 

3.

 

Atëherë zbresin

sa çel e mbyll sytë

 

e zeza është kob për ata

që dhunojnë bukurinë

dhe armiqtë e tjerë

 

 

që vinë të porositur

edhe nga Iblisi

për të zhdukur prore

shembullin e mirë,

 

e bardha është paqe

për të gjithë shenjëtorët

dhe për fëmijët-

lulen e përtërirjes.

 

4.

 

Në tulla të oxhakut

mund të qëndrojë ora

 

në djep të fëmijve

kur nuk janë të lidhur

që ta mbrojnë

nga Satani

 

ata që nuk kanë fuqi

vetë të mbrohen…

 

5.

 

Ora e shtëpisë

i ngjanë hyjneshës së vatrës

 

është gjarpër i veçantë

që i ndjekë brejtësit

 

ata që zhbirojnë

nga kërshëria e tyre

dhe dëmtojnë…

 

6.

 

mund të kthehen

në një qenie

mitologjike

 

 

në formën e gruas

t`i ngjajë Zanës-

 

është pra

gjarpëri i shtëpisë

bardhë e zi

 

deri sa nuk shuhet

shtëpia!…

 

  

SUFERINAT E DHEMBJES

 

Gjurma e shkrimeve niset nga lashtësia

me kalanë që nuk rrëzohet aspak me fjalë

por kënga të pavdekshme e ringjallë ndër ne,

energjia e pashtershme e kësaj mbijetese

pikon me qumështin e viteve të dhembjes

nëpër gjëmën e djalit të vogël e bonjak,

nuk ka si ta lëmojë gjysmën e trupit

derisa nuk flet dhe është i ftoftë si vdekja

kështu që vjen nëpër legjendën e stërlashtë

dhe na e rritë prore mbi gur një lule-pemë.

Fati i Rozës kthehet fuqishëm në Rozafat

dhe ushqehet prore i biri me lot në sy

e neve na jep të thithim gjithë atë helm

brez pas brezi duke e përkundur rriten

nëpër regëtimat e heshtura flijuar në kohë.

Kambana e vargjeve ushton nëpër shekuj

nëpër sytë e nënës – zanë e qenies sonë

që gjithnjë na e jep qumështin e viteve…

Gurëzimi na rritet dikur në Urën e Fshejtë

dy brigjet e këngës sonë të na i përputhë

me jehonë të pashtershme të shkëmbinjve

në pikë të Qiellit mbërrijnë të na kthehen

derisa thithim nektarin e lulebjeshkëve…

 

dhe çdo gjë fillon me gurët e kalave tona

që mbetën gjellë me fëmijë dhe rindërtohen

nëpër suferina e pambaruara të Këngës!

 

 

PUSHTETI I NDJENJAVE

 

Njerëzit dhe grupet

klanet dhe klasat

të gjithë popujt

të gjitha shtetet

i tërheqin zvarrë

vargonjtë e pushtetshëm

 

e ëndrrat e therura

antagonizmash të ndërsjellë

nëpër zgavrat e kafkës

tërë qelbin e njerëzimit

e kullojnë…

e kullojnë!

 

Askush se kupton

çka i tërheq vazhdimisht

kundër njëri-tjetrit

në rropullitje

copë-copë,

 

është pushtet i pafund

pushteti i ndjenjave!

 

 

KAM ZBRITUR NGA YJET

 

E shoh veten fëmijë nëpër arat me misër

jam në Zvicër por kujtoj se jam në Morinë

dhe loz me rrezet e ngrohta të Diellit

qe rriten në bukë të kallinjve.

 

Kalliri zgjatet e buzëqesh me vesën e mëngjeseve

sikur më përshëndet dhe dua ta përqafoj

jam edhe vet fëmijë që loz me Diellin mbi tokë.

 

Herë në Einsiedeln  bëhesh birrë e misrit të artë

e herë bëhesh miell i bluar dhembjesh

për tu bërë misërnike

që e blej në shitoret e vogla të mallit

nëpër kodrinat e diellit

 

dhe vjen dita kur konzervohesh e grirë

për të ushqyer sërish Lopët e Diellit!…

 

Tani nuk e di mirë se në cilën kohë jetoj

në cilin shekull-

 

mijëra herë paskam zbritur rastësisht nga Yjet!

 

Thurau, 21.06.2013

 

 

PIKËLLIMI

 

Kur ndodhesha larg nga këtu

kur ndodhesha në perëndim

kur vërdallesha rrugëve të botës

për një metelik

 

ju, të ulur mbi fron

ndoshta ëndërronit llullën e fildishtë

gjarprin e verdhë të perëndimit

 

e përmalloheshit për mua

në pamundësi për të më gjetur.

 

Tani,

jam në vendlindjen e përbashkët

aty ku e kam harruar një varg

me ëndrrën e madhe të Atdheut,

 

më kot ëndërroj që tu shoh

pikëllohem, besoni!

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …