Fatmir Graiçevci: Kadri Beba, i pushkatuar nga regjimi titist –rankoviqist, i pa trajtuar në mënyrë meritore edhe pas luftës çlirimtare! II

Fatmir Graiçevci: Kadri Beba, i pushkatuar nga regjimi titist –rankoviqist, i pa trajtuar në mënyrë meritore edhe pas luftës çlirimtare! II

    Torturimi i familjarëve, djegia e kullave dhe konfiskimi i pasurisë

   Angazhimi dhe lufta e armatosur e Kadri Bebës dhe Sali Rexhës nëpër fushëbeteja të shumta do të vazhdojë edhe pas Kongresit të Blinajës por çdo herë e në kushte dhe rrethana më të vështira. Ai kishte informata se regjimi titist – rankoviqist kishte marrë vendim që me të identifikuar të vendndodhjes, do ta rrethojnë dhe do t’ia përdorin anëtarët e familjes së ngushtë si muri të gjallë gjatë luftimeve për vrasjen e tyre. Kjo kishte bërë që familjen e ngushtë ta largoj nga Ribari i Madh dhe ta strehoj nëpër familje anekënd Kosovës dhe vet të merr pjesë nëpër beteja për ta mbajtur gjallë zjarrin çlirimtar. Dhe për gjatë tri viteve, 1945 – 1947, familja e tij e ngushtë, zakonisht natën, nëpër shi e borën e dimrave të acart, fillon të bëjë jetë në ilegalitet të thellë, duke gjetur strehim nëpër familje të shumta liridashëse, në Krojmir e Pjetërshticë, Rancë e  Grejqevc, Topillë e Kabash, Hencë e Hallaq i Madh, Bujan e Varigoc e fshatra tjera. Jo rrallë herë familjet që i strehonin pësonin keqtrajtime e tortura kur hafijet shqipfolës njoftonin regjimin shqiptar vrasës për lëvizjet dhe strehimet e familjes së ngushtë të Kadri Bebës. Shumë herë ishin minutat në pyetje para se të rrethohej familja apo lagjja ku ishte strehuar familja e Kadri Bebës. Por ishte rrjeti i informatorëve që kishte krijuar me kohë, vigjilenca e jashtëzakonshme e me raste edhe ëndrrat ( ! ) që i dëftonin se vend ndodhja e familjes së tij ishte identifikuar dhe forca të shumta partizane ishin nisur për rrethim dhe asgjësim. Por pavarësisht vështirësive të shumta, ai nuk jepej sepse me kohë kishte ndarë mendjen – të luftoj për komb e atdhe deri në frymën e fundit. Por përpjekjet e regjimit shqiptar vrasës nuk ndalonin sepse donin me çdo kusht kokën e tij dhe kjo i kishte bërë të ashpërsojnë luftën kundër tij. Tani forca të shumta partizane, ia mësyjnë shtëpive të Kadri Bebës e Sali Rexhës me qëllim për ta shkatërruar me themel ekonominë e tyre dhe pamundësuar ndihmën e tyre nga aspekti ekonomik.

Fillimisht i rrethojnë trojet e tyre, ua rrëmbejnë krejt pasurinë e tundshme, dhjetëra lopë e buallica, qindra dele, qengja e dhi, dy qejze me kuaj, qerret të cilat paraprakisht i mbushin me rroba, shtrojë e mbuloj dhe odave të tyre e kullave, ua vejnë zjarrin ndërsa meshkujt tjerë torturojnë në prani të grave e fëmijëve. Duke treguar për keqtrajtimet dhe dhunën brutale të forcave shqiptar vrasëse të Titos e Rankoviqit, Veli Halil Beba, nipi i Kadri Bebës, rrëfente:

 Partizanët hynë të mllefosur dhe egërsuar në trojet tona dhe filluan të ushtrojnë dhunë kafshërore. Tanimë ne ishim mësuar me dhunën e tyre por ishte e rëndë për ne kur na rrihnin egërsisht para syve të fëmijëve të vegjël. Krejt çka kërkonim prej tyre ishte që rrahja të mos bëhej në prani të familjarëve por kot. OZN-istët ishin të pashpirt në tortura dhe sajonin lloj lloj mënyra. Mbaj mend të gjitha torturat por dy janë që më kanë shkaktuar më së shumti dhimbje trupore. Ata, para se të më torturojnë më shtrijnë mbi shkallë. Dhe kur më godisnin, aq sa ndjeja dhimbje nga mjetet që më godisnin fuqishëm mbi trup, po aq ndjeja dhimbje në të njëjtën kohë nga dhimbjet që më shkaktonin në trup shkallaret e shkallës nën trupin tim që linin plagë të theksuara në trupin tim. Kisha dhimbje edhe nga goditjet në fytyrë dhe thyerja e dhëmbëve nga kondakët e armëve por këto nuk ishin asgjë krahasuar me një torturë tjetër të pamëshirshme. Dushmanët nuk mjaftoheshin me këto dhe irritoheshin tej mase kur pas pyetjes së tyre se:

A do ta t’i ndihmosh më Kadri Bebën e Sali Rexhen dhe shokët e tyre – unë ua ktheja:

Po, sa herë të kenë nevojë, e unë të kem mundësi me i ndihmu. Jam rritur në duart e tyre dhe si mund të mos ju ndihmoj!? Kjo irritonte pa masë ata. Njëherë në torturim e sipër, më godisnin pa ndërpre në trup me tytat e pushkëve derisa më thyen brinjët. Mandej nuk u mjaftuan me kaq por vazhduan të më godasin edhe me shumë derisa tytat e pushkëve depërtuan brenda trupit tim. Mandej dushmanët rrotullonin  pushkët dhe pjesa e shënjestrës së pushkës u bë si grep brenda trupit tim dhe derisa hiqte atë nga trupi, ndjeja sikur po me shkul organe nga trupi. Ishin dhimbje të papërshkueshme por nuk jepesha dhe nuk lëshova asnjë ofshamë sepse e tëra kjo bëhej në prani të gjithë familjes, grave, vajzave e fëmijëve. Tortura të tilla kemi përjetuar shumë herë dhe dikur u mësuam me to.

E rëndë ishte edhe kur na i kallën dy kullat, odat e ahritë dhe na lanë nën qiellin e hapur, me rob e fëmijë, ndonëse ishte dimër e acar i jashtëzakonshëm. Në rrethana të tilla, më të vegjlit dhe vajzat, i dërguam te dajallarët e tyre ndërsa djemt që kishin pësuar më pak, po atë ditë filluam të merreshim me rindërtimin e shtëpive. Ishte tejet ftohtë por dikujt i lindi ideja që me drunjët e shtëpisë që po digjeshin, të vlonim ujin dhe me ata ujë të sajonim lloq dhe të rindërtonim muret e shembura, aq sa ishte e mundur në rrethana të tilla. Ndonëse rindërtimi i tërësishëm i shtëpive ishte i pamundur, me anë të sajimit të lloqit e ujë të vluar, na e mundësonte që disa mure me pak të dëmtuara, t’i rindërtonim e disa tjera t’i shpëtonim nga rrëzimi i tërësishëm, pasi kulmi i kullave ishte shkatërruar tërësisht.

Por dushmani kishte marrë vesh për këtë dhe erdhën sërish, si gjithnjë, të egërsuar. Kësaj radhe filluan edhe me rrëzimin e mureve të oborrit dhe gjatë rrëzimit të tyre, ndodhte të zbuloheshin armët e fshehura në to. Dhe sërish nisnin torturat shtazore. Por kësaj radhe, të gjithë burrat e djemtë e moshës madhore, nga mosha 16 – 17 vjeçare e deri te mosha 70 vjeçare, na i lidhën duart dhe na dërguan në burg. Ishin vite të rënda pasi edhe atje u ballafaquam me shumë vështirësi, sharje, dhunë, torturime, mungesë ushqimi dhe më e keqja, kur na kërcënonin se do të ju përdorim si mburoje e gjallë gjatë luftimeve kundër mixhës Kadri, bacit Salih dhe bashkëluftëtarëve të tyre, tregonte me lot në sy, e me cigaren që tretej pa u konsumuar, Veli Halil Beba, nipi i Kadri Bebës.

Pushteti i titis – rankoviqist, nuk ishte mjaftuar vetëm me djegien e kullave të Kadri Bebës e Sali Rexhes por po atë ditë, ia vënë flaken edhe shtëpisë së mikut të Kadri Bebës, Metush Hotit pasi edhe ai me kohë ju kishte bashkangjitur dhëndrit të tij dhe për asnjë moment nuk ishte larguar prej radhëve të bashkëluftëtarëve të tij. Por pavarësisht këtyre mizorive çnjerëzore, Kadri Beba nuk jepet për asnjë moment por vazhdon rezistencën e armatosur në kushte dhe rrethana që sa vinin e rëndoheshin. Por mendja djallëzore kishte sajuar planin e radhës, dhe në pranverën e vitit 1947, përveç burgosjes së 11 djemve e burrave, nga 15 vite e deri në 70 vjeç të familjes së Kadri Bebës e Sali Rexhës, që kishte kohë që po mbaheshin në burg, regjimi i Titos dhe Rakoviqit merr vendimin tjetër dhe arrestojnë familjen e gjerë të Kadri Bebës e Sali Rexhes dhe i nisin për Komoran dhe i paralajmërojnë se ata do të depërtohen për në Rusi nëse Kadri Beba nuk dorëzohet me djalin e axhës së tij, Sali Rexhën.

   Ishin rrethana tejet sfiduese e me pasoja tejet të rënda, për familjet e tyre. Tani Kadri Beba e Sali Rexhaj ishin para një sprove të jashtëzakonshme. 11 djem e burra të familjes së tyre ishin në burg dhe ishin paralajmëruar se posa të identifikohet vendndodhja e prindërve të tyre, do të përdoren si mburojë e gjallë në luftë kundër tyre, ndërsa anëtarët e tjerë ishin dërguar në Komoran dhe brenda pak ditësh do të niseshin për t’u depërtuar në Rusi. Në rrethana të tilla, Kadri Beba merr vendim të ballafaqohet i paarmatosur me regjimin shqiptar vrasës në këmbim të kthimit të familjes së gjerë nga Komorani në trollin ku më parë, forcat shqiptar vrasëse titiste – rankoviqiste e kishin bërë shkrumb e hi si dhe lirimit nga burgu të 11 djemve e burrave të familjes së tij. Sali Rexha refuzon të ballafaqohet i paarmatosur me regjimin shqiptar vrasës dhe vazhdon rezistencën e armatosur. Drejtuesit e regjimit të kohës marrin vendim që të kthejnë familjarët nga Komorani por jo edhe të burgosurit meqë ata do t’i përdornin si mburojë e gjallë gjatë luftimeve kundër Sali Rexhes dhe çetës së tij.

  Pak muaj pas burgosjes, zhvillohet procesi gjyqësor kundër Kadri Bebës. Nga leximi i dosjes së procesit gjyqësor kundër tij, e cila ishte e qasshme pas përfundimit të luftës çlirimtare, familjarët mësojnë se thuaja të gjithë pjesëmarrësit në procesin gjyqësor kundër Kadri Bebës, janë shqipfolës – trupa gjykuese, anëtarët e prokurorisë dhe dëshmitarët e regjimit!!! Kundër tij merret vendimi kapital – DËNIM ME VDEKJE – PUSHKATIM. Dhe në të gdhirë të 12 shkurtit, të vitit 1948, aty ku kohë më parë ishin pushkatuar e varrosur pa shenjë e pa nishan bashkëluftëtarët e tij, Gjon Serreqi, Ajet Gërguri, Osman Bunjaku e shumë liridashës të tjerë të kombit e të atdheut, në vendin e quajtur “Strelishte” në lagjen Tauk Bahqë në Prishtinë, skuadra e pushkatimit, e regjimit shqiptar vrasës Tito – Rankoviq, zbrazin plumbat në trupin e një prej luftëtarëve  më të paepur të Shqipërisë etnike, Kadri Bebë Ribari, i cili për dekada me radhë kishte dhënë gjithë çka për komb e vatan, djersën, gjakun, pasurinë, familjen dhe jetën e tij, deri në frymën e fundit, pa pritur asgjë për kompensim!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Edhe disa veprime të tjera të papërgjegjshme të individëve të caktuar. E diel 2 maj, 1999

Ahmet Qeriqi: Edhe disa veprime të tjera të papërgjegjshme të individëve të caktuar. (E diel 2 maj, 1999)

Vazhdojnë sulmet e Aleancës ushtarake Veriatlantike kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me rastin e …