Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: Reagime të shumta për dy milionë euro, heshtje varri për shumë vjedhje të tjera më të mëdha

 “Ka vetëm një mëkat. Vjedhja. Çdo mëkat tjetër është vetëm një variant i vjedhjes. Kur vret një njeri, i ke vjedhur jetën. Vjedh të drejtën e gruas për të pasur një burrë dhe fëmijëve të drejtën për t’u rritur me babanë. Kur i thua një gënjeshtër dikujt, i vjedh të drejtën për të njohur të vërtetën. Nëse tradhton, i vjedh të drejtën për besnikëri”, shkruan në mes tjerash shkrimtari i jashtëzakonshëm, afgano-amerikan, Halid Husein, në romanin e tij të famshëm “Gjuetari i Balonave” i cili vetëm gjatë vitit 2003 arriti një shitje prej 15 milionë ekzemplarëve duke u bërë romani më i shitur i vitit.

Por a do të ishte kaq e shkurtër lista e shkrimtarit, nëse do të jetonte në vendin tonë!? Mendja ma thotë se vjedhja e 2 milion eurove do të ishte në fund të listës krahasuar me vjedhjet tjera që janë bërë e po bëhen në vendin tonë, me dekada me radhë! Athua do të heshtte humanisti Hossein sikur kanë heshtur dhe heshtin pseudo intelektualët tonë mbi gjysmë shekulli për vjedhjet e shumta, thuaja të panumërta. A do të heshte shkrimtari Khaled Hossein për varrezën masive në kryeqendrën tonë “Tauk Bahqe” e cila ua ka vjedhur mijëra nënave të drejtën për t’u rritur me bijtë e tyre, apo të drejtën e fëmijëve për t’u rritur nën përkujdesjen e baballarëve të tyre e jo sikur janë rritur nën terrorin, ndjekjen dhe trajtimin çnjerëzor të regjimit të Jugosllavisë së udhëhequr nga shqiptar vrasësit Tito-Rankoviq!

Po për të drejtën që ju është marrë mijëra të rinjve e të rejave shqiptare për të jetuar në liri e jo nëpër burgje anekënd Jugosllavisë, a do të heshtte shkrimtari, Khaled Hossein sikur kanë heshtur këta biçim shkrimtarët tonë!? Por për të drejtën për të thithur ajrin e pastër të natyrës e jo ajrin e skutave të mykura të qelive, a do të heshte Hossein!? Nuk e besoj. E nuk e besoj se do të heshte as kur nga prokuror serb e shqiptar shpirt shitur mijëra të rinjve e të rejave ju morën rreth 25 mijë vite jete të lirë dhe u degdisën anekënd burgjeve të Jugosllavisë për të cilën ende flasin me përmallim disa shpirt shitur e mendje skllavër. Por jo vetëm kaq!

A do të heshtte ky shkrimtar ndaj vjedhjes së gjumit të qetë të mijëra familjeve shqiptare të cilëve ju mungojnë anëtarët e tyre të rrëmbyer nga ushtria dhe policia e Serbisë, para dy dekadave!? Por ja që ne heshtim sepse disa burokrat ndërkombëtar na paskan këshilluar miqësisht se ne duhet të pajtohemi me rrëmbyesit, vrasësit, masakruesit dhe dhunuesit tonë për hir së ardhmes sonë ani pse as edhe njëherë të vetme s’kanë kërkuar falje për vrasjen dhe masakrimin e afër 2 mijë fëmijëve, e as për dhunimin e 20 mijë femrave, e as për 400 masakrat anekënd Kosovës ku ju morë e drejta për të jetuar rreth 13 mijë shqiptarëve!!!  S’besoj se shkrimtari i jashtëzakonshëm, Khalid Hossein do të heshtte sikur kanë heshtur deri më tani shumica e pseudo akademikëve, pseudo intelektualëve, pseudo shkrimtarëve, pseudo analistëve e pseudo gazetarëve tonë e të mos flasim për sojin e struc politikanëve.

   Por kjo nuk është e gjitha e as çereku i listës së vjedhjeve të shumta e të pamëshirshme por të bëra në mënyrë perfide!

   Mirë që po reagohet ndaj 2 vjedhjeve të dy milion eurove por ku janë reagimet ndaj vjedhjeve të tjera, e që janë aq të shumta sa nuk arrin t’i numërosh!

Po ndaj vjedhjes së mirëqenies së qytetarëve nga një kastë egoistësh pse heshtet kur dihet se pasuria e tyre e jashtëzakonshme nuk ka mundur të bëhet në asnjë mënyrë nga pagat e tyre por është bërë në mënyrë të pandershme, duke vjedhur pasuritë e shtetit e të shoqërisë e duke i përvetësuar për veten e tyre, pa pikë turpi e frike se një ditë kanë për të dhënë përgjegjësi. Fundja e fundit a ka ndonjë rast të ndonjë hajni milioner që është vënë prapa grilave!? Asnjë!!! Po ndonjë rast që i është konfiskuar pasuria milionëshe a ka!? Asnjë!!!Ama ja që ka shumë raste të burgosjes së ndonjë qytetari që ka vjedhë ndonjë kerr dru sikur që ka stoqe të drunjve të konfiskuara sepse shteti duhet të tregoj muskujt dhe ja që ka zgjedhur të tregoj përball druvarëve apo të kategorive të tilla të shoqërisë dëmi i të cilave është i papërfillshëm në krahasim me kastën e milionerëve të pushtetshëm.

   Po për vjedhjet tjera a e kemi vrarë mendjen ndonjëherë!? Po për serialet e stërzgjatura me qindra episode e që ju duhen disa vite për te treguar kush me kënd u martua, a e kemi vrarë mendjen ndonjëherë!? A nuk është edhe kjo vjedhje e kohës sonë duke bërë që jetën ta kalojmë duke parë kotsira pa asnjë dobi!? A nuk është edhe kjo vjedhje e gjësë më të çmuar që kemi-jetës!?

      Mirë që prindërit shqetësohen për dy milion eurot e vjedhura por a janë shqetësuar ndonjëherë për kohën që ua vjedhin fëmijëve të tyre pajisjet e mençura!? Po për kohën që kanë kaluar në shkollë, a i pyesin ndonjëherë nëse kanë mësuar diçka të re apo ka qenë humbje kohë, për shkak të tyre e pse jo edhe për shkak të ndonjë mësimdhënësi që më shumë flet për jetën dhe përvojat e tij se sa njësinë mësimore!?

    Po studentët që nuk ndalojnë së shkruari për vjedhjen e 2 milion eurove, a janë brengosur për kohën e humbur duke pritur profesorët për ligjërata apo provime dhe dikur vonë marrin ndonjë selam se ligjërata apo provimi nuk mbahet!?

   Por kjo nuk është më e keqja. Më e keqja është mendësia e krijuar se mënyra më efikase për të përmbushur ambiciet është vjedhja dhe besimi se nëse vjedh shumë, milionat, e ke të sigurt se do të bëhesh i paprekshëm sepse jemi në sistemin kapitalist ku paraja është vlerë supreme dhe kur e ke paranë i ke të gjitha!

   Dhe kur nxënësi më lehtë e ka të kaloj testin duke vjedhur se sa duke mësuar, studenti më shpejt mbaron fakultetin duke vjedhur se sa duke studiuar, kandidati për deputet më lehtë duke vjedhur vota qoftë edhe brenda llojit se sa duke u angazhuar për realizimin e premtimeve para zgjedhësve, kur pasuria shumëfishohet më shpejt duke vjedhur se sa duke derdhur djers, pse të presim mandej të mos vjedhim!? Shto kësaj mandej edhe mos ndëshkimin e vjedhjes dhe s’duhet habitur kur vjedhja bëhet normë ndërsa nderi e mos vjedhja marrëzi!!! Dhe duhet pranuar se të gjithë kemi kontribuar në këtë anomali, pak rëndësi ka kush më shumë e kush më pak!

   Mbase është mirë të reflektojmë edhe për këtë fakt! Nëse i vdes prindi ose godet ndonjë fatkeqësi ndonjë për të cilin të gjithë flasin se ka vjedh pa ja nda, i madh e i vogël shkojnë për t’i shprehur ngushëllime për fatkeqësinë që e ka goditur, shfaqin empati të skajshme dhe gatishmëri për ta ndihmuar por kjo empati dhe gatishmëri tretet sakaq posa kemi t’bëjmë me ndonjë rast që e ka kapluar varfëria për shkak se ka zgjedhur të jetoj ndershëm. Madje madje edhe qeveria jo rrallë herë është treguar dorëlirë ndaj ndonjë deputeti, ministri a zëvendës ministri që kanë paga e privilegjeve të shumta por kjo bujari është zvogëluar e tretur për rastet tjera që janë thuaja pa të ardhura apo të ardhura minimale!

   Porosia: Nëse donë me kanë në kastën më të lartë të shoqërisë dhe të mos zbresësh poshtë asnjëherë, e të kesh ndere e privilegje, vjedh ama vjedh shumë, miliona, e në rast se ke ndarë mendjen me vjedhë pak, ndonjë kerr dru p.sh, të pret Dyzi, Dubrava e simotra të tyre që janë ndërtuar e po ndërtohen anekënd Kosovës!

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …