: Fatmir GrejqevciStrehuesi i luftëtarëve të NDSH-së, njeriu fjalë pak e punë shumë, zemërbardhi Ali Emin Qeriqi

Është e çuditshme se si disa njerëz u përngjajnë krye personazheve të romaneve më të arrira të letërsisë botërore. Një nga to është edhe ai i shkrimtarit të madh francez, Viktor Hygo, „Të Mjerët“, me krye personazh Zhan Valzhanin. Sa ndjenjë e mirë është kur njeh njerëz të kombit dhe vendit tënd, që kanë shpirtin dhe karakterin e këtij personazhi, i cili ka fituar dashurinë e qindra miliona njerëzve anembanë botës, pavarësisht kombit apo fesë së tyre.

I tillë ishte Ali Emin Qeriqi.

Alfa dhe omega e tij ishte t’u ndihmonte të tjerëve, në heshtje e pa zhurmë, pa pritur asnjë kompensim. Asnjë.

Janë të shumta familjet e fshatrave të ndryshme, të cilave u ka ndërtuar shtëpi, herë pa asnjë kompensim, e herë me një kompensim simbolik, aq sa për të thënë, me qëllim që pronari i shtëpisë ta kishte ndjesinë se edhe ai kishte kontribuar për shtëpinë e vet!

Ka me dhjetëra rrëfime për jetën e tij, por ndër ato që më janë ngulitur më shumë në kujtesë është tregimi i tij për strehimin e gjyshit tim, Kadri Beba, dhe djalit të tij, Mustafës, axhës tim.

Ishte dimër i madh. Bënte shumë ftohtë dhe bora kishte kaluar mbi një metër. Njoftohem se Kadri Beba, së bashku me djalin e tij, ishin në Krojmir, sepse kishin indikacione se vendstrehimi i tyre ishte dekonspiruar.

Marr qerren me kuaj dhe nisem për në mal, me pretekstin e marrjes së druve. Qëllimisht nisem pasdite, me qëllim që, derisa ta ngarkoja qerren me dru, të errej dhe takimin me Kadri Bebën e djalin e tij, Mustafën, ta zhvilloja në errësirë të plotë. E dija se Kadriu do ta kuptonte se ku isha, duke u orientuar nga ritmi i goditjeve të drurit me sëpatë!

Kurrë nuk mund ta harroj gjendjen e tyre të rëndë. Gati ishin ngrirë nga acari. Duart i kishin akull, ndërsa rrobat nga ngricat dukeshin sikur të jenë bërë nga u ishin bërë llamarina.

Më tregoi se, nga informatorët e vet, kishte mësuar se OZNA ishte shumë afër lokalizimit të vendstrehimit të tij në Greiçevc dhe se nuk do të shkonte gjatë pa e gjetur. Kadriu kishte marr informata se fillimisht do të rrethohej fshati Graiçevc dhe mandej do të sulmohej vendstrehimi i tij. Ai kishte marr vendim që nê rrethana të tilla, zgjidhja më e mirë është ndërrimi i vendstrehimit, kësaj radhe larg fshatit Greiçevc.

Ndonëse jatakët, njerëzit e gjakut i kishin thënë të mos largoheshin nga shtëpia e tyre, sepse edhe ata do të rezistonin bashkë me të, Kadriu ishte këmbëngulës që luftimet të mos zhvilloheshin kurrë nëpër vendbanime. Mandej, kishte frikë se njëmbëdhjetë burrat dhe djemtë e familjes së tij, që po i mbanin në burg, do t’i përdornin si mburojë të gjallë kundër tyre gjatë luftimeve.

E kuptova shumë mirë gjendjen e tyre, rrëfente me shumë dhimbje baci Ali dhe vazhdonte.

Ishin në hall, por çfarë të bëja?!

Në atë moment më kujtohet se në male kishte disa shpella të vogla dhe i dërgoj atje. Pasi u jap ushqim dhe rroba, kthehem natën vonë në shtëpi.

Meqë e bëja me dëshirë punën e zdrukthëtarit, filloj të sajoj një bure të madhe prej druri. Me shumë mund e përpjekje e përfundova dhe, një ditë, posa u errësua, e ngarkova në qerre dhe nisem drejt shpellës.

E marrim burën dhe e vendosim brenda saj, në pozicion horizontal. Gjysmën e saj e mbushur me shkarpa e dushk, mandej sipër tyre vendosim kashtë.

Ndonëse hapësira ishte tejet e vogël dhe ata duhej të rrinin të ngjeshur shumë pranë njëri-tjetrit, të paktën ishin të mbrojtur nga lagështia dhe pikat e ujit që binin nga tavani i shpellës. Ato nuk do të binin më mbi trupat e tyre, por do të ndaleshin nga dërrasat e bures dhe do të rrëshqisnin mbi to, për të përfunduar në dhe.

Ndërkohë, me babë Eminin filluam të bisedonim për ndonjë zgjidhje afatgjatë.

Po t’i strehonim në shtëpi, ishte më rrezik, pasi e dinim se OZNA e dinte për lidhjen tonë të miqësisë me Kadriun. Zgjidhjen më të mirë e pamë te sajimi i një bunkeri.

Dhe filluam punën për realizimin e kësaj ideje.

Problem e kishim se ku t’ia linim hyrjen bunkerit. Atëherë erdhëm në përfundim se më së miri do të ishte që hyrja të bëhej nga oxhaku, pasi askush nuk do të dyshonte se nën zjarrin e oxhakut mund të kishte një hyrje që të shpinte në një bunker nëntokësor.

Për ta siguruar hyrjen, gjeta një rrasë gjigante guri dhe e rregullova në atë mënyrë që në bunker mund të hyhej vetëm duke e lëvizur rrasën në një drejtim të caktuar. Nëse e lëvizje në drejtime të tjera, rrasa e gurit nuk lëvizte aspak.

Pas një pune intensive, e përfundova bunkerin.

Ndërkohë, kisha blerë nga një vendas një stog me dushk, me pretekstin se më duhej për ushqimin e kafshëve. Por këtë e kisha blerë me një qëllim tjetër: kur të shkoja t’i merrja Kadriun me djalin e tij, Mustafën, ata do t’i vendosja në qerre, ndërsa anash dhe sipër tyre do ta mbushja qerren me shkarpa dushku.

Plani funksionoi për mrekulli dhe ata i strehuam në bunker.

Por, si duket, OZNA kishte dyshime se ata mund të ishin të strehuar tek ne. Dhe jo rrallë na kanë bastisur. Kontrollonin gjithandej, por kot.

— Po si e kishte zbuluar OZNA-ja se brenda qerres e kishe pasur Kadri Bebën me djalin, Mustafën? Mandej, si ia doli babë Emini, mulla Emini, që ta orientonte mllefin e OZNA-s kundër denoncuesit tuaj?

Pasi qeshi me këtë pyetjen e fundit, baci Ali vazhdoi shpjegimin e tij.

— Derisa po i ngisja kijet, vërej një të përfolur për hafillëk, kah ecte pas qerres sime. Por e ndieja se ai nuk ishte duke e zhbiruar qerren me shikim; përkundrazi, shikimin e mbante përtokë, të përulur. Në atë moment nuk i dhashë rëndësi mënyrës se si po shikonte, por, pas bastisjes dhe mllefit të tyre, e kuptova pse ai e kishte mbajtur shikimin ulur!

— Përse, pra? — e nxita bisedën.

— Ai i kishte vërejtur gjurmët e qerres dhe kishte kuptuar se rrotat e një qerreje të ngarkuar vetëm me shkarpa e dushk nuk mund të zhyteshin aq shumë në dhe. Kësisoj, kishte ardhur në përfundimin se brenda qerres kishte diçka të rëndë. Dhe, në rastin tim, kishte konkluduar se aty mund të ishin njerëz — miku ynë, Kadriu, me djalin e tij, Mustafën.

Prandaj OZNA-ja ishte e tërbuar pse nuk po mund t’i gjente ata në shtëpinë tonë, edhe pse gjatë gjithë ditës kthyen çdo gjë përmbys. Por, falë gjeturisë së babës, Eminit, dikur vonë pasdite, mllefin e mbetur e zbrazën mbi denoncuesin tonë!

— Si ia doli ai kështu? — e nxita sërish bisedën.

— Babë Emini, dikur, u tha:

— Përveçse po vuajmë ne, që na keni nxjerrë jashtë shtëpisë në këtë borë e acar, për shkak të ndonjë njeriu të lig që ia ka shitur shpirtin djallit, po vuani edhe ju!

— Fol më kuptueshëm, hoxhë efendi, se ne nuk i kuptojmë mesele të kësaj krahine tuaj! — ia ktheu eprori i OZN-istëve.

— Po ja që këtu te ne ka edhe hasmëri. E kur njëra palë është e dobët, përdor dhelpërinë për ta mundur hasmin.

— Fol, fol, hoxho, se po pres ku po del! — ia ktheu një tjetër, me një shqipe të çalë.

— Po ja, dikush që na e ka inatin neve po ju përdor juve si mashë për interesa të veta. Derisa ju e ne jemi në oborr, në këtë acar, ai rri te koftori dhe fërkon duart nga kënaqësia. Pak sepse po na sheh duke u mardhur ne në oborr e pak nga kënaqësia që po ju përdor juve për hesapet e veta. Përndryshe, sikur të ishte Kadriu me djalin këtu, ju deri tani do t’i kishit gjetur. Ju po kërkoni nëpër shtëpi e oborr diçka që nuk ekziston. Dhe nuk e di pse nuk po e pranoni se e pa ekzistueshmja nuk mund të gjendet krrën e kurrës. Por, nejse, vazhdoni ju me të tuajën!

Pas këtyre fjalëve, eprorët panë njëri-tjetrin dhe dhanë urdhër për tërheqje nga oborri.

Shumica prej tyre u larguan nga fshati me të errësuar, por disa ndaluan te shtëpia e të përfolurit për spiunazh.

Të nesërmen, atë e kishin vërejtur me mavijosje në fytyrë dhe duke çaluar. Kureshtarëve që e kishin pyetur se çfarë i kishte ndodhur, u ishte përgjigjur se ishte rrëzuar nga shkallët.

Kështu vazhdonte rrëfimin e tij baci Ali, me një qeshje të veçantë, që linte të kuptohej se mavijoset nuk kishin ardhur nga ndonjë rrëzim prej shkallëve, por nga dajaku i OZN-istëve!

Kontrolloni gjithashtu

Histori e përsëritur ose një koincidencë më shumë e heroizmit shqiptar

Shpresa Bajraktari: 82-vjetori i heroizmit të 5 Heronjve të Vigut – Naim Gjylbegu, Ahmet Haxhia, Ndoc Mazi, Hidajet Lezha dhe Ndoc Deda

Qëndrimi heroik i 5 Heronjve të Vigut përcakton epokën e lavdisë së heronjve që dhanë …