Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duhet të nisin procedurat për transferimin në Kosovë të Pjetër Shalës dhe Salih Mustafës, për ta vuajtur këtu pjesën e mbetur të dënimeve. Limaj u është drejtuar avokatëve të dy ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u kërkuar që të parashtrojnë kërkesat përkatëse sapo ligji të hyjë në fuqi. Ai iu referua neneve 15, 16 dhe 17 të ligjit të miratuar nga Kuvendi, për të cilat tha se parashohin mundësinë e fillimit të procedurave pas hyrjes në fuqi të tij. “Veprimi i parë që duhet me e ba, atë ditë që ta nënshkruan presidentja ligjin edhe të futet ligji, dua me ua drejtu një porosi avokatëve të Salih Mustafës edhe të Pjetër Shalës: nga ajo ditë, thirrni avokatët e juaj me bë kërkesë me ju pru në Kosovë, se kështu e thotë ligji”, deklaroi Limaj. Ai ka cituar në veçanti nenin 16, duke theksuar se, sipas dispozitës që përmendi, dënimet me burgim të shqiptuara nga Dhomat e Specializuara mund të vuhet në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin në fuqi. Deklarata e Limajt vjen pas miratimit të ndryshimeve ligjore nga Kuvendi i Kosovës, të cilat kanë nxitur debat politik dhe juridik lidhur me zbatimin e tyre dhe pasojat për personat e dënuar nga Gjykata Speciale. Megjithatë, mundësia e transferimit dhe procedura konkrete për secilin rast varen nga dispozitat përkatëse të ligjit dhe vendimet e autoriteteve kompetente. Deklarata e Limajt nuk nënkupton se transferimi i dy të dënuarve është vendosur apo se do të ndodhë automatikisht.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
