Faton Mehmetaj

Faton Mehmetaj: Demonët e rinj IV

Problemet e natyrave kundërshtuese ndaj luftës së UÇK-së në Zonën e Dukagjinit kanë ndodhur pasi që Tahir Zemaj me bashkëpunëtorët e tij kishte dalë në Tiranë e në Perëndim dhe ishin të bindur se nuk do të ketë më UÇK në Dukagjin as në Kosovë, prandaj duhej ta qonin deri në fund edhe luftën propagandistike kundër saj.

Në Zonën Operative të Dukagjinit nuk ka pasur formacione paralele në asnjë kohë. Të gjithë oficerët e ardhur ishin pajtuar dhe i kishin pranuar detyrat (me gojë e me shkrim) nga Komandanti i Zonës dhe janë shpërndarë në pikat e caktuara ku kishte nevojë. Madje, Ramush Haradinaj ka qenë shumë liberal në këtë drejtim. Në mbledhjen e Prapaçanit, i ka thënë Tahir Zemajt: “Urdhëro bëhu ti komandant i ZOD-it, sepse unë luftoj edhe si ushtar për lirinë e vendit tim dhe këtë askush nuk mund të ma ndalojë”.

Qarqet e errëta që fshihen prapa gazetës “Bota Sot”, po del se janë pjesë e “kolonës së pestë”, të cilët si gjatë luftës ashtu edhe pas përfundimit të saj nuk e ndalën veprimtarinë e tyre kundër liribërësve dhe shtetit të Kosovës me qëllim që ta paraqesin si joekzistencial, si një shtet që nuk mund të mbijetojë, që është edhe qëllimi kryesor i Serbisë.

Do t’i mbetesha borgj redaksisë së gazetës “Bota Sot”, por edhe opinionit të gjerë për rastin e Sali Shkrelit, nga fshati Kosuriq i Pejës, i konsideruar si bashkëpunëtor i Serbisë. Është e vërtetë se me të, në bazë të detyrës zyrtare, i kam pasur shtatë takime gjatë muajit qershor të vitit 1998, të gjitha në shtëpinë e tij. Gjatë këtyre takimeve me Sali Shkrelin e Kosuriqit asnjëherë nuk kam qenë vetëm. Bisedat me të janë të regjistruara dhe kanë qenë me interes të madh. Sali Shkreli na ka ofruar dëshmi për rrjetin e bashkëpunëtorëve të Serbisë nga Lugu i Baranit, dhe një dokumentacion të rëndësisë së veçantë për rrjetin e bashkëpunëtorëve të shërbimit ushtarak serb (KOS) që e kishte ndërtuar shërbimi sekret i ushtrisë jugosllave-serbe gjatë viteve të ’90-ta, kur kishte filluar shkatërrimi i Jugosllavisë, por edhe rrjetin e bashkëpunëtorëve që kanë pasur detyra të veçanta në rrethin e Pejës.

Pasi kam kryer punë zyrtarisht, i kam ndërprerë takimet me të. Duhet të theksoj se nga shtatë rastet kur unë kam shkuar te Sali Shkreli, në katër prej tyre aty e kam gjetur Metë Krasniqin e Vranocit. Dihet se Meta ka bashkëpunuar me shërbimet serbe, por ka qenë edhe punëtor i rregullt i punëtorit operativ dhe i komandantit të Kazermës së UÇK-së në Baran, Nazif Ramabaja. Metën e kam njohur nëpërmjet kushëririt të tij Dinë Krasniqi, i cili ka qenë pjesëtar i Shtabit të ZOD-it për Lugun e Baranit, kur Meta ishte përcjellës i tij. Metën e kishte dërguar tek unë tri-katër herë punëtori operativ i kazermës së Baranit, këtë ma ka thënë Meta edhe në prani të të tjerëve. Madje, në një shënim zyrtar të punëtorit operativ të kazermës së Baranit të datës 26.8.1998, punëtori operativ i kësaj kazerme shkon aq larg me shpifje sa që e njofton komandantin e vet zyrtarisht kinse për përgaditjen e atentatit ndaj Tahir Zemajt nga ana e Sali Shkrelit, i cili sipas tij qenka urdhëruar nga Faton Mehmetaj. Ky raport zyrtar edhe ata që e kanë përpiluar edhe ju të tjerët e dini se është i fabrikuar për gjyqe e makineri propaganduese, sepse në realitet nuk ndodhë kështu në asnjë rast.

Pasi kam mbaruar punë me Sali Shkrelin, atë e ka marrë në dorë punëtori operativ dhe komandanti i kazermës së Baranit dhe sipas tyre e kanë përpunuar për dy muaj me radhë. Nuk është aspak e vërtetë se punëtori operativ i kësaj kazerme ka zbuluar diçka. Këtë ua ka thënë vetë Salihu, duke e përdorur si fakt dhe alibi për t’u përafruar me ta. Faktikisht, nëse vërtetë Sali Shkreli paska pasë detyrë nga unë të bëjë atentat ndaj Tahir Zemajt pse dështoi? Pse nuk e paska pas kryer? Pse paska pas dështuar? Si ka mundur që të refuzojë urdhërin e tillë?! Këto pyetje dhe një varg pyetjesh të tjera është dashur t’ia parashtrojë punëtori operativ. Raportet e tilla janë raporte naive, nuk janë të argumentuara, janë të pabazuara, janë emotive dhe shumë tendencioze.

Ju zotërinj po të ishit aq të kujdesshëm nuk do ta linit komplet dokumentacionin arkivor në Kazermën e Prapaqanit, të biente në duart e forcave serbe, në shtator të vitit 1998. Në atë dokumentacion vërehen shkelje të mëdha, e kësaj radhe sigurisht se do të përballeni me to. Disa prej juve keni qenë dëshmitarë në Hagë dhe në gjyqet tjera nën presionet e shërbimit sekret serb. Edhe gjatë luftës keni mbajtur lidhje me punëtorët operativë të shërbimeve serbe, ushtarake e civile. Ju keni dëshmuar rrejshëm nën presion të punëtorëve operativë të shërbimit sekret serb, prandaj keni bërë shkelje ligjore, duke tentuar që me qëllim t’i shkatërroni ish-strukturat e UÇK-së. Keni manipuluar me dëshmitarët që vet i keni përgatitur për të dalë në gjyqe të ndryshme kundër UÇK-së. Është vërtetuar publikisht se dëshmitarët e shumë proceseve kundër UÇK janë propozuar nga ju dhe më pas janë dresuar-trajnuar në Serbi për të qenë dëshmitarë.

Me këtë dua të them se një nga format e terrorit që i ka përdorur Serbia kundër shqiptarëve është edhe lufta speciale të cilën e kanë zhvilluar nëpërmjet bashkëpunëtorëve dhe aleatëve të saj në Kosovë. Kjo luftë kundër UÇK-së, pos tjerash, është duke u zhvilluar në vazhdimësi tash e 20 vite nga redaksia e “Botës Sot” dhe e stafit tjetër që është i nivelit më të lartë, të cilët fshihen pas kësaj gazete.

Nëpërmjet luftës speciale, ideologët serbë, tentuan të ngjallin vëllavrasjen, i zvogëluan sukseset e Kosovës, krijuan pasiguri në Kosovë, e zvogëluan kredibilitetin ndërkombëtar, krijuan kriza institucionale e defekte të tjera, me pasoja zingjirore në zhvillimin e Kosovës.

Duhet përmendur se shërbimet sekrete serbe pas tërheqjes së trupave të serbe nga Kosova, lanë pas vetes “njësitë e fjetura”, si njësi të posaçme për ta destabilizuar vendin, për ta luftuar dhe sabotuar punën e UÇK-së dhe të strukturës udhëheqëse si në institucione, si në jetën e përditshme. Këtij koncepti që e ndoqën njësitë e posaçme të Serbisë në Kosovë, iu bashkua edhe një klasë që e sulmon dhe e lufton UÇK-në me të gjitha mjetet që nga viti 1998 e gjerë më sot.

Këmbëngulja juaj për ta shkatërruar dhe degraduar me çdo kusht strukturën e ish-UÇK-së dhe vlerat e saj, janë pjesë e planprogrameve serbomëdha të akademisë serbe që po zbatohet nëpërmjet juve e strukturave tjera shoqërore, të afërta me ju. Kjo që jeni duke e bërë, është padrejtësi kombëtare, por edhe njerëzore. Mos harroni se brezat do ta gjykojnë ashpër veprimin dhe sjelljen tuaj anti-UÇK. Nëpërmjet lansimeve dhe propagandës që e keni bërë kundër UÇK-së tash e 20 vite, deri diku ia keni arritur qëllimit që ta burgosni strukturën drejtuese të ish-UÇK-së, ta njollosni me shpifje, fakte të rreme e fabrikime mediatike. Një pjesë të saj keni arritur ta mënjanoni edhe nga skena politike dhe ta izoloni deri në shkatërrim. Por, nuk do të mundeni ta njollosni gjakun e dëshmorëve dhe kontributin e UÇK-së që dhanë deri në kapitullimin e Serbisë dhe dëbimin e forcave serbe nga Kosova, që rezultoi me lirinë e shumëpritur ndër breza.

E di se ju nuk pajtoheni me lirinë që e solli UÇK-ja në bashkëveprim me strukturat euroatlantike ndërkombëtare, SHBA-të dhe NATO-n, sepse kauza juaj, në bazë të veprimeve të deritanishme, del të jetë tendenca për rikthimin e ndikimit të Serbisë në Kosovë, pa të cilin strukturat e njohura të shoqërisë sonë, të rreshtuara si “jugoslovenski opredeljeni” duket se nuk mund të jetojnë, prandaj edhe janë çdo ditë në Serbi për të marrë instruksione anti-UÇK e për të vazhduar me thirrjet e vazhdueshme për luftë qytetare, vëllavrasje e gjyqe publike. Nuk është çudi pse e bëni këtë sepse ju keni shkatërruar çdo gjë shqiptare.  Ju jeni mercenarë të sherbimeve serbe që fshiheni pas “Botës Sot”. Gjatë luftës së UÇK-së e nënshkruat aktin për autonomi territoriale, dorëzuat publikisht armët e UÇK-së dhe formuat të ashtuquajturën “Polici Lokale” e cila vrau dhe terrorizoi popullin e vet bashkë me forcat serbe dhe paramilitare.

Ju si redaksi e “Botës Sot” e dini se asnjë shkrim të vetëm nuk e ka shkruar me dorën e tij Bardhyl Ajeti për gazetën tuaj. Ai i ka nënshkruar shkrimet tuaja për para dhe ju jeni ata që e keni marrë në qafë, sigurisht i dini edhe vrasësit sepse jeni porositësit e vetëm të kësaj vrasjeje dhe të disa të tjerave si kjo. Nomenklatura juaj në bashkpunim me strukturat sekrete të shërbimeve serbe ka organizuar së paku tri prita të mëdha ku janë ra në këto prita strukturat më të vlefshme të UÇK-së dhe logjistikës së UÇK-së, si në Rogovë të Hasin, Gorozhub, Shishman të Bokës etj. (Shih per këtë deklaratat e Milovan Drecunit e burime të tjera të kohës, etj.).

Është e ditur publike se një strukturë e shqiptarëve që kanë qenë pjesë e organeve të sigurimit serbo-jugosllav, në UDB, KOS, VBA, SUP e organe të tjera të sigurimit të shtetit kishin për detyrë shkatërrimin e bërthamës së nacionalizmit dhe patriotizmit shqiptar.

Redaksia e kësaj gazete bashkëpunon vazhdimisht me këtë strukturë për t’i njollosur, shantazhuar e shkatërruar tërësisht strukturat drejtuese të UÇK-së. Dëshmitarët e Hagës, të gjykatave vendore dhe gjykatave tjera janë dëshmitarë të përpunuar në Serbi, ish-struktura të KOS-it apo ish-ushtarakë të UJ-së, struktura që lidhen me ish-nomenklaturën e MUP-it dhe SUP-it, të cilët janë të implikuar në vrasjen e ushtarëve shqiptarë në UJ, në torturimin dhe mbytjen në tortura të disa të burgosurve politikë në burgjet e asaj kohe, por edhe në burgosjen e qindra e mijëra qytetarëve që kërkonin të drejta më shumë për shqiptarët që jetonin nën ish-Jugosllavi dhe Kosovën Republikë sikurse Republikat tjera të ish-Jugosllavisë. Sa njerëz i larguan dhe i diferencuan ideopolitikisht nga vendet e punës vetëm pse i përkrahën demostratat e vitit 1981 dhe rininë studentore. Me qindra e mijëra shqiptarë i detyruan të marrin azil politik për shkak se ua konfiskonin dokumentet e udhëtimit, me mijëra njerëz i detyruan masovikisht ta lëshojnë vendin nga presionet e malltretimet e përditshme. Të njëjtit punuan nën masat e dhunshme të Serbisë pas dëbimit masiv nga puna të shqiptarëve të Kosovës e trojeve tjera shqiptare nën Jugosllavi. Kjo klasë që po i denoncon dhe monton raste nga më të ndryshmet ndaj pjesëtarëve të ish-UÇK-së janë ata që e abroguan Kushtetutën e vitit 1974, duke i kthyer shqiptarët nën robëri dhe okupim të ri të Serbisë. Këto struktura, shumica prej të cilëve rezultojnë edhe sot e kësaj dite aktivë në organet e shërbimit serb, janë denoncuesit dhe organizatorët e shkatërrimit të strukturës udhëheqëse të UÇK-së. Të njëjtit të ndihmuar nga Drejtoria e 6-të e Serbisë organizuan një sërë vrasjesh kundër strukturave udhëheqëse të UÇK-së që konsideroheshin të papërshatshëm për strukturat e tyre. Njerëzit që i përmendni ju kanë qenë të dënuar me shumë vite burg për drogë, të cilët rezultojnë të jenë strukturë e besueshme e Rrahman Morinës dhe si shpërblim, shërbimi krahinor ia mundësoi të ikë nga burgu, i ngarkuar me detyra të veçanta nga shërbimet.

Kjo shtresë e njerëzve ka ndërhyrë në proceset e progresit të Kosovës dhe të strukturës së UÇK-së që arriti t’i dëbon forcat serbe nga Kosova. Kjo shtresë e njerëzve ka qenë e unifikuar në goditjen dhe shkatërrimin e strukturës së UÇK-së.

“Nëse shkruan gjithkush, shkruhet gjithçka”, thotë Ladan, kurse themeluesi i kritikës sonë Faik Konica thotë: “O Zot, jepna fuqinë ta mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë”.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi E hënë 19 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi (E hënë 19 prill, 1999)

Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në …