Brickos

Faton Mehmetaj

Faton Mehmetaj: Demonët e rinj III

Që nga koha e luftës, për ta arsyetuar pamundësinë tuaj pasi që nuk keni kontribuar për lirinë e Kosovës, apo edhe arsye të tjera që ju i dini, vazhdoni ta dezinformoni dhe ta mashtroni opinionin, duke e etiketuar dhe duke bërë dosje të rrejshme për ta shkatërruar ish-strukturën udhëheqëse të UÇK-së. Ka 20 vite që nuk i keni ndalur veprimet tuaja kundër UÇK-së. Apeloj publikisht, i lus institucionet e shtetit, sidomos ato të drejtësisë të marrin masa për ta ndaluar këtë fushatë të tmerrshme që po zhvillohet tash e 20 vite nga redaksia e “Botës Sot” ndaj meje e ndaj ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së, të cilët e bartin mbi supet e veta të vetmin “faj” sepse ia sollën lirinë këtij vendi. Për një shtresë të njerzve kjo liri nuk po çmohet, sepse liria e tyre duket se ka qenë sundimi i Millosheviqit dhe i Serbisë.

I kisha sugjeruar redaksisë së “Botës Sot” që të mos fshihet pas emrit të Tahir Zemajt, sepse nuk i bëjnë nder as nuk i kanë bërë kurrë. Është mirë që redaksia e “Botës Sot” t’i sqaron konfliktet e Tahir Zemajt me strukturat brenda LDK-së dhe përpjekjet e tij për të ardhur në pozitat më të larta në Presidencën e Ibrahim Rugovës.

Redaksia e “Botës Sot” gjatë këtyre njëzet viteve i ka përdorur disa gazetarë për të lansuar teza dhe shkrime pa kurrfarë baze kundër ish-strukturave udhëheqëse të UÇK-së dhe pasi që redaksia e “Botës Sot” dhe të tjerët që fshihen pas kësaj redaksie i kanë arritur qëllimet e veta, gazetarët janë vrarë në rrethana të paqarta dhe vrasjet e tyre nuk janë zbuluar që nga ajo kohë, por si të tilla i janë mveshur ish-UÇK-së.

Shikoni pak më thellë redaksi e kësaj gazete bolshevike kryekëput komuniste e tipit stalinist dhe është mirë të tregoni se kush fshihet pas vrasjeve të këtyre njerëzve që ju i mashtruat me para dhe në fund i viktimizuat, që të mos zbulohet e vërteta se kush në fakt fshihet pas redaksisë së “Botës Sot”. Është më mirë të merreni me ushtrinë e uniformuar me ngjyrën e flamurit të Dardanisë, që doli haptazi në varrimin e Tahir Zemajt, duke bërë thirrje për hakmarrje pa u ditë fare autorët as porositësit e vrasjes së trefishtë ndaj Tahir Zemajt, Hasan Zemajt dhe djalit të Tahirit, Enisit. Pas thirrjes për hakmarrje që u bë atë ditë, janë vrarë mbi tridhetë ish-pjesëtarë të UÇK-së, për të cilët po ashtu deri më sot nuk dihet se kush qëndron pas vrasjes së tyre, pra vrasjet e tyre nuk janë ndriçuar.

Është e udhës që të mos luani më me fatkeqësinë e njerëzve të vrarë, për të përfituar politikisht, gjejini vrasësit e pastaj drejtësia vëhet në vend. Boll ua keni lëkundur eshtrat tash e njëzet vite! Eshtrat e tyre po i lëkundni vetëm kur po keni nevojë për të arritur interesa politike. Zbulimi i vrasjeve politike të pasluftës varet nga ju, nga policia, gjyqësia e organet tjera, të cilat kanë heshtur e po heshtin para këtij terrori mediatik, që po vazhdon ta bën “Bota Sot” bashkë me disa gazetat tjera pamfletiste filiale të saj tash e 20 vite. Bashkëpunoni me gjykatën e mos u merrni me gazeta. Ju jeni ata që i dini më së miri se kush i ka kryer vrasjet politike të pasluftës dhe kush qëndron pas tyre. E dini më së miri se kush e ka vrarë Tahir Zemajn dhe për çka.

Është folur nëpër mediat tuaja vite më parë se dikush i paska shkatërruar provat rreth këtij rasti. Redaksia e “Botës Sot” e di mirë se shkatërrimi i këtyre provave nuk ndërlidhet fare me strukturën e UÇK-së.

UÇK akuzohet prej juve në mënyrë uniforme për të krijuar mjegull, dyshime, dezinformime, që e vërteta rreth këtyre vrasjeve të jetë sa më larg realitetit të atyre që i kanë porositur këto vrasje.

Sa kam qenë në Komandën e Zonës së Tretë të Mbrojtjes në Pejë (Trupat e Mbrojtjes së Kosovës), ishte vjedhur arma e rojës në Komandën e Zonës në Pejë. Duke e vërejtur me kohë mungesën e saj, Komanda e Zonës i mori masat adekuate. Pas denoncimit nga ana e TMK-së, kjo armë ishte gjetur nga KFOR-i te personat e dyshuar, dhe si e tillë ishte dorëzuar në Policinë e Kosovës si provë materiale për t’u hetuar si rast. Por, për çudi, kjo armë kishte “humbur” edhe në Policinë e Kosovës në Pejë (në dy raste). Porositësit e vjedhjes së kësaj arme nuk kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së.

Dua ta sqaroj edhe një gjë, të cilën shpesh po e përmendi dhe po akuzoni persona të cilët nuk kanë të bëjnë me këtë rast. Gjykata e Hagës, por edhe nivelet tjera të hetuesisë që kanë bërë hetime rreth vrasjes së Sanije Balajt nga Strellci, e kanë të faktuar dhe e dinë se ajo është thirrur në bisedë informative me ftesën e Nazif Ramabajës, në atë kohë përgjegjës në kazermën e Baranit. Ftesa origjinale gjendet në shkresat e lëndës të prokurorisë në Gjykatën e Hagës, në rastin Haradinaj dhe të tjerët. Prandaj, përgjegjësinë për krimet e bëra nga Nazif Ramabaja me bashkëpunëtorët e tij, nuk mund t’ua bartim  ne të tjerët.

Sigurisht, ju kujtohet dëshmia e Zoran Stijoviqit, shefit të shërbimit sekret serb për Kosovën, dhënë në Hagë, në rastin Haradinaj dhe të tjerët, i njohur si njëri ndër shefat më të suksesshëm të analitikës për shërbimin sekret serb, ku ndër të tjera thotë: “Shërbimi ynë i ka pasur dy burime (bashkëpunëtorë) në Kazermën e UÇK-së në Prapaqan. Me këto burime lidhjet i kemi mbajtur përmes kurirëve”. Më vonë e shohim se këto dy burimet e kazermës së Prapaqanit, me të cilët Stijoviqi deklaron se ka bashkëpunuar, dolën dëshmitarë kundër UÇK-së në Hagë. (Shihni në internet në ueb-faqen e Tribunalit të Hagës transkriptin e procesverbalit të dëshmisë së Stijoviqit dhe i gjeni emrat e këtyre dy bashkëpunëtorëve të Stijoviqit).

Redaksia e “Botës Sot” përmes shkrimeve të porositura i ka linquar dhe shkatërruar pa asnjë bazë apo fakt, një pjesë të madhe të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke u bërë atyre gjyqe të improvizuara dhe duke u ngritur akuza e duke u bërë padi pranë gjykatave të ndryshme nëpërmjet kësaj gazete. Shumica e dëshmitarëve që kanë dëshmuar në Hagë me dëshmi të rrejshme dhe të improvizuara (e them me dëshmi të rrejshme sepse si të tilla janë vërtetuar në këtë gjykatë) paraprakisht janë përpunuar në zyrat e gazetës bolshevike “Bota Sot”. Mjerisht, shumica e këtyre “dëshmive”, siç kanë dëshmuar në Hagë edhe përgjegjësit e shërbimeve sekrete serbe, fillimisht janë dërguar në vijat zyrtare në Serbi e Serbia i ka dërguar në Hagë, duke i rikonstruktuar pastaj komplet gjyqet kundër UÇK-së me dëshmitarë të tipit të manipuluar e të shantazhuar nga redaksia e kësaj gazete. Si njerëz me haloefekte, të sëmurë nga patologjia anti-UÇK, shërbëtorë të dinastive të shkatërruara, qëllimisht po e trasojnë rrugën e gabuar, duke i përdorur të gjitha mjetet edhe pas njëzet vjetësh për ta luftuar dhe degraduar ish-Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila është shpërbërë që në shtator të vitit 1999. Pse po e bëni këtë?! – Sepse keni detyra për ta bërë këtë. Sistemi juaj i gjerontokracisë vetvetiu po fundoset, po fundoset sepse fabrikuat fakte e dëshmitarë të rremë kundër liribërësve. Këtë e dëshmojnë mbi 30 gjykime të organizuara kundër pjesëtarëve të ish-UÇK-së, të cilët në fund pas vuajtjeve të gjata dolën të pafajshëm. Por ju ende nuk keni hequr dorë nga pretendimet për ta shkatërruar UÇK-në.

Do t’i kthehem sërish librit “Kështu foli Tahir Zemaj”, ku mes rreshtash përmendet edhe emri im. Siç e thashë edhe më lartë, Tahir Zemaj, në këtë libër është munduar të arsyetojë veprimet e veta. Njëkohësisht me mllefin që e shprehë ndaj meje është përpjekur të bëjë një lloj hakmarrjeje ndaj artikullit të përmendur më lartë, të botuar në tetor të vitit 1998, në bashkëautorësi me Fetnete Ramosaj, në të cilin me fakte iu kundërvumë të gjithë zërave që përpiqeshin të arsyetonin dezertimin masiv në Zonën e Dukagjinit dhe të akuzonin UÇK-në që pas ofensivës së forcave pushtuese serbe në shtator të vitit 1998, me 50-60 vetë kishin mbetur të luftonin në ZOD përkrah komandantit të Zonës, Ramush Haradinaj.

Duhet theksuar se përkundër kësaj goditjeje në masë, megjithatë Zona Operative e Dukagjinit arriti të riorganizohet, të ngritë tetë brigada ushtarake dhe njësitet tjera përcjellëse dhe të zhvillojë e të fitojë shumë beteja të përgjakshme në gjithë rajonin e Dukagjinit, deri në çlirimin e e plotë të vendit.

Në fakt për t’iu kundërpërgjigjur librit “Kështu foli Tahir  Zemaj”, ishte shkruar edhe një libër tjetër me titull: “Kështu bëri Tahir Zemaj” (ky jo me të thëna, por me të bërat e tij). Në vazhdën e kundërshtimeve për të pavërtetat e lansuara në librin e Zemajt, ishin shkruar afërsisht edhe mbi 50 mijë shkrime në forma të ndryshme, të cilat i kundërviheshin dhe i demantonin të pavërtetat e thëna në këtë libër.

Me pak fjalë, libri “Kështu bëri Tahir Zemaj”, mbetet një libër me plot dezinformata dhe të pavërteta. Normalisht, Ramush Haradinaj ka shkuar në kazermën e Prapaqanit, sepse ka qenë komandant i Zonës Operative të Dukagjinit dhe kjo kazermë ishte e kësaj Zone, ku u sistemuan edhe oficerët e ardhur për t’ju bashkuar luftës dhe si Komandant Zone kishte bërë çdo gjë që ishte e mundur që t’ua plotësonte kushtet, t’ua mundësonte komoditetin e qëndrimit dhe të veprimit, aq sa e lejonin rrethanat e luftës.

Komandanti i ZOD-it, Ramush Haradinaj, në Kazermën e Prapaqanit (për rastin që e përmendë Tahir Zemaj dhe po e ricikloni tash e sa herë ju të redaksisë, pa bërë përpjekje të bëni asnjë verifikim të rastit), para komandës së Brigadës në Prapaqan e ka sqaruar një rast që kishte ndodhur me disa oficerë, të cilët kishin bërë deklarime publike kundër UÇK-së. Ramushi në atë rast e ka urdhëruar oficerin përgjegjës që të gjithë ushtarët të dalin tek flamuri dhe është sqaruar çështja. Kur janë rreshtuar të gjithë para flamurit, komandanti i ZOD-it, Ramush Haradinaj, e ka sqaruar këtë problem shumë shkurt dhe ka shkuar.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Sot është dita e tretë e ofensivës së përgjithshme të forcave ushtarake e policore serbe. …