Faton Mehmetaj

Faton Mehmetaj: Demonët e rinj II

Siç kam shkruar edhe më herët, në një fejton të botuar për Betejën e Loxhës, gjithnjë duke iu referuar dëshmive të pjesëmarrësve në këtë betejë dhe dëshmive të tjera historike të kohës, faktohet se në këtë betejë kanë marrë pjesë njësitet e UÇK-së, të cilët edhe e kanë drejtuar këtë luftë. Po ashtu, në këtë betejë kanë marrë pjesë edhe disa oficerë që kishin ardhur në Dukagjin nga diaspora, por nuk kanë qenë udhëheqës të kësaj beteje. Atyre u është kërkuar nga komandanti Ramush Haradinaj një natë më parë në mbledhjen e Llukës së Poshtme që të ndihmojnë Loxhën, pasi që gjatë ditës së 5 korrikut, krimineli serb Vojisllav Sheshel kishte vizituar Pejën dhe në Loxhë kishte ndodhur një incident i armatosur me policinë serbe, ku kishin rënë dy dëshmorë të kombit. Prandaj, ishte i pritshëm sulmi kundër Loxhës e Raushiqit. Duhet përmendur se oficerët që i ishin bashkuar luftës në Dukagjin, na kishin gjetur këtu, madje me veprimtari të zhvilluar prej vitesh në aksione e beteja. UÇK ka qenë këtu, i ka pritur dhe i përcjellë të gjithë ata që kanë treguar gatishmëri për ta mbështetur UÇK-në në luftën për liri, duke i dhënë hapësirë secilit që ka dëshirë e mundet të japë kontributin e tij, nisur nga parimi universal se çdo njeri ka të drejtë të luftojë për lirinë e atdheut të vet.

Në parim është dashur që, ne, që kemi qenë më pak profesionistë t’i gjejmë të parët në luftë zanatlinjtë, ushtarakët e lartë, etj. por kjo nuk ndodhi kurrë. Luftën e filloi dhe e përfundoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që përbëhej nga djemtë e vajzat më të mirë, shumë prej tyre studentë e nxënës të viteve të fundit të shkollës së mesme, të cilët ishin betuar që pavarësisht sakrificave të mëdha që duhej të bënin, qoftë edhe me çmimin e jetën, të luftojnë dhe ta largojnë Serbinë pushtuese nga Kosova, që po lëngonte në robëri gati një shekull. Me fillimin e luftës frontale, atyre iu bashkuan djem e vajza idealistë nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga diaspora pa dallim për të luftuar për çlirimin e Kosovës nga barbaria serbe. Këtë e bënin sepse ishin të bindur se do ta fitojnë luftën kundër Serbisë, edhe pse një pjesë e madhe e elitës politike të kohës propagandonte se nuk bën të luftojmë kundër Serbisë, sepse për dy orë na dëbon deri në det. Prandaj, ato që i thoni për Betejën e Loxhës janë pretendime të kota dhe është mirë që historia të shkruhet mbi baza reale.

Më vonë, disa ish-oficerë që i ishin bashkuar luftës frontale në Dukagjin, u ballafaquan me realitetin dhe luftën konkrete, prandaj edhe u dalluan në disa beteja, e sidomos gjatë pranverës së vitit 1999 në frontin e Koshares.

Sa për dijeninë tuaj, sikur Beteja e Loxhës kanë qenë të gjitha betejat që janë zhvilluar në rajonin e Dukagjinit, madje ka pasur beteja që janë zhvilluar edhe nga nëntë ditë e net pandërprerë në borë e shi, ku UÇK-ja ka korrur fitore të jashtëzakonshme përballë forcave serbe. Mjafton të përmendim betejat e zhvilluara nga Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, e drejtuar nga komandanti Daut Haradinaj, pastaj të Brigadës 132 “Myrtë Zeneli” e kështu me radhë.

Ju si redaksi e “Botës Sot” me përsëritjen dhe stërpërsëritjen e shpifjeve keni krijuar opinione të rrejshme me qëllime të caktuara për t’i denigruar e shkatërruar ish-strukturat udhëheqëse të UÇK-së. Jo rrallë herë i keni sugjeruar kolegët tuaj, miqtë e dashamirët, kur janë parë në shoqëri me ndonjërin që ka qenë ushtar i UÇK-së, duke u thënë “mos rrini me kriminelë”. Kjo akuzë e lansuar nga qarqet anti-UÇK, disa prej të cilëve janë të mveshur edhe me pushtet qarkullon mjaft shpesh në koluaret e qyteteve të Kosovës.

Personalisht ka njëzet vite që më linqon e anatemon redaksia e “Botës Sot”, edhe pse nuk i di arsyet e vërteta. Një gjë është e vërtetë, kurrë në jetën time që nga shkolla e mesme e gjerë në ditët e sotme, smirëzinjtë e sahanlëpirësit e shërbimeve serbe nuk kanë mundur të më ndalin në udhën time për të vepruar e luftuar për lirinë e Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare që kishin mbetur nën okupimin sllav për faje të esadistëve e tradhtarëve të tjerë, që bënë pazare me gjakun e dëshmorëve e me hartën e mëmëdheut. Mundin që e kam bërë që nga viti 1979 e këndej pandërprerë, nuk e kam bërë për asnjë përfitim material apo politik, vetëm siç thotë populli: “Voftë për rize të Zotit!”.

Vërtet me punën tuaj të organizuar dhe të bashkërenduar edhe me shërbimet sekrete të Serbisë, prania e të cilëve vazhdon të jetë mjaft e madhe në Kosovë, arritët të më izoloni dhe margjinalizoni në të gjitha segmentet e shoqërisë sonë, por ua them prapë se kapacitetet tuaja janë të vogla të më ndalni t’i kontribuoj vendit tim pa hile e interesa.

Unë personalisht nuk kam pas kurrë të keqe me Tahir Zemajn. Madje, edhe kur është vetëshpallur për tri-katër ditë si komandant i Zonës së Dukagjinit, në gusht të vitit 1998, unë e kam ushtruar të njëjtën detyrë.

Pasi, që Tahir Zemaj me kompani kishte dezertuar gjatë ofensivës së shtatorit të vitit 1998, bashkë me stafin e tij, duke bërë që të largohet edhe një pjesë e konsiderueshme e ushtarëve dhe të dorëzohen në duart e policisë serbe mbi 10 mijë armë, të bartura me krahë me sakrifica të mëdha, duke i larë më gjak kufijtë ndërshqiptarë, shumëkush mendoi se këtu ishte fundi i UÇK-së, madje edhe i duartrokitën shuarjes së saj.

Ky fakt e trimëroi atë shtresë që kishte vepruar që ta shihte në këtë pozitë UÇK-në, të mundur e të shpartalluar. Ashtu menduan dhe ishin bindur, prandaj filluan edhe të shkruajnë artikuj e analiza, dhe të propagandojnë zi e terr, duke e akuzuar Komandantin e Zonës dhe Shtabin e ZOD-it për dështim, ndonëse gjatë betejave të gushtit e të shtatorit i lanë vetëm, në përballje me forcat ushatarake, policore e paramilitare serbe, ku kishte edhe njësite ruse.

Në këtë kohë, në tetor të vitit 1998, edhe pse gjendeshim në kushte jo shumë të favorshme, bashkë me Fetnete Ramosajn dhe disa oficerë tjerë të ZOD-it vendosëm të shkruajmë një artikull si kundërpërgjigje ndaj të gjitha akuzave të pabaza që kishin vërshuar kundër UÇK-së në atë periudhë. Për ta përcjellë për botim u desh t’ia diktojmë nëpërmjet telefonit satelitor Adnan Asllani, në “Zëri i Kosovës” sepse mundësi të tjera nuk kishte. Artikulli është botuar në bashkëautorësi Faton Mehmetaj e Fetnete Ramosaj, në gazetën “Zëri i Kosovës” në Zvicër dhe “Bota e Re” në Prishtinë, në tetor të vitit 1998, duke ia bërë të ditur opinionit të brendshëm e të jashtëm realitetin e kohës me fakte konkrete.

Shkrimi u vlerësua si shumë i qëlluar. Përpos botimit në këto gazeta ishte shumëzuar e shpërndarë në më shumë se 100 mijë kopje të tjera në të gjitha skajet e globit ku kishte shqiptarë.

Në këtë shkrim iu dha përgjigjja adekuate Tahir Zemajt dhe bashkëveprimtarëve të tij, për të gjitha veprimet e bëra në Zonën e Dukagjinit.

Prandaj, armiqësia e Tahir Zemajt me mua (Faton Mehmetajn) dhe Fetnete Ramosajn fillon këtu, nga ky artikull, të cilit as sot nuk do t’i hiqja as nuk do t’i shtoja asgjë.

Ne i kemi respektuar ish-ushtarakët shqiptarë që kishin ardhur për ta mbështetur UÇK-në, për të cilët lufta kishte shumë nevojë, por disa prej tyre nuk e kanë dashur UÇK-në, as vijën komanduese të UÇK-së, duke tentuar të mohojnë çdo të arritur të deriatëhershme. Disa prej tyre kanë qenë kontradiktorë e konfuzë, pa ditur as çka duan, mbase përballja me forcat serbe në kushtet me të cilat përballej UÇK ishte tepër e pabarabartë dhe dikush e kishte mësuar në shkolla e akademi që të përballej vetëm në atë nivel, që të kishin armatim modern e të sofistikuar, t’u shkonte kuzhina prapa, thjesht të luftonin në nivele të barabarta me armatën serbe.

I kam shikuar procesverbalet dhe incizimet e të gjitha mbledhjeve zyrtare që janë mbajtur në Shtabin e ZOD-it me oficerët e ardhur nga diaspora, në muajt korrik-gusht 1998, në dy prej të cilave kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, etj. Të gjitha çështjet e ngritura nga strukturat e caktuara prej disa prej këtyre oficerëve, del se gjasojnë me luftën speciale, sabotazhe të lufës dhe bojkotim të procesit sikur të ishin pjesëtarë të “kolonës së pestë”.

Edhe gjatë kësa kohe “Bota Sot” bënte luftë speciale, duke improvizuar lloj-lloj rastesh kundër UÇK-së, kinse UÇK po i pengonte oficerët të hynin në Kosovë, gjë që në asnjë rast nuk ka qenë e vërtetë, por rastet e tilla janë improvizuar për ta arsyetuar pamundësinë e kësaj shtrese për të qenë pjesë e luftës dhe e betejave të shumta që u zhvilluan për lirinë e vendit.

Duke u përpjekur ta arsyetojnë pamundësinë e tyre, kjo shtresë e shoqërisë kosovare gabuan edhe më rëndë, duke organizuar sabotimin dhe bojkotimin e luftës së UÇK-së, veprime këto që nuk arsyetohen me asgjë dhe përkojnë me trathti kombëtare. Sigurish për këtë arsye nuk e keni gjetur as përkrahjen e Qeverisë Bukoshi, pjesë e të cilës keni qenë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Është një ditë tanimë e rëndomtë, në tendë. Vazhdimisht po bën mot i lig. Edhe …