Faton Mehmetaj

Faton Mehmetaj: Demonët e rinj I

Në vend të reagimit ndaj shkrimit “Takimi i Tahir Zemajt me Ramush Haradinajn dhe “lufta” me  “Togerin”, të redaksisë së gazetës “Bota Sot”, botuar më 13 shkurt 2018, ku është atakuar edhe emri im, bazuar në rrëfimet e librit “Kështu foli Tahir Zemaj”.

Është vërejtur publikisht nga prononcimet tuaja se historia e re e Kosovës nuk i pëlqen klasës tuaj, por kjo histori është një realitet i kryer. Prandaj edhe përpjekjet tuaja për ta rikthyer ndikimin e Serbisë në Kosovë janë të kota, sikurse janë të kota edhe përpjekjet tuaja për ta njollosur luftën e drejtë të UÇK-së dhe ish-strukturën udhëheqëse të saj, me shkrime të cilat i keni ricikluar me dhjetëra e dhjetëra herë në gazetën tuaj “Bota Sot”. Me fakte të fabrikuara, të publikurara në gazetën tuaj i keni bërë një padrejtësi të madhe ish-strukturave të UÇK-së, duke iu ngritur atyre akuza të fabrikuara në laboratorët e shërbimeve sekrete e të prokurorisë së Serbisë.

Gazeta e kuqe “Bota Sot”, që është një pamflet në duart e disa kuislingëve me orientim pansllav, të cilët po vërsulën tash e njëzet vite kundër ish-strukturave drejtuese të UÇK-së, në disa raste i kanë arritur qëllimet e tyre, duke i  burgosur, shantazhuar e duke ua shkatërruar karrierën dhe jetën shumë ish-drejtuesve të UÇK-së, në mesin e të cilëve jam edhe unë.

Redaksia e “Botës Sot”, bashkë me disa gazetarë të saj, të cilët në shkrimet e tyre, përgjatë dy dekadave shprehin urrejtje të parezervë kundër UÇK-së, të ndihmuar edhe nga një klasë e shoqërisë sonë, të cilët vazhdojnë të mbështeten edhe më tutje nga qarqet serbe, kanë arritur t’i burgosin mbi 400 ish-pjesëtarë të UÇK-së me fakte e dëshmi të rrejshme, të përpunuara në kancelaritë e Prokurorisë Speciale të Serbisë dhe në zyrat e BIA-s për Sektorin e Kosovës, të ndihmuara edhe nga “Bota Sot”.

Kjo shtresë e UÇK-së që e pati fatin e keq të vuajë burgjeve vendore, të gjykuar nga gjykatat e UNMIK-ut apo EULEX-it, por edhe të Hagës, me akuza të ndërtuara e të plasuara fillimisht në gazetën “Bota Sot” dhe struktura e lartëpërmendur që e mbështeti projektin e kësaj gazete, pas vuajtjeve të shumta, madje edhe mbi nga dhjetë vite, pa aktvendime të plotëfuqishme gjyqësore, më se 85 për qind e tyre u liruan të pafajshëm.

Secili prej nesh e di se drejtësia ngadhënjen në të gjitha rastet, por nganjëherë për të ardhur deri te fitorja e drejtësisë përjetohen dhimbje e vuajtje të mëdha. Nuk është e rastit se baballarët e këtyre që po bëjnë çmos tash e 20 vite për ta goditur e njollosur UÇK-në, i qitën në pritë dhe i burgosën Marije Shllakun e Gjon Serreçin, i tradhtuan Shaban Polluzhën e Mulla Idriz Gjilanin. Me fakte të fabrikuara, sikurse sot kundër UÇK-së, e konstruktuan marshimin e vdekjes drejt Tivarit, ku u ekzekutuan në format më të tmerrshme mbi 4500 rekrutë shqiptarë. Të njëjtit më pas e shpikën “Informbyronë” për t’i burgosur, shkatërruar e nënshtruar rivalët dhe kundërshtarët e tyre, njëjtë sikur po ndodhë sot me ish-strukturën udhëheqëse të UÇK-së.

Ata që i burgosën mijëra të rinj e të reja, nxënës e studentë, në vitin 1981, në emër të një “kundërrevolucioni” të shpikur, i burgosën, i dënuan dhe i izoluan afro gjysmë milioni shqiptarë, që kërkonin Republikën e Kosovës. Të njëjtit sot, vet apo bijtë e tyre u bënë dëshmitarë të rrejshëm në proceset gjyqësore kundër UÇK-së në gjykatën e Hagës. Pasi dështuan në këtë proces, treguan se janë përpunuar në zyrat e “Botës Sot” nga strukturat e brendshme të kësaj gazete. Madje, ka pasur gazetarë dhe redaktorë të kësaj gazete, që ishin të implikuar direkt në proceset e gjyqit të Hagës kundër UÇK-së.

Mendoj se gjuetia ndaj ish-strukturave të UÇK-së është tepruar dhe i ka kaluar caqet e çdo arsyeje të mundshme që mund të ketë pasur dikush ndaj njerëzve të saj.

Nuk e kam besuar se edhe në këtë kohë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës në bashkëpunim me Aleancën Veriatlantike të NATO-s e partnerët e tjerë ndërkombëtarë, i dëbuan forcat pushtuese serbe nga Kosova, urrejtja e shtresës pansllave, apo siç quheshin në atë kohë “jugoslovenski opredeljeni” është kaq e madhe. Megjithatë, veprimet e tyre kanë bërë që të kuptojmë saktësisht se prej nga vjen urrejtja juaj ndaj ish-UÇK-së, sepse ju keni humbur shumë privilegje që i keni pasur në atë kohë, jetën luksoze, fuqinë e pushtetit, pozitat e çka jo tjetër, ndonëse i kishit ndërtuar mbi fatkeqësitë e të tjerëve.

Për këtë arsye, mua dhe pjesëtarëve të tjerë të ish-UÇK-së u bëni gjyqe të improvizuara, denoncime të rrejshme, plasoni dosje të fabrikuara sipas porosive të Beogradit, linçoni  ish-strukturën e UÇK-së më ashpër se në periudhën e inkuzicionit, me theks të veçantë ata që e kanë kundërshtuar projektin tuaj, në të cilin ka mjaft pjesë programore të elaborateve antishqiptare të Çubrilloviqit, Andriqit e akademikëve të tjerë serbë. I gjithë ky mllef e kjo urrejtje ndaj UÇK-së, sigurisht aty e ka burimin, prandaj nuk habitem pse ju dhe të tjerët që fshihen pas këtyre koncepteve, edhe më tutje vazhdoni të qëndroni pas këtyre projekteve të përmasave kaq të mëdha antishqiptare.

Shkrimet tuaj të qëllimta dhe të porositura kundër UÇK-së, të ricikluara sa herë që merrni detyra të godisni UÇK-në, disa prej tyre edhe pa autorë (në emër të redaksisë) së gazetës “Bota Sot” gjatë këtyre njëzet viteve më kanë apostrofuar edhe mua dhe disa pjesëtarë të tjerë të ish-UÇK-së. Në këto shkrime përmes sulmeve, intrigave e shpifjeve të pafund, duke njollosur e përbaltosur bartësit dhe drejtuesit e ish-UÇK-së, ju keni për qëllim për ta kontestuar në një mënyrë lirinë e Kosovës, pavarësinë dhe progresin e saj. Sigurisht e dini, por nëse nuk e dini mësojeni se ne e sollëm lirinë e Kosovës me shumë mund e sakrifica, por ishim me fat që ishim luftëtarë e drejtues të UÇK-së, të një ushtrie fatlume që ia solli lirinë dhe pavarsinë këtij vendi, qe ishte ëndërr e shumë brezave, që luftuan dhe u sakrifikuan me shekuj për të.

Ti kthehemi shkrimit të fundit, në të cilin redaksia e “Botës Sot” përmend emrin tim. Në shkrimin e redaksisë së “Botës Sot”, të titulluar “Takimi i Tahir Zemajt me Ramush Haradinajn dhe “lufta” me  “Togerin”, të marrë nga rrëfimet në librin “Kështu foli Tahir Zemaj” e fillojnë me Betejen e Loxhës. Është e vërtetë se në këtë betejë kanë marrë pjesë disa ish-oficerë shqiptarë të UJ-së, të cilët kishin ardhur në Kosovë, gjegjësisht në Zonën Operative të Dukagjinit, vetëm një ditë para kësaj beteje.

Sa për njoftim të opinionit publik, më duhet të them se ish-oficerët shqiptarë të UJ-së kishin ardhur në Dukagjin, pasi që një muaj më herët, Komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, u kishte bërë thirrje publike të gjithë ish-eprorëve shqiptarë, disa prej të cilëve kishin marrë pjesë edhe në luftërat në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, që të vijnë dhe t’i bashkangjiten UÇK-së në luftë. Për këtë arsye paraprakisht është adaptuar objekti i shkollës fillore të Prapaqanit, duke e shndërruar në kazermë, që ishte vend i përshtatshëm larg prej vijave të frontit dhe do të shërbente për përgatitjen e rekrutëve të rinj. Pra, kazerma në Prapaqan është përgatitur me urdhër të Komandantit të ZOD-it, Ramush Haradinaj, për çka ishin shpenzuar më se 30 mijë marka. Përgjegjës për përshtatjen dhe përgaditjen e kësaj kazerme, ishte caktuar Rrustem Tetaj, po ashtu ish-oficer i UJ-së, i cili gjendej në Kosovë dhe më herët ishte bërë pjesë e Shtabit të Zonës Operative të Dukagjinit.

Oficerët që iu kishin përgjigjur ftesës së Komandantit të ZOD-it, Ramush Haradinajt, sidomos ata që u ndalën në Zonën e Dukagjinit, për t’u njoftuar me Shtabin e ZOD-it, për t’u njoftuar me gjendjen në terren ku çdo ditë kishte sulme të vazhdueshme dhe për t’u marrë vesh për detyrat konkrete që mund të merrnin përsipër nga komandanti i ZOD-it, Ramush Haradinaj, u caktua një takim pune, i cili u mbajt në mbrëmjen e datës 5 korrik 1998, në shtëpinë e Dervish Metës (Tetaj) në fshatin Llukë e Poshtme.

Në këtë takim ka marrë pjesë Komandanti i ZOD-it, Ramush Haradinaj, bashkë me disa anëtarë të shtabit të kësaj zone dhe përfaqësuesit e ish-oficerëve, të cilët kishin ardhur për t’ju bashkangjitur UÇK-së.

Në këtë mbledhje janë emruar në pozita të ndryshme udhëheqëse, me vendime të shkruara, të cilat i kanë pranuar, të gjithë ish-oficerët që kishin ardhur në ZOD. Pasi ata i morën detyrat, në ditët në vijim u shpërndanë nëpër pikat ku kishin marrë përgjegjësi sipas nevojës, kuptohet brenda zonave të lira të kontrolluara nga UÇK-ja. (Vëmendje: Sa për njoftim të opinionit, mbledhjet e përbashkëta në Llukë të Poshtme, në Zhebel, Prapaqan e në vende tjera, ndërmjet Shtabit të ZOD-it dhe ish-strukturave të oficerëve janë të regjistruara si procesverbale dhe regjistrime audiovizuele (në diktafon). Për këtë kanë qenë të njoftuar paraprakisht të gjithë pjesëmarrësit e këtyre takimeve).

Fatkeqësisht tash e sa vjet lidhur me këto procese është bërë shumë zhurmë për asgjë. Është e vërtetë e pamohueshme se premtimet që ua kishte bërë Qeveria Bukoshi derisa ishin jashtë Kosovës për mbështetje me armatim modern e me mjete të tjera nuk e bëri kurrë, ndonëse deklaroheshin se do të luftojnë me armatim modern sipas praktikave që mund t’i kishte një armatë e rregullt e jo me pushkalla, siç luftonte, sipas tyre, UÇK-ja deri atëherë, por nuk ndodhi ashtu.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Burimet e ndryshme të lajmeve nga Drenica Qendrore bëjnë të ditur se atje ka ndodhur …