Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Është një ditë tanimë e rëndomtë, në tendë. Vazhdimisht po bën mot i lig. Edhe pse po bën kohë e keqe aeroplanët e NATO-s po fluturojnë mbi pozicionet serbe dhe herë-herë po dyndën në drejtim të Serbisë. Me të hetuar aeroplanët e NATO-s, kriminelët serbë turren për ta fshehur kokën.

Burimet e lajmeve nga Zona e Pashtrikut dhe të Dukagjinit bëjnë të ditur se në Koshare po zhvillohen luftime të ashpra. Forcat tona atje kanë krijuar një vijë të gjerë të zjarrit në përpjekje për të krijuar një korridor armatimi për luftëtarët e lirisë që ndodhen në zonat e luftës në Kosovë.

Burimet në terren po ashtu japin informacione edhe për humbjet që kemi pësuar sidomos në Llap dhe në Malësinë e Gallapit. Dhjetëra ushtarë kanë rënë edhe në Malësinë e Marecit. Në një pjesë të popullatës shqiptare kanë depërtuar bandat kriminale serbe, të cilat kanë kryer masakra të çmeritura.

Ka vazhduar edhe sot dëbimi i popullatës civile në drejtim të kufirit me ish RJ të Maqedonisë dhe në kufi me Shqipërinë.

Edhe sot kemi përgatitur një emision me informata të mjaftueshme. Kemi shkëputur lajme të agjencive të huaja dhe disa informata i kemi marrë edhe në selinë e Agjencisë Kosovapres në Fshatin e Ri. Neziri kohë pas kohe i komenton disa nga ngjarjet kryesore.

Në mbrëmje këtu në tendë kanë ardhur për të na vizituar dy eprorët e Brigadës 121, Xhavit Sadriaj nga Gjakova dhe Muharrem Sylejmani nga fshati Leletiq i Blinajes. Xhaviti dhe Muharremi na kanë njoftuar në hollësi me zhvillimin e Betejës te Guri i Gradinës dhe që të dy ndihen tepër krenarë me sakrificat dhe moralin e luftëtarëve tanë.

-Po të kishim armë më të mira dhe më shumë municion thotë eprori Sadriaj, edhe pa ndihmën e NATO-s do ta fitonim luftën.

Ata rrëfejnë për heroizmin që kanë treguar luftëtarët tanë dy ditë më parë në Gradinë. Të dy eprorët vazhdimisht janë në mesin e ushtarëve. Janë të rinj por e njohin mjaft mirë operativën dhe strategjinë luftarake.

Në mbrëmje si zakonisht dalim në kodrën përballë dhe shikojmë në rrugën magjistrale Komaran Pejë. Nga këtu shihen mjaft mirë forcat serbe dhe pozicionet e tyre.

Drenicën e ka mbuluar tymi i shtëpive të djegura që është përzier me një mjegull të dendur. Asnjë dritë askund. Gjithçka duket sikur ka mbetur shkret. Vetëm tek-tuk shihet në kalim ndonjë makinë ushtarake e armikut…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Masakra, krime dhe marrje peng e popullatës civile nga forcat okupatore. (E martë 27 prill, 1999)

Sot sikur ka filluar të përmirësohet moti. Qysh në mëngjes janë ngritur aeroplanët e NATO-s …