Faton Mehmetaj

Faton Mehmetaj: Nazif Ramabaja është hileqar dhe mashtrues

(Reagim lidhur me shkrimin e botuar në “Bota Sot” me titull “Bashkëpunëtori i afërt i Tahir Zemajt flet për “Botën Sot”: Koloneli nuk trembej nga sulmet e bandave të Ramushit!” të datës 4 janar 2021, ku atakohet edhe emri im).

Së pari duhet ta sqaroj për opinionin e gjerë se nuk kam qenë kurrë komisar politik. Ky emërtim apo gradë ka qenë në kohën e ish-Jugosllavisë kur ka shërbyer edhe Nazif Ramabaja si epror i UJ-së, prandaj e ka shpikur si term apo emërtim timin. Unë kamë qenë ndër themeluesit e UÇK, Përfaqësues Politik në Drejtorinë Politike të UCK-së, më 23 qershor të vitit 1998 kur është formuar Shtabi i Zonës Operative të Dukagjinit jam caktuar përgjegjës për shërbimin informativ. Së paku shtatë breza të familjes time deri tek unë, po ashtu kanë qenë drejtues dhe prijës të dalluar të Ushtrive Çlirimtare të Kosovës dhe të trojeve shqiptare në përgjithësi. Edhe unë jam sjellë mirë dhe ia kamë bërë një argat vendit, e që besoj, të rrallë janë ata persona që i kanë shërbyer vendit më mirë se unë. Kam qenë pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet që janë bërë për liri e pavarësi të Kosovës.

Artikulli i botuar më 4 janar 2021 është artikull i botuar mbi 40 herë më parë, që nga viti 2003 e gjerë më sot, me të njëjtën përmbajtje, artikull i reproduktuar për qëllime dhe efekte politike. E kamë thënë edhe një herë në një shkrim, se kërkesën dhe thirrjen publike për të ardhur ish-eprorët shqiptar të UJ-së për ta ndihmuar UÇK-në, e ka bërë Ramush Haradinaj, për Zonën e Dukagjinit. Për këtë arsye me financa të Shtabit të Zonës Operative të Dukagjinit,Ramushi e ka adaptuar kazermën në Prapaqan, Baranë e vende tjera për strukturën e ish-oficerëve shqiptarë që më herët kishin qenë pjesë e UJ-së, por që kishin fituar përvojë në luftërat që u zhvilluan në Bosnje, Kroaci e vende tjera të ish-Jugosllavisë dhe me atë bagazh që kishin kërkuam që të vinin e ta ndihmonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kjo strukturë ka qenë e mirëpritur dhe e përkrahur fuqishëm pa asnjë rezervënga Komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit z. Ramush Haradinaj. Nazif Ramabaja është duke e dezinformuar opinionin qe 20 vite, me të pavërteta, sepse të gjithë ish-oficerët që kanë ardhur në ZOD, kanë qenë pjesë e hierarkisë së ZOD dhe kanë vepruar nën komandën e komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit z. Ramush Haradinajt.

 Ky vendim është marrë në takimin e mbajtur në Llukë të Poshtme më sa mbaj mend në fund të qershorit të vitit 1998 në shtëpinë e Dervish Metës. Në këtë takim,të gjithë ish-oficerët e ardhur për të kontribuar në ZOD janë pajtuar me detyrat që i kanë marrë. Pasi janë ndarë detyrat dhe jeni ngarkuar më përgjegjësi, asnjëri prej jush nuk e ka bërë as më të voglin kundërshtim. Nga kjo del se edhe Tahir Zemaj, Nazif Ramabaja si dhe të gjithë eprorët tjerë, keni qenë epror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për aq kohë sa keni qëndruar në Kosovë. Gjatë kësaj kohe keni vepruar nën emblemën e UÇK-së dhe uniformën e UÇK-së. Veprimtarinë tuaj në kuadër të strukturës së UÇK-së e keni pas për nderë dhe duhet të mburreni me të. Tendencat tjera janë të kota dhe të pa frytshme, me veprimet dhe shkrimet e deri tanishme, ju po e devalvoni veten tuaj, por edhe po i njollosni të tjerët, kolegët tuaj të cilët asnjëri prej tyre nuk pajtohet më shkrimet dhe veprimet tuaja, as me interpretimin e ngjarjeve se si po i rrëfen. Mos harro, se edhe ata kanë qenë aty ku ke qen ti. Akuzat qe i keni bërë ndaj UÇK-së qe 20 vite rresh, janë akuza që korrespondojnë me porositë e Serbisë e të oponentëve që kanë qenë të ngarkuar për këtë çështje siç është Millovan Drecuni, e pasuesit e tij, që në Kosovë nuk janë të pakt, të cilët në koordinim edhe me strukturat e Serbisë po e godasin UÇK-n pamëshirshëm, me të pavërteta, me gënjeshtra, e thash e them, me të vetmin qëllim për ta degraduar e shkatërruar atë, sepse ky është misioni i tyre, e ndoshta edhe i juaji. Këso detyrash kanë kryer “shqiptarët” edhe më herët, në kohën e Turqisë, Serbisë, SKS-së, Rankoviqit, Millosheviqit e po vazhdojnë edhe sot. Por, puna e tyre nuk është vlerësuar aspak, as nga historia, as nga populli. Sidoqoftë, me gjithë vuajtjet e mëdha që ua keni shkaktuar çlirimtarëve, duke i etiketuar ata me të pavërteta, duke i fyer e duke i futë burgjeve, pa kurrfarë fakti, vetëm nën presionet mediatike, “arritët” t’ua vishni petkun e kriminelëve pa qenë, dhe si pasoj e kësaj, kjo shtresë e shoqërisë sonë po kalon ditë të vështira, të linçuar e nëpërkëmbur, por mos harro se edhe ky procesi të gjitha proceset tjera të vështira gjatë historisë do të tejkalohet, dhe puna e ndritur e gjithsecilit do të vlerësohet dhe do të vendoset në analet më të larta të historisë.

Në periudhën kur Millosheviqi synonte okupimin e Kosovës, çdo ditë lansohej nga një gënjeshtër për kinse presione të shqiptarëve ndaj serbëve, dhunime të plakave serbe, dëmtime të varrezave serbe, metodë kjo shumë e njohur që nga lufta e dytë botërore, kur nazistët akuzonin hebrenjtë për të gjitha të këqijat. Ketë punë jeni duke e bërë ju z. Nazif Ramabaja. Ka 20 vite që shkruan për vrasjen e Tahir Zemajt, djalit të tij Enisit dhe kushëririt të tij Hasanit, por, pos që ke shkruar për të, kurrë as më të voglin hulumtim se ke bërë për ta zbardhur këtë vrasje, jo ti por asnjëri nga radhët e LDK-së. Ashtu siç keni tubuar të dhëna për t’i akuzuar pjesëtarët e UCK-së, po të kishit punuar që 20 vite në zbulimin e kësaj vrasje, sigurisht se ishte zbuluar 50 herë deri tash. Mos zbardhja e kësaj vrasje është neglizhuar nga strukturat e UNMIK-ut dhe EULEX-it më të cilët ju keni punuar për ti akuzuar UÇK-në, ka qenë dashtë me e ndarë pak kohë me hulumtuar edhe për mikun tuaj që të zbardhet e vërteta.

 Edhe në Policinë e Kosovës në pozitat udhëheqëse janë, kolegët tu shumë prej tyre shërbëtorë të ish-sistemit. Në pushtet keni qenë qe 20-të vite, edhe gjyqtarët dhe prokurorët pjesa dërmuese janë të ish-sistemit të cilët i kanë dënuar mbi bazën e shpifjeve e të thash e thënave dhe të proceseve të improvizuara qindra raste kundër pjesëtarëve të UCK-s, sigurisht që po të donit ju Nazif Ramabaja kjo punë ishte zbuluar moti, madje po ta kishe për njëmend këtë punë, nuk kishe shkruar, fare po kishe punuar në zbardhjen dhe gjetjen e aktorëve të këtij rasti. Në një raport të CIA-s të vitin 1995 për Shqipërinë, të botuar edhe për publikun, pos tjerash shkruante se shërbimi sekret serb kishte rekrutuar jo pak njerëz në Shqipëri e vende për rreth për të shkaktuar trazira, sabotime e probleme tjera të brendshme për ta penguar pavarësinë e Kosovës dhe forcimin e shtetit shqiptar. Për këto veprime e kishte pranuar edhe ish-parlamenti federativ jugosllav, se për Shqipërinë janë investuar me miliona dollarë për destabilizim, në mënyrë që të pengohej pavarësia e Kosovës.

Që nga ajo kohë shërbimi i fshehtë serb në bashkëpunim edhe më bashkëpunëtorët e vet ka financuar nxirjen e imazhit të UÇK-së, si organizatë terroriste në shtypin dhe mjedisin politik të Tiranës, Kosovës, Serbisë e vendeve tjera të rajonit ku ata e kishin shtrirë ndikimin e tyre. Madje këto struktura shkuan aq larg sa që organizuan një demonstratë antiqeveritare në Tiranë, më 24 mars të vitit 1999, ditën kur NATO-ja filloi bombardimin e Beogradit dhe luftën për çlirimin e Kosovës. Kjo shtresë që u takon klaneve të forta dhe me ndikim ndërkombëtar anti Kosovë dhe anti-Shqipëri, po e përdorin ndikimin e tyre për ta shkatërruar imazhin e UÇK-së, në arenën ndërkombëtare, duke e bërë UÇK-në si ajo delja e zezë në kope. Deklarimet e tilla kundër shqiptarëve dhe UÇK-së në veçanti shkojnë në dëm të Kosovës dhe në favor të Serbisë dhe armiqve të Kosovës. Ju jeni ata që i keni ndërtuar gjyqet me dëshmitë e juaja kundër UÇK-së, ju jeni po ata që i keni shkatërruar këto gjyqe dhe dëshmitë e këtyre gjyqeve duke e penguar që të zbardhet e vërteta. Ju po bëni gjyqe publike në media të shkruara dhe ato elektronike në portale e rrjete sociale. Shkrimet tuaja duket se kanë për qëllim dezinformimin e Gjykatës Speciale, dërgoni letrat e dëshmitë e juaja tek vendi në Gjykatën Speciale e mos iu turrni njerëzve si te çmendur.

Që kur ke ardhur në luftë, që nga dita e parë ke bërë përpjekje për ta sabotuar luftën e UÇK-së, por ke mbetur i vetëm, ishe një Fikret Abdiq pa ushtri. Mos mendo që je imunizuar ndaj ligjit, edhe pse qe 20 vite ke qene gjykatës dhe prokuror i UÇK-së. Kjo gjykatë është formuar nga Qeveria e Kosovës për ta zbardhur të vërtetën dhe për ti shqyrtuar dëshmitë dhe akuzat që i kanë bërë njerëzit e ndryshëm në llogari të UÇK-së. Nëse e vërteta do të zbulohet e që jam i bindur se kjo do të ndodhë, ju dhe stafi juaj do të zhgënjeheni rëndë. U bënë 20 vite me të njëjtat akuza, edhe ato në kohë fushatash duke derdhur lot krokodili për viktimat e pasluftës. I gjithë ky projekt është dizajnuar nga arkitektët që i kanë shkollat dhe mësimet e Serbisë sepse duke e akuzuar UÇK-në, dikush tjetër po amnistohet që mund të jetë organizator dhe financues i vrasjeve të pasluftës në Kosovë. Po të ishit të vërtetë, ti por edhe të tjerët, këtë vrasje dhe vrasjet tjera politike moti do ti kishit zbardhur, por juve më së paku u konvenon zbardhja e vrasjeve politike, e pse, këtë pyetje më së miri e din ti. Boll me këto trillime e shpifje se u bëtë turpi i botës. Po të shikohet Dosja “Bllaca” e cila është botuar edhe në media të shkruara dhe elektronike, del se shërbimi sekret ishte ai që i kishte porositur vrasjet në Kosovë dhe i kishte rekrutuar njerëzit e caktuar për ti kryer këto vrasje me të vetmin qëllim që këto vrasje ti atribuohen UÇK-së.

Me të njëjtat qëllime në vitin 2009 u arrestuan në Çagllavicë tre oficer të shërbimit sekret serb; Igor Joçinac, Millutin Radonoviq dhe Predrag Zhelkoviq të cilët kishin marrë detyra nga shërbimi sekret serb për të blerë dëshmitarë dhe për të siguruar dëshmi të rreme kundër UÇK-së, për ta komprometuar UÇK-në dhe për ti dënuar ndokënd prej tyre. Mjaft je fshehur pas figurës dhe veprimtarisë së Tahir Zemajt, mos e shfrytëzo fatkeqësinë që i ka ndodhur atij për ti arritur qëllimet tua. Mos u fsheh as pas emrit të ish-presidentit Rugova për ti realizuar qëllimet tuaja, sepse ju jeni ata që ja keni ndalë financimin në kohën më të vështir, ju jeni ata që ia keni distancuar familjen Ibrahim Rugovës dhe ia keni shkatërruar partinë, me shpifjet tuaja janë distancuar, etiketuar e shkatërruar veprimtarët më të devotshëm të LDK-së. Edhe një gjë duhet sqaruar, se as Qeveria e Bukoshit, as Ministria e Mbrojtjes, për aq sa ka qëndruar Tahir Zemaj në Kosovë, kurrë, në as një rast nuk e ka ndihmuar me asgjë. E ke tepruar duke shpifur e trilluar gjithfarë historie për tu bërë dikushi. Ju po tentoni duke folur për vrasjen e Tahir Zemajt, të djalit Enisit dhe kushëririt Hasanit, t’ia rrëmbeni atij historinë dhe ta merrni për vete, sepse ti je person pa histori. Ju jeni hileqar dhe mashtrues. Të njëjtën lojë e keni bërë edhe gjatë luftës në Kosovë, jeni orvatur të bëni paralelizma e të bëni përçarje, por nuk ke gjetur mbështetës. Mos e luaj rolin e Martinoviqit, i cili e kishte futur në prapanicë një shishe në vitin (1984), dhe më pas nën presionin e sigurimit shtetëror serb të asaj kohe, ndërroj deklaratën e dhënë më parë, për qëllime politike “patriotike”, dhe akuzoj shqiptarët për këtë vepër. Akuzat tua ndaj UÇK-së nuk kanë asgjë me të vërtetën, janë si ato të Martinoviqit për të mbërri efekte politike dhe për t’i kënaqur apetitet e atyre që fshehën pas teje. Sigurisht edhe akuzat ndaj meje për kinse një tentim atentati ndaj Tahir Zemajt i ke marrë nga shërbimi sekret dhe njerëzit e tyre ashtu siç janë edhe akuzat tjera ndaj gjithë strukturës së UÇK-së.

 Këto janë shpifje dhe intriga të konstruktuara nga ju dhe njerëzit e shërbimit sekret serb, në kurthet e të cilit je ra më vetëdije apo pa të. Akuzat bëhen me fakte e jo më trillime për të mbërrite efekte politike. E vërteta është e patjetërsueshme, kamë punuar tërë jetën për të vërtetën dhe asaj do ti shërbej jetësisht.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …