Fatos Shefqet Limani (8.1.1978-19.4.1999)

Fatos Shefqet Limani (8.1.1978-19.4.1999)

Dikur, në shiritin e një kasete magnetofoni, ishte fiksuar zëri i një fatosi, që si një cicërimë bilbili, ashtu me fraza të ndërprera, u kishte kënduar trimave të kombit, Bajram Currit, Idriz Seferit, Sefë Koshares, Isa Buletinit e të tjerëve. Kaseta me këtë zë, sot ruhet si një kujtim i çmueshëm dhe si një relikt i veçantë i kohës së fëmijërisë së dëshmorit, Fatos Limani. Ai kishte formuar përfytyrimin e tij për këta trima, prandaj kudo që shihte burrë me plis e me mustaqe, mendja i shkonte te Bajram Curri, Mic Sokoli, apo Idriz Seferi. Dhe, a mund të pritej që ky dëshmor, i cili që në atë moshë kishte ditur t’u këndojë trimave tanë të mëdhenj dhe i cili, më vonë, burim të përhershëm frymëzimi kishte filmin dokumentar Liri a vdekje, të rritej me preokupime më të vogla, sesa preokupimi për fatin e kombit të tij e të Kosovës? Këtë përkushtim jetësor, ai e dëshmoi me sakrificën e madhërishme të rënies në altarin e lirisë.
Fatos Limani ka lindur më 8 janar të vitit 1978, në Prishtinë, në një familje atdhetare të prejardhur nga fshati Pogragjë i komunës së Gjilanit. Prindërit e tij, Shefqeti e Hylkia, kishin treguar një përkushtim të madh prindëror ndaj fëmijëve të tyre, Leonorës, Fatosit, Mimozës e Kastriotit. Ata kishin arritur të krijojnë një çerdhe të shëndetshme, me ngrohtësi e me edukatë të mirë familjare. Një shkëlqim të veçantë në këtë çerdhe, bënte gazi, hareja dhe ylli i saj, Fatosi.
Dëshmori Fatos Limani, shkollën fillore e ka kryer në Prishtinë, me sukses të dalluar. Sukses të dalluar arrin edhe në shkollën e mesme teknike “28 Nëntori”, të kryeqytetit. Siç ishte i mirë në mësime dhe i afërt e i sjellshëm me shokët, gjatë shkollimit fillor e të mesëm, i tillë ishte edhe gjatë kohës sa studioi në degën e arkitekturës në Fakultetin e Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës. I regjistruar në këtë degë, në vitin akademik 1996/97, ai i dha provimet në afatet e parapara, duke arritur deri në vitin e tretë të studimeve. Krahas studimit dhe ngritjes profesionale, Fatosi nuk qëndroi anash as ndaj zhvillimeve politike në Kosovë, në kohën kur faktor i kthesës së tyre ishte bërë rinia studentore. Veprim të angazhuar dëshmoi sidomos në kohën e lëvizjes studentore, në vjeshtë të vitit 1997. Me rastin e protestës së 1 Tetorit të atij viti, Fatosi kishte testuar forcën e vet fizike në përballjen me militarët e tërbuar serbë. Në këtë kohë ai ishte bërë një ndër veprimtarët e shquar të lëvizjes studentore, e cila mori përsipër barrën për prishjen e gjendjes së status kuosë së krijuar nën robëri, duke e dinamizuar rezistencën përballë pushtuesit dhe duke paralajmëruar uraganin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shpërthimi i luftës së armatosur dhe dalja në skenë e UÇK-së, fillimisht në Drenicë dhe pastaj edhe në zonat e tjera të Kosovës, në zemrën e Fatosit shtoi edhe më tepër vrullin e dashurisë për lirinë e atdheut. Në këtë kohë, ai kishte shfaqur interesim të hapët për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe uniformën e saj. Në një rast bisede me dajën e së ëmës dhe bashkëveprimtarin, Muhamet Ahmeti, në pranverë të vitit 1998, ishte shprehur se më shumë se çdo gjë tjetër, dëshironte ta kishte një simbol të UÇK-së. Tashmë, në qendër të interesimit të tij nuk ishin studimet, por format e organizimit për luftimin e pushtuesit. Duke qenë në kontakt me një rreth të caktuar shokësh, sidomos me koordinatorin e njësiteve të formacionit gueril BIA, Muhamet Ahmeti, në këtë kohë u inkuadrua në njërën prej njësiteve guerile të qytetit të Prishtinës. Si pjesëtar i njësitit gueril G-2 të BIA-s, Fatosi kreu aksione të shumta, në pjesën e qytetit të Prishtinës ku veproi ky njësit, duke dëshmuar shkathtësi dhe gatishmëri të lartë për sakrificë. Ndër aksionet e tij të kësaj kohe ishte edhe fotografimi nga një largësi e caktuar, si dhe skicimi i pozicionit të kazermës së ushtrisë serbe në Prishtinë, në janar të vitit 1999. Po ashtu, ai bëri edhe vëzhgimin e terrenit, siguroi shpërndarjen e gazetës ilegale të kohës “Çlirimi” etj.
Pas fillimit të bombardimit të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe, pushtuesi serb ndërmori fushatën kundër shqiptarëve për spastrimin etnik të Kosovës. Kjo fushatë e kishte përfshirë edhe familjen e Fatosit në Prishtinë. Më 31 mars të vitit 1999, ai së bashku me motrën, Leonorën dhe me vëllanë, Kastriotin, ishte në mesin e popullatës civile që po dëbohej nga Kosova. Pas rrugës së gjatë, të kaluar kryesisht në këmbë, të nesërmen arriti në Kukës, prej nga duhej të vazhdonte për në Fier. Rrugës për në Fier, në rastin e parë të kontaktit me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fshatin Kalimash, Fatosi u nda nga motra e nga vëllai, si dhe nga bashkudhëtarët e tjerë për t’iu bashkuar radhëve të kësaj ushtrie. Ai u paraqit në qendrën mobilizuese të UÇK-së në Kalimash. Tashmë ëndrra e tij për t’u bërë pjesëtar i kësaj ushtrie, ishte realizuar. Gëzimin për shkak të lirimit nga ky peng, ai e kishte shprehur edhe në çastin e ndarjes lamtumirëse nga motra e nga vëllai. Në fytyrën e tij, ata kishin hetuar ndjenjën e lumturisë, si asnjëherë më parë. Pamja e kësaj fytyre kishte rrezatuar energji jete e optimizmi, energji për të luftuar deri në fund kundër pushtuesit dhe për ta fituar këtë luftë.
Në Kalimash, Fatosi u radhit në njësinë e komanduar nga eprori Binak Gashi të Brigadës 138 të UÇK-së, e cila më vonë do të emërtohet me emrin e komandantit të saj dëshmor, Agim Ramadani. Aty bëri stërvitjet dhe aftësimin e nevojshëm ushtarak, para se të shkonte në vijën e frontit.
Në dekadën e dytë të muajit prill të vitit 1999, brigada 138 “Agim Ramadani” vuri në zbatim planin ushtarak për mposhtjen e mbrojtjes së kufirit ndërmjet dy pjesëve të tokës etnike shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë politike, me qëllim të heqjes së këtij kufiri. Të gjitha parapërgatitjet për këtë sulm ishin bërë me kohë. Sipas planit strategjik, kufiri duhej të thyhej në Koshare. Ndër ata qindra luftëtarë të lirisë, të cilëve u takoi nderi dhe lavdia për ta thyer këtë kufi, ishte edhe Fatos Limani. Ato ditë prilli, në zonat rreth Koshares u zhvilluan beteja të ashpra dhe vendimtare për fatin e luftës çlirimtare të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sepse, nga aty duhej të fillonte kapitullimi dhe tërheqja e forcave të pushtuesit serb nga Kosova. Betejat u fituan dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës triumfoi mbi armikun. Gurët e mallkuar, që ndanë përgjysmë truallin etnik shqiptar, gati për një shekull të tërë, u nxorën dhe u rrokullisën si gurë Sizifi pas shpinës së armiqve. Kosharja, Rrasa e Koshares, Rrasa e Zogut dhe toponime të tjera të kësaj ish-zone kufitare, tashmë janë bërë sinonime të betejës për heqjen e kufirit dhe ribashkimin e tokave shqiptare, por edhe sinonim i lavdisë dhe i heroizmit të trimave të UÇK-së. Këta trima ia kishin mësyrë këtij kufiri, të vendosur për ta hequr atë, qoftë edhe me çmimin e jetës së tyre. Këtë çmim e paguan shumë dëshmorë të lirisë, duke i shtuar gjymtyrët e atdheut e duke i zgjatur jetën atij. Ndër ta edhe dëshmori Fatos Limani, i cili ra në fushën e nderit, më 19 prill të vitit 1999, te Rrasa e Koshares. Përkrah tij, në altarin e lirisë ranë edhe dëshmorët, Leonard Palucaj, nga Klina, Shukri Qorraj, nga Syrigana e Skënderajt, Afrim Stajku, nga Arbana e Prizrenit, e Fisnik Ibrahimi, nga komuna e Sharrit. Në zjarrin e luftës, trupat e këtyre dëshmorëve ishin varrosur si të paidentifikuar në varrezat e qytetit të Bajram Currit. Pas përfundimit të luftës, në gusht të vitit 1999, ata u rivarrosën në Koshare. Tre vjet më vonë, në gusht të vitit 2002, u bë rizhvarrimi i trupave të këtyre trupave, të cilët u dërguan në morgun e Rahovecit. Identifikimi i trupit të dëshmorit Fatos Limani u bë në dhjetor të vitit 2002. Sipas konstatimit të analizave të ADN-së, ai kishte rënë nga plagë armësh të zjarrit, të marra në gjoks. Rivarrimi i këtij dëshmori u bë më 16 janar të vitit 1993, në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, me ceremoni nderimi. Në shenjë mirënjohjeje e përjetësimi, një rrugë e Prishtinës është emërtuar me emrin e dëshmorit Fatos Limani. Ndërsa, në fshatin Pogragjë të Gjilanit është lokalizuar vendi ku do të ngrihet përmendorja e tij.
Sot, në familjen e dëshmorit, në shenjë kujtimi, ruhen shumë fotografi të tij, ndër të cilat edhe ajo në mesin e bashkëluftëtarëve dhe me uniformë të UÇK-së, bërë në Kalimash; leja e njoftimit; karta e anëtarësimit në Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës; pasaporta, të cilën, nga Kalimashi ia kishte dërguar familjes në Prishtinë, nëpërmjet një bashkëqytetari, me porosinë se po qe se do t’i nevojitej, do ta merrte më vonë; rroba e gjëra të tjera. Një kujtim të veçantë paraqesin kaseta me zërin e tij të incizuar duke kënduar këngën për Bajram Currin; fletoret e shënimeve dhe vizatimet e shumta teknike. Mbi të gjitha, kujtimin për dëshmorin Fatos Limani e mban përjetësisht të gjallë heroizmi i shpirtit të këtij arkitekti të lirisë së tokës arbërore. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …