Përkujtohet 19 vjetori i rënies heroike të 30 dëshmorëve të kombit të rënë në Bishtazhin, Goden e Rogovë të Hasit

Fetnete Ramosaj: Lufta e UÇK-së dhe epopeja e lavdishme e 27, 28 dhe 29 janarit 1999

Në mbrëmjen e 27 janarit të vitit 1999, nëntëdhjetë e gjashtë pjesëtarë të UÇK-së (të Zonës Operative të Dukagjinit dhe një njësit i Zonës Operative të Pashtrikut) u nisën nga baza e UÇK-së në Zhebel të Gjakovës në drejtim të Shqipërisë, me detyra të furnizimit me armatim dhe teknikë lufte. Kësaj radhe pritej të futej në Kosovë armatim i sofistikuar, i papërdorur deri atëherë në frontet e luftës. Mirëpo, gjatë rrugëtimit, me të arritur afër fshatit Bishtazhin, tek Ura e Terzive mbi lumin Erenik, që e lidhë Gjakovën me Prizrenin, rreth orës 23.00, ata ranë në pritën e forcave policore serbe dhe të të ashtuquajturës “polici lokale” e Serbisë, që drejtohej nga kolaboracionisti Muharrem Ibraj nga Osek Hyla. Aty, për afër një orë zhvillohen luftime të rrepta. Gjatë kësaj përleshje të pabarabartë bien dëshmorë Hamdi Ibish Berisha dhe Kasim Rexhep Shala, të dy nga Ruhoti i Pejës, luftëtarë të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” dhe plagosen rëndë luftëtarët Nexhat Istref Berisha* dhe Gani Sylë Shala,* të dy nga Ruhoti i Pejës. Humbje në njerëz kishte edhe në radhët e armikut.

 

Kështu që një pjesë e këtij grupi u detyruan të kthehen prapa për në Shqiponjë të Dushkajës, ku ishte Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, ndërkaq 25 luftëtarë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe luftëtarët e dalluar në shumë fronte e beteja si Agim Zeneli – Çergashi, Komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”, Agron Rama, komandant i Brigadës 134 “Bedri Shala” (i cili ishte i plagosur dhe po dërgohej për shërim në Shqipëri dhe për riorganizimin e radhëve të Brigadës), Sejdi Rama – Cia, Sahit Krasniqi, Daut Kelmendi, Memë e Pren Lleshi, Agush Gjoci e të tjerë kishin vendosur që me çdo kusht të vazhdonin rrugën drejt Shqipërisë. Më 28 janar, në orët e hershme të mëngjesit ky grup i luftëtarëve ranë sërish në pritën e forcave ushtarake serbe tek përroi i parë mbi Goden në afërsi të kufirit shqiptaro-shqiptar. Aty bien dëshmorë luftëtarët e lirisë vëllezërit Memë e Prend Zef Lleshi* nga Vraniqi i Gjakovës, të cilët ishin udhëheqës të rrugës – në njësitin pararojë dhe u plagosën rëndë luftëtarët Agron Rama, Sejdi Rama, Sahit Krasniqi, Luan Smajli e Nexhat Berisha i Volljakës.

 

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …