Filloi ndërtimi I çerdhes publike në Kijevë të Malishevës

Sot në fshatin Kijevë të Komunës së Malishevës, ka filluar ndërtimi i çerdhes publike për fëmijë, e cila do të jetë çerdhja e tretë publike në Komunën e Malishevës. Gurthemelin e kësaj çerdhe, e kanë vënë, i pari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj. “Po bëhemi me tri çerdhe publike, por së shpejti do të kemi edhe më shumë çerdhe, dhe kjo është e mirë, pasi me këtë ju mundësojmë nënave dhe motrave tona ti dërgojnë fëmijët në çerdhe dhe në të njëjtën të punojnë, e po ashtu edhe fëmijët do të kenë më shumë mundësi, të socializmit të tyre”, tha mes tjerash i pari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, me rastin e vënies së gurthemelit për këtë çerdhe. Edhe zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj, e ka vlerësuar shumë lartë punën e komunës, sidomos për ndërtimin e çerdheve publike, përmes së cilave ju mundësohet nënave që punojnë, por edhe nënave tjera, që ti dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe, përderisa janë të angazhuara në kryerjen e punëve të tyre. “Është kënaqësi për mua që sot jam këtu, në fillimin e ndërtimit të kësaj çerdhe, dhe me këtë rast e përgëzoi Komunën e Malishevës, dhe i uroi të gjitha nënat, pasi ndërtimi i kësaj çerdhe, është lehtësim për të gjitha nënat e kësaj pjese të Malishevës”, tha mes tjerash zëvendëskryeministrja Balaj-Halimaj. Në ceremoninë e fillimit të ndërtimit të çerdhes së tretë publike në Komunën e Malishevës, përkatësisht në fshatin Kijevë, ishin të pranishëm edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Arbëresha Krasniqi, drejtori komunal prë arsim dhe edukim, Blerim Thaçi, drejtori i urbanizimit, Ahmet Morina, drejtoresha e administratës, Besartë Kryeziu-Ramaj, anëtarët e Kuvendit të Komunës, Kajtaz Gashi dhe Sylë Dukolli, kryetari i fshatit Kijevë, Bashkim Gashi, dhe qytetarë të tjerë të Kijevës me rrethinë.

Kontrolloni gjithashtu

Njoftim për ndëprerje të qarkullimit rrugor në rrugën “Ilaz Kodra”

Me qëllim të realizimit të projektit për ndërtimin e urës së re mbi Lumin “Klina” …