Fjala e Kryetarit Latifi në seancën përkujtimore për Gjenocidin Serb në Kosovë

Fjala e Kryetarit Latifi në seancën përkujtimore për Gjenocidin Serb në Kosovë.

15 JANARI – DITA E GJENOCIDIT SERB NDAJ SHQIPTARËVE TË KOSOVËS

Vitet 1998-1999 ishin vitet e vrasjeve  dhe të masakrimeve të qindra e mijëra qytetarëve të pafajshëm e të pambrojtur, vite të vrasjeve të masakrimeve edhe të fëmijëve, grave e pleqve, vite të zhdukjes së dhjetëra, qindra e mijëra familjeve shqiptare…vite të vrasjes dhe masakrimeve të një populli të tërë. Faktet dëshmuan se pikërisht këtë e parashihte faza e fundit e skenarit të çmendur serbomadh kundër shqiptarëve të Kosovës – skenarit për vrasjen dhe zhdukjen e një populli të tërë nga trojet e veta shekullore. Në Kosovë, pushtuesi serb bëri krime kundër njerëzimit, të cilat ishin të përmasave aq të mëdha, saqë ka të bëjë me elementet të pastra të gjenocidit. Çfarë është gjenocidi? Gjenocidi është krim i planifikuar dhe i organizuar nga pushteti me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të identitetit, zhdukjes së shenjave të kulturës shpirtërore dhe materiale, në mënyrë që të bëhet ndërprerja e zhvillimit normal të procesit historik në jetën e një populli. Gjenocidi është vrasja e qëllimshme e njerëzve në baza etnike, nacionale, racore, religjioze ose nganjëherë politike, si dhe veprime të tjera të qëllimshme që çojnë në eliminimin fizik të ndonjë populli. Ndërkaq, në krimin kundër njerëzimit bëjnë pjesë: vrasja, shfarosja, marrja rob, dëbimi, burgosja, torturimi, dhunimi, ndjekja mbi baza politike, racore e fetare dhe veprimet e tjera jonjerëzore. Me të gjitha këto u përball populli shqiptar i Kosovës. Krimet serbe në luftën e Kosovës përfshinin dëbimin e popullatës, masakrat, pastrimin etnik, dhunimet, plaçkitjet, helmimin e puseve, fshehjen e kufomave, fshirjen e identitetit, keqpërdorimin e civilëve dhe puna e dhunshme, shkatërrimin e vendbanimeve dhe minimin e terrenit. Krimi në Kosovë ishte masë e paraparë dhe e planifikuar nga Serbia, përkatësisht nga qarqet e saj politike, shkencore, kulturore dhe ushtarake. Gjenocidi e krimi në Kosovë, i zbatuar nga agresori pushtetar serb, kanë qenë veprime në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Viktimat kanë qenë civilët, fëmijët, pleqtë, gratë, personat e sëmurë dhe të pambrojtur, objektet fetare, historike e kulturore. Përveç kësaj, viktimat janë persona të cilët, individualisht apo kolektivisht, kanë pësuar dëme, duke përfshirë lëndimet fizike ose psikike, vuajtje shpirtërore, humbje ekonomike ose kufizime të konsideruara të të drejtave të tyre themelore, përmes veprimeve ose mosveprimeve që paraqesin shkelje të rënda të të drejtave njerëzore, të pranuara me të drejtën ndërkombëtare ose shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare. Vrasjet në vijimësi kanë qenë një nga format më të rënda të realizimit të projektit serbomadh për Kosovën. Por, përderisa gjatë viteve të fundit të represionit serb në Kosovë, vrasjet ishin raste sporadike dhe kryesisht individuale, gjatë viteve 1998 – 1999, vrasjet u bënë fenomen masiv – vrasje masive dhe të përditshme që rrezikonte gjithë shqiptarët pa dallim. Rastet e vrasjeve masive në Kosovë janë të shumta. Ato ishin masakra të vërteta. Vrasjet e qëllimshme dhe të paligjshme të civilëve – ekzekutimet pa gjyq, ishin një pjesë e rëndësishme e fushatës …“së spastrimeve”. Në gjithë Kosovën u vranë civilë nga policia serbe, nga ushtarët dhe nga forcat paramilitare ( të gjitha komandoheshin nga një qendër – nga Beogradi) të implikuara në vrasjet e stilit “ekzekutim në vend”, të cilët dihej mirë se nuk ishin luftëtarë dhe ndër të cilët kishte shumë gra dhe fëmijë. Sipas “Human Rights Watch”, vrasjet në përgjithësi kishin tri motive të qarta. E para, ishte përshpejtimi i procesit “të spastrimit” nëpërmjet kërcënimit dhe ngjalljes së frikës. E dyta, ishte eliminimi i individëve që dyshoheshin se luftonin në radhët e UÇK-së ose e ndihmonin atë, dy gjëra që shpeshherë ishte vështirë të dalloheshin nga njëra-tjetra. Ndër individët e vënë në shënjestër kishte udhëheqës të shquar politikë e aktivistë të të drejtave të njeriut. E treta, ishte kryerja e vrasjeve për hakmarrje: disa masakra u kryen pasi forcat serbe dhe jugosllave pësuan humbje nga ana e UÇK-së. Vrasjet nuk ishin rezultat i rastësishëm i dhunës së forcave qeveritare serbe. Përkundrazi, ato ishin planifikuar me kujdes dhe i vinin në jetë operacionet serbe. Masakrimet, vrasjet masive, dhunimet e vajzave dhe të grave të reja, djegiet dhe shkatërrimet masive të vendbanimeve, të ekonomisë dhe pronës, nuk u mjaftonin forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, por për t’i humbur gjurmët e krimeve, ata hapnin varreza masive dhe individuale akoma të paidentifikuara në Kosovë dhe në Serbi. Ka shumë raste kur kufomat janë varrosur, por pas disa ditëve janë zhvarrosur dhe dërguar në vende të panjohura. Shumë shqiptarë të vrarë në Kosovë, trupat e pajetë të tyre, janë zhvendosur jashtë Kosovës, me qëllim të zhdukjes së shenjave të krimit të kryer. Kjo është vërtetuar në hapjen e varrezave të shumta nëpër Serbi. Përveç kësaj, dyshohet se shumë kufoma të shqiptarëve janë djegur në furra të shkritoreve. Në luftën e agresorit serb u vranë shumë të rinj, fëmijë. Sipas të dhënave të grumbulluara për numrin e fëmijëve të vrarë dhe të pagjetur, por të rënë edhe dëshmorë në Kosovë në periudhën janar 1998 – 12 qershor 1999 janë gjithsej 1.284 fëmijë shqiptarë deri në moshën 18 vjeç. Ndërkaq, deri në moshën 5-vjeçare kanë pësuar 247 fëmijë, duke mos llogaritur ata të cilët kanë vdekur menjëherë pas lindjes dhe nuk ishin të pagëzuar, si dhe ata në barkë të nënës së vrarë. Janë vrarë edhe shumë femra shqiptare. Sipas shënimeve me të cilat posedojmë, në periudhën janar 1998 deri më 12 qershor 1999, në Kosovë janë vrarë ose zhdukur 1.721 femra të moshave të ndryshme. Disa prej tyre kanë rënë edhe dëshmore. Në luftë pësuan edhe shumë të moshuar dhe invalidë. Në bazë të të dhënave të grumbulluara në Kosovë janë vrarë ose zhdukur 1.843 persona mbi moshën 65-vjeçare, që mund të konsiderohen pleq, prej tyre të shtyrë në moshë kanë rënë edhe dëshmorë në altarin e lirisë. U vranë familje të tëra, sepse objekt i sulmit dhe vrasjeve ishte edhe familja shqiptare si bërthamë e entitetit shqiptar të Kosovës. Vrasjet të shumta pati edhe nëpër burgje të Kosovës dhe jashtë saj. U vranë edhe shumë intelektualë dhe veprimtarë politikë e humanitar. Pati edhe vrasje të inskenuara dhe mburoja njerëzore, si mur i gjallë. Gjatë dhe pas luftës pati edhe shumë vdekje nga pasojat e luftës nga plagët dhe torturimet e pësuara prej barbarisë serbe. Pas luftës pësuan edhe shumë persona nga minat e vendosura nga agresori serb, duke gjetur vdekjen dhjetra njerëz. Arrestimet, e më vonë, zhdukja e shqiptarëve para dhe gjatë luftës në Kosovë, mbetet dukuri shqetësuese për familjet e të pagjeturve dhe të tërë popullit të Kosovës e më gjerë. Nuk dihet se ku janë të pagjeturit. A janë nëpër burgje, kampe të përqendrimit apo të vrarë e në varreza masive?Nga ky krim nuk ka shpëtuar as komuna jonë, ku numri i të zhdukurve ende është i lartë: 103 nga 670 të vrarët gjatë luftës 1998/99 – nga ky numër janë vrarë 80 fëmijë dhe 119 luftëtarë lirie, dëshmorë të UÇK-së. Populli i Rahovecit me rrethinë e kanë përjetuar në lëkurë të vet dhunën dhe represionin serb. 241 të vrarë, të djegur e të zhdukur në Krushë të Madhe, 75 në Celinë, 69 në Fortesë (Bellacerkë), 54 në Brestoc, 106 në Pastasel, 32 në Hoçë të Vogël, 31 në Opterushë, 22 në Retijë, 6 në Nagac dhe mbi 150 të vrarë në qytetin e Rahovecit, pa e harruar as Shejh Myhedinin, i ekzekutuar nga vrastarët serb, mu në tempullin fetar. Kategoria e të zhdukurve është ndër kategoritë më të rënda të viktimave në Kosovë. Siç dihet, shumë persona në Kosovë janë rrëmbyer dhe janë dërguar në drejtime të panjohura, kryesisht në burgjet dhe kampet e përqendrimit në Serbi. Ata persona të rrëmbyer e të pagjetur janë kryesisht meshkuj të moshës së re. Rrëmbimi i tyre u bë në sytë e dëshmitarëve të shumtë, të cilët rrëfejnë se ata u rrëmbyen nga paramilitarët dhe policët serbë, u ndanë nga kolona njerëzish kur po dëboheshin me dhunë në Shqipëri ose Maqedoni të Veriut. Një numër i tyre u morën nëpër shtëpitë e tyre, në prani të familjarëve. Format kryesore të zhdukjes së personave dhe të mënyrës së zhdukjes së qytetarëve të Kosovës në vitet 1998 e 1999 janë: vrasja dhe varrosja në varrezat masive dhe individuale; vrasja dhe varrosja në vende të panjohura; vrasja dhe djegia e kufomave; vrasja dhe bartja e kufomave dhe hedhja e tyre në lumenj; vrasja e familjeve të tëra dhe zhdukja e gjurmëve të mbetjeve mortore të tyre; ndarja, vrasja dhe zhdukja vetëm e meshkujve të familjeve të caktuara; vrasja dhe zhdukja e gjurmëve të të burgosurve të likuiduar; nxjerrja e individëve nga rreshti i qytetarëve të kapur e të deportuar dhe vrasja dhe zhdukja e gjurmëve të tyre; hedhja në puse e të gjallëve dhe të vrarëve e zhdukja e gjurmëve të puseve të këtilla; marrja e foshnjave nga nënat dhe zhdukja e gjurmëve të tyre. Në Kosovë janë vrarë, janë ende të pagjetur, si dhe kanë rënë dëshmorë, sipas disa burimeve, gjithsej: 11.737 shqiptarë. Ndër format sistematike të krimit e të spastrimit etnik, krahas vrasjeve e masakrave, dëbimeve, djegieve, rrënimeve, plaçkitjeve, kidnapimeve, burgosjeve etj. nga forcat ushtarako-policore e paramilitare serbe, ishte edhe dhunimi i mijëra femrave shqiptare. Këto dhunime janë krime më të tmerrshme e më të pandriçuara, për të cilat mund të flitet vetëm përafërsisht. Dhunimet janë të rënda për çdo popull në botë, e posaçërisht për popullin shqiptar të Kosovës, sepse morali është vlera më e ndjeshme e qenies së tij. Dhunimet, sipas të drejtës ndërkombëtare janë vepra penale, të cilat radhiten në krime kundër njerëzimit. Forcat policore, ushtarake, e sidomos ato paramilitare, kishin përdhunuar dhe mbi këto raste nuk mund të flitet vetëm për cenim të integritetit fizik dhe psikik të femrës, por para së gjithash edhe për cenim direkt të integritetit moral dhe shpirtëror të popullit, andaj edhe kjo formë e dhunës dënohet me të gjitha rregullat ndërkombëtare. Dhunimet seksuale, që i bënë forcat policore-ushtarake dhe paramilitare serbe kundër femrave shqiptare kanë pasur karakter poshtërues, politik e hakmarrës, që kanë pasur karakter të thyerjes morale dhe shpirtërore të popullit shqiptar, andaj populli e konsideron këtë dukuri ndër format më të dhimbshme e më të rënda të krimeve të luftës në Kosovë. Dhunimet e grave e të vajzave shqiptare nuk ishin akte të rralla e të izoluara, të kryera nga individë të forcave serbo-jugosllave, por ishin akte të organizuara mirë nga Serbia dhe u përdorën qëllimisht si instrument për të terrorizuar popullsinë civile. Kjo formë e dhunës u përdor si armë lufte dhe instrument i spastrimit etnik sistematik. Dhunimet gjatë luftës në Kosovë nga forcat paramilitare, ushtarake dhe policore serbe janë bërë në forma më barbare: dhunimet pas kidnapimit, të kryera në vende publike; dhunimet në shtëpitë ku kanë jetuar; dhunimet në grupe që i kanë bërë pjesëtarët e njësive paramilitare; dhunimet gjatë kohës së sulmit në fshatra; dhunimet në konvoje; dhunimet para vrasjeve; dhunimet e kombinuara me forma të tjera të torturës dhe keqtrajtimit; dhunimet pas kidnapimeve; dhunimet dhe dhuna seksuale në lidhje me zhvatje të parave; dhunimet publike, para personave të tjerë dhe forma të tjera të dhunimit. Përveç krimeve, dhunimeve, dëbimit masiv nga vendlindja të popullatës shqiptare, u shkatërruan edhe shumë objekte banimi dhe ndihmëse, shkolla, xhami dhe shumë objekte të tjera ekonomike dhe infrastrukturore. Nga atdheu i tyre u shpërngulën më se 1 milion shqiptarë të Kosovës, të cilët u vendosën kryesisht në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut, e nga aty në vise të ndryshme të botës. Në fund mund të konstatojmë se populli shqiptar, përherë iu kishte kundërvënë këtij terrori e kësaj dhune, kjo në forma të ndryshme. Andaj, patriotët shqiptarë u rreshtuan në radhët e UÇK-së, duke vazhduar traditën e të parëve në luftë për liri e pavarësi, luftën për të mbrojtur familjen dhe atdheun. Kjo ushtri nuk lindi vetëm si kundërpërgjigje ndaj dhunës serbe në Kosovë, por ajo është krijesë e popullit të Kosovës që nga periudhat më të hershme historike. Nuk ka turp më të madh për drejtësinë, që nuk iu dukën fakte e dëshmi të mjaftueshme që të akuzohen e gjykohen komandantët dhe njësitë kriminale serbe që i urdhëruan dhe i udhëhoqën e i kryen këto ekspedita ndëshkuese. Sipas të dhënave të deritashme në listën e të vrarëve dhe të zhdukurve figurojnë emrat e mbi 1600 personave, pa i përfshirë dëshmorët që ranë nëpër fushëbeteja. Pra, kemi të bëjmë me një fushatë kriminale të organizuar nga strukturat më të larta shtetërore dhe për fat të keq hetuesit ndërkombëtarë, që sot janë shumë aktiv në hetimin e krimeve të supozuara të UÇK-së, nuk gjetën prova të mjaftueshme. Të mëshirosh kriminelët është një mesazh i gabuar që i dërgohet botës së civilizuar dhe aspiratave të popujve të shtypur që luftojnë për liri. Hetuesit ndërkombëtar nuk arritën të akuzojnë asnjë përgjegjës të burgut në Dubravë që bënë masakër ndaj të burgosurve shqiptarë, të cilët më 16 maj 1999, inskenuan kinse lirimin e atdhetarit Ukshin Hoti. Mosndriçimi i fatit të tij është edhe një dëshmi se drejtësia ndërkombëtare në Kosovë është selektive dhe se, me apo pa qëllim, kanë fshehur krimet serbe në Kosovë. Mbi këtë bazë mund të themi se historia është një fiksion dhe se fshehja e fakteve e bën të pabesueshme versionin serb për Kosovën. Turpi i ka adresë, sepse drejtësia nuk veproi për të ndëshkuar krimin dhe kriminelët e vërtetë! Asnjë kriminel i gjykuar, asnjë dënim për ata që nuk lanë krim pa bërë në Rahovec e rrethinë, Dukagjin e Drenicë e gjithandej në Kosovë! Krimet nuk vjetrohen asnjëherë! Ne nuk harrojmë! Krimet shtetërore të Serbisë dhe politikat kriminale, aparati shtetëror, urdhërdhënësit dhe zbatuesit, meritojnë ndëshkim. Drejtësia, ta kryejë punën e vet. Lavdi dhe nderime të gjithë atyre viktimave që u bënë objekt i krimeve ndaj njerëzimit, gjenocidit dhe etnocidit serb!

Mund të jetë një imazh i 9 persona dhe teksti

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …