Ahmet Qeriqi: Martin Çuni rrugëton për në Drenicën Qendrore. (E mërkurë 5 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Martin Çuni rrugëton për në Drenicën Qendrore. (E mërkurë 5 maj, 1999)

NATO-ja po godet pandërprerë caqet ushtarake dhe ato të infrastrukturës ekonomike të Jugosllavisë. Aeroplanët po godasin edhe në thellësi të Serbisë dhe të Vojvodinës. Në shënjestër të sulmeve janë rezervat e karburanteve, urat mbi Tunë, objektet ushtarake dhe ekonomike, fabrikat etj. NATO-ja po ndërmerr sulme edhe mbi njësitë e motorizuara serbe në terren.

Sot në mëngjes së bashku me Martin Çunin kemi shkuar në Pallatin e Qeverisë në Fshatin e Ri, për të biseduar për disa probleme të caktuara.

Atje në hyrje kemi takuar edhe Berat Luzhën i cili po qëndronte si cung duke pritur para derës së hyrjes në oborrin e Pallatit të Qeverisë së Përkohshme.

Pas pak kemi takuar Salih Veselin dhe disa ushtarë të tjerë të Brigadave të Drenicës të cilët kanë depërtuar në zonën tonë.

Gjatë kthimit në seli Martin Çuni ka shfaqur mendim që të shkojë në Zonën e Drenicës dhe të paktën të provojë atje të marrë ndonjë telefon satelitor. Po ashtu me këtë rast ai do të bënte edhe ndonjë intervistë, apo bisedë me eprorë dhe ushtarë.

Më vonë ka ardhur në tendë ushtaraku nga Shqipëria Bardhyl Tahiri, me të cilin Martin Çuni ka zhvilluar një intervistë.

Duke qenë se Martini ka vendosur të shkojë në Drenicë kam shkruar një letër për Sami Lushtakun, të cilit i kam shpjeguar për arrestimin e Sylë Qeriqit dhe të disa luftëtarëve të tjerë. Kam kërkuar nga Samiu që mundësisht ai, Shaban Shala apo Ilaz Dërguti, apo ndonjë epror tjetër sipas mundësisë të vijë sa më parë në Berishë. Martinin e kam porositur që letrën t`ia japë cilitdo prej tre eprorëve. Ai më pyet se çka duhet të bëjë me letrën në rast të ndonjë rreziku. I kam thënë që në rast të rrezikut letrën ta asgjësojë meqë për përmbajtjen e saj nuk duhet të dijë askush përveç të tre të apostrofuarve.

Në mbrëmje Martin Çuni së bashku me Gazmend Elshanin janë përgatitur për t`u nisur së bashku me disa ushtarë të tjerë në drejtim të Zonës Operative të Drenicës.

Nga Zona Operative e Pashtrikut bëhet e ditur se dy apo tri ditë më parë kanë rëndë dëshmorë, Xhavit Bajraktari dhe Fetah Gega. Ata kanë rënë në pritë të forcave serbe në fshatin Shirokë, te Mulliri, gjatë natës në kohën kur po depërtonin në drejtim të Samadraxhës.

Duke qenë se Valdeti dëshiron t`i ketë afër Mentorin dhe Behxhetin, atij ia kam lëshuar shatorin ku zakonisht kam fjetur vetëm unë dhe vetë kam kaluar në tendën e përbashkët.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në radhët e UÇK-së ka eprorë të lartë të Armatës së Shqipërisë, vullnetarë nga të gjitha viset e Shqipërisë etnike dhe nga mërgata (E mërkurë 12 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në radhët e UÇK-së ka eprorë të lartë të Armatës së Shqipërisë, vullnetarë nga të gjitha viset e Shqipërisë etnike dhe nga mërgata (E mërkurë 12 maj, 1999)

Sot në orën 8 të mëngjesit jam nisur në drejtim të Berishës. Sapo kam kaluar …