Flet Inxhinieri ndërtimit Ali Ali: Ndërtimet e sistemit socialist i kanë rezistuar të gjitha tërmeteve

Flet Inxhinieri ndërtimit Ali Ali: Ndërtimet e sistemit socialist i kanë rezistuar të gjitha tërmeteve.

-Shkolla e sistemit monist kishte kërkesë llogarie dhe nivel të lartë.

-Ndërtimet në sistemin monist ishin modeste, por shumë të sigurta.

-Në qytete kryesore ndërtimet e pallateve ishin deri 5 kate, rrallë kishte më të larta.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Ali Ali ka lindur në fshatin Taç Qendër të Kolonjës. Në vitin 1964 ka mbaruar gjimnazin “Petro Nini Luarasi” me rezultate shumë të mira. Nga viti 1964-69 ka mbaruar Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit: specializuar në profilin Hidroteknik rruge. Vitet e fundit të fakultetit ka qenë i angazhuar në grupin e projektimit dhe modelimit të hidrocentralit të Vaut të Dejës. Në vitin 1970 ka filluar punë si inxhinier  në Ndërmarjen e Ndërtimit Ersekë, që hapej për herë të parë. Me ngritjen e Ndërmarrjes ka projektuar dhe drejtuar ndërtimin e shumë objekteve në këtë rreth si: Projekti i zhvillimit të Ndërmarrjes së Ndërtimit për të ardhmen. Projektimi dhe ndërtimi i poligonit të prodhimit të parafabrikateve në Ersekë, Leskovik dhe miniera Bezhan. Projektimi dhe ndërtimi i nyjeve të prodhimit të llaçit dhe betonit në Ersekë. Projektimi dhe ndërtimi i nyjeve të prodhimit të inerteve (rërë, çakëll, granil) në Ersekë, Selenicë, Borovë, Qafzezë. Projektimi dhe ndërtimi i furrave të gëlqeres Borovë. Projektimi dhe ndërtimi i reparteve të zdrukthtarisë, ofiçinave dhe reparteve të përpunim të hekurit. Ndjekja për ndërtimin e 5 veprave hidroteknike si hidrocentrali nr 2 i Leskovikut. Hidrocentrali në Rajan, Kozel, Kaltanj dhe nënstacioni në Ersekë. Po ashtu ka ndjekur punimet bashkë me teknikë të tjerë ndërtimin e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, i llixhave Sarandapor në Leskovik, spitali dhe kinemaja në Leskovik, shkollat në Luaras, Mollas, Qafzes, ndërtimi i Ndërmarrjes së Grumbullim Përpunimit, etj…Me interes është dhe ndërtimi i shumë pallateve 5 katësh në Ersekë dhe Leskovik. Në ndërmarjen e Ndërtimit ka punuar për 24 vjet deri në vitet e para të demokracisë ku më pas organizoi dhe një firmë private ndërtimi “Eltona”, ku ka bërë ndërtime në gjithë Kolonjën, por edhe në Tiranë.

Flitet shumë për universitetet në sistemin socialist? Kur e keni mbauar Universitetin, në çfarë dege dhe çfarë ju ka bërë përshtypje?

Në sistemin monist shkolla mbetej shkollë si arsimi 8-vjeçar i mesëm dhe ai i lartë. Unë mbarova arsimin e lartë në degën e inxhinerisë së Ndërtimit në vitet 1964-1969. Në Universitet kishte kërkesë të lartë llogarie dhe kurrsesi nuk mund të mendoje se mund të kaloje me miq, me mitmarrje apo lojëra të tjera. Korrupsioni në radhët e pedagogëve as mund të mendohej. As bëhej fjalë të merrje diplomë pa qenë prezent. Kjo mund të quhej herezi. Kur dëgjoj sot që blihen diplomat ngre supet. Por edhe s’e besoj. Si mund të blihet një diplomë pa qenë në mësim?

-Po përgatitja e pedagogëve si ka qenë? Cili ishte niveli i mësimdhënies? Cilët pedago veçon?

Mësimdhënia ishte në një shkallë të lartë profesionale. Pedagogët ishin intelektualë të shkëlqyer ku shumica kishin mbaruar jashtë shtetit me rezultate shumë të larta. Ne i shikonim ata si hyjni. Visheshin bukur, komunikonin me kulturë. Nuk mirreshin me vogëlsira, ishin shumë të ditur. Une veçoj dy pedagogë të mi, Pandi Stratobërdha dhe Zija Këlliçi. Ata ishin model në çdo drejtim.

–          Në diplomë çfarë teme mbrojte dhe si ishte vlerësimi?

–          Tema e mbrojtjes së Diplomës  ishte për projekt zbatimin dhe modelimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Temën e mbrojta në vitin 1969 dhe shkova disa herë në këtë hidrocentral, që ishte në ndërtim e sipër. Ishte një temë interesante. Mbrojtjen e temës e bëra me pedagogun e shquar Pandi Stratobërdha.

–          -Ku ju emëruan pas përfundimit të studimeve?

–          Pas përfundimit të studimeve në vitin 1969 mua më emëruan në rrethin e Kolonjës nga ku jam dhe konkretisht në Ersekë në Ndërmarrjen e Ndërtimit si inxhinjer. Në atë kohë konkretisht në janar 1970 kjo ndërmarrje u formua si e re pasi u nda nga Korça. Pra, deri atëhere kishte vartësi nga qyteti Korçës, por me rritjen e popullsisë dhe kërkesave për ndërtime u pa e arsyeshme që të ndaheshim më vete.

–          -Kush ishte qëllimi kryesor i kësaj ndërmarrjeje të re?

–          Qëllimi kryesor ishte fillimi i ndërtimit të banesave për popullin kryesisht në dy qytetet kryesore të Ersekës dhe Leskovikut. Po jo vetëm kjo! Ishte periudha e ndërtimeve të mëdha. Duheshin ndërtuar nyjet apo poligonet e prodhimit të betonit, prodhimit të granilit, llaçit, etj. Koha kërkonte shumë ndërtime. Të gjitha këto u ndërtuan për 2 vjet.

–          -Sa punëtorë kishte kjo Ndërmarjre në kulmin e saj?

–          Ndërmarrja e Ndërtimit arriti deri në 200 punëtorë. Të gjithë me rrogë të mirë për kohën, pra mbi 500 lekë të reja. Sot duket qesharake por atë kohë ajo rrogë ishte për një familje normale. Punëtorët ishin të kënaqur me rrogat pasi në bazë të kategorive rroga u rritej me vjetërsinë.

–          -Pra viti 1970 mbetet viti më me ritëm në ndërtimet në Kolonjë?

–          Po! Ky ishte dhe viti i elektrifikimit të gjithë vendit. Për të ndihmuar këtë elektrifikim në rrethin tonë u ndërtuan 4 hidrocentrale të vegjël, që mund të përballonin pjesën kryesore të harxhimit të energjisë. Këto hidrocentrale u ndërtuan në Leskovik-2, Rajan, Kaltanj, Kozel. Nuk e di fatin e tyre sot. Për këtë u ndërtua dhe një nënstacion elektrik në Ersekë për kontroll të energjisë elektrike. Projektues i shumë objekteve në këtë fazë ishte inxhinier Niko Qirici dhe zbatues isha unë me gjithë personelin teknik të ndërmarrjes.

-Ndër objektet social kulturore kush ishin ato që kanë lënë gjurmë tek ju?

Atë kohë u bënë shumë ndërtime që dhe sot mbahen si thesare. Psh. U ndërtua në Ersekë shkolla e Mesme e përgjithshme “Petro Nini Luarasi” 1971-72 ,që dhe sot është monument kulture. Filloi ndërtimi i pallateve deri 5 katëshe në të dy qytetet Ersekë dhe Leskovik, por edhe në fshatra. Deri atë kohë në zonën tonë ndërtesat ishin deri 2 kate. U ndërtua kinemaja e Leskovikut dhe shumë shtëpi kulture në fshatra. Kishte shumë aktivitete kulturore në atë kohë në Kolonjë. Rrethi Kolonjës kishte rreth 72 fshatra që për çdo ditë ndryshonin. U bënë shumë ndërtime për bujqësinë.

–          Vitet e fundit kanë rënë shumë tërmete në vendin tonë. Nga këto ndërtesa në Kolonjë a ka pasur dëmtime?

–          Nga ndërtimet e sistemit monist nuk ka pasur asnjë problem. Nuk është dëmtuar asnjë pallat apo shtëpi banimi. Atë kohë ndërtimet bëheshin me llogaritje antisizmike, që mund të them se përballonin tërmetin 8 ballësh. Asnjë dëmtim nuk ka ardhur si sinjal. Ndihem i qetë.

-Po ndër ndërtimet specifike, kë veçon?

Veçoj ndërtimin e llixhave në Leskovik. Ato llixha u bënë me emër jo vetëm për ujin, por edhe për ndërtesat e bukura. Këto llixha u ndërtuan në vitet 1972-73. Këto llixha quheshin Sarandapor. Kapciteti i tyre ishte 120 shtretër dhe vinin për kurim nga gjithë Shqipëria. Këto llixha u bënë me emër. Të gjithë kërkonin të vinin aty. Jo vetëm nga kushtet por nga uji i veçantë, I bekuar. Këto llixha funskionuan normalisht deri në vitin 1997. Më pas i bleu Ekerem Bardha. U bënë disa ndryshime por më pas u lanë pas dore.

-Po tani a funksionojnë këto llixha?

Jo, nuk funksionojnë. Duke qenë pronë e Ekerem Bardhës janë lënë pas dore dhe thuajse janë inegzistete. Ato duhet patjetër të vihen në shfytëzim. Janë një pasuri e madhe kombëtarë pasi mund të krahasohen me ato të Elbasanit. Me pak investim ato mund të bëhen një pikë e mirë turistike dhe mjekësore. Për këtë problem i kam bërë një letër Edi Ramës në vitin 2019, por nuk kam përgjigje. Të gjithë heshtin për pasuritë kombëtare. Sipas mjekëve të asaj kohe këto llixha shëronin 6 sëmundje ku kryesorja ishte reumatizma.

-Sa vjet ke qenë drejtues në këtë Ndërrmarrje dhe si i kujton ato vite? Kush ka qenë Sekretar i Parë në Kolonjë dhe cilat ishin relatat?

Unë kam qenë 24 vjet si inxhinjer, kryeinxhinjer dhe drejtor i kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme. Sekretar i Parë ka qenë Mitraq Vadica, një njeri i mirë dhe i dashur. Ai na mbështeste në çdo nismë tonën dhe kurrë nuk e kursente fjalën e mirë.  Ishte nga fshati i Josif Pashkos. Mitraqi ishte simpatizant i ndërtimeve, ishte i lidhur me zhvillimin e Kolonjës. Në këtë kohë u krjuan shumë ndërmarrje si ndërmarrja e Përpunim  Gumbullimit, ndërmarja e Përpunim Drurit, miniera e Bezhanit për qymyr (1972). Kompleksi pallateve përballë Hotel Borovës në Leskovik. Ndërtime të tjera mund të përmend Rezervuari Kabashit-Leskovik. Ujësjellësi i qytezës së Mollasit (1987).

–          Në fshatra çfarë ndryshimesh u bënë?

–          E thamë më lart që sot nuk besohet! Në çdo fshat kishte Vatër Kulture, por edhe Qendër Shëndetësore. Por në këtë kohë në Kolonjë u ndërtuan dhe 2 qyteza të reja qyteza e fermës Mollas dhe “Çlirimi” (1973). Dy qyteza me ndërtesa të reja ku dominonin pallatet 5 katëshe. Por ruhej dhe tradita në ndërtime. Dihet që Erseka si vendbanim është krijuar që në vitin 1767. Për këtë ka dokumente.

Po ju vetë ku banonit?

Unë banoja në fshatin e lindjes Taç-Qendër. Një fshat 2 km larg Ersekës. Në atë kohë kishte një ligj që nëse vendbanimi ishte deri 5 km larg qendrës do banoje në vendin që kishe shtëpinë. Por në fakt fshati im është si një lagje e Ersekës dhe nuk më bënte përshtypje. Unë edhe atë kohë kisha shtëpinë time private të prindërve që mund të them se ishte një shtëpi e bukur që nxiti dhe xhelozinë e disa njerëzve. Ajo është ende dhe unë e kam rikonstruktuar. E kam shtëpinë time më të dashur. Më erdhi çudi kur në vitin 1974 në Komitetin e Partisë dërguan një letër anonime ku për shtëpinë më cilësonin me “pikëpamje borgjeze”. Pra shtëpi si borgjezët. Por Sekretari e kaloi në heshtje duke më njohur mirë.

– Kolonja e para, po në Tiranë vije shpesh?

Me Tiranën më lidhte puna. Vija shpesh. Kisha nostalgji për shkollën. Por në vitet 1977-78 punova dhe në Institutin e Ndërtimit. Njëkohësisht me këtë punë nuk shkëputesha nga ndërtimet në vendlindje. Një punë e madhe u bë për ndërtimin e fshatrave të braktisur Radovë dhe Pobickë.  1978-79. Kam bërë projektin e ujësjellësit të Vodicë-Ersekë 9 km të gjatë, një projekt që i rezistoi kohës deri para pak vitesh, i cili rezistoi 35 vjet. Por mbetet unik dhe ujësjellësi i Mollasit dhe i Leskovikut i cili ishte 10 km i gjatë që fillonte nga Sheleguri. Por edhe në fshatin tim Taç-Qendër, ndërtuam një linjë të thjeshtë uji që në vitin 1984. Pra fshati që atë kohë kishte ujë në çdo shtëpi. Fshati ishte i vogël me 30 shtëpi por shumë i bukur.

-Po sot a ka familje në fshatin tuaj?

Mund të duket çudi, por fshati im thuajse nuk ka asnjë emigrant. Të tërë janë në fshat, mund të jenë larguar një pjesë e rinisë. Të tjerët janë aty dhe merren me bujqësi, blegtori, pemëtari, me prodhimin e rakisë. Është fshat i begatë, që mund të sigurojë të ardhurat për familjen. Sot të gjitha shtëpitë janë rikonstruktuar dhe duken si vila të vogëla. Askush se beson se ky ndoshta ëhstë fshati i vetëm në Shqiëpri që nuk ka emigracion. Zona juaj çfarë prodhimi ka specifik, nga ato bujqësore apo blegtorale, apo pijet alkolike?

–          Si shumë fshatra ne kemi djathin, gjalpin e veçantë, por më e veçanta ka qenë vera e Leskovikut. Kjo verë në sistemin monist ka qenë vera më e mirë shqiptare, e cila ka pasur disa vlerësime ndërkombëtare. Kjo verë në atë sistem prodhohej vetëm për udhëheqësit dhe rrallë ne mund të merrnim ndonjë shishe. Për vite me radhë cilësohej vera më e mirë shqiptare, pasi kishte një traditë të hershme. Por me ardhjen e demokracisë kjo punishte u shkatërrua. Tashmë nuk gjendet më ajo verë e famshme që të zgjaste jetën. Sot prodhohet nga disa fshatarë në mënyrë artizanale, por kurrsesi si ajo verë. Kishte disa mjeshtra atëherë për prodhimin e saj si duket formula e asaj kohe nuk është më. Ende sot ka shumë vreshta me rrush të mirë, por vera nuk është si ajo. Ka vetëm disa individë që mundohen t’i përqasen dhe unë kam disa prej tyre, por kurrsesi si ajo. Më vjen keq që ka humbur ajo verë me nam nga tregu. Verë që na nderonte.

-Kur pushoi së egzistuari Ndërmarrja e Ndërtimit të Ersekës?

Kjo ndërmarrje përfundimisht ndaloi funksionin në vitin 1993. Unë disa muaj më parë duke e parë situatën u largova prej saj dhe organizova një firmë private. Pra me shkatërrimin e saj nga Erseka pushoi së egzistuari një Ndërmarrje që ka lënë gjurmë të thella në jetën e çdo kolonjari. Unë në mars 1993 formova firmën e ndërtimit “Eltona” që tani ua kam deleguar nipërve të mi pasi dy fëmijët i kam në emigracion: një në Amerikë dhe një në Kanada. Nga firma ime u bënë shumë ndërtime në zone, por edhe në Tiranë. Edhe pallatin ku banoj sot në Tiranë e ka ndërtuar firma ime. Është një pallat 9 katësh. Firma ime ndërtoi gjithsej 55 objekte në zonën Ersekë-Leskovik, por edhe në Tiranë. Dua të theksoj se në vitet 1994-2007 kam qenë president i Dhomës së Tregëtisë  në Ersekë. Pra një jetë plot aktivitet.

Çmendim keni për zhvillimin e Kolonjës në të ardhmen?

Në Kolonjë të jem realist në drejtim të infrastrukturës është punuar shumë. Sidomos në dy qytetet e mëdha Ersekë dhe Leskovik. Por nuk janë lënë pas edhe fshatrat. Mirë është punuar edhe në drejtim të furnizimit me ujë të pijshëm. Por pavarësisht këtyre punimeve duhet orientuar më shumë organizimi dhe investimi i shtetit në drejtim të rritjes së mirëqënies dhe jetesës së fshatareve. Pra duhet një program për të rritur mirëqënien e jetës sociale të popullsisë. Për të arritur këto objektiva duhet punuar me projekte të detajuara në këto drejtime: Duhet investuar shumë që t’u sigurohet fshatarëve tregu i prodhimeve bujqësore. Jo çdo gjë të lihet te rastësia. Për këtë duhen ngritur disa pika grumbullimi të prodhimeve, por edhe për përpunimin e tyre. Këto lloj investimesh do të jenë pengesa kryesore apo do frenojnë emigrimin masiv. Duhet të bëhen studime për çdo fshat apo qytet për të shfrytëzuar resurset e vendit për të rritur më shumë turizmin. Studimet duhet të detajohen që të mos jetë turizëm stinor, por gjithë vjetor. Në Kolonjë mund të zhvillohet turizëm  në 60 % të të gjitha fshatrave pasi çdo fshat ka specifikën e tij. Duhet të merren masa urgjente për riaktivizimin e llixhave në Saranda, ose të ngrihet një zonë shëndetësore me ujin kurues të llixhave aq të kërkuara më parë. Përpos zonës shëndetësore të ngrihet afër saj dhe një zonë turistike ku mund të punësohen rreth 150 veta. Rëndësia e këtyre llixhave është jo vetëm kombëtare, por edhe Ballkanike. Për të mos thënë Europiane për vetë trajtimin që u bën disa sëmundjeve. Një problem tjetër që duhet të marrë zgjidhje është mbrojtja e qytetit të Ersekës nga gërryerjet e mëdha nga përroi i Glladishorës. Ky fenomen është përsëritur që nga viti 1972. Sa herë ka rreshje të dëndura përroi vërshon dhe përmbyt zonat përreth e sidomos Ndërmarrjen e grumbullimit. Sipas studimit gjeologjik, që është bërë me kërkesën tonë ky përrua mund të sjellë mijëra metër kub prurje si gurë, dhera, shkëmbinj të vegjël, mbeturina të ndryshme etj… Për këtë kërkojmë që të merren masa mbrojtëse që ujërat të mos kalojnë afër qytetit. Një informacion i hollësishëm për këtë problem i është dërguar Bashkisë Ersekë.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …