leoni

Flet ish-oficeri i zbulimit, Ilirian Ballaj: Zallherri ishte dhe është një qytet i tërë në këmbë, ishte dhe është një industri ushtarake e përparuar

Flet ish-oficeri i zbulimit, Ilirian Ballaj: Zallherri ishte dhe është një qytet i tërë në këmbë, ishte dhe është një industri ushtarake e përparuar

Flet ish-oficeri i zbulimit, Ilirian Ballaj: Zallherri ishte dhe është një qytet i tërë në këmbë, ishte dhe është një industri ushtarake e përparuar

Detashmenti i Zbulimit në vitin 1950 ishte në Pallatin e Brigadave në Sauk e në vitin 1966 e u dislokua në Zallherr të Tiranës – Detashmenti kishte detyrë të zbulonte forcat e armikut në fushën e luftimit, të futej në thellësi të frontit të tij e të vepronte me grupe zbulueso-diversioniste -Nuk harrohen, Viktor Dhroso, Muhamet Hoxha, Ilmi Qazimi, Xhemil Çeli, DETASHMENTI I ZBULIMIT ISHTE NJË REPART ELITAR

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Në ish-Detashmentin e Zbulimit të Shtabit të Përgjithsëm të Ushtrisë shqiptare kanë qenë që prej vitit 1966 e në vazhdim tre blloqe të mëdhenj, brenda të cilëve shënoheshin për çdo vit përmbledhtazi jeta dhe aktiviteti i atij reparti. Në ta ishte një historik a një histori e atij reparti. Ata blloqe ishin të shoqëruar me dëshmi shkrimore dhe fotografike. E kishte nisur atë punë të mirë komisari i atij reparti Viktor Dhroso, e kishte vazhduar komisar Muhamet Hoxha dhe më
vonë edhe Ilmi Qazimi. Por ai që përkujdesej direkt për ta, ishte z. Ilirian Ballaj.

-Sa vjet je kujdesur për blloqet e historisë në ish-Detashmentin e Zbulimit?

U kujdesa për ta për pesëmbëdhjetë vite, i plotësova, i shtova e i shumova, i pasurova çdo vit me ngjarje të reja, i ruajta me kujdes dhe i lashë atje, kur u largova në Dibër në vitin 1983. I lashë aty si një dëshmi e s’mora më vesh se çfarë u bë me ta. Kur mendova se mund t’i përdorja, (sot) i kërkova e u mundova shumë, por nuk i gjeta dot. Me siguri diku janë të pluhurosur apo të tretur nga pakujdesia, apo edhe janë hedhur, sepse kanë lexuar në ta komisar x y. Më erdhi keq. Megjithatë, secili prej nesh, që shërbeu atje dhe që shërbeu gjatë, ka kujtesën dhe impresionet e tij.

-Pse e kujton me nostalgji këtë historik?

Tani që po shtyhemi në moshë, jetojmë më shumë me të shkuarën, sepse punët që patëm për të bërë i bëmë, e nga që s’kemi ç’bëjmë më, meditojmë, rikthejmë kujtimet. E shkuara jeton tek e tashmja dhe e tashmja projekton të ardhmen. Kam shërbyer 20 vite në ushtri oficer e 23 vite në terren mësues i letërsisë. Në ushtri jam lodhur shumë, kam ndjerë jo vetëm lodhjen, por edhe psenë, mbase të ekzagjeruar për punët që bënim, psenë që ishte e pranishme edhe kur punët i
bënim mirë, sepse kishte edhe drejtues që merreshin me formën e jo me përmbajtjen e punëve. Ishte koha kur disa punonin e të tjerë vrojtonin e shënonin. Sidoqoftë, ajo ishte metoda mbi të cilën kishin ngritur kështjellën e tyre të punës. Kemi ndjerë edhe urinë, edhe rrezikun, edhe pagjumësinë. E ajo jetë më duket pjesa më e bukur e së shkuarës sime. Edhe njëherë të m’i kthenin ato vite, që kam mbi shpinë e të më kërkonin se ku duhej të punoja, në ushtri do të thosha, sepse vështirësitë gjithmonë i kanë afruar njërëzit, i kanë miqësuar ata, por edhe i kanë kënaqur ata. Kam lexuar se “s’paska më mirë se të ndjesh kënaqësinë e lodhjes pas saj”. E ndonjeri, kënaqësinë e lodhjes, e paska krahasuar me ujin pas një etjeje të fortë. Kur nuk më zë gjumi e më dhembin kockat, kujtoj sikur marshoj mes borës në ngjitje të Shëngjergjit të Tiranës 40 vite më parë, sikur fle në kasolle e në guvat e borës në Bizë të Martaneshit,… dhe e ndiej veten shumë rehat.

-Cilat ishin vitet që ke shërbyer në ish-Detashmentin e Zbulimit? Kush ishin shokët tuaj të
bashkëpunimit?

Jam një ndër ata që kam shërbyer në Detashmentin e Zbulimit, Regjimentin e Zbulimit e
Shkollën e Përgatitjes së Kuadrove rezervistë, aty në Zallherr nga viti 1968 e deri në vitin 1983,
kur më transferuan në Dibër, në Divizionin e sapoformuar atje. 15 vite janë pak, mbase, në
raport me të tjerët shokë të mi si Meçan Ismailin, Azem Hykën, Hysen Sharrën, Osman Bilbilin,
Dilaver Buzalin etj, që shërbyen atje mbi dyzetë vite. Një rast unik ky, filluan punë e dolën në
pension aty. E po t’i shikosh ato vite si punë me netë e me ditë, por edhe për nga intensiteti i
veprimeve që mbartnin, mbase bëhen edhe një qind. E secili prej nesh ka për të thënë shumë për
atë punë kolosale që është bërë atje duke u përgatitur për mbrojtjen e Atdheut. E kam kujtimet e
mia, kam edhe ngacmimet e mia, që po i shprush.
Punova atje gjatë me të paharruarit që s’janë më, Hysen Sharrën bultozierin që edhe Dajtin t’ia
hidhje në shpinë e shpinte në Bizë, Kapllan Subashin mjeshtrin e luftimit ndeshës, Kapllan
Vanin që mblidhte ushtarët e lodhur e i hidhte në krahë, Tigër Godon që ngjante shumë me

tigrin e Bengalit si nga pamja dhe nga forca, Rustem Toron taknicienin improvizues taktik,
Nesti Qiricin që ngjante me artistët më të pashëm të Hollivudit, Spiro Nakuçin mjeshtrin e
laboratorit sinoptik, që i kujtojmë me nderim dhe mall; por edhe me Gani Elezin modelin e
vullnetit në punë, Ymer Hykën i urti si një lepur por që iu përvesh Andon Shetit, drejtorit me
vështrim hipnotizus, e që e pësoi me një transferim të shpejtë, Guximtar Godon njeriun e
programimeve dhe punëve korrekte që bënte, Ademin njeriun e kulturës, Kristaq Dhoskën
shokun e humorit që komandanti i bërtiti se pse nuk kapte ushtarë pa leje si patrullë në Tiranë
kur të tjerët e bënin këtë me sukses, iu përgjigj “është me të hecme shoku komandant”, Thimi
Buçkën i rrepti, Azem Hykën, ketri, Tarzani i xhunglës strërvitore, nuhatësi i shtigjeve të
dëborës, alpinisti i mrekullueshëm, etj. Pa harruar komandantët e komisarët: Refik Kuca i
palodhuri, Qani Abazi i hekurti, Viktor Dhroso njeriu që i qeshnin edhe sytë e që çantën e
shpinës e mbante vetë mbi supe në marshime, Muhamet Hoxha më prindërori. Për njerin nga
shokët e ndarë nga jeta i ri, shok me të cilin jetoja në një pallat banimi te Rruga e Elbasanit, do
të shkruaja: Dhe dhimbshëm na shikon me sytë e kaltër/ Me vështrimin gremisur, fytyrës së
ngrirë/ E sikur përshëndet me dorën zgjatur/ Në shtegun e zi, në humbëtirë.
-Si do ta përkufizoje atë grup ushtarakësh?
Atë bërthamë të fortë e të hekurt ushtarakësh do ta krahasoja me “Përroin e hekurt” të
Furmanovit që ishte një batalion, emrin e të cilit e kishte mësuar e gjithë Rusia, që ishte
kompaktësuar si një masë çeliku e kur vepronte, dukej si ai përroi në vërshim, që del nga shtrati
e shkul e rrëmben gjithçka gjen përpara. Detashmenti ishte një forcë e përqendruar, një
bërthamë me një numër të kufizuar ushtarakësh, tek 150 vetë, por me detyra të vështira e me një
peshë specifike të madhe në stërvitjen e ushtrisë. Kushdo që ka shërbyer atje, mendoj se ka lënë
një pjesë vitale të shpirtit të tij. Por ne e kishim edhe një farë egoje, ta pranojmë e ta themi, që
fajin më shumë e kishin eprorët tanë, që edhe na i ushqenin atë ego. Si dje një detashment edhe
sot një repart i Forcave Komando, Zallherri ishte dhe është një qytet i tërë në këmbë, ishte dhe
është një industri ushtarake e përparuar, që ka shërbyer për stërvitjen e trupave elitë e që
shërben ende. E kur e shikojmë këtë edhe sot, kjo na gëzon, na ngazëllen. Atdheu ka qenë ai që
i faleshim, Atdheu ishte ai për të cilin betoheshim, të Atdheut do të ishim dëshmorë edhe nëse
binim, sikurse ra mirditori Nue Doda atje në Shënavlash të Durrësit në maj 1969-s, që nuk iu
hap parashuta e që ne shokët e tij nuk e njohëm dot pasi ra, sepse edhe fytyra i ishte prishur. E
për shokun e humbur duke rënë nga qielli pa jetë, shkrova që atëherë: Ah, një ditë me diell,
shokun e përcollëm/ E dot nuk ia pamë fytyrën që kishte/ Si yjet në qiell rreth tij u
mblodhëm/dhe me lotë e qamë, mbase dhe me ligje.
Profesori i paçertifikuar me ndonjë titull shkencor (kur e kanë marrë këtë edhe mediokër në
fushën e dijes, por që mbase kanë qenë më pranë politikës), kolosi i mendimit ushtarak,
mbaruar studimet shkëlqyer në akademitë prestigjoze të BS, pedagog në Akademinë Ushtarake
një jetë, autor tekstesh e studimesh, e deri edhe zëvendës drejtori drejtorisë së zbulimit të
ushtrisë, të cilin e kemi pranë si një shenjtor, e që e duam shumë dhe i falemi erudicionit të tij,
që na nderon në takimet megjithëse i shtyrë në moshë, por rreptësisht i fortë, Xhemil Xh. Çeli,
në librin evet “ Jetuam paqen e kërcënuar”, Tiranë 2015 shkruan: “Na thoshin Partia e ne kuptonim
Atdheu”

-Cili ishte objektivi i këtij reparti ushtarak?

Detashmenti i Zbulimit ishte ngritur si një repart ushtarak, si një nevojë për të kryer zbulim
ushtarak me trupa. Ai ishte vendosur në vitin 1950 në Pallatin e Brigadave në Sauk e në vitin
1966 e kishin dislokuar në Zallherr të Tiranës. Kishte qenë mendimi që ta çonin në Mezhgoran
të Tepelenës, por ishte vendosur në Zallherr. Ishte vendosur në një vend që ishte pranë qendrës
së ushtrisë, e duke qenë më pranë, do të udhëzohej e do të kontrollohej më direkt, më shpesh e
më shpejt. Do të ishte edhe në mesin e vendit e i barazlarguar nga korpuset. Aty do të
mundeshin të vinin të tjerët, reparte nga e gjithë ushtria e sidomos zbuluesit, të merrnin
përvojën stërvitore më të përparuar. Por ishte vendosur atje edhe, sepse kishte shumë hapësirë,
terreni ishte i lirë, kishte fusha e kodra për rreth, kishte male e pyje, kishte shkëmbinj e kanione
lumenjsh nga të dyja anët, ishte si një xhungël në kuptimin e mirë të fjalës ku mund edhe të
jetoje me vështirësi edhe të stërviteshe me vështirësi. Mbase ishte dislokuar atje edhe në
vazhdim të traditës së begatë ku kishte luftuar e fituar Skënderbeu, e të evokonin e të jetonin me
të shkuarën e tij të lavdishme. Mua, kështu më është dukur, që herët, apo kështu dëshiroja të
ishte. Përvoja e stërvitjes së atij reparti bazohej në traditat luftarake shekullore të popullit, në
përvojën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por edhe në atë botërore. E aty do të ishte më
mirë. Apo do të ishte edhe një forcë mbrojtëse për qeverinë e kohës, punë të cilën nuk di ta ketë
bërë ndonjëherë, as dje as sot. Madje di se edhe në vitin e mbrapsht 1997 si vëllai i tij, Forcat
Komando, e ruajtën repartin dhe resurset ushtarake duke e minuar repartin e nuk u prekën nga
vala shkatërruese vandale. Ishte i vetmi, që qëndroi në këmbë dhe nuk ra në duart e tyre duke
ruajtur gjithçka kishte. Detashmenti kishte detyrë të zbulonte forcat e armikut në fushën e
luftimit, të futej në thellësi të frontit të tij e të vepronte me grupe zbuluese-diversioniste për të
shkatërruar objekte, për të rrëmbyer robër lufte e t’i përdornin për të vjelë të dhëna. Objekte të
shkatërrimit në prapavijë të armikut ishin portet, aerodromet, shtabet, depot e armatimit, rrugët
e qarkullimit, pengesat xhenjere të kundërshtarit. Ai kishte detyrë të hynte e të dilte nga armiku
në fshehtësi, me luftim e pa humbje. E të gjitha këto kërkonin një përgatitje të lartë fizike.
Duhej të duronin lodhjen, shiun, borën, vapën, etjen, urinë, gjumin e munguar, etj. Dhe këtë ata
e bënin në mënyrën më shëmbullore.
-Nga varej reparti juaj?
Vartësinë e kishte nga Drejtoria e Zbulimit e Ministrisë së Mbrojtjes, drejtorë të së cilës kishin
qenë korifej të luftës dhe të stërvitjes më vonë, akademikë të përgatitur në shkollat më
prestigjoze ruse si Teme Sejko, Vehbi Hoxha dhe Andon Sheti. Ajo drejtori ishte pak si e
veçuar e jashtë Ministrisë së Mbrojtjes, që të kishte më shumë liri e lehtësi për të qenë e qetë në
punët e veta, por për të patur edhe një ruajtje të veçantë, në Pallatin e Brigadave. Më parë, në

vartësi të kësaj drejtorie të fortë, kishte vepruar edhe zbulimi-operativ. Ushtarët dhe kuadrot që
shërbenin aty, ishin nga më të zgjedhurit e i pari kriter ishte ai politik, pastaj ai inteligjent,
ushtarak, fizik e deri edhe prania fizike, e bëshme e tyre. E këta zgjidheshin me kujdes ndër
diplomantët e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, ne Alademinë Ushtarake, përfshi edhe nga
Universiteti i Tiranës për specialitete. Ndërsa ushtarët merreshin nga degët ushtarake të rretheve
pas një shoshitjeje të mirë e direkte të tyre. Shërbimi ushtarak për ushtarët ishte tre vjet, ndërsa
kuadrot e rinj, që merreshin rishtas i nënshtroheshin një kursi të shkurtër zbulimi me trupa, që e
kryenin në Zallherr. Ai ishte një bërthamë njerëzish të zgjedhur.
-Pse?
Nuk e di nga ishte marrë ky emërtim, mbase edhe nga rusi, sepse detashmente ka shumë, edhe
detashmenti i kuq i grave në Kinë, por tek ne kishte detashment zbulimi, edhe xhenjoje.
Detashment ushtarak, sipas fjalorëve shqiptarë, do të thotë një trupë me detyra të veçanta, një
grup i fuqishëm, solid dhe i fortë, i përqendruar në një dorë, që kryen detyra të vështira. Ai ishte
një forcë goditëse, shkatërruese e me detyra të posaçme. Dhe këto Detashmenti i zbulimit i
kishte, ai ishte një repart që nuk quhej armë, por më shumë shërbim, një forcë goditëse e shpejtë
dhe rezultative. Që ishte një armë kjo kuptohej, sepse në qendër të repartit ishte shkruar me
shkronja të mëdha: “Zbulues plus lëndë eksplozive, baraz armë me larghedhje të madhe”. Ai
kishte vartësi direkte nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe i paharruari Petrit Dume që e
ndiqte atë nga afër, veçanërisht në netët e dimrit, që kënaqej ta ngrinte në alarm e ta niste në mal
kur binte borë e bënte suferinë e që rrinte zgjuar edhe vetë gjersa të zbatohej detyra luftarake.
Në vitin 1969 u ndodhën aty për përgatitje ushtarake disa palestinezë, e sa herë ne ngriheshim
në alarm natën, ata dilnin në ballkon e na shikonin, madje një ditë Jasini, prijsi i tyre, një
mustaqelli e shumë i rreptë për të vetët, i transmetoi Hysen Sharrës me gjeste se bora vinte
poshtë e ne ngjiteshim lart e Ceni iu përgjigj, duke lëvizur gishtin e këmbëzës së pushkës. Dhe
ai e kuptoi se përgatiteshim për luftë (mbrojtje) e tundi kokën fort dhe i dha me gishtin e madh
të dorës lart: O.K.!
Në vitin 1966 ai repart u dislokua në Zallherr në fushë të hapur, në çadra ushtrie, pa kurrfarë
ndërtimi e strehe imediate. Punuan për dy vite dhe ndërtuan një komandë dy katëshe me 12
dhoma pune, një kapanon për 200 ushtarë, një fjetinë të vogël oficerësh, një magazinë
ushqimesh e materialesh, një mensë dhe kuzhinë të përbashkët dhe një lavanderi. Uji vinte me
autobot nga Tirana. E sillte një ushtar me fytyrë të kuqe e që ne i thoshnin Nesti qimja. Kuadrot
e parë aty ishin Shahin Leka, Kutel Çino, Refik Kuca, Viktor Dhroso, Qani Abazi, Muhamet
Hoxha, itendent Meçan Ismaili e ushtarë ishin rambot e luftimit ndeshës si Luan Zylfo,
Muhamet Hada, Nue Ruçi, Myzafer Kambo, Ilmi Shahinasi, Pjetër Përçuni, Aqif Demirlika, e
të tjerë, që dhanë mësim tregues edhe para komandantit të përgjithëshëm, për kohën. Ata

punuan si heronj, me plitharë, (tulla balte të thara) dhe ngritën repartin e zbulimit në Zallherr. Si
ishte stërvitja si e përballonit stërvitjen e lodhshme?
Stërvitja ndahej në dy pjesë, verore dhe dimërore, verorja në Mezhgoran, Karpen, Tale dhe
dimërorja në Bizë të Martaneshit dhe në gjithë Shqipërinë. Stërvitja dimërore ishte më e
lodhshmja, por më e bukura, stërviteshim në Bizë të Martaneshit për një e deri edhe dy muaj, në
palcën e dimrit, bënim stërvitje shumë stërmunduese, nuk mbaj mend që ndonjëherë ta
anullonim stërvitjen nëse kushtet e motit ishin të vështira, bënim ski, qitje natën, marshime
raskapitëse rreth Malit me Gropa, Kaptinës së Martaneshit, shtatëdhjetë e dy kthesave të Grykë
Valit, flinim jashtë në kasolle, në çadra, në guva prej dëbore, laheshim me borë çdo mëngjes e
për çudi na zhdukej edhe gripi që na kishte kapur në Tiranë, në se kishte rënë. Natyrisht veshjen
dhe ushqimin e kishim të mirë. Atje bënim një jetë të rregullt e me të gjitha kërkesat, laheshim,
ndërronim teshat, qetheshim, argëtoheshim, punë e lodhshme ishte të mbanim në gatishmëri
fushën ku duhej të ulej helikopteri për ndonjë urgjencë. Pa fshehur e grupe-grupe, me radio me
bateri, dëgjonim edhe festivalin e Sanremos. Natën bëhej shërbim për ruajtjen e njerëzve.
Ngriheshim shpesh në alarme natën e shkonim në marshime dhe të nesërmen nuk e
zëvendësonim gjumin. Dhe për çudi asnjëri nuk u dëmtua, nuk humbi jetën, sepse ne kishim
njohuri të mira për malin dhe për dimrin, për ortekët, që i hasnim shpesh edhe rrugës ku
kalonim, për lumenjtë që vërshenin, për rrufetë, që binin, për gurët që mund të lëviznin. Kur
ktheheshim në mars ishim krejt të nxirë, si të kishim qenë
në plazh. Rruga për të shkuar në Bizë ishte tek 60 kilometra me të gjitha zigzaget e saj, e bënim
atë direkt me ndonjë pushim të vogël, me një temp marshimi në borë tre km dhe në tokë tek
pesë km në orë, prej Bize bridhnim gjithë pjesën veriperëndimore të Shqipërisë, edhe njëzetë e
katër orë pa pushuar e dyzetë e tetë orë pa ngrënë. E vështirë ishte edhe mbijetesa kur na
lëshonin në pyll disa ditë dhe na thonin të hanim stika pishe e të zinim zogj qielli. Ndërsa vera
ishte e këndshme, por e lodhshme me notin, me mushkonjat sa që shoku yne i paharruar, Ceni, e
kalonte natën në ujë për t’u mbrojtur prej tyre.

-A kishit aktivitete të ndryshme në repart?

Në repart bëhej një jetë dhe aktivitet kazerme jo fort klasike, jo fort ushtri rreshti, një lloj
sjelljeje e tipit rambo e shpesh edhe me tuta stërvitjeje. Por jeta ishte kontrolluar rreptë në
zbatimin e kushteve higjenosanitare, ushqimore e stërvitore. Gati pesëdhjetë përqind e
stërvitjeve ishin natën. Ngjanin pak nga fiziku dhe sakrificat që bënin edhe me spartanët e
lianeve (kulprave). Por spartanët zbrisnin me liane e ne me litarë bashkëkohorë, neilon, silon e
perlon. E ne bënim vargje: Dhe zbresin zbuluesit poshtë monopatit/ Në pjalm bore e njësh me
bardhësinë./ Litarët e ngrirë si lianet e Spartakut/.
Kuadrot ishin të gjithë të artë, jo vetëm për diplomat e arta të shkollës e trupat e bukur që
kishin, por edhe për atë përzgjedhje, që bënte Andon Sheti. Ishte e vështirë të hyje në trupat e

zbulimit, por po aq e vështirë ishte edhe të dilje prej andej, sepse specializoheshin tejet mase
dhe shpesh edhe ndrydhej kuadri. Më kujtohen të bërtiturat e Andon Shetit ndaj drejtorit të
kuadrit të ministrisë, megjithëse të dy ishin drejtorë, Luto Haxhiut, sepse pa dijeninë e tij kishin
bërë komisar korpusi një ish detashmentas, një djalë të ri e me shumë kulturë, Nevruz Sakon.
Dhe bënte të gjitha përpjekjet që ta kthenin, por që emërtesën e tij e kishte udhëheqja e shtetit
tashmë. Pra, ishte xheloz për kuadrin e vet, se e donte, por ishte edhe konservues e, meqënëse i
bëhej puna, nuk i lejonte të përparonin, megjithëse shumë prej tyre kishin shkuar në përfaqësitë
diplomatike shqiptare, por që ai prapë i merrte në shërbimet e veta, kur ktheheshin prej andej.

 

Gama e stërvitjeve në detashment vinte në rritje dhe kjo shtronte detyrën dhe nevojën urgjente
për një bazë materiale stërvitore më të gjërë, më të përfeksionuar, që të zbatoheshin risitë që
vinin. Aty duhej përgatitur vetë detashmenti, por edhe të tjerët, batalionet e zbulimit të
korpuesve, që do të vinin. Prandaj në vitin 1969 Ministria e Mbrojtjes urdhëroi që të ngrihej
një shtab punimesh i cili do të merrej vetëm me punime për pasurimin e bazës materiale. E
drejtori i atëhershëm, si një kuadër që donte punë të mëdha, por edhe me pak ego të mirë, shtroi
nevojën se në Zallherr mund të ngrihej edhe një qytet i tërë ushtarak, një poligon i stërmadh e i
sofistikuar për kohën, e që i tillë është edhe sot. Reparti ndërpreu stërvitjen e u angazhua në
punë, duke bërë përjashtim vetëm ndonjë stërvitje zjarri e ndonjë marshim natën. U çelën fondet
nga Ministria e Mbrojtjes dhe filloi puna. Në krye të shtabit u caktua oficeri Shefqet Haxhia, që
kishte qenë më parë shef zbulimi në korpusin e Burelit, një natyrë e ashpër, një kërkues i rreptë,
një punëtor i palodhur, por edhe një organizator i mirë punësh. Ishte me të Hariz Ismaili, që
erdhi nga Kavaja, një ndërlidhës që kishte braktisur profesionin e ndërlidhësit për të ardhur në
Tiranë prej edhe nga ishte, Taqo Kovaçi, një Vunoas, që kishte bredhur edhe jashtë, kishte parë
e kishte marrë përvoja teknikash e ndërtimesh, etj. U vunë në dispozicion njerëzit e mjetet për
punë, u aktivizua personeli inxhiniero-teknik si projektues e zbatues të punimeve si i madhi
Irfan Tërshana, Xhafer Toro, Vilson Topulli etj.
U ndërtuan në një kohë rekord shumë poligone, në mos gaboj shatë, poligone të përmasave të
mëdha ku të eksperimentoheshin e demonstroheshin stërvitje po të mëdha. U ndërtua një
pishinë e madhe me përmasa 50×25 metra, që u projektua e u bë në ballë të komandës, në një
terren të fortë. Projektues, zbatues e vrojtues i punimeve ishin detyra të inxhinier Irfanit, që
rrinte dimër verë me pantallona të shkurtëra, me një kapele të madhe kundër diellit që i
mbulonte edhe barkun, me këpucë të rënda me qafa si masë sigurie nga dëmtimet e që i rrinte
betonit tek koka, që zhavorri të lahej mirë me ujë, që telat e armaturës metalike të pastroheshin
rreptë nga ndryshku, që nuk pinte gjë tjetër vetëm se ujë të rrjedhshëm tek çezma e që na
porosiste edhe ne të qëndronim larg pijeve të konservuara e të ndenjura e që rroi me një rini të
pakrahasuar sa i deshi shpirti.
E mbaroi pishinën në një kohë shumë të shkurtër duke ndërtuar edhe një kanal shumë të gjatë
uji, që e mori atë (ujin) nga shkëmbinjtë rrjedhës të Bovillës, të pastër si loti. Në atë pishinë u
stërvit më vonë ekipi “Partizani” i notit, u zhvilluan kampionate kombëtare, deri dhe një takim
me ekipin e notit të Kinës. Ushtarët aty laheshin dimër verë. Trajnier i ekipit të notit ishte i
paharruari Petrit Caslli, që rrinte ditë e natë pranë pishinës e në stërvitje me djemtë, siç i quante
ai. Ceni kryente stërvitje noti me ushtarët e kuadrot e zbulimit. Ajo pishinë u bë, më vonë, një
qendër e madhe stërvitore për repartet e zbulimit të korpuseve, por edhe një qendër
eksperimentuese për kalimin e pengesave ujore me dhe pa pajime, me mjete rrethanore e në
maskim të plotë, ditën dhe natën. Pranë saj u ndërtua edhe një lagunë e madhe me ujë e
kallamishte në të cilën ushtroheshin efektivat për ta kaluar atë me zhytje duke marrë ajër me
kallama, përvojë kjo që ishte marrë nga oficerët tanë, që kishin qenë në luftën e Vietnamit. Po

nën praninë aktive të inxhinier Irfanit u bë edhe një stadium i madh futbolli, duke ulur rreth 10-
15 metra një kodër të tërë me mjete teknike e me kazma e lopata. Ai stadium shërbeu jo vetëm
për ndeshje futbolli, por edhe për aktivitete të tjera si demonstrime sampoje, boksi, mundjeje,
luftimi trup me trup. Dyzetëkohëshit që ushtronte Hysen Sharra në ushtrime gjimnastikore me
gjithë efektivin duke aktivuar edhe kuzhinierin, përvojë që e kishte marrë nga kinezët, e ndeznin
Zallherrin flakë. Përreth stadiumit u mbollën pemë për gjelbërim, për hije në verë, por edhe për
ta ruajtur stadiumin nga rrëshqitja e dherave, u vendosën stola për pushim, etj. Në pjesën
përballë tij u gdhend faqja e kodrës duke i dhënë asaj pamjen e një amfiteatri të lashtë antik.
Prej stadiumit u shpua një kodër e madhe, me një tunel të hollë tip vietnamez, për dalë zbulesit
në faqen m’atë anë, në maskim të plotë, pa u parë. U ndërtua një poligon i tërë për
parashutizmin, për përgatitjen e efektivave, në qendër të të cilit u ngrit një kullë e madhe, ku
qëndron edhe sot. Ajo qëndron atje si një dinozaur, me tërë madhështinë, heshtjen dhe pritjen e
vet. Më parë përgatitja parashutiste e efektivave bëhej tek Batalioni i Sigurimit të ushtrisë, ose i
Diko Zeqos, sikurse ishte bërë traditë të thuhej. Kulla e madhe prej hekuri e parashutizmit, e
lartë 50 metra, u porosit në Fier, në Drejtorinë e Përgjithëshme të Naftës, tek ishdrejtori i saj
Lipe Nashi. Atje ishte porositur pjesë-pjesë, u suall me makina të mëdha që transportonin tanke,
e pasi u lidh e gjitha, u ngrit direkt me katër tanke, që balanconin njëri-tjetrin e të komanduar
me flamurë, gjersa e vendosën në bazament. Mbaj mend, se kur është provuar për herë të parë
hedhja në të, shkuan për ta bërë atë punë tre instruktorë të parashutizmit Azem Hyka, Gani
Elezi, Thimi Buçka, të tre instruktorë të hedhjes e pas tyre edhe unë, thjeshtë për të parë e për
kënaqësi, që isha kuadër i atij reparti, por s’isha i asaj fushe. Azemi është munduar shumë atë
ditë, kreu hedhje të disa thasëve me çimento, që ua shtonte dhe ua pakësonte peshën për të parë
nëse çaheshin e punët ishin keq apo mirë, gjersa u bind se rënia ishte e realizuar. Ai zbritjen e
parë nuk e bëri me parashutë por dulfer, një lloj zbritje alpinistike, e duke vrojtuar në se
kundërpesha funksiononte mirë. Pasi ra mirë, bërtiti nga gëzimi, u ngjit lart dhe u hodhën pastaj
të gjithë me radhë, Ganiu, Thimi. E pasi u doli frika dhe u siguruan, e bënë atë punë disa herë,
madje të ngazëllyer. Ishte një çast gëzimi, triumfi, fitoreje. Sot ajo kullë, nga repartet komando,
me sa di përdoret vetëm për zbritje alpine. Ndërsa teknika tjetër, për rreth saj, përdoret për s’di
se çfarë, por që mendoj se hynë në punë për ushtrime force. U ndërtua një brez kalitjeje me të
gjithë elementët që edhe zjarr ndizej kur e kalonin ushtarët. Më tej u ngrit një poligon qitjeje i
elektrifikuar, një teknike e teknologji bashkëkohore, me një pult komandimi që kishte ardhur
nga jashtë e që bënin qitje në të në mos gaboj, një ndërresë prej 70-100 vetë. Aty improvizohej
një sulm armik dhe asgjësohej ai duke goditur tabelat, nëse asgjesohej armiku tabela bënte
lidhje të shkurtës nga depërtimi i plumbi e binte. Aty punuan mjeshtrat Xhevat Koçia që më
vonë u bë dhe komandant Divizioni në Delvinë, Zeno Jahaj që na përfaqësoi atashe ushtarak në
Athinë. Të tjerë poligone ishin ai i alpinizmit, i maskimit dhe në krye të të gjithave ishte një
kullë e madhe nga ku vrojtoheshin të gjitha poligonet e stërvitjes, që e zbatoi Ahmet Neziri, një
kuksian e që ne i thërrisnim xha Ahmeti nga që ishte më i madhi aty. Projektin dhe katalogun e
poligonit të qitjes i kishte marrë Taqua, thoshnin, në Austri. Më madhështori ishte qyteti
sportiv, me mjedise atletike, gjimnastikore, mundjeje, sampoje, fushë basketbolli e volejbolli,
kullë për ushtrim force në ngjitje, që kapte një hapësirë 100×75 metra.

Në Zallherr u ndërtua një qytet jete dhe stërvitjeje. Dhe aty është edhe sot, eficent dhe i pa
dëmtuar. Nuk kishte deri atëherë asnjë repart tjetër që të kishte atë pasuri poligonesh, thoshin se
barazohej me shumë poligone të cilat i kishin parë jashtë vendit në perëndim, ku kishin vjedhur
modelet e tyre. Madje edhe modelin e fortifikimit të vendit shteti ynë e mori në Austri, oficerët
tanë, si Adem Çopanin me shokë, shkuan atje e morën përvojën, e sikurse kishin bërë ata për
mbrojtjen, bëmë edhe ne, me ndërtimin e poligoneve në Zallherr. Unë nuk shikoj edhe sot
ndonjë ndryshim të madh, qoftë të bazës material për stërvitje, qoftë edhe në teknikat që
ushtrohen, sepse jepen emisione e ne i shikojmë, vetëm sofistika është
shtuar, si arma, dylbia, telefoni, jeleku mbrojtës nga plumbi, etj. Kam parë edhe një film se si
stërviten sot forcat komando malore e amfibe të shteteve të fuqishëm dhe nuk kam gjetur ndonjë
diferencë të madhe nga ato që bënim ne atëherë. Edhe ne nga ata i kishim marrë, pavarësisht se
i shanim. Ndërsa ajo që më ka befasuar në stërvitjen e komandove, që kam pasur rastin ta shoh
me shokë në Zallherr tash vonë, ishin qitjet me tepër precizion, pashë që të goditej me plumb
koka e rrëmbyesit që qëndronte ngjitur me atë të robit.Por edhe mrekulli të tjera pashë dhe u
krenuam.
Të gjitha poligonet që u ndërtuan atje, në Zallherr në vitet 1969-1972, u mbaruan në një kohë të
shpejtë, në dy vjet. Në fund u organizua një mësim tregues madhështor ku erdhi e gjithë Byroja
Politike e kryesuar nga Hysni Kapo, vetëm Enver Hoxha e Mehmet Shehu nuk erdhën. Për
ardhjen e tyre u hap edhe një rrugë e re nga uzina e artilerisë në Tufinë e që e lagëm gjithë natën
me ujë, duke zbrazur bote.Mbaj mend se në pishinë, gjatë demonstrimit, ndodhi edhe një e
papritur, një zhytës durrsak, njëri me mbiemrin Troplini, një notar klasi që e kishte kaluar
pishinën me zhyt pesëdhjetë metra me qindra herë, aty humbi, mbeti në fund e nuk doli, Cen
Sharra, që e kishte bërë zakon t’i numëronte ushtarët kur dilnin nga uji, e ndjeu dhe e shkumoi
pishinën me trupin e tij të madh si një balenë, pas tij u hodhën ushtarët e tjerë e ecuria u prish,
Hysni Kapo u ngrit në këmbë, në këmbë brofën të gjithë. E nxorën pa ndjenja ushtarin duke i
dhënë ndihmën mjeku Lufti Balili e të tjerë që shpejt e sollën në jetë, dhe shpërtheu një
duartrokitje, ushtari vazhdoi me shokët, kështu që ajo stërvitje u mbyll në mënyrën më të mirë.
Bëmë edhe një fotografi të gjithë, Beqir Balluku, Ministër i Mbrojtjes atëherë i tha Hysni Kapos
që të përshëndeste, ndërsa Hysni Kapo urdhëroi ministrin. Beqir Balluku foli jo me atë me
etusiazëm që ne ia njihnim nga që së bashku me Petrit Dumen vinin shpesh tek ne, madje kishin
ndërtuar edhe një vilë modeste e një liqen peshku, pa bënin edhe ndonjë shëtitje me kalë përmes
pyllit; e nga ajo fjalë e ftohtë, ne kuptuam diçka që na u duk si një gjendje jo e mirë fizike e
ministrit, por që kishte qenë më shumë se aq e që e morëm vesh më vonë pas 15 korrikut 1974.
Ishte 10 korriku i vitit 1973 e në 12 korrik të 74-s do të arrestohej Beqir Balluku. Atëherë u
bënë edhe diskutime në parti e në to u përfshiva edhe unë, sepse isha i
Organizuar në parti, por me aq sa kisha parë e sa dijeni kisha nuk kisha vrejtur të këqia te ata
njërëz. Ata ishin kudro të luftës e punuan me përkushtim, sa ishin ushtrinë e mbajtën në këmbë.

Pati që ngritën edhe probleme kot se pse kishte qen gjahu në repart Beqir Balluku? Po në se
kishte ai, po Mehmet Shehu me cilët zagarë e bënte gjuetinë, ku i mbante ata? Edhe insinuatat e
akuzat ndaj tij si tradhëtar, një fiasko ishin, sepse ai me shokë e kishin çliruar Shqipërinë me
armë në krahë, ishte ai B. Balluku që i tha ambasadorit rus se do të të djeg brenda në ambasadë
si miun në se pëson gjë delegacioni ynë në Moskë.
Mbaj mend në një rast se. B Ballukut iu bë një drekë në repart e gatoi për të një kuzhinier i tij
barkaluc, që i kishin përgatitur edhe një tavë dheu. Ai pothuaj se nuk piu e nuk hëngri gjë, e
mori tavën dhe ia drejtoi Hysen Sharrës duke i thënë: “Merre Ceno”! Ceni nuk e preku për
druajtje, por ai i foli përsëri plot afri: “Rruje Ceno, rruje! S’ta dhashë t’i rrishë gatitu, jemi në
bukë këtu”. Për Hysen Sharrën do të shkruaja më vonë:Ti burri kokulur me malin mbi shpinë/
Njeriu i urtë, që kurrë s’u përkule/ Dredhoje ndër ujra si një delfin/ Dallgëzonte pishina në
kreshta shkume.
Për secilin që ka shërbyer në Detashmentin e Zbulimi të Ushtrisë Shqiptare, pavarësisht shumë
apo pak kohë, ka se ç’të tregojë, atje është rinia jonë, e kur e kujtojmë, sikur rinohemi, sikur
jemi edhe më të fortë. Kam punuar 20 vite oficer e 23 vite mësues i letërsisë, njëra punë që
donte këmbë e gjunjë të fortë e tjetra mushkri, por sikur të kthesha pas, unë do të bëhesha
ushtarak, sepse tek vështirësia është edhe bukuria, tek vështirësia është epika dhe lirika e jetës,
vuajtjet gjithmonë i kanë miqësuar e afruar njërëzit. Jakov Xoxe, tek libri i tij “Lumi i vdekur”
jep një detaj të tillë: Familja e kosovarit ishte zbuar nga Serbi dhe e myzeqarit nga beu, e të dy
në rrugë. I thotë kosovari myzeqarit: “Kur jemi bashkë ndjehemi mirë, ty të ka zbuar begu e
mua krajli”.Për ato stërvitjë të lodhshme tërë jetën do të thurja pozi sepse poezia thonë, është
rruga për në qiell. Sytë hapur, gojën kyçur/ Çizmja shkel e thërmon borën/ Zëri i lehtë e fare
mbytur:/ Ec vëlla, mos prish kolonën! Sikur t’i kisha gjetur ato blloqe shënimesh! Por…, që mbase edhe i gjej.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …