Florim Rrahman Rushiti (2.4.1979 - 26.5.1999)

Florim Rrahman Rushiti (2.4.1979 – 26.5.1999)

Florim Rushiti lindi në fshatin Kapit të Komunës së Medvegjës, Kosova Lindore. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa të mesmen e nisi në Bujanovc, por e ndërpreu në vitin e tretë, pasi, i detyruar nga gjendja e varfër ekonomike, shkoi në vitin 1996, refugjat në Gjermani, në Mynhen. Shpërthimi i aksioneve luftarake në Kosovë nga UÇK-ja, kundër policisë dhe ushtrisë serbe, më së shumti përcillej me entusiazëm nga refugjatët shqiptarë në Gjermani. Florimi, si i ri që ishte, bënte pjesë ndër më entusiastët e përkrahjes së asaj lufte. Ai ëndërronte që Medvegja t’i bashkohej Kosovës, sikundër bisedohej çdo natë në familjen e tij dhe të dyja së bashku t’i bashkoheshin shtetit amë. Kjo dëshirë e zjarrtë e bëri Florimin që t’i bashkohet Fehmi Lladrovcit dhe të vijë me të në Shqipëri, në Tiranë, në vitin 1998. Fehmiu, duke e parë entusiazmin e Florimit dhe moshën e tij shumë të re, 19 vjeçe, nuk i bënte zemra ta fuste në Kosovë. Për këtë arsye e thirri dhe i tha se duhej të kthehej përsëri në Gjermani dhe të bisedonte me bashkatdhetarët e tjerë për të shtuar ndihmat dhe radhët e luftëtarëve të UÇK-së. Florimi bindet dhe kthehet në Gjermani, duke vepruar sipas porosive të Fehmiut.
Rënia e Fehmiut e bindi edhe më shumë Florimin se duhej të vinte në luftë, jo vetëm që të ndihmonte në çlirimin e Kosovës, por të merrte edhe hakun e Fehmiut. Ashtu u shprehej shpesh shokëve të tij me të cilët mori rrugën dhe erdhi në fillim të muajit prill 1999. Pasi zbriti në Durrës, qysh atë natë u nis për në qendrën stërvitore të Burrelit. Nga që ishte shumë i ri, trup vogël dhe i shkathët, shokët filluan ta thirrnin me nofkën “Kingji”. Në kontingjentin e parë që u nis për të marrë pjesë në Operacionin “Shigjeta”, të planifikuar nga Shtabi i Përgjithëshëm i UÇK-së, bënte pjesë edhe Florim Rushiti. Florimi bënte pjesë në njësitin i cili sulmin kryesor e orientonte në drejtim te vendit të quajtur Vorret e Mira, në malet e Pashtrikut. Të gjitha drejtimet e mundshme, nga ku mund të depërtohej prej Republikës së Shqipërisë në thellësi të Kosovës, ishin të minuara nga ushtria serbe me mina thërmuese e të paçminueshme. Madje, ushtria serbe minimin e kishte bërë duke hyrë në thellësi të territorit shqiptar 500 deri 1000 metra. Sektorët dhe fushat e minuara, ushtria serbe i ruante me zjarr, duke mbajtur armë roje edhe gjatë natës. Kjo e bënte edhe më të vështirë sulmin e forcave tona. Sulmi nisi në orët e para të mesnatës, duke nisur dita e 26 Majit dhe luftimet vazhduan gjatë gjithë ditës. Në lugun, në krah të djathtë të skuadrës, ku luftonte Florimi, plagoset luftëtari Muhamet Bajrami, nga Pjetërshtica e Shtimes. Serbët, të mbështetur edhe nga zjarri i artilerisë, ndërmorën kundërsulm dhe forcat e UÇK-së atij drejtimi u detyruan të tërhiqen për të zënë pozita më të mira mbrojtëse, nga ku do të kalonin përsëri në sulm. Muhameti u plagos rëndë dhe nuk kishte mundësi që të lëvizte. Kishte rrezik që të binte në duart e ushtrisë serbe. Në këtë kohë kalojnë në përforcim të shokëve, duke i sulmuar serbët nga krahët, disa luftëtarë të drejtimit ku ndodhej Florimi si, “Llapi”, “Papazi”, Arben Toplana e të tjerë. Ky grup sulmues bëri të mundur thyerjen e kundërsulmit të serbëve dhe ndërkohë, kur shokët po e tërhiqnin Muhametin e plagosur, Florimi bënte mbulimin e tyre me zjarr. Luftimet zhvilloheshin në afërsi. “Nuk di si ta shpjegoj, por luftimet ishin të ashpra”, thotë bashkëluftëtari i Florimit, Muamer Ibrahimi nga Prishtina.
Kur shokët kishin mundur ta tërhiqnin plotësisht Muhametin, pasi kish filluar errësimi, i japin sinjal Florimit që edhe ai të tërhiqej. Në momentin kur Florimi ngrihet nga pozicioni që kish zënë prapa një shkëmbi, dhe bën të niset në drejtim të shokëve, goditet nga një snaiperist serb. Bën të kapet për shkëmbi, por i bien forcat dhe rrëzohet prej tij, duke u rrokullisur disa dhjetëra metra më poshtë shkëmbit, ku ai ra. Shokët e kishin parë për herë të fundit në momentin kur Florimi ripërkulet mbi shkëmb. Shkëmbi ishte i lartë.
Kur mbaruan luftimet dhe u bë grumbullimi i luftëtarëve mungonte Florim Rushiti. U dha urdhri të shkonte një grup për ta kërkuar. Shpresohej mbasi ishte i plagosur. Kur iu afruan vendit ku ishte parë për herë të fundit, shkuan zvarras. Kërkuan mbi dhe nën shkëmb, por nuk e gjetën. U diktuan nga armët roje serbe dhe u goditën me zjarr. U detyruan të tërhiqen, pa e gjetur bashkëluftëtarin. Të nesërmen, qysh në agim, ushtria serbe, e përforcuar me forca të freskëta, kaloi e para në sulm. Forcat çlirimtare, të cilat i kishin vërejtur lëvizjet e serbëve, ishin pozicionuar me kohë dhe i thyejnë me zjarr disa herë rresht sulmet e armikut. Pothuajse ajo ditë kaloi me luftime të tilla. Edhe dita tjetër, po ashtu, kaloi me shkëmbime zjarri artilerie.
Ditën e katërt të luftimeve forcat tona, të përforcuara nga formacioni “Apaçët”, kaluan në sulm, duke ua marrë krahët forcave serbe dhe, si rrjedhojë, në drejtimin ku ishte parë për herë të fundit Florimi, nuk arritën të kalojnë forcat tona. Gjatë luftimeve të shumta intensive dhe sulmit të shpejtë e të furishëm, ato ditë edhe forcat serbe patën shumë të vrarë e të plagosur.
Ditën që zhvilloheshen luftime për tërheqjen e shokut të plagosur, arrin në Cahan edhe vëllai i Florimit, Lulzimi, i cili ishte stërvitur në Feken, prandaj nuk dinin asgjë për njëri-tjetrin. Dashuria për Atdheun qëndronte mbi dashurinë familjare. Lulzimi hyn në luftë më 28 Maj. Gjatë luftimeve bie shoku i tij, Avdi Xhaçku. I ndihmuar nga Sadri Meha prej Vuthajve, Lulzimi e nxori nga vija e luftimit Avdiun dhe, gjithë dhembje, po i jepnin lamtumirën e fundit. Në ato momente pikëllimi, Sadriu mundohet ta ngushëllojë Lulzimin se, edhe atij, dje i kishte rënë shoku më i ngushtë nga Medvegja, Florimi, dhe kishte mbetur në pozicionet e armikut. Lulzimi shtanget. “Si the? Florimi? Vëllai im?”. Sadriu befasohet. Kontakti i parë me Lulzimin ishte luftimi i asaj dite. Kjo është lufta! Për pak çaste të miqëson për tërë jetën, por edhe të ndan nga shoku për tërë jetën. Nga katër, kishin mbetur dy shokë të ngushtë, e përsëri nuk iu trembën vdekjes. Ky është idealizmi kombëtar, i cili të bën të mos njohësh as vdekjen.
Lulzimi shkoi t’i takojë komandantët e dëshmorit Florim Rushiti, të cilët, nisur nga mungesa e informacionit të plotë dhe dëshira e mirë se, mbase ai ishte i gjallë dhe për ta ngushëlluar Lulzimin, i thanë se ishin lajmëruar prej forcave tona brenda Kosovës se, Florimi kishte mundur të depërtonte në thellësi dhe ishte bashkuar me to. Njeriu në të tilla raste, nga dashuria e madhe për vëllanë, i beson të pabesuarës. Ashtu ndodhi edhe me Lulzimin. Kur arriti në Kuzhnin të Prizrenit dhe kontaktoi me forcat e Zonës Operative të Pashtrikut, u bind se vëllai i tij ishte vrarë. Po ku ishte trupi i tij? Si të bënte? Prindërit ndodheshin në Kapit. Ata duhej të largoheshin prej andej, pa e marrë vesh as ata dhe as të tjerët se djemtë e tyre kishin qënë në luftë kundër ushtrisë serbe, pasi serbët do të bënin reprezalie. Shkoi dhe i mori tërë pjesëtarët e tjerë të familjes dhe i solli fillimisht në fshatin Kopërnicë të Dardanës, te familja e bashkëluftëtarit Rrahim Beqiri (dëshmor) dhe më vonë në Prishtinë. Në një moment të përshtatshëm u tregoi se çfarë kishte ndodhur me Florimin. Shqetësimi më i madh ishte gjetja e trupit të tij. Ku nuk shkuan për të marrë, qoftë edhe një informacion sado të vogël. Dhe ja, në fillim të muajit korrik 1999, një bari kishte gjetur trupin e një luftëtari të rënë, me uniformë të UÇK-së. E kishte rregulluar trupin e tij, ende të paprishur nga dëbora dhe e kishte rrethuar me gurë, për ta mbrojtur nga egërsirat. Komanda e Zonës së Pashtrikut, me qëndër në Prizren, në bashkëveprim me ekspertët e KFOR-it gjerman, shkuan dhe e morën. Pasi panë dokumentet dhe i bënë analizat, njoftuan familjen se ishte gjetur trupi i dëshmorit Florim Rrahman Rushitit. Prej asaj dite trupi i tij prehet në vorrezat e Dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit. (D. G.)

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …