leoni

Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli; Demokracia, të drejtat e njeriut dhe roli i shtypit të lirë

Të ënjtën që kaloi në Budapest të Hungarisë, Zëvendës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Sewall mbajti një fjalim mbi demokracinë, të drejtat e njeriut dhe mbi rolin e shtypit të lirë në mbrojtjen e këtyre të drejtave.    Diplomatja amerikane ishte ftuar në kryeqytetin hungarez nga Shoqata e Gazetarëve të Hungarisë për të marrë pjesë në festimet me rastin e 120-vjetorit të themelimit të kësaj shoqate.   Fillimisht, ajo foli për marrëdhëniet e ngushta dhe historike amerikano-hungareze të cilat, tha ajo, tejkalojnë marrëdhëniet midis dy qeverive, duke shtuar se ndonëse me kulturë dhe histori të ndryshme, këto dy kombe ndajnë një histori të bazuar në mbështetje të lirive themelore të njeriut.  “Ashtu si themeluesit e Amerikës, edhe hungarezët kanë qenë të vetdijshëm gjatë historisë se liria sigurohet me një vendosmëri të patundur për ta mbrojtur atë, jo vetëm nga kërcënimet e jashtme por edhe nga presionet e mbrendshme.”

Demokracia nuk është një sistem i lehtë, në të vërtetë siç ka thënë edhe Winston Çurçilli, mund të jetë sistemi më i keq i qeverisjes, me përjashtim të gjithë sistemeve të tjera që janë provuar gjatë historisë e të cilat kanë dështuar mizorisht. Por, ndryshe nga sistemet e tjera, është provuar se demokracia është një sistem që më së miri mbron sundimin e ligjit dhe mbi të gjitha garanton mbështetjen e të drejtave themelore të individit.   Demokracia e vërtetë është një sistem që për nga natyra, jo vetëm duhet të garantojë dhe të mbështesë të drejtat bazë të njeriut për të gjithë, por është gjithashtu një sistem i cili mundëson njëkohsisht edhe zhvillimin e një ekonomie më të forte dhe më të begatë, nga e cila përfiton shumica e popullit.

Çdo shtet demokratik madje edhe Shtetet e Bashkuara me një histori të gjatë të sistemit demokratik, janë ndeshur shpesh me sfida të mëdha të mbrendshme dhe të jashtme të cilat kanë kërcënuar zhvillimin demokratik të tyre, me një histori nganjëherë politikash të tmershme e të gabuara me të cilat, theksoi diplomatja amerikane në Budapest, si komb, “ne nuk jemi krenarë”.  Por në çdo rast, Shtetet e Bashkuara, theksoi ajo, u ballafaquan me këto forca të errëta gjatë historisë së saj dhe si përfundim, demokracia amerikane doli më e fortë dhe më e drejtë se përpara, për të gjithë. Ndonjëherë, shumica demokratike mundë të humbë rrugën nga vlerat e saja demokratike, por duke mbrojtur të drejtat e individit, demokracitë e vërteta mbrojnë njëkohsisht të drejtat e pakicave nga abuzimi i tyre prej shumicës, u shpreh Sarah Sewall.

Dhe kur shumica shkelë të drejtat e individit, ose kur autoritetet publike nuk përfillin dhe njëherazi abuzojnë kompetencat që u kanë besuar atyre zgjedhësit, përfshirë problemet me korrupcionin, atëherë qytetarët natyrisht kanë nevojë për gjykata të pavarura ku të kërkojnë drejtësi.   Por diplomatja amerikane nënvijoi në Budapest, me rastin e 120-vjetorit të themelimit të Shoqatës së Gazetarëve të Hungarisë se qytetarët, që të mund të mbrojnë të drejtat e tyre si individë dhe si grup dhe që të mund të mbajnë përgjegjës udhëheqsit e tyre politikë, nbi të gjitha ata kanë nevojë gjithashtu për një media të lirë, sy patrembur dhe të pavarur.

“Shtypi i lirë” theksoi diplomatja amerikane Sewall para gazetarve hungarezë, “është një mburojë e fortë dhe jetike kundër abuzimit të pushtetit” nga autoritetet qeveritare dhe shtetërore, prandaj liria e shtypit dhe pavarësia e tij janë shpeshëherë në shënjestër të forcave dhe aktorëve anti-demokratikë të cilat dëshirojnë të konsolidojnë pushtetin e tyre dhe të evitojnë llogari-dhënjen para qytetarëve. Ajo shtoi se sfidat dhe problemet me të cilat përballet liria e shtypit, janë në të vërtetë sfida ndaj vet demokracisë dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut.

Zëvendës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Sewall i siguroi gazetarët hungarezë se edhe për amerikanët mbrojtja e lirisë së shtypit dhe e të drejtave të tjera bazë të njeriut është gjithmonë një luftë e vazhdueshme, por janë përpjekje që ia vlejnë, nënvijoi ajo, pasi më në fund ato na bëjnë të vetdijshëm ndaj përfitimeve që vijnë nga sigurimi i vlerave demokratike dhe nga institucionet politike të bazuara në këto vlera, përfshirë edhe dinamizmin e zhvillimeve ekonomike dhe stabilitetin politik në vend.   Janë sistemet demokratike, shtoi ajo, ato që sigurojnë se stabiliteti dhe begatia e një vendi i kanë rrënjët në respektimin e të drejtave bazë të njeriut dhe në aspiratat e popujve për liri.  “Kjo është arsyeja”, komentoi diplomatja amerikane, “që institucione ndërkombëtare siç janë Bashkimi Europian dhe Aleanca NATO pohojnë se fuqia jonë i ka rrënjët jo vetëm në interesat tona të përbashkëta, por edhe në vlerat tona të përbashkëta që mishëron demokracia liberale.”

Në fjalimin e saj para gazetarve hungarezë, Sarah Sewall përmendi ish-kongresmenin amerikan me origjinë hungareze, Tom Lantos i cili tërë jetën e tij ia kushtoi luftës në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe të lirive të tjerëve, përfshirë edhe të drejtat e shqiptarëve kudo.  Ajo citoi ish-kongresmenin Lantos të ketë thënë se, “Ne jemi mbrojtësit e këtij qytetërimi në të cilin jetojmë dhe se nga ky angazhim nuk mund të heqim kurrë dorë.”    Diplomatja amerikane Sarah Sewall përfundoi fjalën e saj duke u thënë gazetarve hungarezë se sfidat me të cilat është përballur ish-kongresmeni Lantos dhe gjenerata e tij gjatë nacizmit dhe komunizmit, as që kanë krahasim me sfidat me të cilat përballemi ne sot.   Por ajo u tha gazetarëve hungarezë se si qytetarë, është përgjegjësia e të gjithë neve — pikërisht e kësaj gjenerate — të ritheksojmë vendosmërinë tonë në mbështetje të lirisë në këtë periudhë që jetojmë, cilat do qofshin sfidat me të cilat përballemi.  Ajo citoi Presidentin Obama të ketë thënë se, “Bekimet e lirisë duhet të sigurohen, të mbrohen dhe të ripërtriten nga çdo gjeneratë.”

Këshilla të mira këto për çdo shoqëri e sidomos për shoqëritë post-komuniste — përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën – përfaqsuesit e të cilave – para popullit të vet dhe të huajve — shpeshëherë pohojnë një gjë e veprojnë krejt ndryshe.  Megjithë pretendimet e disa prej tyre se ata besojnë në vlerat e përbashkëta demokratike me vendet perëndimore të cilave deklarojnë se duan tu baskohen, historia e këtyre 25-viteve të fundit ka treguar, jo vetëm një mospërfillje të vlerave të përbashkëta demokratike perëndimore, por në shumë raste është venë re një shkelje flagrante e këtyre vlerave. Historikisht këto vlera janë kërcënuar dhe po kërcënohen vazhdimisht nga aktorë të mbrendshëm dhe të jashtëm.    Është detyra e shtypit të lirë e të pavarur që t’i identifikojë dhe t’i luftojë në opinionin publik aktorët e mbrendshëm dhe të jashtëm të cilët me veprimet e tyre, minojnë vlerat demokratike, të drejtat e njeriut dhe institucionet që janë krijuar për t’i mbrojtur ato të drejta dhe vlera të përbashkëta me botën përëndimore.  Ky është roli që duhet të luaj media dhe shtypi i lirë në një vend që pretendon të jetë demokratik.  Një media që nuk demaskon këta aktorë, të mbrendshëm dhe të jashtëm, të cilët rregullisht minojnë vlerat dhe institucionet demokratike dhe si rrjedhim pengojnë zhvillimin e mirëfilltë të një shoqërie demokratike – ajo media nuk meriton ta quaj veten as të lirë dhe as të pavarur.

Kontrolloni gjithashtu

Histori e përsëritur ose një koincidencë më shumë e heroizmit shqiptar

Histori e përsëritur ose një koincidencë më shumë e heroizmit shqiptar

(Në 78-vjetorin e rënies së pesë dëshmorëve  në “Vig të Mirditës” dhe 26-vjetorin e rënies …