Frank Shkreli: Dhimitër Berati, mbrojtës i interesave kombëtare

Ndonëse po merr fund ky vit, që shënon 45 vjetorin e vdekjes së Dhimtër Beratit në shtator të vitit 1970, thashë me vete — mbasi edhe ky është dhe mbetet ndër ata të harruarit, por i cili ka dhënë një kontribut të madh dhe ka luajtur një rol të shquar në veprimtarinë kombëtare — të kujtohet shkurtimisht për meritat e tija të veçanta në 45-vjetorin e vdekjes. Fatkeqësisht, atij iu shkurtua jeta nga një aksident kur një makinë e goditi nga shpejtësia duke e lënë të vdekur në vend në vitin 1970 në kryeqytetin italian.

Nuk e kisha njohur Dhimitër Beratin, megjithëse shtatorin e vitit 1970 ndodhesha gjithnjë në Itali si refugjat duke pritur miratimin për të udhëtuar drejtë Shteteve të Bashkuara. Por miku i tij Ernest Koliqi fliste me admirimin më të madh për të dhe për veprimtarinë patriotike të Beratit në fushën politike dhe publicistike. Dhimitër Berati dallohet qysh në moshë të re për veprimtarinë e tij patriotike në fillim të shekullit të kaluar. Ai ishte njëri prej atyre fatbardhëve që nënshkruan Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 në Vlorë. Si përfaqësues i kolonisë shqiptare në Rumani, ai veproi me çka kishte dhe me çka dinte për rilindjen e Shqipërisë dhe si përfaqësues i komunitetit shqiptar me influence në atë kohë në Rumani, ai udhëtoi për në Vlorë nga Rumania së bashku me Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin. Nënshkrimi i Dhimitër Beratit dallohet qartë ndër nënshkrimet e 40-patriotëve të asaj kohe që e shpallën Shqipërinë të pavarur.  Veprimtaria e tij ishte e shumëllojshme dhe në fushë të ndryshme. Ku e kërkonin interesat kombëtare, aty gjendej,  Dhimitër Berati.  Pas Luftës së parë Botërore në vitin 1919, kur Shqipërisë i kërcënohej pavarësia dhe kufijtë e saj, ku tjetër të gjendej Dhimitër Berati përveçse si anëtar i delegacionit shqiptar për të mbrojtur të drejtat e kombit në Konferencën e Paqes në Paris së bashku me patriotë të tjerë të dalluar të kombit, përfshirë At Gjergj Fishtën dhe Imzot Luigj Bumçin. Ishin këta lisa të mëdhej të kombit me rrënjë të thella dhe të pamohueshme në historinë e kombit shqiptar, pa marrë parasyshë trajtimit të tyre çnjerzor dhe anti-kombëtar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, që jo vetëm i kishte dëbuar nga atdheu për të cilin vepruan dhe punuan aq shumë, por edhe për faktin se  gjatë sundimit të tij, ai regjim u përpoq që rrënjët dhe kontributet e çmuara të këtyre burrave në historinë kombëtare, të shlyheshin përgjithmonë. Fatbardhësisht, Enver Hoxha dhe regjimi i tij nuk ia dolën këtij qëllimi, pasi veprat dhe kontributet e tyre flasin vet dhe historia e vërtetë që do të shkruhet një ditë pa pasione ideologjike dhe interesa partiake, do t’i njohë të gjithë këta viganë të kombit shqiptar për meritat e tyre të veçanta ndaj mbrojtjes së interesave të kombit të tyre. Por, megjithëse regjimi enverist nuk ia doli të fshinte kujtimin e tyre nga historia, fatkeqësisht Dhimitër Berati dhe figura të tjera të kohës së tij vazhdojnë të hidhen në harresë — edhe sot pas 25 viteve të rënies së atij regjimi — nga apologjetët e regjimit komunist të historiografisë së sotme orëzezë, gjithnjë nën influencën e praktikave dhe mentalitetit të atij regjimi, duke mos i përfillur ata si kontribues të veçantë në jetën dhe historinë e kombit, por ende konsiderohen si “kolaboracionistë”.

Si mund të konsiderohet Dhimitër Berati kolaboracionist, që nënkupton anti-atdhetar, kur të merret para sysh kontributi i tij i shquar si pjesëmarrës në ngjarjet më me rëndësi të historisë së shqiptarëve, përfshirë Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe mbrojtjen e të drejtave të Shqiptarëve në Konferencën e Paqes në Paris, aty ku kundërshtoheshin dhe sulmoheshin të drejtat e shqiptarëve nga armiqtë dhe aleatët e tyre historikë?

Përveç kontributit të tij në fushën politike dhe patriotike, Dhimitër Berati njihet edhe për veprimtarinë e tij dhe kontributin e vlefshëm edhe në publistikën shqiptare. Ai ishte botues i gazetës me përmbajtje politike, “Përlindja e Shqipërisë”, një gazetë që botohej në Vlorë me nëntitullin, “Organ për të Mbrojtur të Drejtat Kombëtare”. A mund të merret me mend sot botimi i një gazetë me një nëntitull të tillë?

Në shtator të vitit 1970 para se të ndërronte jetë, Dhimtër Berati ishte i vetmi dëshmitar ende i gjallë ndër ata që kishin shpallur dhe nënshkruar Pavarësinë e Shqipërisë, por i cili ishte detyruar të largohej nga atdheu nën kërcënimin e diktaturës komuniste, vetëm e vetëm, se para vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai kishte pasur detyra të ndryshme në disa dikastere të qeverive të mëparshme.

Por pa marrë parasyshë moshën e shkuar, as në mërgimin e detyruar, Dhimitër Berati nuk pushon së punuari për të mirën e Atdheut të tij megjithëse e kishte dëbuar atë për arsye politike. Në mërgim, ai ndër të tjera, ishte bashkpuntor i ngushtë i Profesor Ernest Koliqit dhe kontribues me shkrimet e tija në revistën Shëjzat. Në një shkrim të Beratit në revistën Shëjzat të vitit 1961, siç shënon Karl Gurakuqi — edhe ky njëri prej të harruarve — në librin, “Nepër Vullajt e Shëjzave”, Dhimitër Berati botoi me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Gjergj Fishtës, artikullin, “Pater Gjergj Fishta – Kujtime e shënime”.  Gurakuqi shkruan se miqësia midis këtyre dy gjigantëve kishte filluar në vitin 1908 në Kongresin e Bashkimit të Alafabeteve në Manastir dhe ka zgjatë sipas Beratit deri sa Fishtën e “Ndieu Perendija në vjetin 1940”.  Karl Gurakuqi nënvijon se Fishta dhe Berati kishin një miqësi të fortë dhe shton se në shkrimin e tij kushtuar mikut të tij të madh Gjergj Fishtës, Bberati kujton ngjarje të bashkjetuara, fjalë e fraza të paharrueshme, vizitat që kishin bërë bashkarisht, por edhe talljet që e karakterizonin Poetin.   Prandaj nuk është për tu habitur që Berati vlerëson mikun e tij të ngushtë me këto fjalë: “Për ne të gjithë”, shkruan Dhimitër Berati, “Gjergj Fishta është poeti në kuptimin që kishte kjo fjalë për Grekët kur kujtonin Omirin. Oliadha dhe Odisea ishte Bibla, ishte Ungjilli i tyre; ata dy poema ishin për ta udhëheqsa si për doktrine fetare, si për njoftime historike ashtu edhe për çmuarjen vetiake e shqoënore të njeriut…Po ashtu duhet të jenë për kombin shqiptar, “Historia e Skënderbeut” e Naimit dhe “Lahuta” e Fishtës. T’i këndojmë, t’i mësojmë e t’i nderojmë veprat e tyre më duket si një prirje e natyrshme ndaj atdheut, si një shenjë dashurie ndaj popullit t’onë.”

Siç dihet me ardhjen e pushtetit komunist në Shqipëri, Dhimitër Berati nuk kthehet më në Shqipëri, por vendoset në Romë të Italisë ku siç thashë më lartë bashkëpunon ngushtë me Profesor Ernest Koliqin dhe rëvistën Shëjzat dhe ndonëse në moshë të shkuar merrte pjesë në çdo aktivitet të shqiptarëve në raste përkujtimesh kombëtare dhe kulturore. Madje, ai kishte ardhur edhe në Shtetet e Bashkuara në vitin 1969 për të marrë pjesë në kremtimet e organizatës Vatra.

Miku dhe bashkëpunoëtori i tij Koliqi ka shkruar për këtë burrë të madh të historisë së Shqipërisë se Berati, “Ishte dekani i gjallë i Rilindësve ende në jetë dhe simboli i gjallë i idealeve që frymëzuan lëvizjen për Rilindjen Kombëtare dhe kurorëzimin e saj me 1912, mbas sa mundit e gjakut të derdhur”.

Dhimitër Berati nuk duhet të harrohet as të anashkalohen meritat e tija, por të kujtohet dhe të nderohet për kontributin e tij të gjatë dhe për meritat e veçanta në shërbim dhe në interes të kombit shqiptar, ashtu si i ka hije një populli që jeton në shekullin 21.

Kontrolloni gjithashtu

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Pavarësisht Kanunit, fesë dhe traditës patriarkale, në shumë raste gjatë historisë, femra  shqiptare i ka …