leoni

Gashi dhe Margariti: Do ta fuqizojmë bashkëpunimin në mes vendeve tona

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur të enjtën në takim ministren e Kulturës së Shqipërisë Elva Margariti bashkë me një delegacion nga kjo Ministri. Ministri Gashi u shpreh i kënaqur me realizimin e këtij takimi me ministren Margariti në siç tha ai kryeqytetin historik të kulturës dhe të trashëgimisë, në Prizren. “Bashkëbiseduam për tema të rëndësishme në fushën e kulturës, me theks të veçantë nënshkrimin e kalendarit të përbashkët kulturor mes Kosovës e Shqipërisë për vitin 2019 për të cilin u dakorduam që të nënshkruhet gjatë këtij muaji në Tiranë. Do të jetë një kalendar dinamik me aktivitete të përbashkëta të institucioneve kulturore edhe në Kosovë edhe në Shqipëri”, tha ministri Gashi. Ai po ashtu tha se ky bashkëpunim do të jetë i fuqishëm dhe i përkushtuar nga të dyja palët. Gashi po ashtu njoftoi se gjatë takimit u diskutua edhe për një kalendar të përbashkët mes tri shteteve, Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë. “Dëshirojmë të kemi një kalendar trepalësh në mënyrë që aktivitetet tona të shtrihen edhe në Maqedoni, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri”, tha ai duke shtuar si të rëndësishme se në krye të Ministrisë maqedonase është një shqiptar. Në fund, Gashi theksoi se në takim u diskutua edhe për mundësinë e krijimit të një fondi të përbashkët kulturor. “Edhe Kosova edhe Shqipëria ta kenë një fond të përbashkët ku institucionet e kulturës të kenë mjete të mjaftueshme për realizimin e projekteve, dhe ky fond të jenë në vazhdimësi në shërbim të komunitetit artistik”, u shpreh ministri Gashi duke uruar që ky bashkëpunim të jetë afatgjatë. Ndërkaq ministrja Margariti, fillimisht theksoi se ky bashkëpunim është vazhdim i një pune të filluar më përpara. “Ky është vetëm një institucionalizim, një marrëveshje që krijon një kornizë formale por përtej kësaj gjithmonë kemi mbështetur të gjithë aktivitetet dhe artistët në të dy shtetet”, tha ajo. “Jam entuziaste të marrim hapa të rinj që të qojmë përpara projekte të reja siç është ajo e një kalendari akoma edhe më të shtrirë, duke pasur dhe eksperiencën tashmë të kalendarëve të viteve të mëparshme të vazhdojmë të kemi të tjera edhe me shtetet fqinjë”, tha ndër të tjera ministrja Margariti duke e përmendur si shumë të rëndësishëm edhe krijimin e një fondi të përbashkët.

Kontrolloni gjithashtu

KPF-ja në komunën e Ferizajt, vendos që të bart mbi 1 milion euro nga vitit 2023 në vitin 2024

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Xhavit Zariqi, ka mbajtur mbledhjen e katërt të …