Gazeta LAJM – Hoxha: Kërkoj të m’i gjejnë eshtrat e babait tim

Në një intervistë ekskluzive për “Lajm”, Ardian Hoxha, djali i biznesmenit dhe veprimtarit të njohur, Remzi Hoxha, tashmë i zhdukur qe 18 vite nga strukturat e SHIK-ut, flet për të gjithë ata që ishin të implikuar dhe ata që mund të ndihmojmë për zbardhjen e këtij rasti. Ai flet për Sali Berishën, Bashkim Gazidedën, Ilir Kubaron, Ilaz Ramajlin dhe ambasadorin e Tiranës në Bosnjë e Hercegovinë, Flamur Gashin, vëllai i deputetit të LDK-së, Arben Gashi.

Lajm: Historinë e zhdukjes së babait tuaj Remzi Hoxha, tani e dimë të gjithë. Ju dhe familja juaj keni bërë shumë përpjekje për të gjetur eshtrat e tij. Më pastaj keni iniciuar edhe një proces gjyqësor ndaj ish-zyrtarëve të SHIK-ut që e kanë arrestuar në atë kohë babin tuaj. Ku ka arritur ky proces sot?

Ardian Hoxha: Ky proces ka ardhur afër fundit, tash është në përfundim të shkallës së dytë, Gjykatës së Apelit. Janë marrë vendimet për personat e akuzuar, por shtrohet pyetja se çfarë drejtësie është arritur me këtë proces, se faktikisht aty është arritur një drejtësi minimale, për arsye se vet procesi gjyqësor nuk ka shkuar si duhet, sepse personat e implikuar në torturim në vrasje dhe në zhdukje të babait tim, nuk e kanë marrë dënimin e ndëshkimin e merituar, që e meritojnë.

Lajm: Në lidhje me arrestimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës janë ndërtuar edhe legjenda urbane, të cilat i kanë konstruktuar arsyet e arrestimit të Remzi Hoxhës, ku shkaku kryesor thuhet se ka qenë ndodhja e tij në kohë të gabuar në vendin e gabuar, ku ka parë figura të rëndësishme të pushtetit shqiptar duke ndenjur me eksponent kriminalë serbë të kohës së Millosheviqit. Çka dini apo çka keni mësuar ju nga këto rrëfime?

Ardian Hoxha: Është i vërtetë ky konstatim dhe është pikërisht ajo që thuhet në kohë të gabuar dhe në vend të gabuar dhe për fat të keq kanë qenë personat e gabuar ata të cilët e kanë torturuar dhe e kanë zhdukur. Mendojmë që vrasja nuk ishte e qëllimshme, ka vdekur prej torturave që ia kanë bërë dhe ato tortura i janë bërë babit tim për t’ia marrë materialet e xhirimit, të them kushtimisht, se ata kanë menduar se i ka xhiruar, por edhe faktet që i ka për ato që i ka pa lidhur me takimin e Bashkim Gazidedes me Arkanin, të cilat fakte ia kishte thënë Pjetër Arbnorit, kryeparlamentarit të Shqipërisë në atë kohë, me të cilin kishte miqësi shumë të afërt babi im dhe ajo informatë ka shkuar te Sali Berisha dhe te këta kriminelët tjerë dhe me këtë e kanë ditur edhe ata këtë si fakt që ka ndodhur. Edhe rasti tjetër i takimit të Sllobodan Millosheviqit me Kiro Gligorovin, të cilëve në Shën Naum u është bashkangjitur edhe Sali Berisha e që ka ndodhur dhe këta informata ata kanë dashtë t’i mbajnë fshehur nga publiku, siç i kanë mbajtur fshehur edhe informatat e tjera për punët e pista që i kanë bërë me serbë e me grekë, siç ishte çështja e naftës, kur gjithë bota i kishte bërë embargo Serbisë, Sali Berisha e furnizonte me naftë ushtrinë serbe që me i dhanë flakë luftës edhe më shumë dhe me e forcuar Serbinë edhe më shumë. Kur gjithë bota donte me e dobësuar Serbinë, Sali Ramë Berisha, me inicialet SRB, që është dhe kodi për shtetin serb, do të thotë SRB, e që ndoshta dhe s’janë rastësisht, del dhe i ndihmon dhe punon për ta.

Lajm: Ju i përmendët këto takime që i kanë pasur me eksponentë të Serbisë dhe Maqedonisë. A mendoni se në këto takime kanë qenë të përfshirë edhe politikanë të Kosovës?

Ardian Hoxha: Mendoj se jo, për arsye se për takimin në Shën Naum, ku kanë marrë pjesë Kiro Gligorovi, Sllobodan Millosheviqi dhe Sali Berisha, sekretari i babait tim, Basri Zuka, e ka njoftuar Zyrën e LDK-së dhe e ka pyetur se a kanë njohuri për këtë takim, pasi që LDK ka qenë e afërt me Partinë Demokratike dhe Sali Berishën. Ky është mendimi im, nuk kemi ndonjë informatë që ka pasur ndonjë prej Kosove, ajo informatë ju ka komunikuar Sali Berishës, për të cilën ishte njoftuar LDK-ja nga bashkëpunëtori i ngushtë i babait tim, Remzi Hoxha, pra sekretari i tij Basri Zuka.

Lajm: Kush ka mundur ta ketë transmetuar këtë informatë nga LDK-ja te Sali Berisha, a keni informacion dhe a mund të ndërlidhet kjo?

Ardian Hoxha: Faktikisht, si pikë e parë, babi im ka qenë i përndjekur prej pushtetit serb, e kanë ndjekë dhe ai është fshehur për shumë kohë. Normal që me bashkëpunimin që e kanë pasur Serbia në atë kohë me shtetin shqiptar, ata kanë kërkuar kapjen dhe dorëzimin e babait tim dhe ajo ka qenë një element, mirëpo e dimë se pushteti serb ka pasur në listë të kërkimit shumë shqiptarë dhe prej atyre shumëve ka qenë pak më e vështirë me e pa se cili është më i rëndësishmi. Mirëpo, kur ju shkon informata e parë nga LDK-ja, për këtë takim që ishte fakt se ka ndodhur dhe kur i shkon edhe informata e dytë prej Pjetër Arbnorit, ajo faktikisht i bie që babai im ka qenë duke i përcjellë këta, por që faktikisht me rastësi kanë ndodhur të dyjat, se ka qenë me punë në Shkodër për një projekt që e kanë bërë me Duralumin, kurse në Pogradec, ku e kanë parë konvojin e Sali Berishës, kanë qenë duke u kthyer rrugës për në Kosovë, ku me këtë rast dhe ka qenë edhe kufiri i mbyllur.

Lajm: Kur është mbajt takimi në Shën Naum?

Ardian Hoxha: Në Shën Naum takimi është mbajt më 30 maj 1993.

Lajm: A keni arritur të mësoni se kë e pengoi Remzi Hoxha me aktivitetin e tij politik e kombëtar që u mor nga SHIK-u, të cilët në fund ia zhdukën edhe kufomën?

Ardian Hoxha: Po me sigurim i ka penguar ata që kanë dashtë me e mbajtur peng popullin e Kosovës, popullin shqiptar, se me fitoren e lirisë në Kosovë ka fituar i gjithë populli shqiptar jo vetëm shqiptarët e Kosovës. Pozita e shqiptarëve në gjithë botën, jo vetëm në rajon është forcuar shumë më tepër me fitoren e lirisë së shqiptarëve në Kosovë. Kështu që të gjithë ata që kanë qenë kundër kësaj kauze normal që i ka penguar, të gjithë ata që kanë pasur biznes që kanë përfituar të holla prej atyre që kanë qenë kundër çështjes shqiptare normal që i ka penguar.

Lajm: Shumë shqiptarë të Kosovës kanë edhe shtetësi shqiptare dhe disa prej tyre kanë qenë edhe në funksione e pozita shtetërore, siç është edhe Flamur Gashi, Ambasadori i Shqipërisë në Bosnjë e Hercegovinë dhe vëlla i deputetit të Kosovës, Arben Gashi. A keni kontaktuar me të ndonjëherë dhe a mendoni se ai mund të japë ndonjë ndihmë për zbardhjen e rastit Hoxha, pasi që ai ishte në Shqipëri dhe ishte i angazhuar në institucione të ndryshme?

Ardian Hoxha: Unë nuk e njoh Flamur Gashin dhe nuk kam dëgjuar për të më herët, por do të interesohem të di më shumë se kush është ky person, të kuptoj se sa ka njohuri rreth rastit të babait tim dhe të shoh se çka mundet me ndihmuar që familja jonë ta gjejë një të vërtetë, dhe se a mundet me kontribuuar për t’i gjetur eshtrat e babait tim.

Lajm: Po me personat tjerë që kanë qenë në atë kohë nga Kosova në Tiranë, a keni kontaktuar?

Ardian Hoxha: Kemi kontaktuar me Iljaz Ramajlin, i cili ka qenë përfaqësues i Kosovës, ambasador dhe përfaqësues edhe i LDK-së në Shqipëri dhe s’kemi marrë asnjë informatë, asnjë ndihmë, edhe pse ne kemi bindje të thellë, bindje të plotë që ai edhe shumë persona të tjerë që kanë qenë përfaqësues të Kosovës në Shqipëri, kanë pasur informata në lidhje me zhdukjen e babait tim. Mirëpo, një gjë edhe unë kam mundur ta kuptoj, se kanë qenë të kërcënuar që të mos flasin. Mirëpo, edhe me ato pak informata që kemi marrë, me të cilat kemi arritur ta kuptojmë se kush saktë çfarë ka bërë e si ka ndodhur, ata njerëz që na i kanë dhënë ato kanë treguar se kanë qenë të kërcënuar dhe kanë thënë se nëse del që unë ju kam dhënë informatë, mua dhe familjes time na shkon koka.

Lajm: Prej kujt kanë qenë të kërcënuar, a e dini?

Ardian Hoxha: Prej këtyre kriminelëve, prej strukturës së Sali Berishës.

Lajm: Po për Avdyl Loshajn a mundesh me na thënë diçka, pasi e dimë rastin e tij që nga fillimi?

Ardian Hoxha: Avdyl Loshajt është vështirë me i ra në fije. Asnjëherë nuk e ka dhënë një shpjegim konkret dhe është dashtë fjalët me ja nxjerrë si me dana. Faktikisht, në çdo bisedë që e kemi pasur me të, ai pas shumë tentimeve tona na i ka konfirmuar vetëm ato që ne ia kemi thanë atij, se e dimë se kjo ka ndodhur kështu. Edhe pse ai është njëri prej dy dëshmitarëve kyçë për këtë rast, por duhet mjeshtri e madhe për ta zbërthyer këtë rast.

Lajm: E Ziso Krisopuli?

Ardian Hoxha: Ai i shkreti është një njeri jashtëzakonisht i mirë, një njeri jashtëzakonisht i drejtë, i cili e ka pasur fatkeqësinë me qenë i përfshimë në këtë rast. Neve na vjen shumë keq për gjithë çka i ka ndodhur atij, sepse mënyra e krejt këtij operacioni që e kanë ndërmarrë Sali Berisha dhe argatët e kriminelët e tij ka qenë e tillë që vetëm Sali Berisha, Bashkim Gazidede, Arben Sefgjini, Budjon Meqe dhe Ilir Kumbaro e kanë ditur arsyen e vërtetë të kapjes së babait tim, kurse që të tre këta janë marrë vetëm të kihej një alibi për ta kapur babain tim dhe për t’ia nxjerrë e për t’ia marrë xhirimet dhe faktet që i kishte, kurse të tjerëve, strukturave më të ulëta, ju ka treguar një skenar e një film që s’ka lidhje me realitetin, që në fakt edhe strukturat e tjera të SHIK-ut të mos e kuptonin se çfarë po ndodhte. Dhe krejt këtë e kanë bërë ashtu sikur Ziso, babai im dhe Avdyl Loshaj ishin duke përgatitur një komplot kundër Sali Berishës, se kishin marrë para dhe vula për të bërë referendum e ku ta di se çka, një skenar e një film që të ishte sa më i besueshëm edhe për strukturat më të ulëta që ishin të përfshira në krejt këtë punë, për ata që i ndiqnin dhe i përcillnin, ndërsa kryesorja ishte krejt tjetërçka. Edhe i arrestojnë krejt, e përdorin sa e përdorin Avdyl Loshajn, e përdorin sa e përdorin edhe Zison, do të thotë ua servojnë në të shkruara të gjitha deklaratat, kinse ai ka deklaruar dhe i nënshkruajnë, por as që kanë ditur se çka kanë nënshkruar, mirëpo për ta shpëtuar kokën kanë nënshkruar se ashtu as që e kanë njoftuar babain tim, dhe pastaj e kanë liruar, me presion nga Partia Socialiste, se Ziso ka qenë kryetar i Degës së Ksamilit për Partinë Socialiste. Dhe ngelet vetëm babai im dhe prej torturave që ia bëjnë ju mbetet në dorë dhe nuk dinë çka të bëjnë, mundohen ta fshehin kufomën, ta fshehin lajmin, mundohen t’i zhdukin të gjitha gjurmët dhe na zvarritin tash e 18 vite. Ndërsa faktikisht, sa janë profesionistë këta, kanë mundur të bëjnë tjetër tregim, se vdiq në aksident, vdiq këtu apo aty…

Lajm: Si shkas për arrestimin e babait tënd ishte atentati më 5 tetor 1995 në Shkup, kundër Gligorovit, për çka dhe u akuzuan, por arsyeja ishte krejt tjetër, apo jo?

Ardian Hoxha: Po, faktikisht kështu, se në rastin e babait tim kanë punuar edhe Maqedonia dhe Serbia. Serbia dhe Maqedonia e kanë ditur faktin se babai im i ka parë (fjala është për takimin e Shën Naumit) dhe në sistem u ka dalë alarmi kryesor prej këtij personi dhe ndodhi atentati, në kohën kur ne kemi qenë bashkë në pushime në Turqi, ndërsa këtu e paraqesin se ka qenë babi im, pa pasur lidhje me atë rast.

Lajm: Në procesin gjyqësor të ngritur nga ju a mendoni se ka ndikuar edhe politika aktuale në Shqipëri, që procesi gjyqësor të mos i shkojë çështjes deri në fund?

Ardian Hoxha: Jo vetëm që kanë ndikuar, por faktikisht është orkestruar nga ta. Sali Berisha nuk e ka bërë vetë këtë, nuk i ka mbetur babai im në dorë, i ka mbetur Ilir Kumbaros, por Ilir Kumbaro ka punuar për Sali Berishën, për interesat e Sali Berishës. Ilir Kumbaro, Bashkim Gazidede, Arben Sefgjini, Budjon Meqe, kanë qenë njerëzit më të afërt të Sali Berishës. Personi që fizikisht e ka maltretuar ka qenë Ilir Kumbaro të cilit edhe babai i ka mbetur në dorë. Mirëpo Sali Berisha, si kryeministër i Shqipërisë, prej kur ka dalë rasti në gjykatë, me të gjitha forcat i ka mbrojtur të gjithë këta bile-bile u ka dhënë dhe pozita shtetërore. Ilir Kumbaron kanë arritur ta strehojnë në Angli me identitet të rrejshëm, me fuqitë që i kanë pasur kanë arritur ta lënë të lirë prapë i cili edhe tani ndodhet i lirë i dënuar në mungesë.

Lajm: Po tash, me ndërrimin e pushtetit në Shqipëri, mendoni se politika nuk do të ndërhyjë në këtë rast?

Ardian Hoxha: Ne mendojmë që Qeveria e re do t’i heqë ato barrierat e instaluara në gjyqësi dhe në Prokurori. Neve faktikisht nuk na duhet ndihmë, neve na duhet që vetëm të mos pengohet ky rast dhe krejt ajo që e kërkojmë prej shtetit shqiptar që të lejojë Drejtësia të bën punën e vet, por edhe të gjendet mundësia, se shteti ka mundësi dhe forma të ndryshme për këtë, që të na ndihmojnë t’i gjejmë eshtrat e babit tim dhe t’ia bëjmë një varr babait tim dhe të vazhdojmë jetën.

Lajm: A keni ndërmend të inicioni proces të ri gjyqësor dhe kë fajësoni ju drejtpërdrejt për vrasjen e babait tuaj?

Ardian Hoxha: Gjykata e Apelit as që e ka bërë publik vendimin, pas publikimit të vendimit është afati ligjor për kriminelët që t’i dërgojnë në shkallë më të lartë nëse donë edhe më pak që t’i dënojë për shkak se Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi janë lënë të lirë, do të thotë ata aspak nuk janë të njollosur me këtë rast, gjoja që nuk kanë pasur lidhje hiq, dhe dënimi i vetëm që është qesharak i ka mbetur Ilir Kumbaros i cili nuk është hiç në Shqipëri. Por nëse rasti ndërpritet kështu, në do ta çojmë në Gjykatën e Strasburgut dhe do të kërkojmë drejtësi ndërkombëtare prej Strasburgut.

Lajm: Për fund a keni të thoni diçka?

Ardian Hoxha: Për fund vetëm porosis dhe lus gjithë njerëzit që janë në krye të pushtetit në Shqipëri dhe gjithë njerëzit që dinë diçka që të na ndihmojnë në gjetjen e eshtrave të babit tim. U them vetëm të ndalen e të mendojnë se si do të ishin ndjerë ata po t’u kishte ndodhur atyre dhe fëmijëve të tyre e njëjta gjë. Lus, pra të na ndihmojnë t’i gjejmë eshtrat e babit tim dhe të na lehtësojnë bile të paktën dhimbjet që i kemi.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …