Brickos

Gjergj Kastrioti - Skenderbeu

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, heroi kombëtar dhe personaliteti më i njohur i Shqipërisë

Gjergj Kastrioti, i njohur ndër shqiptarë dhe kudo në botë si, Skënderbeu, ka qenë dhe po mbetet  shqiptari më i madh, më i njohur dhe më unifikues  i të gjitha kohëve, gjatë tërë historisë sonë prej kohës së tij e deri sot. Pavarësisht përpjekjeve që janë bërë dhe po bëhen për t’ ia ulur vlerën, për ta deformuar kohën dhe qëndresën e tij, për ta përvetësuar nga fqinjët, për ta damkosur nga një taraf shqipshkruesish, për ta paraqitur si mbrojtës së krishterimit dhe kundërshtar të islamit, e vërteta për Gjergj Kastriotin, Skënderbeun kurrë nuk mund të zhbëhet as të përvetësohet.

Kthimi i tij në Krujë më 1443, nuk kishte të bënte me fenë, por me Atdheun e pushtuar, të cilit i doli zot si askush tjetër në Ballkan apo në Evropë. Ai për herë të parë në historinë e principatave, e princërve shqiptarë që ia hanin kokën njëri tjetrit  duke u shërbyer herë Romës, herë  Bizantit e herë Turqisë; edhe pse me mund, arriti t’ i bashkojë dhe arriti të krijojë bërthamën e fuqishme të rezistencës, për të cilën di Turqia dhe tërë bota.

Qëndresa e tij, përballja e suksesshme kundër Perandorisë, të cilës i kishte shërbyer për shumë vite, por ajo nuk ia kishte realizuar premtimin, strategjia ushtarake e politike, vendosen bërthamën e  Arbërisë, e cila pas vdekjes së tij, më 17 janar 1468, kishte filluar të  quhej edhe Shqipëri, sepse ai kishte luftuar me flamurin që kishte shqiponjën dykrenore në mes. Prej asaj kohe fjala “shqiponjë” prodhoi emrin sinonim kombëtar, shqiptar, , me të cilin ata  identifikoheshin për veten e tyre, pavarësisht se të huajt kurrë nuk e njohën as e njohin këtë emër. Ata na kanë quajtur dhe na quajnë në bazë të emrin arbër, nga qyteti Albanoi, Albanopolis, që del i shënuar edhe në hartën e Ptolomeut, qysh në shekullin e dytë.

Gjergj Kastrioti nëpër shekuj u bë burim frymëzimi i rezistencës jo vetëm për arbërit-shqiptarët por edhe për të gjithë popujt e Evropës. Nuk ka vend në Evropë ku nuk është shkruar apo nuk është përkthyer të paktën një vepër për të. Personaliteti i Skënderbeut radhitet në mesin e ushtarakëve e strategëve më të njohur të botës. (Ahmet Qeriqi)

Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Mendohet se lindi më 6 maj 1405 në Diber. U mor peng si jeniçer pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë. Atje, zgjuarsia dhe shkathtësia e quan Gjergjin në shkollën e sulltanit (içogllanëve) që përgatiste komandantë e nëpunës.

Natyra i kishte dhënë dhunti mendore e fizike. Atje mori emrin Iskënder (Aleksandër). Pas mbarimit të shkollës, Gjergj Kastrioti “(Skënderi)” kreu detyra ushtarake në Ballkan e në Azinë e Vogël, duke u dalluar për trimëri dhe për këtë arsye iu dha titulli bej që do të thotë princ ose fisnik pra Skënderbeg. Ai nuk e harroi vendin e tij të dashur dhe priste me padurim rastin të kthehej në tokën që e lindi. Me vdekjen e të atit, ai shpresonte t’i zinte vendin, por në fakt sulltani e emëroi sanxhakbej jashtë tokave shqiptare.

Skënderbeu nuk hoqi dorë nga ideja për t’u kthyer në Shqipëri në fronin e të atit, deri në vitin 1443 kur ai u nis kundër Janosh Huniadit nën komandën e bejlerbeut të Rumelisë.

Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar. Mori masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës. Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare i Kastriotëve.

Kryengritja u përhap shpejt në viset e tjera dhe feudalët e tjerë u ngritën gjithashtu. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone. Skënderbeu ishte organizatori i Kuvendit të Arbërit, në të cilin u zgjodh si prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Ai u martua me të bijën e Gjergj Arianitit me Donika Arianitin për të forcuar lidhjet e tij me principatat e tjera.

Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Vdiq me 17 Janar 1468 në Lezhë. I mbuluar me lavdi, ai u varros në Lezhë. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rresht. E shoqja me të birin emigruan, sikurse edhe një pjesë e parisë shqiptare, për në Itali. Rreth përkrenares ekziston ideja se e ka mbajtur për nder të Pirros së Epirit, pasi edhe ai ka mbajtur po të njëjtën përkrenare. (Vikipedia)

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …