Gjergji: Përdorimi i fesë gjatë fushatës, i papranueshëm

Gjergji: Përdorimi i fesë gjatë fushatës, i papranueshëm

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka thënë të hënën se përdorimi i fesë në disa raste gjatë fushatës zgjedhore për të rritur mbështetjen është e papranueshme dhe njëherësh e dëmshme për të ardhmen tonë. “Kemi vënë re se, në disa raste, është përdorë feja si mjet për të rritur mbështetës. Kjo për ne është e papranueshme e për të ardhmen tonë shumë e dëmshme. Duam t’ju kujtojmë që besimtarët tanë, qytetarët e Kosovës në përgjithësi, presin qeverisje më të ndershme, të nesërme më të mirë për fëmijët e tyre, po edhe përfaqësues më të denjë, pa u ndikuar fetarisht në këtë proces politike. Shprehim shqetësimet tona për dukuritë që nuk janë në frymën e duhur të tolerancës, bashkëjetesës dhe respektit ndër-njerëzor. U drejtohemi besimtarëve tanë, të gjithë qytetarëve të Kosovës, institucioneve të vendit, partive politike dhe të gjithë faktorëve të tjerë të përfshirë në këtë proces, që të garojnë në këto zgjedhje duke e ruajtur kthjelltësinë e mendjes dhe qetësinë e zemrës, për të vepruar me maturi. Inkurajojmë të gjithë që të shmangin fjalorin provokues, fyes dhe denigrues ndaj kundër-kandidatëve, pa harruar se, pas 11 qershorit, duhet të vazhdohet bashkëjetesa vëllazërore në shtëpinë tonë të përbashkët dhe ushtrimi i përgjegjësive për të ardhmen tonë evropiane”, ka thënë Dodë Gjergji. Ai u ka bërë thirrje besimtarëve  dhe qytetarëve që ditën e zgjedhjeve t’i votojnë ata persona që janë zemërpastër dhe me vizion të qartë në të mirë të qytetarëve, ndërsa ka shfaqur shpresën se institucionet e dala pas zgjedhjeve të jenë të rregullta dhe të zgjedhurit t’i përvishen punës për ta drejtuar shtetin.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në …