Gjermania korrigjon gabimin: Aeroporti i Prishtinës nuk figuron më si pjesë e Serbisë

Autoriteti Federal i Aviacionit Civil të Gjermanisë, Luftfahrt-Bundesamt, ka korrigjuar një pasaktësi në të dhënat e tij, duke e evidentuar saktë Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës , i cili më parë figuronte gabimisht si pjesë e Serbia. Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili tha se korrigjimi erdhi si rezultat i reagimeve të qytetarëve dhe angazhimit të vazhdueshëm diplomatik. “Falë reagimit të qytetarëve tanë dhe angazhimit të vazhdueshëm diplomatik, Autoriteti Federal i Aviacionit Civil të Gjermanisë ka korrigjuar pasaktësinë lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, i cili prej vitesh ishte evidentuar gabimisht si pjesë e Serbisë”, ka shkruar Ajeti. Ai e cilësoi këtë zhvillim si dëshmi se bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve dhe diplomacisë mund të sjellë rezultate konkrete në mbrojtjen e interesave shtetërore të Kosovës. Ndërkohë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast kur institucionet ose kompanitë gjermane paraqesin në mënyrë të pasaktë Republikën e Kosovës apo qytetet e saj. Sipas Ambasadës, qytetarët inkurajohen të dërgojnë edhe dëshmi përkatëse, në mënyrë që rastet të verifikohen dhe të ndërmerren hapat e nevojshëm për korrigjimin e tyre. Institucioni diplomatik theksoi se angazhimi për eliminimin e pasaktësive të tilla do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Kontrolloni gjithashtu

Në Voksh u përkujtua Heroi i Kombit Agim Mazrekaj

Në 28-vjetorin e rënies së Heroit të Kombit, Agim Mazrekaj, Organizata e Veteranëve të Luftës …