Gjuha, “Ça Ça Ça”, e një këshilltari të një kryekuvendari dhe e disa ministrave të Qeverisë Kurti

Në asnjë qeveri të deritanishme nuk është evidentuar qëndrimi shpërfillës ndaj gjuhës shqipe, sikur po ndodh në Qeverinë Kurti, në gjuhën e këshilltarëve të tij dhe të dy krerëve të tjerë të Shtetit. Shpërfillja e gjuhës letrare, përdormi i barbarizmave e lokalizmave sllave e harbute, janë “stolisje” gjuhësore  e disa ministrave e këshilltarëve aktualë, që tregojnë nivelin e dijes dhe kulturës së tyre gjuhësore.

Në asnjë fjalim të tij, kryekuvendari, Konjufca nuk mund ta shqiptojë drejt foljen, “për të bërë”, në trajtën pyetëse, të cilën e deformon në mënyrën më përbuzëse, në shprehjet si: Ça bone, ça po bon e derivate të tjera, të cilat i kanë hije një fshatari të pashkollë, edhe pse të tillë kanë mbetur fare pak në Kosovë dhe ndër shqiptarë përgjithësisht, por  nuk i kanë hije një kryetari të Kuvendit, i cili flet me prepotencë e arrogancë para deputetëve, duke u mbajtur fjalime e ligjërata ku pretendon ta tregojë diturinë e aftësinë e tij, por nuk tregon fare kujdes për shprehjet, të cilat si duket nuk i ka mësuar kurrë si duhet, në familje as në shkollë, edhe pse dihet se ka kryer madje edhe studimet…

Ja edhe një shembull tjetër, që tregon se deri në çfarë niveli degradon gjuha e  shkruar e njërit nga këshilltarët e Konjufcës.

Drtion Tali, këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, shkruan:

“Ju kom kallxu: hala kurgjo s’keni ni e s’keni pa! Pritni, pritni edhe pak, ça keni me ni e ça me pa (se ça kanë bo patriotat me Kosovën), menve zarar! Krejt k’to klithje që po i dëgjoni jo Kovidi, jo Open Balkan e blla blla blla, dhimtën e kanë tjetërkund!”, ka shkruar Tali.

Duke folur për Hashim Thaçin të cilin e urren me krejt qenien ai në konstatimet e paragjykimet e tij degradon edhe mendërisht.

Në një rast jo moti ka shkruar:

Nji filozof i Hashimit paska thonë: LV nuk osht pronare e vertetas.

E thellë kjo!Por, nejse, hajt t’ia kallxojë unë disa t’vërteta për shefin e tij.

Hashimi rrjedh prej nji familje t’madhe (gjashtë vllazën e tri motra), t’shtresës “ultē fshatare”. Baba i ka punu polar (ruajtës i fushave të shtetit) e nona amvise.

Driton Tali, që pretendon të jetë i qytetëruar, ( të paktën kështu mendon për veten e tij, edhe pse kur flet kallëzon vet ) madje krekoset se është këshilltar me nam,  “i shkolluar”, me plot diploma,  por në këtë  postim të tij prej tre rreshtash bën hiq më pak se  12 gabime shkrimi. Kjo nuk i lejohet nxënësit të klasës së dytë fillore, por i lejohet militantit të partisë që sjellë vota, madje  nuk i jepet fare rëndësi edhe kur fyen moralin njerëzor, moralin kombëtar të një familjeje në këtë rast familjes së Hashim Thaçit, të cilin ai e urren më shumë se familjen e Milosheviqit. Shëmtia e urrejtjes, deri në çoroditje, në mungesë  totale të moralit kombëtar e njerëzor, në këtë rast duket sheshit, por si njeri i tillë, duke pretenduar ta fyejë e të përbuzë Hashim Thaçin dhe familjen e tij, tregon nivelin e dijes, kulturës, mungesën e ndërgjegjes, mungesën totale të emancipimit shpirtëror, e cila identifikohet në radhë të parë  me urrejtjen morbide, partiake.

Jam më së i sigurt  se gjyshja Dritonit e ka folur shumë më mirë gjuhën shqipe,  sesa e flet dhe e shkruan  sot nipi i saj,  i shkolluar , madje me sa e sa tituj e diploma, militanti i çoroditur i Kurtit.

Shpërfillja e gjuhës letrare shqipe, apo gjuha mushke e disa zyrtarëve, deputetëve dhe qeveritarëve

Shumë nga ministrat, zyrtarët  dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk e përfillin drejtshkrimin  e drejtshqiptimin e gjuhës shqipe,  gjatë fjalimeve, replikave e komunikimit  të tyre qoftë mes veti, qoftë në emisionet e debateve, aq të dëshiruara për ta, qoftë në komunikimin e përditshëm, në radhë të parë sepse nuk e njohin si dhe sa duhet  gjuhën e  tyre amtare. Kjo nuk ndodh në kumtesa e komunikata, meqë zëdhënësit e tyre ua korrigjojnë shkrimet, në shumë raste edhe ua shkruajnë, por edhe kur  i lexojnë bëjnë gabime të panumërta.

Kur i dëgjon nëpër debate dhe kur kryesuesi i debatit edhe vetë takon të jetë  një gjysmë idiot “gjuhësor”, i cili flet “shul ship”, nuk ka si të mos neveritesh, por edhe ta ndiesh  veten të  fyer, pasi në raste të tillë del sheshi se kush po të qeveris, kush po i jep të drejtë vetes të flasë në emër të institucioneve, duke shpërfillur gjuhën standarde të kombit. Ky soj i zyrtarëve nuk ka pse ankohet kur zyrtarët serbë na quajnë “shqiptari”, pasi jo pak prej qeveritarëve tanë edhe vetë kështu e shqiptojnë emrin e kombit, në deklarimin, “jam shqiptar”, madje disa syresh nuk dinë ta shkruajnë  drejt, as këtë emër. Ky fakt është dëshmuar dhe është publikuar në disa medie.

Pjesa më e madhe e këtyre qeveritarëve  me të meta të shprehjeve adekuate, gjuhësore, me mungesë të kulturës së  gjuhës, mungesë të dijeve elementare gramatikore, të mos flasim për ato sintaksore, tregon nivel të ulët të kulturës së gjuhës dhe nuk do ishte keq që Qeveria apo Kuvendi të  mendonin për organizimin e një kursi apo trajnimi paraprak gjuhësor.

Në kohën kur ishte ministër i Arsimit, z. Mujë Rugova e kishte aplikuar një provim semestral të  mësimit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, në të gjitha fakultetet, për të gjithë studentët, por më pas u hoq nga plan-programi.

Ndër shprehjet më të shpeshta të trajtave të deformuara krahinore, familjare, të përdorura dendur nga jo pak zyrtarë tanë shquhet këto dhe të tilla formulime.

-Nuk ki ça mi bo!

-Ça po bon.

-Me bo si bohet.

-Bon ça t’ dush

-Nuk po manin hiq, ça po thu.

-Qysh pi thu ti ksaj pune.

Qa po lyp q’aj? ( Çka po kërkon ai? )

 

Ja disa  fragmente të gjuhës së përdor në komunikim, nga ministri, Hekuran Murati. 

“Deklarimin e pasurisë e kam ba edhe vitin e kalum, njëjtë ka qenë, nji pjesë e kompanive kanë qenë të deklarume, përjashtimisht Netflixin se se kam pas atëherë. Po nuk është bë qaq temë e madhe, sivjet ma tepër, mund t’ jetë arsyeja se jam në ekzekutiv, vitin e kalum kam qenë deputet. Unë me profesion shkollimin e kam në menaxhim të investimeve, si shkollim, magjistraturën, specializimin edhe këtë e kam bërë si hobi prej që e kam kry magjistraturën në vitin 2009-të”, ka sqaruar Murati, në “DPT te Fidani”…

  Procesi asht në prokurori, jam interesu patjetër, nuk muj me dhanë shumë detaje, ka thënë ministri.

Në këto dy fragmente komunikimi, ministri Murati ka bërë 20 gabime drejtshkrimore, ndërsa gabimet sintaksore të radhitjeve të fjalëve në fjali, janë “mishmash”, janë një përzierje e llojit të vet, që vjen nga mësimi përmendsh nga një gjuhë e huaj, sigurisht nga anglishtja, e cila ia vështirëson  kuptimin,  në shqip, në mënyrën sikur pretendon të përgjigjet, për të qenë i kuptueshëm.

Dikush mund të mendojë se nuk është e thënë që ministri ta njohë drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin e gjuhës amtare, por e vërteta është ndryshe dhe ajo flet shumë. Flet për një soj zyrtarësh e militantësh partiakë, të cilët duke qenë gjysmakë në dije e shprehje, kurrsesi nuk do të duhej lejuar të drejtojnë institucione, sepse me mungesën e arsimimit cilësor, ata fyejnë gjuhën amtare, fyejnë fjalën shqipe, fonetikën, gramatikën e sintaksën. Kjo është e patolerueshme për një Kuvend e një Qeveri.

Niveli i tyre i vërtetë arsimor çalon në të gjitha segmentet, edhe pse një zyrtar i tillë mund ta ketë kryer me sukses të shkëlqyeshëm shkollimin, edhe pse mund të ketë dy tri diploma, edhe pse mund ta dijë anglishten më mirë se shqipen, por në Kuvendin e Kosovës, në Qeveri e Presidencë, në institucionet e vendit, i tilli dhe të tillët kanë obligim moral, njerëzor, kombëtar, intelektual ta mësojnë këtë gjuhë “të shkretë”, gjuhën amtare, sepse përfaqësojnë një komb, gjuha e të cilët mizorisht ka qenë e atakuar dhe e sulmuar gjatë shekujve dhe tani po bëhet pre e polikanëve e zyrtarëve,  të cilët nuk ia dinë vlerat, andaj edhe e shëmtojnë dhe e masakrojnë. ( Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Bujar Osmani: Këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, as të rëndomta, por janë zgjedhje historike

Bujar Osmani: Këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, as të rëndomta, por janë zgjedhje historike

Nuk janë këto zgjedhje të zakonshme, nuk janë këto zgjedhje të rëndomta, janë zgjedhje historike. …