Gjykata Speciale kundër UÇK-së e bashkoi krahun e luftës në një koalicion parazgjedhor

Gjykata Speciale kundër UÇK-së e bashkoi krahun e luftës në një koalicion parazgjedhor

Koalicioni parazgjedhor i krahut të luftës së UÇK-së: PDK-AAK-NISMA, për zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit 2017,  ka lënë pa fjalë sidomos kundërshtarët e luftës, por edhe analistët politikë, të cilët kanë menduar dhe me gjithë zemër e kanë dëshiruar që prejardhja politike nga lufta e UÇK-së të dëmtohet sa më shumë dhe të marrë fund me Gjykatën Speciale kundër UÇK-së. Ata nuk e kanë besuar madje edhe mund të mos e besojnë se ishte pikërisht Gjykata Speciale, e cila i bëri bashkë partitë e krahut të luftës, ashtu sikur në vitet 1998-1999 na bëri bashkë regjimi gjakatar i Milosheviqit, sepse duke qenë të bashkuar, ata do t’i plotësojnë vendin njëri tjetrit sapo të fillojnë arrestimet dhe procesi gjyqësor në përpjekje për ta demonizuar dhe diskredituar luftën e UÇK-së. Një formacion i bashkuar politik i partive me prejardhje nga lufta, në Kosovë, ka qenë dhe është i domosdoshëm, ashtu sikur është më se i domosdoshëm edhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë në kohën e vringëllimit të armëve dhe kërcënimeve të egra që po na vijnë nga Kremlini e Beogradi.

Pa dyshim se ky koalicion do ta dominojë skenën e ardhshme qeveritare dhe Kuvendin e Kosovës, duke pasur para sysh faktin se këto tri parti me gjithë mospajtimet që i kanë karakterizuar, me gjithë mosmarrëveshjet dhe qëndrimet e ndryshme, me gjithë kundërshtimet deri edhe arrogante e mos duruese kundër njëra tjetrës, janë forca e vetme e cila duhet ta marrë përsipër shtytjen përpara të disa procese të rënda nëpër të cilat po kalon vendi.

Qeverinë e ardhshme por edhe Kuvendin e presin sfida edhe më të rënda, sepse përveç demarkacionit, për të cilin në rastin më të keq do të gjendet një kompromis, këtë koalicion e pret edhe themelimi i Asociacionit të komunave serbe, që është një problem me shumë të njohura e të panjohura.

Bashkimi i kundërshtarëve politikë në një koalicion nuk është diçka që po ndodh për herë të parë, as do të jetë i fundit në kushtet  dhe rrethanat tona. Pavarësisht qëndrimeve e deklaratave partiake që janë transmetuar për opinionin, pavarësisht kritikave dhe kundërshtimeve, krerët e këtyre partive asnjëherë nuk e kanë ndërprerë bashkëpunimin intern përmes “njerëzve” të vet dhe kjo ka rezultuar më në fund edhe me një bashkim të motos: “Bjen një punë e të due për dhunë”. Nëse ky bashkim forcash është bërë  për hir të Kosovës, dhe proceseve shumë të rënda politike nëpër të cilat po kalon vendi, ( sepse në emër të Kosovës parimisht bashkohen e thirren të gjithë)  do të arsyetohet dhe do të mbështetet nga liridashësit e vendit. Nëse ky koalicion ka pasur dhe ka synim primar  marrjen apo uzurpimin e pushtetit, kjo do të shihet dhe ky do të jetë mashtrimi i radhës, mjerisht nuk do të jetë as mashtrimi i fundit. Jemi mësuar me mashtrime, dështime, dëmtime dhe tashmë nuk na bëjnë edhe aq shumë përshtypje, sepse me kohë e kemi kuptuar se fati i Kosovës, nuk është vetëm në duart tona, as ka qenë ndonjëherë deri tani.

Tashmë jemi mësuar të rrimë nën jorganin me të cilin na kanë mbuluar të tjerët dhe në vend se të zgjasim këmbët e mpira, duhet t’i mbledhim troç që të mos na ftohen, ashtu sikur na janë ftohur madje edhe na janë gangrenizuar gjatë shekujve. (RKL)

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir Humolli

Fatmir Humolli, ka njoftuar se nuk do të garojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, ka thënë se në zgjedhjet e …