Brickos

Gruda, PDK: Qeveria miratoi projektligjin për Zyrtarët Publikë në kundërshtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese- PDK nuk do ta lejoj këtë arbitraritet

– Koordinatori për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, në një konferencë për media ka thënë sot se, dje, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë – pa adresuar shkeljet kushtetuese. 

“Ajo që ka ndodhur është skandaloze, sepse aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është zbatuar, është shpërfillur në tërësi nga Qeveria. Konkretisht, me nenin 17 Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, Qeveria ka lënë në fuqi dispozitat që përcaktojnë se pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues do të jenë me mandat 4-vjeçar, në kundërshtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte përcaktuar se emërimet në këto pozita para hyrjes në fuqi të Ligjit bazë për Zyrtar Publik nuk i nënshtroheshin emërimit me mandat, por mbajnë vendet e tyre të punës sipas aktemërimeve që kanë pasur”, ka thënë Gruda.

Më tej, ai ka cituar paragrafin 3 të këtij ligji, ku thuhet: Nëpunësit civil të emëruar në pozitat e kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese para hyrjes në fuqi të ligjit bazik konsiderohet se filloj mandatin e parë më hyrjen në fuqi të këtij ligji.

 

“Kjo kështu nuk ka asnjë kuptim sepse dispozitat e Ligjit bazik për Zyrtar publikë Gjykata Kushtetuese i ka shpallur si jo kushtetuese dhe ato pozita nuk mund të konsiderohen me mandat. Me këtë akt, Qeveria Kurti dëshiron të mbush administratën e shtetit me militantët e saj partiak, siç ka bërë deri tani, ta politizoj atë dhe të zbatojë politika në mënyrë tërësisht jo kushtetuese dhe në shkelje të plotë të aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese që kishte vendosu për këtë rast”, ka thënë Gruda.

Ai ka thënë se trumbetimet e shumta për reforma në administratën publike janë harruar, sepse atyre ju kanë zënë vendin shkeljet e kushtetutës dhe tendencat për kapjen e administratës publike.

“Kjo është një fazë e re e shkeljes së Kushtetutës së Kosovës nga Qeveria, ku edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dispozitat jokushtetuese përfshihen në ligje. Një qeveri normale do të duhej të ndjehej keq kur shkel kushtetutën dhe jo të shkoj edhe një hap më shumë duke mos zbatuar as aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Koordinatori për Drejtësi i KQM-së.

Gruda ka thënë se Qeveria mendon se institucionet politike kanë autoritet mbi gjykatën në vendimmarrjen e tyre kushtetuese dhe jo anasjelltas.

 

“Ata duan të ja nënshtrojnë kushtetutën dhe rendin kushtetuese vullnetit dhe bindjeve të tyre politike. Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta lejoj këtë arbitraritet. Nëse ky ligj miratuar në kuvend më këtë përmbajtje, ne do ta dërgoj atë në Gjykatën Kushtetues. I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndalë këto veprime jokushtetuese, këto sulme ndaj kushtetutës dhe rendit kushtetuese të Kosovës, dhe të angazhohet për reformat e administratës publike për të cila Kosova ka aq shumë nevojë”, ka përfunduar Koordinatori për Drejtësi, Përparim Gruda.

 

Në këtë konferncë, Gruda shprehu shqetësimin e Partisë Demokratike të Kosovës ndaj fushatës së re të ndalimeve e bastisjeve që po zhvillojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj ish-zyrtarëve të shtetit siç ishte rasti dy ditët e fundit me Hajredin Kuçin, Sami Lushtakun dhe Sylejman Selimin.

“Kosova ka themeluar Dhomat e Specializuara për të ofruar drejtësi me standarde evropiane dhe jo spektakël në emër të saj. Mbi të gjitha, kjo fushatë përndjekëse shpërfaqë dështimin e Dhomave të Specializuara për të argumentuar aktakuzat e tyre në proceset gjyqësore. PDK kërkon nga Dhomat e Specializuara të Kosovës që të ndalin këtë fushatë përndjekëse dhe t’i kthehen punës së tyre brenda mandatit dhe fushëveprimit të tyre”, tha Gruda. 

Kontrolloni gjithashtu

Në Gjykatën Speciale po vazhdon paraqitjen dëshmitari i 55-të i Zyrës së Prokurorit, Ramiz Qeriqi

Çka thanë avokatët: Mishetiq dhe Emmerson për dëshmitarin e Prokurorisë, Ramiz Qeriqi, në gjykimin kundër krerëve të UÇK-së

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, ka deklaruar se Ramiz Qeriqi është i dyshuar për …