Gunta Sloga, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Baltike për Ekselencë në Media, ka bërë thirrje për bashkëpunim më të madh ndërmjet vendeve baltike dhe Ballkanit Perëndimor në luftën kundër dezinformimit rus. Në një intervistë për “The Geopost”, gjatë një konference evropiane për dezinformimin në Vilnius, ajo paralajmëroi se Rusia synon të thellojë përçarjet shoqërore dhe të ndikojë në opinionin publik. Sloga theksoi se gazetaria e pavarur, verifikimi i fakteve dhe komunikimi efektiv me qytetarët janë thelbësore për t’iu kundërvënë propagandës, veçanërisht në rrjetet sociale. Ajo paralajmëroi edhe për rrezikun e përdorimit të inteligjencës artificiale në krijimin e përmbajtjeve mashtruese. Duke iu referuar Kosovës, Sloga vuri në pah rëndësinë e institucioneve të forta, zhvillimit ekonomik dhe shoqërisë civile aktive për t’i rezistuar ndikimit të jashtëm. Mesazhi i saj për rajonin ishte i qartë: vendet që përballen me kërcënime të ngjashme duhet të bashkëpunojnë më ngushtë për të mbrojtur demokracinë dhe hapësirën informative.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
