vaksinimi

Günther Kampf: Nuk justifikohet stigmatizimi i personave të pa vaksinuar sepse edhe të vaksinuarit e mbartin virusin

Njëra  nga revistat mjekësore më prestigjioze në botë, Lancet – botoi një artikull të mjekut të njohur, Günther Kampf nga Instituti i Higjienës dhe Mjekësisë Mjedisore pranë Universitetit të Greifswaldit, i cili shpjegoi se stigmatizimi i personave të pavaksinuar nuk është i justifikueshëm. Siç thuhet më tej në tekst, zyrtarët në Shtetet e Bashkuara dhe Gjermani, përdorën termin “të pavaksinuarit e pandemisë”, duke sugjeruar se njerëzit që ishin të vaksinuar nuk janë relevantë për epideminë e virusit korona. Përdorimi i kësaj fraze nga zyrtarët mund t’i ketë shtyrë shkencëtarët të pretendojnë se “personat e pavaksinuar po i kërcënojnë të vaksinuarit për shkak të COVID-19”. Por një qasje e tillë është shumë e thjeshtë, thotë Kampf në tekstin për Lancet. “Çdo ditë e më shumë ka prova që individët e vaksinuar vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm në bartjen e virusit.

 

Në Massachusetts, SHBA, janë zbuluar në total 469 raste të reja me COVID-19 gjatë ngjarjeve të ndryshme në korrik të këtij viti, dhe 346 (74 për qind) e këtyre rasteve ishin individë të vaksinuar plotësisht ose pjesërisht, nga të cilët 274 (79 për qind), ishin simptomatike.

Vlerat e pragut të ciklit ishin po aq të ulëta midis subjekteve që ishin plotësisht të vaksinuar (mesatarja 22.8 për qind), dhe e subjekteve që ishin të pavaksinuar, të atyre që nuk janë vaksinuar plotësisht apo statusi i të cilëve ishte i panjohur (mesatarja 21.5 për qind), duke treguar një ngarkesë të lartë virale edhe midis personave që kanë qenë plotësisht të vaksinuar.

Deri më 30 prill të këtij viti, gjithsej 10,262 raste me COVID-19 ishin raportuar tek individët e vaksinuar në Shtetet e Bashkuara, ku 2,725 prej tyre (26,6 për qind) ishin asimptomatikë, 995 (9,7 për qind) të hospitalizuar e 160 (1,6) vdiqën.

Në Gjermani, 55,4 për qind e rasteve simptomatike ndaj COVID-19, ndodh te pacientët mbi 60-vjeç që janë vaksinuar plotësisht, e kjo përqindje po rritet çdo javë.

Rastet e reja në Munih ndodhën në të paktën 85 persona (22 për qind) nga 380 që ishin plotësisht të vaksinuar apo shëruar nga COVID-19, dhe që kanë filluar të frekuentojnë klubet e natës.

Personat që janë vaksinuar janë më pak të rrezikuar nga simptomat e theksuara, por akoma janë pjesë relevante e pandemisë. Për këtë është e gabuar të flitet për pandeminë e “personave të pavaksinuar”, konsideron Kampf.

Shikuar në aspektin historik, si SHBA ashtu dhe Gjermania kanë pasur përvoja të hidhura, duke stigmatizuar një pjesë të qytetarëve për shkak të ngjyrës apo besimit.

Kampf i ka bërë thirrje zyrtarëve të lartë dhe shkencëtarëve që të ndalen së stigmatizuari personat e pavaksinuar, përfshirë pacientët e tyre, kolegët dhe bashkëqytetarët e tjerë – dhe të përpiqen më shumë që të afrohen me shoqërinë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në …