H.H.HASAN EF.KADUKU – HOXHË, HAFIZ, HAXHI –  MJEK I DHËMBËVE…

Haxhi, hafiz Hasan Kaduku nga Shkodra (1865-1948), ishte një personalitet i veçantë. Ishte i biri i Ismail (Mala) Kadukut, tregtarit të njohur në pazarin e qytetit të Shkodrës, burrit të ndershëm, dijedashës dhe patriot. Djemtë e Ismail Kadikut ishin shkolluar në shkollat fetare në Stamboll, por edhe në shkolla (fakultete) tjera.  Hasani ishte vëllau i madh prej tre djemëve të Ismail Kadukut. .

Hasani që në moshë të re kishte shkuar në Stamboll për shkollim dhe ishte vendosur te daja i tij Fetah Lini. Atje merrte mësime nga dijetarë të kohës dhe nisi ta mësojë Kur’anin përmendësh (për t’u bërë hafiz). Por, me qenë se i kishin rënë dhëmbët e parë, nuk mund t’i shqiptonte si duhet fjalët arabe sipas ‘texhvitit’, që kërkojnë shqiptim shumë të pastër e të qartë. Nga dashuria për  mësimin, vendosë që paralelisht me mësimet t’i rregullojë dhëmbët. Gjatë kohës së rregullimit të dhëmbëve, i hyri dëshira të mësonte diçka më shumë për profesionin e dentistit. E lutë dentistin t’ia mundësojë të punojë tek ai, për të mësuar zanatin. Dentisti i thotë se nuk ka nevojë për ‘shegërt’, por Hasani i thotë: ‘Ti nuk ke nevojë për mua, por unë kam nevojë për ty, prandaj jam i gatshëm të ta paguajë rrogën, vetëm që të mësoj zanatin’. Pasi e mëson zanatin aty, vazhdon praktikën te një dentist i famshëm, Halid Shenazi – beu, e më pas edhe te profesori armen, Dionizi.

Pasi kryen shkollimin fetar dhe për tri vjet arrinë titullin ‘hafiz’ dhe siguron edhe lejen e ushtrimit të profesionit të dentistit, këthehet në vendlindjen e tij, në Shkodër. Blenë mjete të nevojshme për një klinikë portative të dentistit, shkonte nëpër shtëpi të atyre që kishin nevojë për ndreqjen e dhëmbëve.

Pasi punoi disa vjet dhe fitoi një përvojë si dentist, në moshë rreth 40-vjeçare shkon e regjistrohet në Fakultetin e Stomatologjisë në Universitetin e Stambollit, ku studimet zgjasnin tri vjet, por duke ia njohur praktikën dhe përvojën e fituar, këtij i bëhen favore dhe i mundësohet t’i kryejë studimet për dy vjet.  Në Fakultet njihej si një nga studentët më të përparuar . Në vitin 1908  diplomohet në Fakultet dhe këthehet në Shkodër si  i vetmi mjek i dhëmbëve me diplomë universiteti, jo vetëm në Shkodër por në gjithë Shqipërinë, duke vu bazat e shërbimit stomatologjik modern në qytetin e tij, ku kishte hapur klinikën moderne stomatologjike, me mjete të blera nga Anglia.  Pas pensionimit, zanatin e stomatologut ia la edhe të birit, Hakiut, i cili pasi kreu gjimnazin në Austri dhe fakultetin e stomatologjisë në Stamboll, u këthye në Shkodër, ku punonte me të atin, e pas pensionimit të të atit, Hakiu e vazhdoi punën dhe zgjeroi klinikën dentare. 

Në Shkodër asokohe kishte pesë konsullata të hueja, kështu që shërbimet e shërimit të dhëmbëve personeli i tyre i kryenin te Hasan Kaduku. 

Kultura e Dr Hasan ef.Kudukut, bënte që në klinikën e tij të shkonin për shërimin e dhëmbëve  njerëz të njohur, përveç konsujve, edhe klerikë të njohur të Shkodrës e rrethinës, ndër të cilët ishin edhe Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Anton Harapi etj.  Revista ‘’Elçija e Zemrës së Krishtit’’ (dhjetor 1906), kishte botuar një njoftim  lavdërues për Klinikën dentare të Hasan Kadukut. Ndërkaq, poeti ynë i madh, Fishta i kishte kushtuar këto vargje:

‘’Asnjëherë s’jam përkulë,

As prej shkjaut e as prej turkut,

Por rri urt e bëhëm pulë

Te karrig-ja e Kadukut’’.

Doktor Hasan ef.Kaduku përveç gjuhës amtare, shqipe, zotëronte arabishten, turqishten  e frëngjishten. 

Ishte mjeku-stomatologu i parë në Shqipëri që përdori floririn për mbushjen ose veshjen e dhëmbëve.. Me zotësinë e një dentisti të afirmuar, tërhoqi klientelën nga gjithë Shqipëria dhe Mali Zi. Atëherë praktikohej që mjeku, pra edhe dentisti, të shkonte edhe nëpër shtëpi të klientëve, ku e ftonin, kështu që Dr.Hasan Kaduku shpesh bënte vizita në qytete e fshatra, madje edhe në Mal të Zi. Ai i ftonte klientët t’i ndreqin dhëmbët, të vejnë proteza e paratë t’i paguanin pasi t’i provonin dhe të mbeteshin të kënaqur me shërbimet që u bënte. 

Dr hafiz Hasan Kaduku në vitin 1936 ishte për një pushim në fshatin turistik të Thethit. I mahnitur me bukurinë e fshatit, bëri një vepër humanitare, duke financuar ndërtimin e një depozite uji, hapur kanale në drejtim të tri kullave kryesore dhe në disa shtëpi të fshatit.  Ai rezervoar i ujit quhej ‘Kroni i Kadukut’. Sa qëndroi në Theth, mblidhte bimë mjekuese për shërimin e sëmundjeve të ndryshme. Dr Frederik Shiroka e quante Dr hafiz Hasan Kadukun – ‘Legjendë e stomatologjisë shqiptare’.

Në kohën e rrethimit të Shkodrës nga Mali Zi (1912-1913), hafiz Hasan Kaduku ishte në radhët e vullnetarëve për mbrojtën e Atdheut.

Klinikën e famshme dentare të Dr.hafiz Hasan Kadukut, e sekuestroi ‘pushteti popullor’ në vitin 1948, ndërsa mjetet e asaj klinike i shpërndau në klinikat shtetërore në Shkodër, Tiranë e gjetkë. 

Dr.Hasan Kaduku, ndonëse ishte shkolluar edhe për çështje të fesë, kishte arritur gradën hafiz, kishte kryer haxhin (1936), ai fenë e mbante për vete, ndërsa për popullin kryente shërbime dentare e shërbime tjera shëndetësore e humanitare. Njerëzit e tillë meritojnë respektin dhe kujtimin e përhershëm.    

(Zgjodhi nga ‘100 Personalitetete Shqiptare të Kulturës Islame’ dhe  përgatiti,  Adil Fetahu.)

Kontrolloni gjithashtu

Ragip Gjoka: Fadil Gjoka, 1967-1994

Ragip Gjoka: Fadil Gjoka, 1967-1994

“Më mirë i vdekur se sa kështu siç jemi katandisur”.  Fadil Gjoka u lind më …