Halil Ibrahimi: Perëndimi dhe myslimanët: një këndvështrim retrospektiv pas Charlie Hebdo

Qasja e Perëndimit ndaj Lindjes: imponimi i një konteksti tjetër historik


 


Pas sulmit në Charlie Hebdo ndodhi diçka që nuk ka ndodhur prej dekadash: myslimanë të të gjitha grupimeve dhe ideologjive fetare e sociale u bënë një gojë në  kritikën e standardeve të dyfishta Perëndimore rreth fjalës së lirë, ofendimit të sakrilegjeve fetare dhe filozofisë post kolonialiste ndaj myslimanëve. Si rrallë herë më parë edhe sunitë edhe shiat, edhe liberalët edhe konservatorët, edhe të moderuarit edhe radikalët u morën me hipokrizinë e militantizmit Perëndimor për shenjtërinë e fjalës së lirë. Bile edhe ahmeditë, grupi i vogël fetar pacifist, të cilët në Pakistan dhe gjetiu midis myslimanëve janë skajmërisht të përndjekur, u gjetën bashkë me sulmuesit e tyre radikalë në këtë valë demaskimesh ndaj selektivitetit Perëndimor në trajtimin e myslimanëve. Kjo na bën të ditur se alarmi është ndezur: diçka me të vërtetë është duke ndodhur në marrëdhëniet midis Perëndimit dhe myslimanëve! Mbase kupa është mbushur!


 


Insistimi Perëndimor që rasti i Charlie Hebdo të paraqitet si sulm ndaj fjalës së lirë, duke e potencuar këtu si një problem kryesor relacionin pezhorativ të myslimanëve me sekularizmin e fjalën e lirë, pa hyrë në prapavijën e selektivitetit të kësaj lirie të shprehjes dhe historinë e ndryshme të sekularizmit në Perëndim dhe Lindjen myslimane, është hipokrit dhe vetëm sa do të prodhojë edhe më shumë inspirim për dhunë. Divergjencat midis civilizimit mysliman dhe atij Perëndimor në këtë mënyrë vetëm sa do të thellohen dhe si të tilla do të reflektohen edhe në më shumë dhunë, trazira sociale dhe moskomunikim . Për civilizimin Perëndimor që në boshtin e tij kryesor sot e ka të proklamuar demokracinë, liberalizmin dhe të drejtat e njeriut, problemi kryesor i proklamuar në raport me civilizimin mysliman është thënë të jetë vrazhdësia dhe mostoleranca e myslimanëve karshi sekularizmit. Sipas Samuel Hentington dhe studiuesve të tjerë Perëndimorë, civilizimi Perëndimor është unik me vlerat e tij liberale dhe sekularizmin e inkorporuar sepse është bazuar në Krishterim i cili që nga fillimi e kishte të ndarë Cezarin nga Perëndia, përkundër civilizimit Lindor dhe veçanërisht atij mysliman i cili e ka të vështirë ti përqafojë liberalizmin, tolerancën dhe të drejtën universale për shkak të një mangësie teologjike të Islamit në ndarjen e etnosit fetar nga organizimi social e shtetëror. Siç është vërejtur edhe nga shumë studiues Perëndimorë por edhe Lindorë, kjo është tërësisht e pasaktë vështruar në kontekstin qindra vjeçar të organizmit të shoqërive Perëndimore dhe atyre myslimane. Sekularizmi liberal i të drejtave universale në Perëndim është një krijesë sociale jo më shumë se 200 vjeçare dhe para kësaj Perëndimi i krishterë i kishte të bashkëdyzuar edhe Cezarin edhe Hyjnoren, bile në një mori rastesh në forma nga më të dhunshmet dhe jotolerantet. Produktet e derivuara nga kjo përzierje e Krishterimit në jetën publike si kryqëzatat, rezistenca qindravjeçare ndaj shkencës, kolonializmi dhe lufta ndaj të drejtave sociale e jofetare janë të regjistruara mirë që nga Franca deri në Afrikë.


Më tepër se kaq, sekularizmi me liberalizmin e të drejtave të njeriut në Perëndim ka lindur pikë së pari si rezultat i një procesi të gjatë të diskutimit intelektual dhe si përgjigje masive ndaj shtypjes sociale nga pushteti fetaro-politik i krishterë joliberal. Mbase këtu edhe duhet kërkuar arsyeja se pse Perëndimi sot është shumë më dorëlirë në përqeshjen e fesë (përfshirë Krishterimin) se sa në satirizimin apo ofendimin e ngjarjeve që ndërlidhen me dështimet e civilizimit sekular perëndimor të kohës së re siç është holokausti bie fjala. Në këtë mënyrë në civilizimin Perëndimor sekularizmi liberal është kthyer në të shenjtën moderne, kurse fetaria e dikurshme në të gjykuarën e përjetshme për tu kritikuar. Në Lindjen myslimane ka ndodhur krejt e kundërta. Në të kaluarën, ky civilizim islam ku feja dhe shteti jetonin politikisht në bashkësi ishte tolerant ndaj pakicave, prurjeve kulturore, dallimeve fetare dhe ekonomikisht imponues në barazimin midis ekstremeve. Bagdadi i 30% hebrenjve ka mundur të mbijetojë vetëm në të kaluarën ku shteti dhe feja nuk kishin ndarje kurse në Irakun sekular të pas Luftës së Dytë Botërore, përfshirë edhe periudhën e tanishme, nuk tolerohen të ndryshmet as edhe midis vetë popullatës shumicë. Natyrisht se e kaluara tolerante e civilizimit Islam nuk është pa shembuj të këqij përjashtues por përgjithësisht popujt myslimanë në Lindje nuk e kanë në vetëdijen e tyre historike të kaluarën e dhunshme dhe stagnuese të fesë. Përveç kësaj, sekularizmi tek myslimanët gjatë shekullit të njëzetë u përcoll me shembuj të këqij shtypës kolonialistë dhe për më shumë se kaq edhe pas përfundimit të kolonializmit gjatë tërë shekullit u vazhdua me despotizëm, dhunë sociale e padrejtësi ekonomike që nga Egjipti, Tunizia, Libia, Iraku e Irani në këto sisteme sekulare të mbjella këtu nga Perëndimi. Në kujtesën e këtyre popujve liberalizmi, barazia ekonomike dhe drejtësia sociale ishin të ndërlidhura me të kaluarën ku feja dhe shteti nuk kishin përçarje, përkundër antipodit modern të sekularizmit lindor. Pikërisht për këtë arsye pushteti i Shahut në Iran, Mubarakut në Egjipt, Benalisë në Tuniz, bile edhe rilindja politike në Turqi apo edhe bërthamat e  një rezistence sociale në Arabinë Sauditë u sfiduan apo lindën në një retorikë ku feja është pjesë përbërëse e ndryshimeve të kërkuara. Mbase përkundër rastit të Perëndimit, këtu duhet kërkuar arsyen e ndjeshmërisë më të madhe të myslimanëve ndaj satirizimit dhe pezhoratizimit të fesë.


 


 


Selektiviteti i drejtësisë dhe fjalës së lirë


 


Përveç kësaj, qasja postkolonialiste e Perëndimit ndaj myslimanëve ka qenë definitivisht nënshtruese, imponuese dhe aspak në linjë me vlerat e brendshme të demokracive dhe të drejtave të njeriut. Shtetet e Bashkaura të Amerikës por edhe shumë vende të tjera Perëndimore nuk i trajtojnë njësoj të burgosurit brenda shtetit sikur që i trajtojnë të burgosurit (myslimanë) jashtë shtetit. Të parët kanë të drejtë ta përmbysin shtetin në sistemet e drejtësisë, të dytët përveç që çnjerëzisht dhunohen edhe nuk kanë të drejtë as të iniciojnë drejtësi. Në organizimin e brendshëm shtetëror për Perëndimin demokracia është shenjtëri e padiskutueshme, kurse në trajtimin e vendeve myslimane protestat demokratike për rrëzimin e diktatorit të Egjiptit për shembull u përcollën me frazeologji kundërshtuese nga presidenti Obama. Perëndimi i brendshëm i demokracisë liberale, të drejtave universale dhe sekularizmit jodiskriminues nuk ka qenë dhe nuk është as edhe sot i tillë ndaj shteteve myslimane. Palestina është kthyer në një dogmë fetare midis myslimanëve dhe Perëndimit pikërisht për shkak të këtij trajtimi jo të drejtë që Perëndimi u bën atje myslimanëve sot duke ua bllokuar ndërkombëtarisht të gjitha kërkesat për vënien e drejtësisë, pa përmendur ndihmën direkte që ia bën Izraelit në reprezalje. Kjo padrejtësi postkolonialiste e supremacisë Perëndimore ndaj myslimanëve, që edhe ekonomikisht e socialisht sot janë më inferiorë, po e kultivon në pafundësi procesin e përplasjes midis myslimanëve dhe Perëndimit duke prodhuar njerëz që përveç frustrimit nuk kanë mjet tjetër të ndeshjes. Al Kaida, ISIS-i, dhe shumë raste të dhunës në Lindje e Perëndim janë monstrume të këtij kontakti jo të shëndoshë që Perëndimi prej shekujsh zhvillon me Lindjen.


 


Terrorizmi dhe dhuna nuk janë ekskluzivitet mysliman, por në masë shumë më të madhe gjatë historisë e edhe sot kryhen edhe nga hebrenjtë, ateistët e edhe nga të krishterët bie fjala. Milicitë Anti-balaka në Republikën Qendrore Afrikane, Armata e Perëndisë për Rezistencë, pastaj Fronti Nacional për çlirimin e Tripurës, Grupi Nagalandi për Krishtin, Bodu Bala Sena e shumë të tjera gjithandej Afrikës e Azisë janë grupe fetare të krishtera ose budiste të cilat implikojnë dhunë, krime, vrasje e përndjekje në emër të Krishtit apo Budës, shpeshherë duke i targetuar në veçanti myslimanët. Sipas statistikave evropiane dhe amerikane më shumë se 95% e sulmeve terroriste në Perëndim gjatë viteve të fundit janë kryer në emër të krishterimit, judaizmit, komunizmit, supremacisë raciste, antiabortit, antiemigracionit etj. dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me Islamin dhe myslimanët. Retorika antiterroriste kundër myslimanëve është e sforcuar, aspak proporcionale dhe në shërbim të mbajtjes gjallë të një armiku për përfitime ekonomike dhe politike pas rënies së bllokut komunist. Ajo që nuk thuhet gati askund është se viktimat më të mëdha të sulmeve terroriste të kryera nga grupe nominale myslimane janë vetë myslimanët, edhe si numër edhe në kontekstin social. Përderisa media dhe politika Evropiane nuk ka guxim që të satirizojë ‘shenjtëritë’ e Perëndimit si psh holokaustin, hebrenjtë apo aristokracinë politiko-religjioze dhe të shfaqë proporcionalisht rastet e ndodhura të dhunës nëpër botë në emër të Krishterimit, Judaizmit, Ateizmit, Sekularizmit, Budizmit etj, gjithmonë do të prodhohen njerëz të frustruar që ia mësyjnë më të keqes.


 


Gati askush nuk e ka vërejtur se për myslimanët kjo qasje jo e drejtë që Perëndimi ua bën atyre (qoftë në vendet ku ata janë shumicë, qoftë në vendet Perëndimore ku ata janë pakicë) dhe sakrilegjizimi i një standardi jouniversal të mitit për fjalën e lirë dhe liberalizmin Perëndimor po ua gllabëron myslimanëve të arsyeshëm terrenin e të luftuarit të interpretimit rigid dhe retrospektiv të fesë në rastin e blasfemisë por edhe të qasjes ndaj jetës së sotme në përgjithësi. Në këtë mënyrë Perëndimi në një farë mënyre po e ngulfat terrenin e interpretimit të moderuar për Islamin dhe me apo pa vetëdije po i fuqizon idetë radikale midis myslimanëve. Aparatet e dhunshme në shtetet myslimane, të instaluara shpeshherë  edhe nga vetë Perëndimi, me qëllim e kanë elektrizuar masën e gjerë me karikaturat dhe sindromën e ofendimit fetar për të larguar vëmendjen nga problemet e vërteta sociale dhe për të nxjerrë veten si mbrojtësit e shenjtërisë më pastaj. Salman Rushdie për shembull nga një shkrimtar nën mesatare u bë i famshëm sepse në vitin 1988 sistemit shtetëror të Iranit i nevojitej një armik i jashtëm për të tërhequr vëmendjen nga brishtësia e sistemit të ri Islamik. Në një mori rastesh karikaturat në Danimarkë, Francë e gjetiu në Evropë i shërbyen Paksitanit dhe Arabisë Saudite për shembull për ti shpëtuar regjimet në vitet e vështira kritike në periudhën 2010-2014. Bile pas rastit të fundit Charlie Hebdo, Arabia Saudite u imponua edhe si mbrojtësja ekskluzive e shenjtërisë së myslimanëve duke premtuar se do ta ndjekë ligjërisht revistën në sistemin e drejtësisë Evropiane. Këto sisteme despotike të Lindjes të përkrahura nga Perëndimi e kanë kthyer në histeri masive çështjen e blasfemisë ndaj Profetit Muhamed dhe Islamit, vetëm për interesa të ngushta klanore. Duke dhunuar çdo relativizëm dhe kundërshti fetare, sociale e ekonomike është imponuar një mishmash i dhunshëm i pseudofetarisë i cili krijon të famshëm nga periferitë e intelektualisë dhe artit në botë për hir të retorikës që e mban popullin larg problemeve të vërteta. Sado anakronike që mund të duket, siç e ka vërejtur mendimtari mysliman Ziaudin Sardari, ligjet moderne të blasfemisë në shumicën e vendeve myslimane janë introduktuar nga fuqitë perëndimore gjatë kohës së kolonializmit për të mbajtur njëfarë ndasie e paqeje midis komuniteteve fetare dhe për të siguruar kështu pushtetin kolonialist. Këto ligje të blasfemisë më vonë u perfeksionuan me të njëjtat qëllime nga pushtetet e shteteve myslimane që e kishin përkrahjen e Perëndimit. 


 


E tërë kjo nuk e relativizon problemin që shoqëritë muslimane e kanë sot në trajtimin e modernizmit dhe rrjedhimisht edhe sekularizmit, por kjo fushë e problemeve është nganjëherë gati dytësore karshi problemit të marrëdhënieve të pabarabarta që Perëndimi zhvillon me myslimanët dhe bile ngulfatja teologjike tek myslimanët sot në këtë trajtesë derivon pikërisht nga kjo e dyta. Në shtetet myslimane nuk është as për së afërmi në të parë zhvillimi i një klase të re teologësh të cilët do të dalin mbi sistemet despotike dhe lirshëm do ta kompaktësojnë botën myslimane me rrethanat e tanishme. Klasa e vogël e intelektualëve apo dhe teologëve që janë në linjë me reinterpretimin e marrëdhënieve të myslimanëve me modernitetin nuk ka mundur të mbijetojë në Lindje dhe bëhet e gjallë pjesërisht vetëm nga Perëndimi. Por me tu zhvendosur në Perëndim kjo përpjekje e ka humbur kontekstualitetin dhe është bërë një përpjekje gati vetëm Perëndimore duke e larguar Lindjen myslimane edhe më tej nga ndryshimet. Zhargoni i veprimtarive politike të Perëndimit karshi vendeve myslimane e stimulon luftën ndaj këtyre mendimtarëve të moderuar myslimanë.


 


Perëndimi dhe Lindja: rruga e shëndoshë drejt së ardhmes


 


Të nesërmen e rastit tragjik Charlie Hebdo, u hodhën granata, u dogjën dhe u sulmuan një numër i konsiderueshëm i xhamive në Francë, Suedi dhe nëpër Evropë por këto lajme nuk u pasuan me kurrfarë thirrjeje për distancim, me kurrfarë apatie dhe militantizmi mediatik kundër tyre. Njëra prej këtyre granatave mund të kishte vrarë me dhjetëra besimtarë të pafajshëm myslimanë dhe vetë fakti se më e keqja nuk ndodhi nuk na shfajëson nga të marrurit seriozisht me këto sulme dhe këta sulmues. Këto prapë dëshmojnë se dhuna nuk është ekskluzivitet mysliman.


 


Sikur në heshtje këto sulme u arsyetuan me faktin se ishin përgjigje ndaj një ndodhie shumë tragjike të terrorizmit. Mirëpo në arsyeshmërinë e grupeve radikale me retorikë islamike edhe sulmet terroriste si ai në Charlie Hebdo apo cilido sulm tjetër në Perëndim janë vetëm përgjigje në dhunën postkoloniale të Perëndimit në botën myslimane. Ky rreth vicioz i gjetjes së fajtorit primordial nuk qon askund dhe rrjedhimisht, Charlie Hebdo, 9/11, Breiviku, sulmet ndaj myslimanëve në Perëndim etj. nuk janë boshti i tematikave që ka prodhuar problemet. Ajo që duhet bërë me urgjencë është ndryshimi i qasjes së Perëndimit karshi pjesës tjetër të botës. Perëndimi duhet të favorizojë, ose të paktën vetëm lejojë, mbizotërimet e vlerave moderne të ndarjes së pushteteve, nocionet e institucioneve demokratike dhe të drejtave të njeriut edhe në pjesët e tjera të botës njashtu si i favorizon në këndin e vet të botës, dhe të pushojë së përkrahuri despotët Lindorë për interesa ekonomike dhe politike. Kolonializmi dhe zaptimi i mendjes nëpërmjet formave të ndryshme ekonomike, sociale e globaliste që Perëndimi e realizon karshi myslimanëve Lindorë prej shekujsh duhet të marrë fund.


 Kjo mbase do ti bëjë rrugë mbizotërimit të forcave të arsyeshme të riinterpretimit të rolit të fesë në shoqëritë myslimane. Lindja myslimane në anën tjetër duhet më në fund të kuptojë se përveç rragëve të rënda që kolonializmi Perëndimor ka shkaktuar në rrugëtimin e saj drejt modernitetit, problem tërësisht madhor është edhe trajtimi me urgjencë i vetë mënyrës së të kuptuarit të fesë në kohët e sotme: blasfemia dhe apostazia, të kuptuarit dhe lexuarit e shkrimeve të shenjta jashtë kontekstit kohor, liria e të shprehurit (jo e ofendimit) dhe vepruarit, klerikalizmi modern në Islam, perspektiva ekonomike dhe relacioni me fenë, trajtimi i ateistëve dhe bashkësive të tjera fetare, skllavëria moderne e mbështetur me trajtesa fetare e shumë tema të tjera. Shprehur në termet e sotme pezhorative Perëndimi duhet të pushojë së qeni Lindor në trajtimin e të tjerëve, kurse Lindja duhet të jetë më tepër vetvetja e saj e kaluar në trajtimin e Perëndimit dhe vetvetes sot.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …