leoni

Haradinaj: Nuk na ndihmoi Policia për gazin lotsjellës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kundërshtuar pretendimin e kryekuvendarit, Kadri Veseli se gjoja shefi i sigurimit të Kuvendit ka ndihmuar deputetët opozitarë për futjen e gazit lotsjellës. Sipas Haradinajt, opozita gjatë tërë kohës kërkon mbështetje nga populli, por kësaj radhe nuk kanë pasur ndihmë nga Policia. Këto komente, kreu i AAK-së i bëri gjatë një konference ku u njoftua për aderimin e disa të rinjve në këtë parti. Sipas Haradinajt, këto prurje të reja fuqizojnë veprimet e opozitës.


 


 


 


 


16. 12. 2015


 


Kandidati republikan për kryetar të Amerikës, Donald Trump, e ka mbrojtur qëndrimin për ndalesën e hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, gjatë një debati me kandidatët e tjerë republikanë. I kritikuar për deklarata të tilla raciste Trump është përgjegjur duke theksuar se kandidatura presidenciale e Bushit ishte katastrofë totale. Ai sërish  e ka mbrojtur planin e tij për ta ndalur hyrjen e imigrantëve myslimanë, duke insistuar se nuk ka për qëllim që ato të jenë masa diskriminuese. “Ne nuk flasim për izolim, ne flasim për siguri”, tha ai duke shtuar se propozimi i tij, ishte lajm kryesor në gjithë botën javën e kaluar, dhe ai   lajm ka hapur një diskutim shumë të madh, i cili është dashur të hapet.


 


Pas konstatimit të Këshillit të BE-së se Kosova në implementimin e kritereve, nuk ka marrë një rekomandim pozitiv sa i takon liberalizimit të vizave ka reaguar edhe  Shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi.  “Vasaliteti i politikanëve të korruptuar dhe të shantazhuar, përveç dëmeve nuk sjellë asgjë të mirë për vendin. Kështu ndodhi edhe me vizat e premtuara moti. Kosova pranoi shumëçka në dëm të vetin, deri në rrezikun për defunksionalizim. Por, Kosova nuk pranoi ta përmbushë kriterin kryesor: luftimin e krimit dhe të korrupsionit. Tash, zëvendësi i Isës, Hashim Thaçi, me tone të dështuara provon t’i fajësojë të tjerët për dështimin e radhës.


 


Gjykata e Prishtinës i ka shqiptuar  deputetit të AAK-së,  Pal Lekaj masën e arrestit shtëpiak prej një muaj, ndërsa për deputetët tjerë të arrestuar gjatë ditës së djeshme ka caktuar masën e paraqitjes në polici dy herë në javë gjatë tridhjetë ditëve të ardhshme. Glauk Konjufca tha se ky vendim është i padrejtë dhe se policia dje nuk ka treguar asnjë dokument për urdhërarrest dhe vetëm i kanë marrë dhe i kanë shoqëruar në polici.


Se a do të marrë pjesë më në seanca, Konjufca tha se nuk do të tregojë se çka do të bëjë, për shkak se këto do të mund t’i përdorte policia kundër tij.


 


Edhe deputetës tjetër të Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Në seancën e mbajtur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, u kërkua shqiptimi i masës së paraburgimit prej 30 ditësh, kërkesë e cila u pranua nga gjyqtari i rastit. Deputetja, Albulena Haxhiu ishte arrestuar gjatë kohës sa po shkonte në një tubim partiak në Gjilan.


 


Vendimi i Gjykatës së Apelit në Shkup, që konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm për 6 shqiptarët e dënuar për terrorizëm, ka shkaktuar revoltë të madhe te familjarët e të dënuarve. Bedri Hajdari, i cili ka në burg vëllain dhe dy nipa, nuk përjashton as hakmarrjen, nëse nuk zbardhet e vërteta për të afërmit e tij, për të cilët thotë se nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen e 5 maqedonasve në vitin 2012. “Nuk do ta lëmë me kaq këtë rast, duhet ta kenë parasysh edhe hakmarrjen, sepse nuk është diçka që falet. Porosia është për të gjithë, maqedonasit e dinë, por edhe shqiptarët le ta kenë parasysh se, nuk do të mund të na shesin ‘mish për top’”, tha Bedri Ajdari, familjar i dy të dënuarve në këtë rast .


 


Avokati Naser Raufi, i cili mbron disa nga shqiptarët e dënuar në një gjykim për vrasjen e 6 sllavomaqedonëve nuk i beson Gjykatës së Apelit, për të cilën thotë se është nën ndikimin e Prokurorisë publike. Ai ka kërkuar, që vrasja  të hetohet nga Prokuroria Speciale dhe i ka bërë thirrje kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, t’ia dorëzojë këtij institucioni provat për këtë rast, që posedon nga skandali i përgjimeve. Në të kundërtën, Raufi ka paralajmëruar se do të kërkojë përgjegjësi penale nga Zaevi, i cili ka deklaruar disa herë se posedon prova, që dëshmojnë se rasti “Monstra” është i montuar nga pushteti, por që nuk i ka publikuar dhe nuk i ka dorëzuar në Prokurori.


 


 


Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi ka shprehur ‘zhgënjimin’ për vendimin e Këshillit Evropian për mos-liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. “Për mua është marrëzi nga ana e BE-së, që të mbajë të izoluar kosovarët. Këto vonesa absurde dhe të qëllimshme, jo vetëm që nxisin ekstremizmin në vend, por e rrisin edhe frustrimin tek qytetarët e Kosovës. Për më tepër, kjo qasje e BE-së është duke rrezikuar të gjitha proceset e rëndësishme në vend, përfshirë edhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbatimin e marrëveshjeve dhe arritjen e marrëveshjeve të reja”, thuhet në reagimin e zëvendëskryeministrit, Hashim Thaçi. Ai, në vijim, i ka dëshiruar fat BE-së, duke irnonizuar me vendimin për liberalizimin e vizave për Kolumbinë dhe Ukrainën.


 


Ka kohë që liberalizimi i vizave është shndërruar në doktrinë të politikës së jashtme të Kosovës. Mungesa e vizionit për mbarësinë e vendit, duke u përqendruar në ekonominë prodhuese, është kompensuar me përpjekje të sforcuara për ‘rrugën evropiane’ të Kosovës, sintagmë kjo që përsëritet thuajse në mënyrë rituale nga krerët drejtues të shtetit. Këmbëngulja për liberalizim të vizave, ndërlidhet me jetëgjatësinë e elitave të korruptuara politike në koketimet e tyre me Brukselin. Në mungesë të krijimit të vendeve të reja të punës, elitat politike në Kosovë e Shqipëri e shohin liberalizimin e vizave si një mënyrë për të shkarkuar pakënaqësitë sociale gjithnjë e në rritje, duke nxitur migrimin e të rinjve. Të njëjtat elita politike asnjëherë nuk e sipërfaqin anën tjetër të medaljes: faktin që integrimi në BE nuk sjell domosdo zhvillim. Shembujt që ofrojnë shtetet fqinje të sapo anëtarësuara në BE, nuk problematizohen asnjëherë. Ekonomitë e brishta të vendeve të Evropës Lindore e Jug-Lindore, po vërshohen nga hegjemonia e shteteve të forta të BE-së, sidomos ekonomisë gjermane e cila po i përthith resurset njerëzore të Evropës.


 


Tri partitë e opozitës së bashkuar: Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë thirrur për sot protestë në Pejë. Protesta e sotme kundër marrëveshjeve për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi, vjen pas atyre të javës së kaluar në Gjakovë dhe Gjilan, ndërsa do të pasohet nga protesta e ditës  enjtes në Malishevë dhe të shtunën në Prizren. Protesta në Pejë do të mbahet në sheshin kryesor të qytetit, duke filluar në orën 12:00.

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …