Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar ndaj sqarimit të KFOR-it lidhur me hyrjen e xhandarmërisë së Serbisë brenda territorit të Kosovës për të cilën kishte thënë se është një patrullim i sinkronizuar. Lidhur me këtë shpjegim të KFOR-it, shefja e diplomacisë së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka shkruar se patrullimi i sinkronizuar nënkupton që secila forcë ushtarake vepron brenda territorit të vet dhe nuk e kalon kufirin. Palët dakordohen të lëvizin përgjatë vijës kufitare, dhe në kohë të caktuar e njoftojnë njëra tjetrën për atë se çka kanë hasë në terrenin e tyre gjatë patrullimit të sinkronizuar. “Popullit të shqetësuar duhet t’i sqarohet se a e ka shkelur Serbia marrëveshjen me NATO-n që ka hyrë 300m brenda territorit të Kosovës, apo këtë e ka bërë me aprovimin paraprak! Terrorizimi i popullit shqiptar të fshatit kufitar me Serbinë, përmes defilesë së uniformës serbe dhe rikujtimit të krimeve gjenocidale të Serbisë në Kosovë, nuk e ndihmon normalizimin e marrëdhënieve, pajtimin, e as vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Uniforma ushtarake e policore serbe në territorin e Kosovës serbe hapë plagët e krimeve të pandëshkuara, dhe traumat e luftës së vitit 1999”, ka shkruar në mes tjerash ministrja, Meliza Haradinaj-Stublla.
Kontrolloni gjithashtu
Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës në Kosovë kanë theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë
Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës në Kosovë kanë theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet …