leoni

Hazis Gjergji: Vrasja e heroit Qemal Stafa sipas thashethemeve

Hazis Gjergji: Vrasja e heroit Qemal Stafa sipas thashethemeve

Hazis Gjergji - Profil
Hazis Gjergji

Me shpresën se Akademia e Shkencave e Shqipërisë i kishte hedhur në internet mbi 7250 zëra, ndër të cilët mbi 2360 zëra persona, të botuar në vitet 2008-2009, në  tre vëllime në përbërje të “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”(FESH), u mundova të gjej zërin e martirit të rezistencës antifashiste të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, Qemal Stafa. Por në vend të zërave të hartuar nga dy breza historianësh e punonjës  të tjerë shkencorë, hartuesi anonym i zërit “Qemal Stafa” në https://sq.wikipedia.org/wiki/Qemal_Stafa, shkruan:

“Kandidati për Sekretar të Përgjithshëm të PKSH-së, Qemal Stafa qëndronte në shtëpinë e Bije Vokshit në Tiranë. Më 4 maj 1942 u largua nga kjo shtepi, sepse atje shkoi Enver Hoxha, i cili e njoftoi se duhej të shkonte në një bazë më të sigurt. Të nesërmen e kësaj dite më 5 maj 1942 karabinieria shkoi në shtëpinë e marrë me qira nga Beqir Minxhozi, në atë kohë punonjës i Bankës Kombëtare të Punës.”

Por edhe vetë Enver Hoxha në kujtimet e tij “Kur Lindi Partia” (1981), në përpjekje për t’i dalë në “mbrojtje” Qemalit, sajon një skenë të rreme, ku në vend që të vërë vetulla, ka nxjerrë sytë:

Enver Hoxha: (www.enver-hoxha.net/…/librat-kur_lindi_partia-6.htm)

“Dita e fundit e pjekjes time me Qemalin ishte më 4 maj. U poqëm në bazën Nr. 66, në Rrugën e Shëngjergjit, në shtëpinë e Hysen Dashit… Me Qemalin ndenjëm tërë ditën brenda në dhomë dhe punuam. Unë po përgatitja një leksion për Ushtrinë e Kuqe, Qemali përgatitej se te nesërmen, në mëngjes, duke gdhirë 5 maj, do të nisej për në Vlorë. Ramë e fjetëm afër njëri-tjetrit, në një minder të mbuluar me batanije. Në mëngjes u përqafuam dhe u ndamë. Ai u nis për në Vlorë, unë për një mbledhje me shokë…”

Së pari, sipas dokumenteve, militanti i shquar komunist, ish-pjestari i Çetës Antifashiste të Pezës, Qemal Stafa, nuk rezulton gjëkundi si “kandidat për Sekretar të Përgjithshëm të PKSH”. Ai ishte anëtar i Komitetit Qendror Provizor të Partisë Komuniste Shqiptare dhe Sekretar Politik i Organizatës Antifashiste të Rinisë. Së dyti, dëshminë më bindëse se ku ka qenë Qemal Stafa një ditë përpara se të vritej e ka dhënë militantja antifashiste

Naxhije Dumi:

“Qemali ishte urdhëruar të shkonte në Vlorë. Deri atëhere ai banonte në shtëpinë time, në rrugën e “Shëngjergjit”, Nr. 44. Para se të nisej, e fejuara e tij, Drita Kosturi, i propozoi të shkonin në një bazë të re për t’u strehuar. Qemali m’u drejtua mua dhe më tha që të shkoja bashkë me Dritën në shtëpinë fatale, ku një ditë më pas do të vritej. Shtëpinë unë e pashë me kujdes. Ajo ishte e porsapërfunduar dhe atje nuk banonte njeri. Shtëpia nuk kishte brenda asnjë lloj orendie dhe për shumë arsye nuk më pëlqeu që Qemali të qëndronte në atë bazë. Ndaj, kur e takova, i thashë me insistim se ajo shtëpi ishte e papërshtatshme për të qenë bazë e tij, pasi ishte e pasigurt, e veçuar nga banesat e tjera të lagjes dhe ndodhej e zbuluar në mes të fushës.”(Naxhije Dumi, gazeta “Tirana Observer”, Nr. 387, 14 prill 2010, f. 14)

Shtëpia ishte marrë me qira nga miku i tyre i përbashkët, militanti antifashist Beqir Minxhozi, punonjës i Bankës Kombëtare të Punës (Banca Nacionale del Lavoro). Por në kundërshtim flagrant me dinamikën e ngjarjeve dhe pa asnje konsultim me dokumentet  e kohës, gjejmë intervistën e rreme dhe keqdashëse të Beqir Xhepës, botuar më 10 mars 2003, në “Gazetën Shqiptare” dhe cituar nga një varg gazetash të tjera.

 Beqir Xhepa:

“Nga shtëpia jonë, Qemal Stafa u largua vetëm 10 ditë para se të vritej, pasi prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, i cili ishte shok i babës sonë, Xanit, i dërgoi fjalë atij me anë të shefit të Policisë së Tiranës, Man Kukaleshit…duke i thënë që ta largonte Qemalin dhe ta niste për në Pezë, pasi shokët e tij kishin spiunuar atë në kuesturë dhe ai kërkohej me qiri. Pas kësaj baba mezi ia mbushi mëndjen Qemalit që të largohej nga shtëpia dhe ai iku e u vendos në një bazë tjetër, te shtëpa e L.D., ku edhe u rrethua dhe u vra më 5 maj 1942. Sapo mësoi për vrasjen e Qemalit, baba ynë, Xani shkoi te dyqani Flora” dhe i tha Enver Hoxhës: “Gjakun e Qemalit e kërkoj vetëm tek ty!?” Po ashtu, Vançi Bajraktari i paska thënë, Xanit se “Tani sapo u ktheva nga dyqani “Flora” ku bëra shumë debat me Enverin.”( gazetashqiptare.al/2017/11/26/historia-e-panjohur…; Roland Qafoku “100 vrasjet me te bujshme ne historine e shtetit shqiptar (1912-2017), Tiranë: West Print, 2017; gazetat “Panorama” online, dt.26.11.2017;  Fjala” online, 05.05.2020 etj.)

Sipas dokumenteve, në kohën kur Qemal Stafa u rrethua dhe u vra, Enver Hoxha kishte plot 6 muaj që nuk punonte ne dyqanin “Flora”. Ai kishte rënë në sy të fashistëve në demonstratën rinisë shkollore të 28 Tetorit 1941 në Tiranë dhe, dy ditë më pas, kur agjentët e policisë së Prefekturës së Tiranës kishin shkuar me urdhër për ta arrestuar në dyqanin “Flora”, ai kishte mundur t’i mashtronte dhe të largohej për të mos u dukur më aty. (AQSH, F. 153, V.1941, D. 103, f. 114)

Për vendin se ku ndodhej Enver Hoxha atë ditë kur u vra Qemal Stafa, militanti komunist Koço Tashko kujton:

“Në këtë çast kur luftonte Qemali andej nga Medreseja, në qendër të qytetit, fare afër Ministrive, ishin mbledhur tre veta në një dhomë në shtëpinë e vëllait tim, Alekos. Këta të tre ishin Enveri [Hoxha], Miladini [Popoviç] edhe unë. Gruaja ime bënte shërbimet e shtëpisë. Enveri dhe Miladini kishin mjaft ditë që ishin fshehur këtu si ilegalë. Shtëpia e vëllait ishte bërë qendra e Shtabit të Përgjithshëm të Partisë sonë. Për të qenë më të lirë, Alekon e kishin dërguar të banonte te vëllai tjetër imi, te Gaqoja, i cili kishte shkuar familjarisht në Elbasan për pushime…

Dikush troket shumë fort te dera e oborrit. Unë vajta në katin lart të shihja nga ballkoni, në se kish shumë njerëz në rrugë. Pasi sigurohem, i them Pavlinës të hapë derën. Hyn Kristo Themelkoja me nxitim.

“Koçoja është brenda?” – pyet ai.

“Po,” përgjigjet Pavlina.
“Tjetër kush është?” – pyet Kristoja.
“Po hyrë, janë ata [Miladini dhe Enveri],” – i thotë Pavlina.
Kristoja hyn duke ngulçuar.  “Ç’ka ngjarë?” – pyet Miladini [Popoviç].
“Vij nga një përpjekje me armë me milicinë fashiste, për çudi shpëtova, po kam frikë se mos është vrarë ose kapur Qemali!” – thotë ai.
Mbasi u qetësua pak, Kristoja na e tregoi me hollësi të gjithë ngjarjen. Shokët më thanë të dal jashtë e të mësoj për fatin e Qemalit… Pyeta njërin, pyeta tjetrin e më në fund u sigurova: Qemali ishte vrarë.” (gazeta “Shqiptarja.com,” 21-22.11.2014)

Në lidhje me akuzat e ngritura ndaj Enver Hoxhës, në vitin 1994, gazetari Apostol Duka mori dëshmitë e dy miqve më të ngushtë të Qemal Stafës, Gjystina Satës dhe Ymer Dishnicës. Pyetja e tij: “Enver Hoxha është akuzuar hapur për vrasjen e Qemal Stafës. Edhe Drita Kosturi hedh dyshime për këtë.”

Gjystina Sata: “:Enveri ka vrarë boll, po Qemalin jo… Dhe unë nuk e kuptoj se përse sot, Drita Kosturi thotë të kundërtën e asaj që ka parë me sytë e saj dhe që ka përjetuar nga fillimi deri në fund. Ndoshta flet kështu nga urrejtja ose dëshira për hakmarrje, por them se ka gjetur rrugën e gabuar. Në fund të fundit edhe ajo ka ndikuar pakëz që Qemali të nisej për në Vlorë jo më 4 maj, por më 5… Punë e madhe se nuk do të rrinin bashkë një natë!”

Apostol Duka: “A e rrezikonte Qemali postin e Enver Hoxhës, a ishte ai një nga rivalët e tij?”

Ymer Dishnica: “Aspak. Shokë të tjerë, më me përvojë dhe me veprimtari më të hershme revolucionare mund të ishin të tillë, ndëra Qemali shquhej për një sinqeritet dhe thjeshtësi të jashtëzakonshme dhe nuk ishte karrierist.”

Vrasja e Qemal Stafës sipas dokumenteve.

Duke mos u konsultuar me dokumentet arkivore, në revisitën “Klan” (maj 1998) thuhet se Drita Kosturi kishte arritur në bazën ku do të vritej Qemal Stafa, “një javë më parë, e arratisur nga një burg në Itali”. Është e vërtetë se Drita Kosturi dhe Qemal Stafa  kërkoheshin nga policia fashiste për “aktivitet antishteteror në Itali”, por pas shqyrtimit të akuzave nga Gjykata Ushtarake e Romës, më 22 janar 1942, të dy ishin shpallur të pafajshëm për mungesë provash. Sapo Drita Kosturi ishte kthyer në Shqipëri, më 16 mars 1942, Sekretari i Përgjithshëm i Mëkëmbësisë së Përgjithshme, Salvadore Meloni kishte njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë për ardhjen e saj në Tiranë dhe mbajtjen e saj nën survejim. (AQSH, F. 153, V. 1942, D. 255, fl. 1)

Përveç survejimit të vet, që kishte në kurriz, më  4 maj 1942, Drita Kosturi i shtoi vetes dhe Qemal Stafës edhe  rrezikun e madh të Gjystina Satës, shtëpia-bazë e të cilës ishte zbuluar dhe bastisur nga fashistët. Se çfarë kishte  ndodhur atë ditë në shtëpinë e Gjystina Satës dhe bashkëshortit ë saj, Zef Ndoja, në proçesverbalin e mbajtur në kuesturën e prefekturës së Tiranës thuhet:

Ne të nënshkruarit zyrtarë dhe agjentë të Policisë Gjyqësore, sot, ditë e hënë, 4 maj, në orën 10:30, në bazë të urdhrit të shefave, shkuam në Rrugën “Gjon Buzuku” dhe bëmë një kontroll të imët në shtëpinë Nr.23. Nëpërmjet një kapaku praktik të vendosur në hyrjen e banesës hymë në një vend të ngushtë, ku vumë re prezencën e armëve, municioneve dhe materialeve të tjera të ndryshme.

Ndërsa po bënim zbulimin e rëndësishëm, Zef Ndoja u përpoq të arratisej nëpërmjet një shtegu të rrugës “Gjon Buzuku”. Në ndjekje të tij u bashkuam edhe me agjentin e Policisë, Astengo Lorenzi dhe gjuajtëm kundër të arratisurit disa të shtëna pistolete. Një plumb pistolete e kapi të arratisurin në ije dhe e shtriu përtokë. Prej aty, i plagosuri u dërgua me një makinë të policisë në Urgjencën e Spitalit Civil, jashtë rrezikut për jetën…”

Kuestori Pandeli Papalilo i shkroi po atë ditë Prokurorisë së Përgjithshme Ushtarake dhe vuri në dijeni Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Tiranë:

 “Rreth orës 11:00 të ditës së sotme u krye një operacion rrufe në banesën e Zef Ndojës, funksionar i MPB. U gjendën armë lufte, një mitraloz, pistoleta, municione, bomba dore, një makinë shkrimi, shumë trakte të propagandës komuniste, çelësa, vula të falsifikuara të zyrave publike, pasaporta e dokumenta të falsifikuara dhe shumë letra të tjera e plane te qenësishme për sulmet terroriste kundër objekteve ushtarake. Agjentët u detyruan të hapnin zjsrr kundër funksionarit Zef Ndoja, i cili tentoi të arratisej dhe i shkaktuan një plagë e gjykuar e shërueshme brenda 40 ditëve.”

I arrestuari Zef Ndoja, i biri i Ndocit dhe Ages, lindur në Shkodër më 13 mars 1913, banues në Tiranë, rruga “Gjon Buzuku”, Nr.23, nëpunës, i arrestuar më 4.5.1942, i pyetur nga Policia Gjyqësore në kazermën e agjentëve të Drejtorisë Qendrore të Policisë Fashiste të Tiranës më 26 maj 1942 do të deklaronte:

Jam komunist qysh se kam qenë i ri dhe ndiqja vitin e tretë të gjimnazit. U njoha me idetë komuniste nga një profesori im, Skënder Luarasi, mësues i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Shtetit në Tiranë… dhe që atëhere kam ushqyer të njëjtat ide, duke fituar besimin e Grupit Komunist të Shkodrës, pjesë e të cilit kam qenë gjithmonë.

Duke pasur parasysh organizimin sekret të Partisë [Komuniste] nuk njoh persona të tjerë, përveç anëtarëve të celulës: Vasil Shanton dhe Kristo Tavangjelin [Themelko], të cilët kishin hyrje të lirë në shtëpinë time dhe së bashku me ta, në nëntor 1941, ndërtova depon e gjetur nga policia… Armët e gjetura në depo, municionet, makinat e shkrimit dhe sa është gjetur në depo janë sjellë nga Tevangjeli [Kristo Themelko], që ishte shef i celulës. Nuk njoh asnjë nga individët që janë në fotot e gjetura në të njejtën depo, me përjashtim të një fotoje të riprodhuar në grup, të përbërë nga unë, Kristo Tavangjeli [Themeli], Vasil Shantoja dhe Qemal Stafa…

Përgjigje pyetjeve të agjentëve të policisë: “Nuk e di se çfarë detyre dhe funksioni kishte Stafa në Partinë Komuniste, di që kishte ide komunisteDuke qenë se Partia Komuniste imponon diciplinë maksimale organizatorëve të saj dhe ka një organizim të tipit të celulës treshe, ishte e pamundur për mua të njihja persona të tjerë, përveç shokëve të  mi të celulës dhe të dija të gjithë aktivitetin e jashtëm të Partisë Komuniste në ShqipëriPër të njejtën jetë që bëja, për përgjegjësinë time të saktë prej nëpunësi në Ministrinë e Brendshme dhe me cilësinë e arkivuesit të dokumenteve të Partisë Komuniste, unë isha shumë nervoz, sidomos në shtëpi, që të mos identifikohesha as nga gruaja ime. Gruaja ime nuk di asgjë për aktivitetin tim komunist. Disa herë, kur duhej të kryeja ndonjë punë, e dërgoja jashtë shtëpisë për të qenë i lirë. E lexova, e konfirmova, e nënshkrova.” (AQSH, F.153, V.1942, D. 399, f. 136-138)

Se si kishte shpëtuar pa u arrestuar atë ditë, Gjystina Sata dëshmon:

 “…Maria nisi të bënte një byrek, ndërsa unë dola për të psonisur. Kur po kthehesha nga pazari, në udhëkryqin te Selvia, më del përpara Maria e lemerisur, e veshur vetëm me një rrobëdëshambër. E tronditur nga pamja e saj, e tërhoqa në një rrugicë dhe e pyeta: “Marie, ç’ka ngjarë, pse ke dalë kështu?! “

Më shpjegoi se te shtëpia ishte bërë nami… Zefin e kishin sjellë duarlidhur nga zyra. Sapo kishin hyrë në shtëpi ishin turrur te depua e armëve… Në kontroll e sipër, Zofi kishte tentuar të ikte, po ata e kishin qëlluar me breshëri… Ndërsa po vrisja mëndjen për të gjetur një rrugëdalje, na doli përpara Drita Kosturi, e veshur me çarçaf. I tregova se çfarë kishte ndodhur dhe iu luta të na ndihmonte…

“Ecni me mua, “ na tha, “se kemi zënë një një shtepi me qira. Është e pa kompromentuar, afër Medresesë. Atje është edhe Qemali…(!?)”

Shkuam me Dritën drejt e në shtëpi, pa u kthyer, as majtas e as djathtas… Ndejtëm atë natë aty, hëngrëm çfarë kisha blerë unë dhe u rregulluam si mundëm për të fjetur…

Në mëngjes, Qemali u bë gati për të ikur dhe kërkoi të hante diçka. Ishte ora 9:00. Drita kërkoi nëpër dollapë, por nga darka nuk kishte mbetur asgjë. Kështu Beqiri u detyrua të dilte për të blerë ushqime. Aty nga ora dhjetë në shtëpi erdhën Kristo Themelko dhe Nako Spiru, i cili i dha disa materiale Qemalit.. Nako u largua shpejt, ndërsa Shulja qëndroi… Duhet të ketë qene ora një e një çerek e drekës, dikush nga ne hapi instiktivisht perden dhe dha alarmin. U ngritëm të gjithë dhe pamë në krye të rrugës Beqirin duarlidhur, me një tabor karabinierësh nga pas. Iu printe një i famshëm, Gëzim, spiun, që rrinte gjithmonë i veshur civil, por që ne e dinim mirë se ishte i SIM-it…”

Arrestimi i  Beqir Minxhozit

Sipas dokumenteve, Beqir Minxhozi, i Hasanit dhe Fatimes, lindur në Shlli (Mat),më 15.5.1919, u arrestua më 5 maj 1942, me dyshimin se shtëpia e tij ishte bazë e militantëve antifashistë të PKSH. Në fakt “në banesën e tij u gjet vetem “një kobure e markës belge”. Në mbrëmjen e datës 5 maj 1942, ai mundi të arratisej nga paraburgimi dhe të fshihej në Mat. Gjyqi Ushtarak, dt. 20 maj 1943, e dënon në mungesë “me 12 vjet burg si “pjetar i një organizate subversive” (latinisht: subversivus-përmbysës) për përmbysjen e rendit ekzistues me armë”; me 5 vjet për “propagandë subversive” dhe 2 vjet për “armëmbajtje pa leje”; dënime që të përmbledhura u shkurtuan në 18 vjet e 6 muaj burg.” (AQSH, F. 158, v. 1943, D. 131, f. 6)

Tip i mbyllur dhe fjalëpakët, Beqir Minxhozi nuk foli kurrë mbi ngjarjen më të rëndë në jetën e tij-vrasjen e bashkëluftëtarit Qemal Stafa dhe kurrë nuk ia fali vetes sjelljen e karabinierëve dhe milicëve të kryeministrit fashist Mustafa Kruja në bazën ku ndodheshin dy anëtarë të Komitetit Qendror të Përkohshëm të PKSH: Qemal Stafa, i ngarkuar me drejtimin politik të Organizatës së Rinisë Antifashiste dhe Kristo Themelko, i angazhuar me ngritjen e ushtrisë partizane.

Gjystina Sata:

“Beqiri nuk duhet në asnjë mënyrë ta sillte policinë aty. Ai u justikua që i kam shëtitur nëpër Tiranë që të na shikonin shokët dhe të vinin të na lajmëronin ne. Kjo bie në kundërshti se kjo shtëpi kishte vetëm tre ditë që ishte marrë me qira dhe ishte sekrete. Kush ishin ata shokë që do ta dinin se ku ishte kjo shtëpi… Versioni tjetër ishte e kapën me revolver dhe e kam lejen në shtëpi. Pse ti sillte në shtëpi ai. Të thoshte e kam pa leje dhe pikë…

Bëhuni shpejt gati!” urdhëroi Qemali dhe veshi në çast trikon e nxori nagantin. “Po Shulja [Kristo Themelko] ku është?”

Shulja kishte shqyer derën e pasme që ishte gozhduar me dërrasa dhe kishte dale jashtë pa na thenë asnjë fjalë…?! Shulja ishte përgjegjës për armatimin në Qarkor. Dy bomba po të hidhte ai, ne do të kishim shpëtuar të gjithë. Po ja që nuk ndodhi kështu! Iu lutëm Qemalit të dilte edhe ai andej nga iku Shulja, se dokumentet mund t’i zhduknim edhe ne të trija (u dendëm ato çaste duke ngrene letra), por ai s’pranoi dhe na tha se duhej të iknim së bashku. Dolëm edhe ne, po ndryshe nga Kristo, Qemali vrapoi me ne, qëlloi mbi ta e mori zjarrin mbi vete. Që prej atij çasti nuk u pamë më…”

Jashtë çdo hamendjeje, thashethemi apo haluçinacioni “për vetëvrasje”, e vërteta e rënies heroike të Qemal Stafës është e dokumentuar në telegramin e kuestorit Pandeli Papalilo, dërguar Avokatit të Përgjithshëm të Madhnisë së Tij Mëkëmbësit Perandor pranë Gjykatës Ushtarake të FA të Bashkuara të Shqipërisë dhe për njoftim: Prokurorisë së Shtetit, Prefekturës Mbretërore, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Tiranë:

                                                                                  Tiranë, më 5 maj 1942

“Rreth orës 14 të sotme, gjatë një operacioni të befasishëm në një shtëpi që ndodhet në rrugën “Zumi”, në afërsi të kolegjit mysliman, e mbajtur me qira prej Beqir Vanit [Minxhozi], i arrestuar sot në mëngjes për hetim të Policisë Politike. Agjentët dhe Policia kanë gjetur rezistencë nga ana e disa personave që tentonin të iknin për me iu shmangë arrestimit.

Janë hedhur kundër agjentave tri bomba dore, të gjitha eksplozive pa pasoja dhe janë zbrazur shumë fishekë revolveri, gjithashtu pa konsekuencë. Agjentat janë përgjigjur me armë duke vrarë komunistin Qemal Stafa, i të ndjerit Hasan dhe Sabire, lindur në Elbasan më 12.09.1921 [20 mars 1920], ish-student.

Janë arrestuar:

  1. Drita Kosturi, e Aliut dhe e të ndjerës Nefise, lindur në Llesh [Lezhë], më 12.08.1920, ish-studente.
  2. Gjystina Sata, bashkëshorte e Zef Ndojës, për të cilin flitet në shënimin Nr. 2699, të datës 4 të këtij muaji.
  3. Marie Lleshja [Lezhja], e Franos dhe Angjelisë, lindur dhe banuese në Tiranë, vjeç 19, nga Tirana.

U kapën befas në shtëpinë e përmendur më sipër, duke tentuar të iknin me Qemal Stafën dhe një tjetër person të arratisur, akoma të panjohur dhe të pa identifikuar  

Kufoma gjendet e ruajtur në vendin e vrasjes në pritje të shikimit në vend nga autoritetet përkatëse.” (AQSH, Fondi 153, Viti 1942, Dosja 255, f. 2)

Në lidhje me akuzat që rëndonin mbi tri vajzat e  kapura në ikje e sipër, në dokumentet e Policisë, më 5 maj 1942 dhe Gjyqit Ushtarak, më 20 maj 1943, thuhet:

 “Drita Kosturi, e Aliut dhe e të ndjerës Naxhije, lindur në Lezhë më 12.8. 1920. U arrestua më 5 maj 1942, ndërsa tentoi të vriste oficerin publik për shkak të shërbimit të tij, për t’i dhënë përkrahje e ndihmë Qemal Stafës, duke hedhur bomba e shtirë me kobure, me qëllim që të vriste agjentët e Policisë e ushtarakë të Armës së Karabinierisë Mbretnore, të cilët kishin shkue për një kontroll më 5 maj 1942 në Tiranë, në shtëpinë ku ajo ishte mbledhur me të pandehur të tjerë…Arratisur nga burgu më 4 janar 1943 … Dënohet në mungesë me 13 vjet për vrasje të mbetur në tentative; 12 vjet për shoqëri subversive dhe 5 vjet për propagandë subversive; dënime të përmbledhura: 21 vjet e 6 muaj burg.” [AQSH, F. 153, V.1943, D. 57, f. 18; F. 158, V.1943, D.131, f 20]

Marie Lezhja, e Franos dhe Angjelinës, lindur në Tiranë në vitin 1923, rrobaqepëse, me banim në Rr. “Bato”, Nr. 7, Tiranë,. U arrestua, sepse donte të arratisej nga banesa, “në të cilën ishte strehuar me komunistë të tjerë, [ndër ta] Qemal Stafa, në momentin kur po ndodhte konflikti me agjentët e Polisisë, gjatë të cilit personi në fjalë mbeti i vrarë.”  U lirua për mungesë provash nga Gjyqi Ushtarak, datë 20 maj 1943. (AQSH, F. 153, V.1942, D.399, fl. 141; F. 158, V.1943, D. 131, f. 21-22)

Gjystina Sata, e Zefit dhe Prendës, lindur në Shkodër në vitin 1924, shtëpijake, me banim në Tiranë, Rr. “Gjon Buzuku”, Nr. 23, u arrestua sepse donte të arratisej nga banesa, “në të cilën ishte strehuar me komunistë të tjerë, [ndër ta] Qemal Stafa, në momentin kur po ndodhte konflikti me agjentët e Polisisë, gjatë të cilit personi në fjalë mbeti i vrarë. U lirua nga paraburgimi më 24 dhjetor 1942, për shkak se nuk kishte mbushur akoma 18 vjeç, por më 13 janar 1943, kuestura e Tiranës urdhëroi arrestimin e saj në Shkodër dhe kthimin e saj në burgun e grave të Tiranës.[AQSH, F. 153, V.1943, D. 163, f. 3; F. 158, V.1942, D.79, f. 334]

Siç dëshmoi në gjyq, rojtari i burgut të grave, Hamit Çuka, i biri i Ahmetit nga Dibra,  Gjystina Sata u arratis më 29 maj 1943, ora 19:00, ndërsa ishte duke mbushur ujë në shtëpinë e Bakushe Zyberit, në Rrugën e Shkodrës, pranë burgut të grave, sot rruga “Mine Peza”. Dy ditë më parë, drejtori i burgut Qani Sevrani e kishte urdhërur Hamitin  që ta çonte Gjystinën në dhomën e të shoqit, i dënuar me vdekje, Zef Ndoja, ku kishte ndejtur mbi një orë. Përsëri atë ditë, pak para arratisjes, po me urdhër të drejtorit, Hamiti e kishte shoëruar Gjystinën në dhomën e gardianëve, ku kishin qëndruar me të shoqin rreth dy orë. (AQSH, F. 381, V.1943, D. 108, f. 66, 73; F. 158, V.1943, D. 219, f.1)

Gjystina Sata:

”Nga ajo ditë unë nuk mund të qëndroja më në Tiranë. Atëherë Pepi Pilika, një djalë shumë i mirë, liceist dhe më vonë Profesor i Matematikës, akademik, bashkë me të ëmën e Naxhije Dumes na mori dhe na shoqëroi në Korçë. Qëndrova dy javë nga një bazë tek tjetra, por duket që më spiunuan dhe më arrestuan… Shokët organizuan arratisjen time dhe prej andej përsëri Pilika më mori e më çoi në Vithkuq, ku ishte Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Më mbajtën  dhe më ngarkuan të merresha me shifrën…”

 

Kush e spiunoi militantin antifashist Qemal Stafa?   

Sipas dokumenteve të konsultuara deri më sot, informacioni shumë i hollësishëm rreth veprimtarisë antifashiste të anëtarëve të Partisë Komuniste Shqiptare që po zhvillohej perj shumë muajsh në Shqipëri erdhi nga kryekomisari i Policisë së Shtetit, Kavalier Doktor Cassiano Scribano, këshilltar në Komisariatin e Policisë Shkodër. Doktor Scribano i kishte filluar hetimet e tij me shumë kujdes dhe durim me pacientët shkodranë që vizitoheshin tek ai. Përfundimisht, Dr. Scrabiano më datën 2 maj 1942, mësoi me saktësi një nga eksponentët e veprimtarisë antifashiste dhe vendndodhjen sekrete të armëve dhe amterialeve propagandistike të qendrës komuniste në Tiranë.

Më 3 maj 1942,  kavalier Scraviano u paraqit urgjentisht në Komisariatin e Policisë në Tiranë dhe dorëzoi 33 emra të dyshuarish si veprimtarë antifashistë komunistë, midis të cilëve edhe Drita Kosturin, por edhe vendin sekret ku ndodheshin armët dhe materialet propagandistike subversive komuniste. Sipas të dhënave të kavalier Scribano-s, në orën 10:00 të datës 4 maj 1942, agjentët e kuesturës së prefekturës së Tiranës bënë arrestimin e punonjëst të MPB, Zef Ndoja dhe u nisën për kontroll në  shtëpinë e tij. Për çudinë e grupit shoqërues, këshilltari i Komisariatit të Policisë së Shkodrës shkoi drejt e te kapaku kamuflues i hyrjes së fshehtë i depos së armëve dhe dokumenteve të rendësishme të PKSH. (AQSH. F. 161, V.1942, D. 389, f.1; F. 153, D. 292, f. 140)

Si ishte bëër e mundur që këshilltari i Policisë Fashiste të Shkodrës të dinte me aq hollësi dhe siguri vendndodhjen e depos së fshehtë në shtëpinë e Zef Ndojës?

Gjystina Sata:

“Kjo shtëpi ndodhej te xhamia e Zajmit, pranë çezmës së Shebegut dhe për shumë muaj me radhë ishte ndër bazat më sekrete të PKSH në Tiranë. Shtëpia shërbente si arkiv dhe depo armash, municionesh e materialesh propagandistike dhe vendtakimesh i krerëve më të rendësishëm të parties. Gjashtë muaj me radhë aty ka qëndruar Vasil Shantua. E tillë do të mbetej ajo edhe për shumë kohë, po të mos na tradhtonte Ludovik Nikaj. Ish-anëtari i Grupit Komunist të Shkodrës dhe pjestar i njësiteve guerile të PKSH, Ludovik Nikaj, ishte i fejuar me kushërirën time Marije Lezha.

Një ditë, duke kërkuar ndonjë bazë të sigurt për t’u fshehur, Ludoviku takon Zef Ndojën dhe i kërkon ndihmë. Për fat të keq, atë ditë shtëpia ishte bosh, pasi Enveri, Miladini, Dushani, Qemali, Vasili, Kristo Themelko, Jovan Bajraktari etj. sapo ishin larguar nga bazë për t’u mbledhur në një vend tjeter për një mbledhje të rëndësishme. Pavarësuisht se Zefi kishte porosi të prera nga udhëheqja e PKSH që të mos fuste njeri në bazën atë bazë, Ludovikun e strehoi për 24 orë. Ata ndejtën bashkë dhe Zefi i dha gojës ca si shumë, duke i treguar të gjithe sekretet e bazës, kush rrinte aty e kush vinte, çfarë bëhej ditë e natë aty, bile i tregoi deri edhe depon e armëve e teknikën e fshehtë… Ky ishte gabimi fatal i Zefit që na kushtoi shtrenjtë.” (gazeta “Ballkan”, dt. 22 dhe 23 maj 2004)

Në të vërtetë, kuestori i Shkodrës, Idris Ruka kishte vënë në dijeni Drejtorinë e  Përgjithshme të Policisë në Tiranë, qysh më 12 mars 1942, se “Ludovik Nika, i të ndyerit Nikë dhe Shaqes, kishte lindur në Shkodër më 4 gusht 1921, banues në Tiranë, rruga “Çerçiz Topulli”, Nr. 32, me profesion elektriçist, ishte komunist dhe frekuentues i shoqërive të elementëve politikisht të dyshimtë.” (AQSH, F. 153, V.1942, D. 292, f. 10)

Dyshimi kryesor mbi aktivitetin e Ludovik Nikës ishte pjesëmarrja e tij në atentatin e kryer së bashku me antifashistin militant Vasil Shanto kundër agjentit të Policisë Fashiste Sami Tahiri. Atentati ishte kryer rreth orës 20:30 të datës 17 janar 1942, afër kryqëzimit të  rrugës “Çiano” me atë “Haxhi Vokshi” në Tiranë. Agjenti i Policisë u godit me tre plumba revolveri nga Vasil Shanto dhe Ludovik Nika dhe vdiq në spital më 8 shkurt 1942. Së bashku me  Vasil Shanton, Jovan Nikolla Bajraktarin dhe Mihal Durin, Ludovik Nika kishte marrë pjesë në aksionin e sabotimit të shtypshkronjës së gazetës fashiste “Tomorri”, më 23 shkurt 1942. (AQSH, F.153, V.1942, D. 243, f. 10; D. 399, f. 19; F. 158, D. 79, f. 280)

      Më 2 prill 1942, kuestori i Tiranës, Pandeli Papalilo ngriti në alarm Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe kuesturat e prefekturave të Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Gjirokastrës, Beratit, Elbasanit, Korçës dhe gjithë komandat e Karabinierisë Mbretërore me këtë telegram: “Ju lutemi bëni kërkime të menjëhershme për arrestimin e komunistit të kërkuar Ludovik Nikaj, duke e transportuar në dispozicion të burgut të Kuesturës. Bëhet fjalë për një element të rrezikshëm komunist. Ju lutemi të njoftoni përfundimin e kërkimeve.” (AQSH, F. 153, V.1942, D. 294, f. 97)

Më 18 prill 1942, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Tiranës, Theodor Stamati e informoi kuestorin Papalilo se Komisioni Provincial i Çensurës i kishte vënë atij në dispozicion një letër që Ludovik Nika ia dërgonte Frano Lezhës, në rrugën “Bato”, Nr. 5-7, Tiranë. Frano ishte i ati i Marie Lezhës. “Dërguesi,” sqaron Stamati, “siç vuri në dukje me të drejtë agjenti Tarnaku, që i shërben Çensurës, është një komunist i rrezikshëm, i kërkuar për arrest dhe kontrollimin, siç konstatohet në qarkoren tuaj të 2 prillit… Prandaj, letra i dërgohet kësaj zyre me lutje për të identifikuar mirë marrësin, i cili mund të jetë një tjetër komunist, në marrëdhënie me Nikën, dhe për të vazhduar në përputhje me rrethanat në kohën e duhur, në lidhje me atë që do të bëhet për të arritur gjurmimin dhe arrestimin e Nikës. Ju lutemi njoftoni nëse letra do të ketë shërbyer në mënyrë pozitive, për ta dërguar në Komisionin e Çensurës.” (AQSH, F. 153, V.1942, D. 297. f. 38)

Më 2 maj 1942, Ludovik Nika ra në rjetën e komisariatit të Policisë së Shkodrës dhe rrëfeu gjithçka që dinte. Në bazë të rrëfimeve të Ludovik Nikës, në datat 5-25 maj 1942, u arrestuan 51 persona të dyshimtë si antifashistë komunistë. (AQSH, F. 161, V. 1942, D. 389, f. 3-6; D. 656, f. 38)

Në gjyqin e zhvilluar pas çlirimit të Shqipërisë, Ludovik Nika deklaroi: “Gjendja ime shpitnore ishte e keqe, ngaqë më fejuen me nji kundër dëshirës sime dhe më rrëshqitën fjalët tue kallzue për shtëpinë e Zef Ndojës dhe nji bazë, por asnji shok nuk kam tregue… Unë kam pasë lidhje me nji Vasil dhe me Jovan Bajraktarin. Dhe pse janë kapur këta, unë nuk i kam spiunue… Zef Ndoja u kap pas tregimit tem, si dhe e shoqja Marije Lezhja [në fakt Gjystina Sata]. Mue më gjetën fotografinë e saj… Këto më bahen për inate personale dhe për xhelozi. Dyshoj mbi Gjystinën, pasi kjo e ka Marijen kushërirë… Unë e kuptoj se kjo që kam ba asht tradhti…”

Në motivacionin e Gjykatës Ushtarake e Korp. I, Nr. 196, datë 15.05.1945, në të cilën ishte vendosur ndëshkimi i Ludovik Gjek Nikës me Vdekje, thuhet:

“Ludovik GJek Nika kinse [gjoja] për të organizuar rezistencën e popullit kundër fashizmit, më datën 2 maj 1942, shkon në Shkodër së bashku me të fejurën e tij [të re] Qefsere Beka dhe pa kryer asnji punë bie në duart e Policisë, ku tregon gjithë organizimin e bazave dhe Lëvizjes që ishte në strukturim e sipër; tregoi të gjithë anëtarët dhe udhëheqësit e Lëvizjes që njifte; spiunoi bazat dhe vendet ku bëheshin mbledhjet; i dha shansin armikut të godiste fort Lëvizjen; provokoi që agjentët  të kontrollonin shtëpinë e Zef Ndojës dhe të arrestonin këtë të fundit; të arrestoheshin Koci Xoxe, Lefter Kasneci, Jovan Bajraktari Gjystina Sata, Ali Demi, Bqir Minxhozi etj. Nga spiunimi i tij u rrethua dhe u vra heroi Qemal Stafa etj. (Komunikata e Prokurorisë dhe Gjykatës së Lartë Ushtarake në Tiranë, më 17.05.1945)

  Si përfundim përmendim nderimin e veçantë që ish-militanti antifashist, akademiku Kristo Frashëri kishte për heroin Qemal Stafa:

“Qemal Stafa kur ra dëshmor ishte 21 vjeç. Ai kishte një inteligjencë të jashtëzakonshme aq sa vitet e fundit të gjimnazit, çdo vit kalonte dy klasë menjëherë. Kur mori dëftesën e maturës në gjimnazin e Tiranës dinte 5 gjuhë… Ai kishte edhe një veti që shquhej mbi të tjerët. Ishte trim në të dy kuptimet. Trim edhe në fushën politike trim edhe në jetën sociale… Qemal Stafa ishte me të vërtetë komunist. Mori pjesë në themelimin e Partisë Komuniste më 8 Nëntor 1941. U zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj dhe u ngarkua me detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Rinisë Komuniste, e cila u formua më 23 nëntor 1941. E përsëris, ai ishte një komunist i bindur, por si komunist ai ishte ushqyer me literaturën marksiste që botonte Partia Komuniste Frënge. Ai adhuronte elitën intelektuale të asaj kohe, e cila anonte nga idetë humane të majta. Nuk mund të them se çfarë do të ndodhte me të, po të mos kishte rënë dëshmor, mbasi jeta e tij u ndërpre më 5 maj 1942 kur Partia Komuniste nuk kishte në program vendosjen e diktaturës së proletariatit, por rimëkëmbjen e pavarësisë së humbur dhe vendosjen në Shqipëri të regjimit demokratik popullor.” (www.shqiptarja.com, 6 maj 2016)

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …