Historianët e Deçanit cilësimet e KMDLNJ-së lidhur me rastin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese i konsiderojnë shpifje

Historianët e Deçanit cilësimet e KMDLNJ-së lidhur me rastin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese i konsiderojnë shpifje

Kryesia e Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, nëpërmjet një komunikate për media i ka dhënë përgjigje Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, i cili ditë me parë ka reaguar për shkak të deklaratës tonë për opinion ku është theksuar se Arta Rama-Hajrizi është tradhtare e popullit. Për Lidhjen e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, dhe për qytetarët shqiptarë të Deçanit dhe rrethinës, vendimet e periudhës se kohës se Sllobodan Millosheviqit janë të papranueshme dhe të pazbatueshme. Kësisoj edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës se Kosovës, në krye të se cilës gjendet Arta Rama-Hajrizi, në fakt legalizon vendimet e kohës së Millosheviqit.

Regjimi i Millosheviqit ka kryer gjenocid kundër njëzimit në Kosovë. Atëherë nëse dikush pajtohet me këto vendime dhe përkrah këtë politikë, të nderuar zyrtarë të KMDLNJ-së nuk është tjetër vetëm argat i huaj.

Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës se Kosovës theksohet se trupa gjykuese përbehet nga: Arta Rama-Hajrizi, kryetare, Ivan Cukalloviq, zëvendëskryetar, Robert Carolan, gjykatës, Altay Suroy, gjykatës, Admiro Rodrigues, gjykatës, Snezhana Botusharova, gjykatëse, Bekim Sejdiu, gjykatës, Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjykatëse, dhe Gresa Caka-Nimani, gjykatëse. (Për këtë përbërje shiko: Arkivi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës se Kosovës, Prishtinë 20 maj 2016, Nr. Ref.946/16, faqe 1).

Kundër këtij vendimi ka votuar vetëm gjykatësi, Bekim Sejdiu (Për këtë shiko : Arkivi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës se Kosovës, Prishtinë 20 maj 2016, Nr. Ref.946/16, pika 18, faqe 3). Komunikata e KMDLNJ-së, të cilën e kemi parë vetëm në media, është e papranueshme dhe ka shumë të dhënë të pasakta. Në Komunikatën e KMDLNJ-së thuhet: “Ky linçim ka shkuar aq larg sa që nga Shoqata e Historianëve ‘Ali Hadri ‘ e Deçanit është shpallur si tradhtare e kombit e që përveç një cilësimi për të cilin ‘Ali Hadri ‘ nuk është e mandatuar ta bëjë, zonjës Arta Rama – Hajrizi i rrezikohet dhe jeta dhe siguria familjare”.

Ky përfundim i KMDLNJ-së nuk qëndron, ngase nuk e kemi shpallur tradhtare të kombit kryetaren Arta Rama-Hajrizi, po i kemi thëne se me këtë akt ajo ka tradhtuar popullin e saj. Përfundimet e KMDLNJ-së se asaj i rrezikohet jeta dhe siguria familjare nuk qëndrojnë, ngase ne nuk e kemi kërcënuar zonjën Rama-Hajrizi e as familjen e saj.

Po ashtu në reagimin e KMDLNJ-së thuhet se: “KMDLNJ përkrah të gjitha kërkesat e Shoqatës së Historianëve “ Ali Hadri” dhe qytetarëve të Deçanit që kanë të bëjnë me shpronësimin arbitrar të pronave shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”, mirëpo është kundër linçimit publik dhe kërcënimit ndaj kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj Arta Rama – Hajrizi” (Burimi, Kosovapress, 21 Media, Almakos, TV Klan Kosova etj.). Ne nuk e kemi kërcënuar kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Arta Rama-Hajrizi, kjo është një shpifje e ulët nga ana e drejtuesve të KMDLNJ-së.

Ne kemi theksuar se me nënshkrimin e këtij vendimi Arta Rama-Hajrizi e ka shkelur Kushtetutën e Republikës se Kosovës dhe është në kundërshtim me të gjitha ligjet në Kosovë dhe si i tillë ky akt i saj nuk është gjë tjetër vetëm se tradhti ndaj popullit të saj, ngase ka legalizuar vendime të kohës së masave të dhunshme. Sikurse Bekim Sejdiut, i cili e ka kundërshtuar vendimin e Kushtetueses, njëjtë kanë mundur që të veprojnë edhe gjyqtarët shqiptarë: Arta Rama-Hajrizi, Selvete Gërxhaliu-Krasniqi dhe Gresa Caka-Nimani. Në fund të fundit, këto zonja kanë mundur që të mos pajtohen me vendimet e masave të dhunshme.

Po ashtu, për KMDLNJ-në dhe gjithë opinionin sqarojmë se tokat nuk janë shpronësuar, ato janë në pronësi të ndërmarrjeve publikë “Apiko” dhe “Iliria”, por po tentohet që dhunshëm t’i barten në pronësi Manastirit të Deçanit. Ne i dënojmë këto informata dhe të dhënat e pasaktë që i ka proklamuar KMDLNJ-ja në drejtim të Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan.

Për këto të dhënë të pasakta dhe shpifje ndaj deklaratës sonë, kërkojmë që të distancohet KMDLNJ-ja dhe presim reagimin e tij publik, pasi që këto akuza janë të papranueshme për ne dhe aktivitetin tonë.

KMDLNJ është mirë që të mos merret dhe të mos ndërhyjë me të dhëna dhe përfundime të pasakta, ngase ne nuk e dimë se cilës kauzë i përgjigjen këto lansime kundër neve që kanë ardhur nga ata.

Ku është KMDLNJ që nuk e dënoi kërcënimin që ka ardhur në adrese të anëtarit tonë, Shkodran Imeraj. Ku janë institucionet tona që nuk patën kuraje dhe të thonë një fjalë për këtë rast? KMDLNJ duhet të reagojë vetëm për ata zyrtarë të lartë të shtetit, të cilët punojnë politikisht dhe sipas urdhrave të ndërkombëtarëve?

Nëse Sava Janjiqit do t’i ngordhte një kafshë, atëherë kush nga liderët tanë me shpejtësi do të shkonte të Sava për ta ngushëlluar. Edhe njëherë i bëjmë thirrje KMDLNJ-së që të mos hedh benzinë në zjarr. Presim distancimin nga shpifjet e KMDLNJ-së që i kanë bërë në drejtim tonin.

Kryesia e Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …