Hykmete Bajrami kundër marrëveshjes për Presidentin: Votën time nuk ia delegoj askujt

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka dalë kundër marrëveshjes për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, duke bërë të qartë se nuk do ta delegojë votën e saj dhe se nuk pranon që ajo të përdoret për zgjatjen e pushtetit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Bajrami ka thënë se votat që ka marrë nga qytetarët nuk i janë dhënë për të qenë “numër në Kuvend”, por për t’i përfaqësuar bindjet e tyre dhe për të kundërshtuar qeverisjen e Kurtit. Sipas saj, Kosova ka nevojë për institucione funksionale, por edhe për balancë institucionale, kontroll demokratik dhe llogaridhënie. Bajrami ka kundërshtuar mënyrën se si është zhvilluar procesi për kandidaturën presidenciale, duke theksuar se deputetët e LDK-së nuk janë konsultuar paraprakisht për emrat e diskutuar, përfshirë kandidatin Bekim Sejdiu. “Emrat e diskutuar për President të Republikës nuk janë konsultuar paraprakisht me deputetët e LDK-së. Nëse nevojiten votat tona, konsultimi është dashur të bëhet para marrëveshjes, jo pasi ajo është arritur dhe është bërë publike”, ka deklaruar ajo. Deputetja e LDK-së ka thënë se është kundër zgjedhjeve të reja, por ka kundërshtuar që shmangia e tyre të përdoret si argument për t’i detyruar deputetët të votojnë një marrëveshje me të cilën nuk pajtohen. Ajo ka theksuar se vota e deputetit nuk mund të negociohet paraprakisht dhe se secili deputet duhet të vendosë në përputhje me bindjen e tij dhe interesin e vendit. Në fund, ajo ka deklaruar se do ta ushtrojë mandatin sipas bindjes së saj, duke theksuar: “53,788 vota nuk janë vetëm privilegj, janë përgjegjësi dhe këtë përgjegjësi nuk ia delegoj askujt”.

Kontrolloni gjithashtu

Mbi 220 kërkesa për vetëm 80 ulëse, ja si do të ndiqet aktgjykimi më 16 shtator

Mbi 220 persona kanë kërkuar të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit më 16 …