Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas kërkesave të disa degëve të partisë për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, duke ritheksuar nevojën për reflektim, përgjegjësi politike dhe zgjedhje të brendshme. Bajrami ka deklaruar se pozitat politike nuk janë të përhershme dhe se zgjedhjet e brendshme mbeten zgjidhja më e mirë për tejkalimin e situatës aktuale në parti. Ajo rikujtoi se pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare kishte kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut dhe kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i nënkryetares së LDK-së, duke argumentuar se përgjegjësia politike duhet të vlejë për të gjithë njësoj. Sipas Bajramit, fakti që rreth 45 për qind e delegatëve në Kuvendin e LDK-së kishin votuar në favor të largimit të kryetarit ishte sinjal i qartë se partia kishte nevojë për ndryshime të thella. Megjithatë, ajo theksoi se problemet e identifikuara atëherë nuk janë adresuar, ndërsa LDK-ja përsëri ka dalë në vendin e tretë në zgjedhje. “LDK-ja ka nevojë për reflektim të sinqertë, përgjegjësi politike dhe hapje të një kapitulli të ri që rikthen besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve”, ka shkruar Bajrami, duke shtuar se partia është më e madhe se çdo individ brenda saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
