Ibish Neziri: Në përurimin e librit „Rexhep Malaj zjarrë lufte që nuk shuhet“

Miq të nderuar,

kur mora ftesën nga miku im dhe i juaj Agim Sulejmani për të marrë pjesë në këtë festë të librit aq sa u ndjeva i nderuar, njëkohësisht u ndjeva edhe i shqetësuar: Si do të shkoja në promovimin e librit pa e lexuar librin? Këtë shqetësim shumë shpejt ma hoqi Agimi duke ma dërguar librin në formatin digjital, të cilit me shumë kënaqësi i bëra një blic lexim.

Unë nuk do të flas për librin dhe vlerën e tij aq sa do të flas për nevojën e botimit të librave të tillë. Fillimisht dua ta përshëndes autorin Agim Sulejmani për punën e tij të madhe që ka bërë në zbardhjen e njërës ndër figurat më të ndritshme të lëvizjes ilegale të Kosovës, Heroit Rexhep Malaj, për veprimtarinë e tij dhe shokëve të tij, për torturat që ushtroheshin në zyrat e UDB-së dhe për realitetin në burgjet jugollave, me të cilin autori ishte edhe bashkëvuajtës, për luftën e tij pas grilave, bashkëpunimin dhe lidhjen edhe me të burgosur tjerë duke filluar prej Rafi Halilit në burgun e Idrizovës e deri të i fundit Bexhet Shala, në burgun e Mostarit dhe pas daljes nga burgu bashkëpunimin me shumë shokë të tjerë drejtpërdrejtë ose tërthorazi si me Fehmi Lladrovcin e Shaban Shalën, për të ardhur edhe te rënia e tij heroike duke luftuar vetë i dytë kundër një shteti 22 milionësh dhe njëkohësisht gjithë këtë duke e mbuluar me shumë fotografi edhe dokumente arkivore, të cilat në libër i sjellë në formë faksimilesh.

Botimi këtij libri në 30 vjetorin e rënies së këtyre dy luanëve të ilegales në Kosovë, njësoj sikur edhe botimi i një numri monografishë të botuara vitet e fundit ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, për brezin tonë dhe brezat që do të vijnë.

Botimi i këtij libri merr peshë akoma më shumë pasi që botohet në kohën kur mbeturinat e UDB – së serbe dhe jugosllave kanë filluar të rigrupohen dhe përsëri si këtu e 39 vjet më parë, kur u burgos Adem Demaçi për të tretën herë me radhë bashkë me shokët, mes të cilëve ishte edhe Rexhep Mala e Isë Kastrati, të dy heronj të Kosovës, si këtu e 33 vjet më parë kur shpërthyen demonstratat e rinisë studentore dhe punëtore shqiptare në Prishtinë e gjithë Kosovën, si këtu e 32 vjet më parë, kur në pabesi në Untegrupenbach vriten: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, si këtu e 30 vjet më parë kur në Kodrën e Trimave në Prishtinë vriten Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri e pak muaj më vonë edhe Zija Shemsiu në CZ-në famëkeqe të Beogradit, si me 2 nëntor të vitit 1989 kur në Kodrën e Diellit në Prishtinë vriten Afrim Zhitija e Fahri Fazliu, si në kohën më të lavdishme të historisë sonë më të re – në Epokën e UÇK-së, me fjalorin e Beogradit dhe UDB-së të na i përlyejnë figurat dhe ngjarjet më të ndritura të historisë së popullit tonë, siç bëri ditë më parë renegati UDB-ash, shërbëtor i përjetshëm i Beogradit i fshehur pas maskës së gazetarit dje e sot pas maskës së historianit, Jusuf Buxhovi, i cili madje edhe UDB-në serbe e amnistoi nga vrasjet e tre kolosëve tjerë të lëvizjes ilegale dhe shumë shqiptarëve, të cilat edhe vet Beogradi zyrtar sot nuk mund t’i mohojë.

Përmes botimeve të këtij lloj duhet demaskuar teorinë e të gjithë UDB-ashëve dhe shërbëtorëve të tyre, të cilët përpiqen ta fusin krimbin e dyshimit përmes gënjeshtrash e skenaresh udbeske për vëllavrasje dhe gjithë lëvizjes ilegale t’i veshin gëzof Sibiri e UDB-je.

Këtu mes nesh unë shoh mjaft njerëz që kanë çka flasin dhe tregojnë, njerëz që i kanë përjetuar tmerret e zyrave të UDB-së dhe qelitë e ftohta të burgjeve jugosllave, prandaj edhe iu bëjë thirrje që të mos heshtin, por t’i denoncojnë të gjithë kriminelët – xhelatët e tyre me emër e mbiemër sepse këtë ua kemi borxh të gjithë atyre që ranë në altarin e lirisë dhe të gjithë atyre që do vijnë pas nesh pa e harruar borxhin ndaj vetes sonë, prindërve tonë dhe fëmijëve tonë.

Unë, të nderuar miq, iu falënderoj për durimin, autorin për këtë libër me shumë rëndësi dhe për ftesën e mundësinë që ta marr fjalën, ndërkaq librit rrugë të mbarë për tek lexuesit!

Ju falëm nderit!

Cyrih, 26. 1. 2013

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …