Ilir Sefaj

Ilir Sefaj: Vdekja që na turpëroi!

Lajmin për vdekjen e Astrit Deharit e mora nga një portal yni (arbresh.info). Jo rrallë na ka ngjarë të marrim ose dëgjojmë lajme të rrejshme nga disa portale e mediume tona. Mirëpo me të parë këtë lajm në portalin në fjalë, gjaku mu ngri në damarë, e dija se lajmi mbi vdekjen e Astritit, fatkeqësisht ishte i vërtetë, ngase lajmet që ky portal i servon publikut dhe ndjekësve të tij janë të vërteta gjithnjë. Kjo e vërtetë e hidhur që fliste për “vet-vrasjen” e një studenti shembullor që rrjedh nga një familje intelektuale me taban kombëtar, tronditi ndërgjegjen e secilit prej nesh.

Kjo dramë që po përjeton familja Dehari për të dytën herë (Arbnor Dehari, vëllai i madh i Astritit, kishte kryer “vet-vrasje” para pak vitesh duke u hedhur nga katet e sipërme të një ndërtese në Prishtinë) duhet të trokas në ndërgjegjen e Kryeministrit, prokurorit të rastit, Ministrit të drejtësisë, policit, gardianit, shoqërisë, gjithsecilit prej nesh pa përjashtimin më të vogël. Sot pyes secilin prej nesh se si ndjehemi për një vrasje makabre (vetëvrasja konsiderohet vrasje edhe juridikisht kur njeriu është i cytur ta bëjë atë) të një djali të ri i cili njëjtë sikurse vëllai i tij dikur, Arbnori, kërkoi ndërtimin e një shteti të së drejtës, një shteti të barabartë për të gjithë, një shteti ligjor, ku qytetari i saj të jetë i denjë e mos të shikohet vetëm si votues në ditën e zgjedhjeve.

Sot e pyes Kryeministrin, Mustafa, si ndjehet, si  ndjehet ai dhe familja  e tij me dinastinë që ka krijuar në kurriz të ‘vetëvrasjeve’ tona të përditshme, si ndjehet një kryeministër (por edhe politikane të tjerë të korruptuar) me luksin dhe privilegjet që gëzon ai dhe familja e tij në shtetin më të varfër të Europës, e gjitha e krijuar në kurrizin e ‘vetëvrasjeve’ tona të përditshme.

Kryeministër, edhe Astriti edhe Arbnori ishin djem të dikujt, ishin të rinj që deshën të jetonin, e donin jetën. Andaj të pyes, si ndjehesh sot kur një prind e lëshon në dhe djalin e tij në lule të rinisë, një prind që ushqeu me ndenjën e atdhedashurisë djemtë e tij të lindur e të rritur në një vend si Zvicra.

Ata e donin Zvicrën, por jo sa Kosovën. Ata donin që Kosova të bëhet Zvicër. Ky ishte misioni i tyre. Ata besuan në ëndrrën e tyre për një shtet  të së drejtës, ata edhe u flijuan për ëndrrën e tyre. Ata ishin të rinj që premtonin shumë. Ata i vratë! Vrasja e Astrit Deharit në burg dëshmon se Kosova ka dështuar si shtet. Kjo e të tilla raste me të cilat po ndeshemi çdo ditë dëshmojnë se projekti për “Kosovën e Pavarur” është një bindje utopike të cilën e besojnë vetëm të marrët! Vrasja e Astrit e rrënon përfundimisht shpresën për Kosovën demokratike. Po ndërtojmë një shtet kriminal fatkeqësisht. Si është e mundur që kriminelë të regjur të skenës politike të vendit të mbrohen në liri, ndërkaq një student shembullor i mjekësisë, një djalë i një familjeje intelektuale të mbahet në paraburgim për halucinacione të pushteteve kriminale.

Po krijojmë një shtet ku ose të vrasin ose vetëvritesh!

Kush e ka radhën…

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Skënder Demaliaj: Adoleshentët, shkolla, familja dhe shoqëria I

Sjelljet devijante të adoleshentëve e kanë burimin në faktorët ekonomikë, socialë dhe psikologjikë. Baza është …