RKL

RKL: Rusia fuqizon “Bashkimin e Shteteve Ortodokse” për t’ ia kundërvënë NATO-s, në Kosovë fushatë kundër UÇK-së(!)

Me qëllim për ta kundërshtuar zgjerimin e NATO-s, në vendet e Ballkanit dhe Evropës juglindore, Kremlini zyrtar po bën përpjekje ta zgjerojë të ashtuquajturën “Aleancë të Vëllazërisë sllave”, në shtetet  ortodokse të ish Jugosllavisë e më gjerë. Përveç Serbisë që ka qenë dhe po mbetet jo vetëm aleati, por edhe xhandari i Rusisë, në Ballkan, Kremlini po bën përpjekje që në këtë aleancë ta përfshijë edhe Malin e Zi, Republikën serbe të Bosnjës, Maqedoninë dhe Bullgarinë, edhe pse kjo e fundit është pjesëtare e NATO-s. Zgjerimi i kësaj Aleance ka për qëllim ta krijojë një hapësirë dominuese, në Ballkan, duke rrezikuar në radhë të parë shqiptarët, në përgjithësi, myslimanët e Bosnjës e Hercegovinës dhe  Sanxhakun. Këto plane të Rusisë tashmë kanë filluar  të zbatohen  edhe me stërvitje konkrete të vendeve sllave, sikur është aktualisht ushtrimi i forcave ruse, bjelloruse dhe serbe në formacionin  e koduar “Vëllazëria sllave-2016” që po manovron në afërsi të Beogradit, me mijëra trupa ushtarake të këtyre tri vendeve….

A ashtuquajtura, “Vëllazëria Sllave-2016” ka për qëllim forcimin e lidhjeve të elementëve ekstremistë serbë e sllavë në territorin e këtyre shteteve, por edhe në Kosovë, meqë shtetet aleate të Rusisë e kontestojnë pavarësinë e Kosovës. Një ndërhyrje të mundshme ushtarake në Kosovë, në Mal të Zi apo në Maqedoni, Rusia e parasheh ta bëjë  përmes forcave serbe, të cilat kanë treguar dhe po e tregojnë me vepër se janë kurdoherë  të gatshme për inkursione e diversione, si ato në prag të zgjedhjeve në Mal të Zi, po ashtu edhe kërcënimi që thuhet se po i bëjnë kryeministrit Vuçiq për shkak të politikës së tij dualiste mes BE-së dhe Rusisë. Dhe jo vetëm këto. Ky zhvillim më i ri i  situatës, Kosovën dhe shqiptarët  përgjithësisht i gjen si kurdoherë të përçarë e të barrikaduar në feudet e tyre politike, një pjesë madje në fushatë djallëzore antikombëtare  kundër luftës së UÇK-së, të cilën po e financon pikërisht kjo “vëllazëria sllave” përmes mbetjeve të regjimeve pro serbe.

Ne shqiptarët e ndarë  në dy si shtete dhe tri pjesë të tjera nën sundimin sllav, nuk kemi as edhe një plan të vetëm për një mbrojtje të mundshme gjithëshqiptare, pa çka se tregohemi shumë patriotë sidomos në koncerte duke iu kënduar trimave, në stadiume duke shpalosur flamuj dhe duke rrahur gjoks për shqiptari.Pacifistët shqiptarë presin si gjithnjë, që armiku të afrohet te pragu i shtëpisë dhe vetëm kur  ai na vjen te dera, te pragu i shtëpisë, atëherë, ose ia hapim  derën, e bëjmë kumbarë shtëpie dhe i përkulemi, ose ia japim ndonjë batare… “Ruajtja e pragut të shtëpisë aq shumë e përfolur dhe e kënduar nga shqiptarët pacifistë të Kosovës, është “etika” e veprimit historik, gjenetik, të një pjese të qenies shqiptare, për mendimin tim të shumicës dërrmuese. Kjo tregon arketipin tipik të njeriut tonë, i cili ka pritur dhe pret deri sa t’i ngulet thika në asht. Deri në momente të tilla, ai logjikon sipas ligjit të mbrapshtë:  “Gjarpri që nuk më helmon mua rroftë 100 vjet”.

Ky konstatim, që ndokujt mund t’i duket edhe ironik e sarkastik, mund të argumentohet me sa e sa fakte. Kur filloi lufta në Drenicë, pas qëndresës heroike të Jasharëve në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, qëndresë të cilën klasa pacifiste e Kosovës e konsideronte dhe vazhdon ta konsiderojë  si “ruajtje të pragut të shtëpisë”, shumica e shqiptarëve të Kosovës mbështesnin  politikën pacifiste të Ibrahim Rugovës dhe përkrahnin bisedimet me Serbinë, madje kishin organizuar dhe kishin mbajtur  edhe zgjedhje “të lira demokratike”, nën sundimin klasik ushtarak.(!) Mbi teorinë mjerane “të mbrojtjes së pragut të shtëpisë”ishte krijuar filozofia e durimit, zvetënimit dhe nënshkrimit gradual, duke kërkuar liri e pavarësi vetëm brenda shtëpisë, brenda feudit, brenda kështjellës, fisit e bajrakut. Në kohën kur lufta e UÇK-së ishte zgjeruar  dhe iu kishte afruar qyteteve, (në fund të qershorit të vitit 1998 ajo ishte vetëm 10 km. Larg Prishtinës),  politika pacifiste (F.A.)bërtiste në “kupë të qiellit” dhe kërkonte me çdo kusht, që lufta në asnjë mënyrë  të mos zgjerohej në qytete. Le të vriteshin malokët, drenicakët e mbrapshtanët. Kjo nuk iu pengonte atyre. Njëri prej krerëve  të pacifizmit, në korrik të vitit 1998 kishte lëshuar anatemën për të gjithë ata që kishin në mend të afroheshin  nëpër qytete, ku ata pretendonin se kishin një qeverisje, gjithsesi nën regjimin e kryekriminelit Milosheviq të cilin nuk e donin, por shkonin në Beograd (I.R. F.A, etj) i përkuleshin, buzëqeshnin me kurtuazi diplomatike dhe madje kërkonin nga NATO-ja të mos e bombardonte  makinerinë vrastare të kasapit të Ballkanit. Një pacifist tjetër ( J.B) në maj të vitit 1998 kishte kërkuar nga Rugova që edhe me ndihmën e Milosheviqit ta pacifikonte Drenicën kryeneçe të Shaban Palluzhës.

Tani kur çekani pansllav po godet dhe po paralajmëron zezonën, të cilën nuk e ka ndërprerë prej më shumë se 13 shekujve, ne merremi punë të tjera. Klasës denbabaden pacifiste nuk i  intereson se çka po bëhet në Beograd, në Podgoricë, në Sanxhak. Për ata angazhim primar dhe me rëndësi është fushata kundër UÇK-së, sepse kjo është pengesa kryesore  për ribashkimin e Kosovës me Serbinë dhe për kthimin në politikën e bashkim vëllazërimit, të cilën aq shumë ua pëlqen BE-ja. Demonizimi i UÇK-së, krijimi i Gjykatës raciste antishqiptare, ka për qëllim jo vetëm pacifikimin e Kosovës, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi. Virusi i pacifikimit ka prekur edhe pjesën dërrmuese të klasës që po mbahet në pushtet, sidomos në Kosovë, madje  ajo mbahet në pushtet në emër të luftës, mjerisht në emër të gjakut të derdhur për liri, gjak të cilin  ata e kanë shkelur me të dyja këmbët  në kohën kur kanë votuar pro Gjykatës Speciale kundër UÇK-së.  Këtë fushatë po e përkrahin të gjitha qarqet antishqiptare, me qëllim të pacifikimit të elementit nacional dhe kundër përhapjes së idesë të bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm, aspiratë kjo e cila me merr dimensionin e vet historik në kushte dhe rrethana të rënda në cilat ndodhemi.

Kontrolloni gjithashtu

Studimi i së ashtuquajturës ‘Akademi e Studimeve Shqiptare’ në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, masakron historinë e LANC-it

Historianë dhe studiues gjysmakë,  me prejardhje balliste e profashiste,  në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë …