Intervistë me kryetarin e komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj

RKL: Për cilat projekte do të angazhohet më tepër qeveria lokale dhe cili është angazhimi juaj për përfundimin e projekteve tjera deri në fundin e mandatit tuaj si kryetar i Deçanit?

Selmanaj: Në të vërtetë ne kemi një mori projektesh që janë realizuar deri më tani. Të tjerat janë ose në përfundim e sipër ose do të realizohen gjatë vitit të ardhshëm. Me pak fjalë do të përshkruaj të gjitha ato investime që janë bërë dhe të tjera që priten të bëhen. Deçani, mund të them, se është një nga komunat e para në Kosovë sa i përket rrugëve të asfaltuara. Në tërësi janë 33 rrugë të asfaltuara dhe me kubëza. Gjithashtu jemi në përfundim të projektit për ndërtimin e kanalizimeve për ujërat e zeza. Ky projekt pritet të përmbyllet në pranverën e vitit të ardhshëm. Megjithëse na mbeten edhe disa lokalitete  ku duhet të zgjidhet ky problem, mirëpo ne synojmë që deri në fund të mandatit të avancojmë në këtë drejtim. Prej këtij problemi deri vonë ka vuajtur edhe vetë qyteti i Deçanit, mirëpo tani ky problem është tejkaluar jo vetëm për qytetin por edhe për disa fshatra. Gjata mandatit tim, Deçani e ka planin e vet rregullativ, i cili është votuar. Kemi ndërtuar çerdhe për fëmijë, tri palestra sportive si dhe stadiumin e futbollit, i cili është në përfundim e sipër. Kemi ndërtuar një fabrikë të mjaltit, e cila brenda një kohe të shkurtër do të jetë funksionale në kuptimin e objektit dhe makinave, i cili është një investim i Komisionit Evropian. Mandej jemi edhe në përgatitje të hapësirës për krijimin e një tregu të kafshëve, i cili sipas fjalëve të investuesit, është tregu i dytë në Ballkan. Veç kësaj i kemi ndërtuar edhe disa kanale për ujitjen e tokave, por kjo varet shumë nga Ministria e Bujqësisë. Deçani tanimë ka filluar ndërtimin e një objekti të ri për Qendrën për Punë Sociale. Me pak fjalë, Deçani po shkon drejt krijimit të një infrastrukture moderne. Kemi investuar edhe në ngritjen e disa komplekseve memoriale në disa fshatra, në mënyrë që vlerat dhe sakrificat e popullit të nderohen. Ajo me të cilin mund të krenohemi është nënshkrimi i kontratës me kompaninë “Kellar” nga Austria me vlerë prej 55 milionë eurosh. Ky projekt ndodh në kohën kur pikërisht flitet se në Kosova nuk ka kushte për investime për shkak të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo kompani synon krijimin e disa hidro-centraleve, nga të cilat do të përfitojë shumë Deçani.

RKL: Cili është afati i realizimit të këtij projekti?

Selmanaj: Sipas investitorit, kjo mund të zgjasë dy deri në tri vjet. Madje gjatë vitit të parë një pjesë e kapacitetit pritet të aktivizohet.

RKL: Cilat janë raportet tuaja me ministritë e Qeverisë së Kosovës? A mendoni se ka ndonjë anashkalim për faktin që dihet se jeni përfaqësues i një partie (AAK)  e cila është në opozitë?

Selmanaj: Thënë të drejtën, në kohën kur e kam marr mandatin, raportet midis komunës dhe Qeverisë kanë qenë jo-normale, në kuptimin që nuk kemi pasur përkrahje. Akuzat kanë qenë të dyanshme. Mirëpo tani mund të them se ato raporte dukshëm janë përmirësuar. Komuna jonë është përfituese e shumë projekteve dhe donacioneve, pra jam i sinqertë që kemi pasur shumë projekte nga Qeveria. Mendoj se Deçani ka merituar dhe meriton më shumë investime.

RKL: Komuna që ju qeverisni ju ka dalë në ndihmë familjeve të dëshmorëve dhe kategorive të tjera të dala nga lufta e UÇK-së. A mund të na thoni më diçka më konkretisht në këtë çështje?

Selmanaj: Në aspektin moral ne jemi shumë afër familjarëve të dëshmorëve dhe kategorive të ngjashme. Fatkeqësisht, mundësitë financiare të komunës nuk janë ato që i meritojnë këto kategori. Shpeshherë edhe jashtë mundësive tona, jemi munduar që t’i ndihmojmë këto kategori. Megjithatë, unë mendoj se u kemi borxh atyre dhe në këtë drejtim duhet të bëjmë më shumë. E rëndësishme është që ne kemi mirëkuptimin e tyre, duke qenë se ne gjithherë jemi të sinqertë dhe të hapur ndaj tyre. Komuna e Deçanit është vend që ka dhënë shumë në luftë, prandaj është e natyrshme që ne duhet t’i respektojmë këto vlera, sepse kështu respektojmë edhe vetën. Investime janë bërë më tepër në ndërtimin e memorialeve, ndërkaq individualisht ende u jemi borxhlinj atyre. Megjithatë, respekti dhe afërsia me ta është në çdo kohë.

RKL: Sa arrin komuna juaj që t’i vjelë taksat dhe tatimet në pronë nga qytetarët dhe bizneset? A ka ndonjë avancim në këtë drejtim?

Selmanaj: Kemi një rezultat mesatar. Ne i njohim tashmë rrethanat ekonomike në Deçan e gjithandej Kosovës. Nëse ka ngecje deri diku, atëherë faji më tepër është tek vetëdija e qytetarëve por edhe te mos-angazhimi i komunës për t’i mbledhur taksat. Një ngecje hetohet edhe nga ana e bizneseve. Kuptohet që një pjesë e bizneseve kanë një lloj krize, mirëpo një pjesë tjetër nuk i ka paguar detyrimet duke qenë se edhe komuna ka qenë neglizhente në këtë drejtim. E theksoj që për shkak të rrethanave ekonomike, ne nuk mund të jemi një inkasim të plotë.

RKL: A ka arritur komuna e Deçanit që t’i shfrytëzojë resurset e saj për zhvillimin ekonomik?

Selmanaj: Ne kemi bërë përpjekje, por nuk i kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë, duke qenë se Deçani ka kapacitete për bujqësinë dhe turizmin. Është fakt që donacionet ende mungojnë. Jemi në bisedimeve me investitorë të shumë por edhe me Bankën Botërore, prandaj pres që të ketë projekte dhe  punësim të njerëzve. Dua të them, me këtë rast, një të vërtetë që meriton të përmendet. Kur kam ardhur në krye të komunës, Deçani ka qenë në listën e zezë të investitorëve të huaj për shkak të dështimeve të dy projekteve. Nga ajo situatë kemi arritur në një situatë krejtësisht të re. Vetëm në këtë moment , me donatorë të huaj jam duke i zhvilluar pesë projekte- Fabrika e mjaltit në vlerë prej 550 mijë euro donacion nga Komisioni Evropian, ndërtimi i kulmit të Pallatit të Kulturës në bashkëpunim me CDEF-in, i cili projekt ka përfunduar, kompleksi i kullave në fshatin Drenoc, projekt i ndihmuar nga USAID-i amerikan. Me USAID-in prapë do ta fillojmë një projekt të ri bëhet fjalë për tregun e kafshëve në fshatin Strellcë, i cili pritet të përfundoj deri në janar. Pra i kemi pesë projekte që po i realizojmë me donatorë të huaj. Pra, nga një komunë që për disa vjet asnjë cent nuk është investuar, tani jemi një prej komunave që prinë në këtë drejtim.

 RKL: Për këtë arsye edhe i keni fituar dy palë zgjedhje?

Selamanaj: Ka qenë vullnet i qytetarëve. Megjithatë tani jemi në një lloj provimi para qytetarit, të shohim se në  ç’masë do ta vlerësojnë punën.

RKL: Meqenëse e cekët se jeni në njëfarë lloj provimi, atëherë na thoni me cilat sfida jeni përballë me punën e deritashme. A ka ndodhur ndonjëherë që e keni ndierë vetën të mposhtur nga pamundësia për të kryer një punë për qytetarët?

Selamanaj: Shpeshherë mund t’i ndodhë një kryetari të komunës të ndihet i mposhtur për arsye të ligjit. Sfidë për mua janë pyjet. Mendoj se nuk e kemi gjendjen e mirë. por këto dy vjetët e fundit është më mirë se më herët. Megjithatë, ne nuk mund të krenohemi  e të themi se tani e keqja është më e vogël. E keqja më e vogël është se ne kemi qenë shumë transparent dhe kemi këmbëngulur që të kemi një situatë më të mirë të pyjeve. Mirëpo, ligjet aktuale që janë në fuqi, nuk lejojnë që të bëjmë më tepër. Për fat të keq, nuk është bërë maksimumi.

RKL: I përmendet pyjet… E keni fjalën për ruajtjen e tyre apo për djegiet e fundit?

Selamanaj : Të gjitha këto ndërlidhen, sepse ligji është i keq, prandaj duhet të ndryshoj. Unë e kam përkrahur fuqishëm idenë që kjo pasuri të shpallet park kombëtar. Ose edhe ideja tjetër që tash po qarkullon, park natyror. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë. Përndryshe, ne do të përballemi prapë me sfida. Një sfidë tjetër është çështja e Manastirit të Deçanit. Ne kemi ndërtuar marrëdhënie të mira, por ende kemi pengesa në realizimin e shumë projekteve, siç është kthimi i pushimores së fëmijëve, ndërtimi i rrugës nacionale Deçan – Plavë. Megjithatë ne kemi krijuar një situatë më të favorshme sa i përket shumë projekteve, por jemi në pritje që vullneti i përfaqësuesve të manastirit të jetë pozitiv sa i përket shumë projekteve që janë me interes fillimisht për vet manastirin, por edhe për komunën e Deçanit.

RKL: Në përgjithësi, ju njiheni edhe si njeri i sportit, sidomos i futbollit. Si i ka punët Deçani në Ligën e Parë të Kosovës dhe a pritet avancim i klubeve të hendbollit në të dy konkurrencat?

Selmanaj: Jo për të bërë komplimente, por unë kur kam filluar ta përkrahë sportin,  gjendja e sportit në Deçan ka qenë e vdekur. Për momentin, ne kemi katër klube aktive, të cilat përkrahen drejtpërdrejtë nga komuna. Poashtu kemi ndërtuar një stadium të futbollit në Irzniq. Ata e kanë një klub, që garon në ligën e dytë të futbollit të Kosovës. Poashtu dy klube të hendbollit të femrave dhe meshkujve, dmth meshkujt janë në Superligën e Kosovës, ndërsa femrat janë në Ligën e Parë të Kosovës .

RKL: Megjithatë, ndeshjet nuk zhvillohen në Deçan as në futboll, as në hendboll. Kur priten që ato të zhvillohen ?

Selmanaj: Në pranverë Deçani pritet që ndeshjet e futbollit t’i zhvilloj në qytetin e vet. Ndërsa në hendboll sapo të mbaroj së ndërtuari palestra sportive. Deri tani ka munguar infrastruktura. Mirëpo, me aktivizimin e klubeve po ndërtohet edhe infrastruktura sportive. Për vitin 2013,  jemi optimist se kjo çështje do të kryhet. Jemi me projekte të konkretizuara, dhe ato do të përfundojnë, kështu që ne do t’i zhvillojmë garat në infrastrukturën sportive të qytetit tonë.

RKL: z.kryetar, në fund nëse na lejohet, meqenëse jeni një zyrtar i lartë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, nëpër media qarkullon se PDK dhe AAK janë në prag të nënshkrimit të një koalicioni. Mendimi juaj për të, sa do të jetë i dobishëm ky koalicion nëse realizohet?

Selmanaj: Në politikë gjithmonë koalicionet janë të mundshme. Mirëpo, sa i përket koalicionit konkret mes PDK-së dhe AAK-së, është çështje që do të diskutohet në parti, por asnjë koalicion me PDK-në nuk është i mundshëm  përderisa nuk përfundon çështja e drejtësisë në Hagë në raport me liderin tonë, Ramush Haradinaj. Unë mendoj se vetëm atëherë mund të diskutohet për një koalicion të mundshëm .

RKL: Unë e kuptoj çështjen e liderit, i cili pritet të kthehet gjatë muajit të ardhshëm, ashtu siç presin të gjithë qytetarët e Kosovës. Mirëpo ka shumë deklarata nëpër media që përmenden kushte siç janë vetëm me Ramushin kryeministër apo me largimin e kryeministrit aktual…

Selmanaj: Unë si një prej zyrtarëve të partisë, në këtë rast edhe si kryetar i  komunës së Deçanit, jam pro një koalicioni vetëm pasi të zgjidhet çështja drejtësisë në Hagë dhe natyrisht modalitetet që mund të diskutohen nga njerëzit përgjegjës të partisë. Por në parim unë jam pro një koalicioni në mes të PDK-së dhe AAK-së. Mirëpo mendoj se Ramushi i duhet shumë këtyre proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova dhe është autoritet dhe politikan që s’mund të anashkalohet. E thash një ditë, dhe dua ta them edhe për radion tuaj, aq sa ka qenë i domosdoshëm Ramush Haradinaj në luftë e që kontributi i tij është i jashtëzakonshëm, rrethanat të cilat po kalon Kosova dhe sfidat që e presin , udhëheqja e këtij vendi nga Ramush Haradinaj është e domosdoshme dhe është njeriu i duhur për t’i çuar përpara këto procese.

RKL: z. kryetar, ne u falënderojmë shumë për intervistën që e dhatë për Radion Kosova e Lirë, ju dëshirojmë suksese edhe më të mëdha gjatë ditëve dhe muajve në vazhdim.

Selmanaj: Ju faleminderit shumë. Ishte kënaqësi në mënyrë të veçantë për mua, për faktin se Radio Kosova e Lirë është një radio me traditë dhe vazhdoni ta ruani vlerën mbi të cilën realisht e keni filluar punën në kohë dhe rrethana të vështira.

Intervistoi: Jeton SYLA 05.10.2012
Radio ‘Kosova e Lirë’

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …