Intervistë me Prof. Dr. Shyqeri Kabashi, Rektor në Kolegjin ‘Biznesi

RKL: Meqë jemi në fillim të vitit të ri akademik, do të ishte në interesin e studentëve të rinj dhe gjithë të interesuarve të tjerë të dinë më imtësisht mbi ofertat që ofron Kolegji ‘Biznesi’?

Kabashi: Si çdo herë tjetër, edhe sivjet kemi filluar përgatitjet për vitin akademik 2012/ 2013. Mendoj se përgatitjet janë bërë me kohë dhe në sajë të marketingut, ne kemi shpalosur ofertat e kolegjit tonë. Këto oferta janë të natyrave të ndryshme, prandaj dua të theksoj se jemi të kënaqur me interesimin e studentëve të rinj që janë paraqitur deri më tani.

RKL: Kolegjet në Kosovë zakonisht deklarojnë se promovojnë cilësi, duke sjellë profesorë të huaj nga universitet eminente. Sa angazhohet institucioni juaj në këtë drejtim dhe cilat janë përfitimet e studentëve nga përvoja të tilla?

Kabashi: Ne, megjithatë, kemi një qasje më të ndryshme. Nuk është e thënë që domosdoshmërisht një profesor nga Austria, le të themi, të jetë më i aftë sesa një profesor nga Kosova. Ne e bëjmë përzgjedhjen në bazë të kontributit të tyre dhënë shkencës, e jo nga prejardhja e vendeve të tyre. Te ne janë të angazhuar kryesisht profesorë vendorë, por ka të tillë edhe nga vendet e rajonit. E theksoj edhe njëherë se te ne kusht i përzgjedhjes është cilësia e profesorit dhe jo prejardhja e tij.

RKL: A ka paraparë Kolegji juaj ndonjë lehtësim për pranimin e studentëve që janë fëmijë të dëshmorëve, veteranëve e invalidëve të luftës si dhe atyre që kanë sukses të shkëlqyeshëm nga shkollat e mesme?

Kabashi: Sektori i marketingut ka bërë çmos që oferta të jetë sa më joshëse. Bordi ynë i cili përcakton politikat strategjike, ka vendosur sikur çdo vit tjetër, që për fëmijët e Dëshmorëve të ketë lehtësira deri në 10 për qind, ndërsa për nxënësit me sukses të shkëlqyeshëm 5 për qind.

RKL: Sigurisht kjo nënkupton edhe zbritje të çmimit për ata studentë që vijnë nga e njëjta familje?

Kabashi: Po, ata i trajtojmë si familjarë…

RKL: Cili është bashkëpunimi i Kolegjit tuaj me institucione të ngjashme në vendet perëndimore?

Kabashi: Në strategjinë tonë synojnë bashkëpunimin me universitete simotra si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Kemi bashkëpunime të shkëlqyeshme me institucione të ndryshme jashtë vendit. Kemi bashkëpunim me Universitetin e Mariborit, me atë të Leçes, ku dhe kemi mbajtur ligjërata në këto universitete. Bashkëpunime të ngjashme kemi edhe me Universitetin e Sarajevës, por edhe me ata të Maqedonisë e Shqipërisë.

RKL: Me cilat më konkretisht në Shqipëri?

Kabashi: Bashkëpunim kemi prej Universitetit Shtetëror të Tiranës e deri te ato private, ndërsa në Maqedoni me Universitetin e Shtul-it, Universitetin ‘Internacional’, etj.

RKL: Aktualisht Kolegji ‘Biznesi’ ka shtrirë veprimtarinë e tij edhe në Prizren dhe Gjakovë? Cili ka qenë efekti i këtyre dy njësive dhe a do të vazhdohet me hapjen e njësive të tilla edhe në qytete të tjera ku paraqitet nevoja?

Kabashi: Bordi është ai që vendos mbi strategjinë e zhvillimit të institucionit. Ndaj është parë e arsyeshme që të shtrijë rrjetin edhe në Rrafshin e Dukagjinit. Personalisht jam tejet i kënaqur me numrin e studentëve si dhe suksesin që kanë treguar.

RKL: D.m.th ky është viti i dytë për këto njësi të Kolegjit tuaj?

Kabashi: Po, pikërisht!

RKL: Çfarë prisni në planin e zhvillimeve politike dhe ekonomike sa i përket arsimit të lartë privat në vend?

Kabashi: Në planin e arsimit presim një zhvillim më të hovshëm. Kosova në këtë aspekt ka hedhur një hap përpara shteteve të tjera të rajonit, duke respektuar proceset e Bolonjës. Në aspektin e përgjithshëm ekonomik, vlerësoj se Kosova nuk ndikon as në stabilizimin e as në destabilizimin e ekonomisë evropiane, sepse vendi ynë ka një popullsi prej 2 milion banorë dhe një buxhet prej 1.5 miliardë euro, buxhet të cilin e kanë edhe biznese të tjera në Evropë.

RKL: Kolegji juaj, përveç të tjerash, organizon edhe tryeza. Ajo e fundit ka qenë rreth menaxhimit të situatave emergjente, duke iu referuar shkatërrimeve të pyjeve nga zjarret. Kjo mbase e dallon Kolegjin tuaj nga universitetet tjera, duke qenë se Kolegji juaj ka edhe nivelin master për emergjencat. Çka mund të na flisni më tepër rreth kësaj?

Kabashi: Është e vërtetë se jemi të vetmit që e kemi Fakultetin e menaxhimit të emergjencave, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Në sajë të kësaj, ne mundohemi të japim një kontribut me Menaxhimin e Emergjencave, me ç’rast unë do të falënderoja drejtorin për menaxhimin e emergjencave, Fadil Kodra. Me 9 shtator, ne organizuam një konferencë ‘Menaxhimi i zjarreve dhe mbrojtja e pyjeve’, ku kishte pjesëmarrës edhe nga Shqipëria e Maqedonia. Ne dhamë sugjerimet tona, të cilat i kemi përcjellë në departamentin e menaxhimit  të emergjencave si dhe në Qeveri. Është çështje e tyre nëse do t’i  marrin parasysh sugjerimet tona. Kemi një projekt shtesë për vlerësimin e zjarreve dhe dëmeve që kanë shkaktuar në rajonin e Prizrenit, me ç’rast është formuar një ekip i profesorëve dhe studentëve të Master-it dhe Bachelor-it, ku së shpejti pritet të dilet me një vlerësim mbi përmasat e dëmit.

RKL: Nëse do të tërhiqnim një paralele midis këtij viti të ri akademik dhe atij që sapo kaloi, a është Kolegji juaj tani më i fortë nga cilësia dhe rritja e numrit të studentëve?

Kabashi: Mundem t’i marr disa parametra të vlerësimit, çka na bëjnë krenar për ndryshimet. Fillimisht ne kemi një ndryshim në staf, ndërkohë që kanë doktoruar disa profesorë që ishin magjistra. E dyta është që jemi shumë aktual në ofrimin e konferencave, ku mbase deri në fund të këtij muaji do të organizojmë një konferencë në lëmin e juridikut sa i përket aktivitetit të EULEX-it. Është bërë një punë më aktive sa i përket praktikës së studentëve të emergjencave, të cilët janë edhe kuadrot e para në Kosovë. Këto, me një fjalë, janë disa nga parametrat që tregojnë se jemi më të fortë sesa në vitin e kaluar. Dua të shtoj gjithashtu se jemi në kuadër të ndërtimit të objektit të ri të Kolegjit, i cili është thuajse në qendër të qytetit.

RKL: Ju falemnderit z. Kabashi për kohët që ndatë me  ne…

Kabashi: Ju falënderoj edhe juve si Radio, e cila është shumë cilësore, e suksesshme dhe e begatshme në programe. Kam konsiderata për  rolin e radios suaj si gjatë luftës ashtu edhe pas luftës. U bëj thirrje gjithë dëgjuesve të radios suaj të cilët janë të interesuar për studime, le të vinë tek ne për t’u bindur për cilësinë që e karakterizon Kolegjin ‘Biznesi’.

Intervistoi: Jeton SYLA

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …