leoni

Intervistë me kryetarin e komunës së Ferizajt, Agim Aliu

RKL: Z. kryetar për fillim të bisedës, në cilin sektor vlerësoni se keni arritur t’i përmbushni premtimet dhe ku ka nevojë për investime të reja në komunën e Ferizajt?

Aliu: Më lejoni edhe njëherë t’u falenderoj për mundësinë që më keni dhënë që t’i njoftoj dëgjuesit e radios ‘Kosova e Lirë’ lidhur me zhvillimet ekonomike, politike dhe të tjera në komunën e Ferizajt. Me të marrë mandatin e kryetarit të komunës së Ferizajt, kur kam bërë betimin më 8 qershor praktikisht kam kapur fillin e punëve aty ku ishin lënë me kryetarin Xhemajli. Ne ishim pjesë e një projekti të përbashkët, ndërkaq mua m’u dha mundësia që të vazhdoj me ato projekte qe ne bashkë i kemi projektuar. Sigurisht, se ato që  kemi premtuar bashkë gjatë fushatës, i kemi realizuar dhe jemi duke i realizuar. Sigurisht se kjo është bërë falë ndryshimit të politikave buxhetore që ne i kemi bërë vazhdimisht në komunën e Ferizajt. Në sajë të tyre, ne kemi krijuar mundësi financiare për sigurimin e projekteve më të mëdha, por dua të përmend edhe faktin se kemi pasur një mbështetës të fuqishëm, në këtë rast qeverinë e Republikës së Kosovës. Përveç mbështetjes në fushatë, praktikisht është treguar e përgjegjshme në premtimet që i kemi bërë së bashku para elektoratit të komunës së Ferizajt. Më vjen mirë së Qeveria e Republikës së Kosovës më ka qëndruar prapa në të gjitha investimet që ne i kemi premtuar gjatë fushatës elekorale. Ne edhe ashtu kemi qenë shumë racional në premtimet që i kemi bërë para qytetarëve të komunës së Ferizajt, sepse dëshirojmë të jemi të sinqertë dhe të përgjegjshëm para qytetarëve. Duke qenë të tillë, ne nuk kemi bërë premtime megalomane por premtime që mund t’i realizojmë.

 RKL: Nga kjo që thatë, ju dukeni të kënaqur me investimet që po bënë Qeveria në komunën tuaj…

Aliu: Ne gjithmonë jemi të “pakënaqur”, në kuptimin se gjithmonë kërkojmë më shumë. Me mundësitë tona si komunë , ne i kemi realizuar ato që i kemi premtuar,bile edhe i kemi tejkaluar. Kjo është bërë edhe falë bashkrendimit institucional që ne e kemi pasur edhe me deputetët e komunës së Ferizajt, pra në trekëndëshin Komunë – Kuvendi i Republikës së Kosovës- Qeveria e Republikës së Kosovës. Kjo sigurisht është materializuar në investimet që po bëjmë për çdo ditë në komunën e Ferizajt.

RKL: Cilat janë prioritetet tuaja në vazhdim?

Aliu: Prioritetet janë pjesë e këtij programi që ne e kemi shpalosur. Ne duam që Ferizaj vërtetë të jetë në dy aspekte qytet evropian, që ka qenë edhe sllogan i zgjedhjeve. Ne do të jemi prijatar të vizionit evropian, por gjithmonë këtë koncept do ta bashkërendojmë me pjesën tjetër infrastrukturore, sepse nuk është e mjaftueshme të kesh vetëm një vision, mentalitet dhe filozofi por ne duhet të bëjmë investime, asisoj që në aspektin infrastrukturor, qyteti i Ferizajt t’i ngjasoj një qyteti evropian. Aktualisht, jemi duke e bërë ndërtimin e rrugëve të ndryshme në komunën e Ferizajt, asisoj që të gjitha hyrjet dhe daljet të jenë me katër korsi. Krahasj kësaj, janë duke u ndërtuar parqe të reja si dhe po bëhet plani rregullativ urban. Në vitin 2013, ne e përfundojmë ciklin e të gjitha zonave të qytetit të Ferizajt në kuptimin e hartimit të planeve urbane. Ferizaj është e ndarë në tetë zona, ndërsa deri më tani kemi përfunduar gjashtë zona. Përveç miratimit të planit zhvillimor urban dhe planit zhvillimor komunal, ne kemi edhe projekte të tjera që zhvillohen jo vetëm në territorin urban të qytetit të Ferizajt,por edhe në territore tjera të komunës. Një ndër projektet më ambicioze është ajo për ndërtimin e ujëmbledhësit në lumin Neredime, respektivisht në Jezerc. Aty ku dikur ishte vatra e luftës, ne sot po krijojmë një vepër infrastrukturore, për faktin se kjo është një zonë jashtzakonisht e rëndësishme turistike. Sot është qyteti i tretë për nga numri i banorëve dhe kjo është falë pozitës strategjike si dhe frymës liberale që ka Ferizaj. Kjo ka krijuar një klimë të mirë për ata që dëshirojnë të investojnë në komunën e Ferizajt. Kjo shton nevojën që ne t’i ngrisim kapacitetet, që të jenë kompatibile me zhvillimet që janë në komunën e Ferizajt. Një nga këto është edhe shtimi i sasisë së ujit të pijes. Kjo nuk mund të sigurohet ndryshe, përveç se me ndërtimin e një ujëmbledhsi. Ne e kemi ristudiuar atë, kemi angazhuar Institutin për Ndërtimin e Digave nga Shqipëria, i cili është duke e bërë studimin. Kemi aplikuar në Bankën Botërore, që poashtu ata të mbështesin këtë projekt, sepse mundësitë buxhetore janë të kufizuara. Përveç ujit të pijes, kjo siguron edhe kapaciete energjetike deri në 8 megavat, siguron kapacitete turistike dhe një e veçantë tjetër është se siguron edhe ujin e mjaftueshëm për lumin Neredime. Kjo do ta fuksionalizonte fenomenin e bifurkacionit, që është unikat në Evropë, madje edhe në botë. Ne nuk dëshirojmë që gjërat të jenë në aspektin formal, por gjërave duhet dhënë përmbajtje dhe një nga këto është edhe fenomeni i bifurkacionit. Një tjetër projekt i rëndësishëm është edhe hekurudha. Përveç ndërtimit të nënkalimeve rrugore, ne kemi ambicie për ndërtimin e infrastrukturës për rini, kulturë dhe sport, në mënyrë të veçantë për ndërtimin e kapaciteteve sportive, ndërtimin e një stadiumi të qytetit të Ferizajt, ku ne tashmë e kemi një donacion nga Komisioni Evropian me vlerë prej afro 700 000 euro.

RKL: Cili është bashkëpunimi i Komunës me bizneset private në Ferizaj?

Aliu: Tashmë i prekëm pikat që ne i kemi me komunitetin e biznesit. Është një bashkëpunim i shkëlqyer me komunitetin e biznesit.  Bashkëpunimi me këtë komunitet krijon mundësi të punësimit për gjeneratën e re. Nuk është e mjaftueshme që ne gjeneratën e re ta cilësojmë vetëm si resurs. Ne duhet ta zhvillojmë këtë resurs dhe duhet të krijojmë kapacitetet për të absorbuar këto resurse që i kemi, në këtë rast rininë tonë. Rinia jonë për çdo ditë po shkollohet, për çdo ditë po na krijohen resurse të ndryshme profesionale dhe ne duhet t’i absorbojmë përmes komunitetit të biznesit. Në të kaluarën, ne kemi marrë vendime të rëndësishme, që të jenë në të njëjtën linjë veprimet tona si Komunë me komunitetin e biznesit. Cilat kanë qenë këto veprime? Ne kemi bërë heqjen e taksave të ndryshme për bizneset. Në vitet e kaluara, ne e kemi ulur për 10 për qind taksat e bizneseve në komunën e Ferizajt, ndërsa për bizneset prodhuese i kishim hequr më parë. Poashtu e kishim liruar edhe tatimin në pronë, që drejtëpërdrejtë e rrezikon komunitetin e biznesit. Me propozimin tim, Kuvendi i komunës  ka miratuar vendimin që të hiqet e gjithë taksa e ushtrimit të veprimtarisë së bizneseve në komunën e Ferizajt në mënyrë që të lehtësohet veprimtaria e këtyre bizneseve. Pra ky është një shembull që tregon se çfarë relacioni duhet ndërtuar dhe si duhet të jemi ne të përgjegjshëm të ndërtojmë raporte partneriteti në ndërtim të shtetit,në ndërtim të një zhvillimi ekonomik që siguron vende pune dhe mirqenie…

RKL: Si është vlerësuar Komuna e Ferizajt nga raporti i USAID-it? Këto ditë ju kishit një takim me përfaqësuesit e kësaj organizate…

Aliu: Varet në cilat pika. Ka pika ku vlersohesh më lartë, në mesatare apo më ulët. Në përgjithësi raportet e USAID-it gjithmonë na kanë ranguar në nivel të lartë dhe ne shpesh nga USAID-i kemi marrë edhe çmime të ndryshme për shkak të performancës së mirë. Zakonisht, ne kemi marrë çmime në respektimin e ligjit. Kemi qenë komuna e vetme në nivelin e Republikës së Kosovës, me çmimin më të lartë sa i përket respektimit të ligjit për vetëqeverisje lokale. Pasi që këtë e ka bërë USAID-i, ne na ka nderuar për faktin se ka vlerësuar punën dhe respektimin e rendit dhe ligjit i cili mbizotëron në komunën e Ferizajt. Komuna jonë nuk ka qenë e vlerësuar vetëm për respektimin e ligjit, por edhe për shërbimet në administratë, shërbimet publike si dhe për krijimin e hapësirave të gjelbra. Kemi krijuar hapësira të tilla jo vetëm në pjesët urbane të qytetit të Ferizajt, por edhe në pjesë të tjera të komunës. Falë këtyre vlerësimeve, ne kemi përfituar nga USAID-i grante të ndryshme…

RKL: A është zgjidhur çështja e banimit për familjarët e dëshmorëve në tërësi, dhe me bursa si qëndrojnë studentët e atyre familjeve?

Aliu: Së pari ne përshëndesim ligjin për vlerat e luftës, i cili trajton këtë kategori. Tashmë ata janë përfitues të këtij ligji, por ne kishim një rast të veçantë në komunën e Ferizajt, ku katër familje të dëshmorëve nuk kanë qenë përfituese për faktin se ata Dëshmorë kanë rënë në viset e tjera etnike të Shqipërisë, konkretisht në UÇPMB dhe UÇK në Maqedoni. Unë i kam propozuar Kuvendit, që edhe familjet e këtyre dëshmorëve të  futen në skemën e përfitimeve për kategorinë e dëshmorëve. Studentët, fëmijët qoftë në nivelin fillor, të mesëm apo universitar janë përfitues të të gjitha benificioneve që i jep Komuna e Ferizajt dhe ata nuk i nënshtrohen asnjë kriteri të vlersimit. Të gjitha benificionet, bursat, ndihmat e ndryshme i fitojnë me automatizëm vetëm për faktin së janë familjarë të dëshmorëve. Mund te them se jemi një prej komunave që e kemi pozitën më të mirë sa i përket strehimit të familjarëve të dëshmorëve. Megjithatë, asnjëherë nuk mund të themi se është bërë mjaft, sepse nuk mund t’u dilet hakut atyre që kanë dhënë më së shumti për lirinë dhe pavarësinë e vendit.  Ne i kemi të gatshme tani edhe afro 45 banesa, të cilat komuna i ka me koncesion. Ato do t’i ndajmë pikërisht për kategoritë e dala nga lufta, në mesin e tyre edhe për familjet e dëshmorëve. Përfitues të tyre do të jenë edhe kategoritë e tjera sociale. Dëshiroj të theksoj se gjatë këtyre muajve është bërë një renovim gati i tërësishëm i Memorialit të Dëshmorëve në Ferizaj, me ç’rast i është dhënë një pamje krejtsisht e re. Me 13 shtator të këtij viti është zbuluar edhe shtatorja e komandantit të parë të UÇK për komunën e Ferizajt, Rexhep Bislimi.

RKL: Faleminderit  për kohën që ndatë me ne. Në emër të stafit dhe dëgjuesve të radios ‘Kosova e Lirë’ u dëshirojmë suksese të mëtejshme…

 Aliu: Faleminderit edhe një herë për mundësinë. Ju dëshiroj edhe juve shëndet dhe suksese në punën tuaj. Më lejoni edhe një herë të përshëndes gjithë dëgjuesit e radios ‘Kosova e Lirë’.

 16 tetor 2012

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …