Intervistë me kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi

RKL: Në cilin sektor të qeverisjes tuaj puna ka ecur ashtu siç ju keni paraparë, dhe në cilin kanë ngecur apo keni hasur në vështirësi gjatë kësaj periudhe të qeverisjes?

Smajl Latifi: Natyrisht, planet tona janë shumë ambicioze dhe parashikimet po ashtu, por gjykoj me plot të drejtë se shumë nga aktivitetet e planifikuara ose të parapara që të zhvillohen, konsideroj se janë zhvilluar në mënyrë të suksesshme dhe asnjëherë s’mund të themi se jemi të kënaqur me punën tonë sepse vazhdimisht edhe për  nga natyra edhe për  nga karakteri, edhe unë si njeri por edhe stafi im qeverisës përpiqemi në vazhdimësi që të korrim suksese, të përballemi dhe të tejkalojmë sfidat. Jemi të përgatitur që t’i sfidojmë vështirësitë të cilat paraqiten në rrugën e qeverisjes së mirë e të suksesshme në përmbushje të planit dhe punës.

RKL: Cilat janë projektet kapitale të cilat i keni paraparë t’i realizoni për këtë vit?

Smajl Latifi: Për këtë vit ka një mori projektesh kapitale, përkundër mundësive të kufizuara buxhetore. Megjithatë ne po përpiqemi që krejt çka është e mundur , që edhe mjetet t’i shfrytëzojmë në mënyrë racionale, t’i derdhim aty ku e kanë vendin, dhe të realizojmë sa më shumë ato që mund t’ quajmë projekte kapitale. Lumi Duhel është një projekt i madh dhe i rëndësishëm, i cili pothuajse përshkon qytetin e Rahovecit. Është një lum i patrajtuar deri më tani. Ne kemi ndarë mjete sivjet dhe shpresojmë se do të fitojmë edhe mbështetje financiare nga ana e donatorëve. Kemi adresuar kërkesën dhe nevojën tonë për mbështetje financiare. Është lumi Remnik poashtu, i cili përshkon fshatin Fortesë në të cilin po punohet dhe është një projekt i madh që së paku dy probleme themelore i zgjidhë për banorët e fshatit Fortesë: e para që e mbron këtë vendbanim nga vërshimet potenciale të cilat kanë rrezikuar në të kaluarën, dhe e dyta i jep një pamje urbane këtij vendbanimi, sepse po rregullohet shtrati me stazat dhe me elementet tjera përcjellëse, që duhet t’i ketë një lum, i njohur për të keq dikur dhe tash shpresojmë po punohet mirë dhe po përpiqemi që ndoshta në këtë vit ta përmbyllim këtë projekt. Poashtu, është rruga Fortesë-Celinë, është një projekt i madh  që lidhë dy fshatra të rëndësishme dhe jo vetëm dy fshatra por lidhë edhe dy komuna, komunën e Rahovecit me komunën e Prizrenit, shkurton rrugën drejtë Prizrenit pastaj shkarkon magjistralën Xërxë-Rahovec. Kemi në projekt ndërtimin e Shkollës Fillore dhe  të Mesme te Ulët “Skënder Kastrati”në Malësi të Vogël. Është një projekt shumë i madh dhe është mirë që ne tani jemi në terren çdo ditë dhe po ndërtohet. Pritet përmbyllja dhe përurimi i një shkolle poashtu  në Polluzhë, dhe shkollën në Guri të Kuq. Kemi një projekt shumë të madh  kapital që është rruga tranzite. Nuk kemi mundësi  të mira buxhetore , madje i kemi shumë të kufizuara por ne jemi të përkushtuar dhe kemi vullnet dhe gatishmëri të plotë që ta nisim dhe shpresoj që Ministria e Infrastrukturës do ta pranojë nevojën dhe domosdoshmërinë e realizimit të këtij projekti që i lidhë tri komuna: Rahovecin, Therandën dhe Malishevën. Kemi poashtu një projekt që është duke vazhduar që e lidhë Zaçishtin me Retinë dhe Retinë e Ulët. Siç e dini në Reti ka qenë një qendër e njohur e  riorganizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , ku kanë marrë pjesë në këtë proces të riorganizimit minimalisht katër brigada të UÇK-së, 123, 124 ,125, 126 dhe 127. Kështu që edhe aty projekti është duke u realizuar . Është një kompani që ka kontratë me Komunën e Rahovecit dhe besoj që puna është duke shkuar me një ritëm normal dhe është duke u kryer një punë e mirë. Poashtu kemi projektin për furnizimin me ujë të pijshëm  për pesë fshatra: Çifllak, Dobridol, Polluzhë, Kramovik dhe Gur i Kuq. Pothuajse projekti ka ngecur në fazën e parë kur e kemi trashëguar këtë gjendje, për shkak të disa problemeve mbase të paarsyeshme që i ka komuniteti i disa fshatrave të komunës së Gjakovës. Përndryshe infrastruktura për këto 5 fshatra është e përgatitur, është shtrirë rrjeti dhe po presim me i përmbyllë punimet në fazën e parë. Tani gatishmëri ka  edhe Radoniqi, besoj edhe Komuna e Gjakovës do të na ndihmojë që të kemi një përmbyllje të suksesshme të fazës së parë, në mënyrë që të furnizohen me ujë ato pesë fshatra që asnjëherë nuk kanë pasur ujë adekuat për pije. E kemi poashtu edhe projektin ”Rrugët e Verës” apo “Shtigjet e Verës”, që është projekt i fituar nga Komisioni Evropian ku participon edhe komuna e jonë e që veç ka filluar realizimi i këtij projekti i cili është me vlerë diku rreth 300.000 euro,  10 % participojmë ne. Poashtu kemi një projekt infrastrukturor për ndërtimin e rrugës Drenoc-Bratotin, që e lidh bashkësinë lokale të Drenocit  (ku  ka qenë Shtabi i parë i UÇK-së i zonës) me bashkësinë lokale të Ratkocit. Edhe këtu janë mundësit e kufizuara buxhetore, por ne besojmë se do t’ia nisim së mbari për realizimin edhe e këtij projekti  që lidh dy bashkësi lokale. Pastaj kemi edhe  projekte më të vogla, që kanë një kosto më të ulët por janë projekte të rëndësishme që ndikojnë në cilësinë e jetës së qytetarëve kudo nëpër fshatra dhe në qytet. Kemi plane të tjera, si rregullimi i trotuareve , pastaj shtrimin e rrugëve me kubëza betoni, pastaj kemi projekte që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ambientit dhe po bëjmë përpjekje konkrete që  të fillojmë së realizuari projekte në zonën industriale. Tashmë po përgatitemi për një proces fizibiliteti dhe po llogarisim të kemi mbështetje sipas zotimit që na është dhënë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe vet ministrja, për të filluar një kapitull të investimit ose  shfrytëzimit të zonës ekonomike, e cila prej vitit 2004 diku rreth 35 hektarë është e pashfrytëzuar. Pastaj kemi mbi 117 projekte të fushave të ndryshme, të cilat janë pjesë e angazhimeve tona në vitin 2012, e disa prej tyre do të jenë edhe vitin 2013, për shkak të kostos  së lartë që kanë një mori projektesh të cilat nuk varen ekskluzivisht nga komuna por janë projekte  të ndërlidhura me mbështetjen që do ta kemi nga Ministritë, nga Qeveria e Kosovës, poashtu nga donatorët. Kemi adresuar shumë projekte edhe nëpër ministri por edhe te donatorët, por shpresojmë se do të na përgjigjen shumë më mirë këtë vit se vitin e kaluar edhe pse me donatorët vitin e kaluar kemi qenë jashtëzakonisht të kënaqur. Po presim ta fillojmë projektin e ndriçimit në qytet që është një donacion i fituar nga KE-programi”Kosova e bukur” e pastaj kemi projekte që kanë të bëjnë me rrethojat e shkollave , me rregullimin e ambienteve te shkollave. Po presim një projekt të madh nëse do ta fitojmë, impjantin e ujërave të zeza në komunën e Rahovecit, që shpresojmë që do të kemi një donacion nga Komisioni Evropian nëpërmjet Gjermanisë. Në qoftë se ne do ta fitojmë këtë projekt, atëherë zgjidhim një problem shumë të madh, problemin e trajtimit të ujrave të zeza përmes impianteve që janë të rralla në Kosovë. Kemi edhe projekte lë lidhen edhe me fushën e shërbimeve më të shpejta , ku po digjitalizohet administrata . Kemi realizuar një mori projektesh vitin e kaluar , por edhe sivjet kemi në plan madje dhe kemi fituar mbështetje nga Agjencitë e huaja buxhetore si USAID-i, Komisioni Evropian etj, për modernizimin e administratës.  Pastaj është plani zhvillimor komunal i cili është  një dokument strategjik që është pothuajse në fazën përmbyllëse . Tani ka hyrë në rend dite në mbledhjen e ardhshme të Komitetit për Politikë dhe Financa dhe do të debatohet edhe në kuvend, ku besoj se do ta merr vulën nga kuvendi në mënyrë që pastaj në një afat optimal të çertifikohet nga Ministria e Planifikimit Hapsinor , në mënyrë që të ndërmarrim hapa tjerë për planet urbane dhe planet rregullative. Të gjitha këto kanë një kosto .Kemi një projekt me rëndësi shumë të madhe , e cila nuk i takon vetëm institucioneve të komunës, por që ka vlera gjithëkombëtare , është Shtëpia Muze e Ukshin Hotit. Ne veq jemi në fazën përmbyllëse të revidimit ose ta quajmë plotësimit të projektit, dhe shpresojmë se këto ditë do të shpallet tenderi për fillimin e realizimit praktik të ndërtimit të Shtëpisë Muze të Ukshin Hotit. Natyrisht, kemi edhe projekte që lidhen me sistemin e ujitjes, kullimin e tokave bujqësore etj. Mund të themi se është një plan gjithëpërfshirës që në vetvete ka një numër të madh të projekteve të vogla, të mesme  apo të mëdha për të cilat ne si qeveri do të kujdesemi të punojmë parreshtur që sa me shumë që është e mundur të realizojmë sivjet. Natyrisht jo të gjitha punët mund të realizohen këtë vit

RKL: Sa jeni të kënaqur me investimet e qeverisë në komunën e Rahovecit?

Smajl Latifi: Nevojat dhe kërkesat janë të shumta, mundësitë e komunës nuk janë të mëdha, buxheti i komunës është i pamjaftueshëm dhe ne vazhdimisht ngulim këmbë që të kemi mbështetje nga ana e qeverisë. Edhe po të kemi një mbështetje shumë të fortë, ne natyrisht asnjëherë s’do të jemi të kënaqur, sepse kjo komunë  ka nevojë vërtetë për një mbështetje të vazhdueshme nga ana e Qeverisë së Kosovës për faktin se kemi ende probleme fundamentale. Bie fjala që kemi fshatra që nuk kanë ujësjellës, që nuk kanë kanalizim , ka ende fshatra që nuk kanë edhe rrugë , lagje dhe vendbanime ende të patrajtuara, dhe me buxhetin aktual që e ka Komuna e Rahovecit vërtetë është e pamjaftueshme për t’i përmbushur gjithë ato kërkesa dhe nevoja që i kanë qytetarët e komunës së Rahovecit. Kështu që çdo mbështetje që vjen qoftë nga qeveria apo donatorët, është mbështetje e drejtpërdrejtë e qytetarëve të komunës  për plotësimin e nevojave dhe kërkesave  për një cilësi më të mirë të jetës  dhe mirëqenie të qytetarëve dhe zhvillim të gjithëmbarshëm në të gjitha fushat.

RKL: Kryetar, çfarë keni ndërmarrë në trajtimin e familjeve të  dëshmorëve, martirëve invalidëve dhe  veteranëve të luftës në këtë komunë?

Smajl Latifi: Jemi në përmbyllje të projektit të rregullimit të varrezave të dëshmorëve ku asnjëherë nuk janë trajtuar më parë  pas luftës. Në shenjë respekti për Dëshmorët e kombit dhe për Betejën e Shkodranit ne kemi hapur rrugën në Majën e Shkodranit edhe pse nuk ka qenë në plan po ne e kemi hap rrugën sepse ajo përveç që është pikë strategjike,  mund të shndërrohet  në një vend ku mund të shënohet një përkujtim ashtu dinjitoz siç e meritojnë, një respekt dhe një nderim të fortë po mund të organizohen edhe ceremoni e aktivitete të ndryshme.  Edhe natyrisht aty do të shpërthen fuqishëm historia jonë, vlerat tona kombëtare historike, emra dëshmorësh, martirësh, veprimtarësh të ndryshëm. Do ta bëjmë një hartë të komunës tonë ku qytetarët e ndryshëm, mysafirët vizitorët e ndryshëm mund ta din cila është rruga që të shpie për Drenoc për Krushë do ta kenë emrin e vet edhe rruga edhe sheshi jo vetëm nëpër qytet po edhe në fshatrat e komunës së Rahovecit. Thjesht kemi për detyrë tu lëmë një trashëgimi të mirë atyre që vinë pas nesh e posaçërisht brezave të ardhshëm . Ky qytet ka emër ka një histori, ka një traditë, ka një kulturë ka një trashëgimi të pasur që njerëzit e këtij vendi kanë qenë nëpër periudha historike, kështu që besoj që është një punë që do ta bëjmë me shumë përkushtim, ndoshta zgjat pak po ne do të përpiqemi me ia lënë si trashigimi një hartë me emra heronjësh dëshmorësh me vlera historike, fushë beteja,  në mënyrë që të del në pah historia e gjatë e këtij populli e këtij qyteti e kësaj komune. Po edhe populli shqiptar përgjithësi  në territorin administrativ të komunës tonë po ashtu kudo që ka përvjetor ne po përpiqemi me i respektuar të gjallët për gjakun që e kanë dhënë për lirinë dhe bashkimin e kombit, pasnesër do të jemi në përvjetor në Krushë për Bekim Gashin, nesër do të jemi Potoçanin e ulët po ashtu në përvjetor. Natyrisht jemi aty jo vetëm fizikisht po edhe me investime, sivjet e kemi edhe kompleksin përkujtimor, për të cilin kemi nda 60 mijë euro për realizimin e projektit, kompleksit përkujtimor ku do të jenë emrat e të gjithë Dëshmorëve e Brigadës 124 në një vend natyrisht të veçantë. Është e vërtetë që sivjet nuk do të mund të përmbyllim atë.  

RKL: Gjatë qëndrimit tuaj në Londër keni pasur një sërë takimesh. A mund të na thoni cilat ishin temat e diskutimit?

Smajl Latifi: Të them të drejtën ne kemi pasur një vizitë katër ditore me një agjendë të ngjeshur. Atje kemi zhvilluar një mori takimesh. Fillimisht, takimet i kemi nis me  komunën Krejo, e cila ka diku rreth 400 mijë banorë. Me këtë rast kemi takuar kryetarin e komunës, shefin ekzekutiv dhe me sektorë të tjerë të administratës. Neve na interesonte më tepër të dinim për çështjet e funksionimit të administratës publike, çështjet e funksionimit të prokurimit etj. Ne kemi pasur gjithashtu vizita në distriktin Tendrixh, një komunë kjo pothuajse  me profil të ngjashëm me komunën e Rahovecit. Ajo kishte diku rreth 80 mijë banorë. Atje kemi pasur takim në dhomën e parlamentit, ku patëm rastin të përcjellim zhvillimin e debateve në Dhomën e Parlamentit. Përveç kësaj, kemi pasur takim  në zyrën e kryetarit të Londrës dhe jemi njoftuar se si funksionon administrata e kryetarit të Londrës. Na bëri përshtypje se diku rreth 25 asambleistë kishte Londra, e cila numëron 7 milionë e gjysmë banorë. Kurse, komuna e Rahovecit  ka 31 këshilltar, kështu që duhet shumë punë për të funksionuar gjërat si duhet. Kemi pasë takime edhe në Ministrin e Punëve të Jashtme, me Drejtorin për Ballkanin perëndimor. Temat kryesisht kanë qenë të natyrës politike po edhe të zhvillimit ekonomik, me theks të veçantë për bisedimit Kosovë-Serbi , çështjen e veriut të Kosovës, rigjykimin e Ramush Haradinajt, Hoçën e Madhe. Ne kemi shpalosë pikëpamjet, botëkuptimet dhe qëndrimet tona përkitazi me këto çështje. Mund të them se jemi të kënaqur edhe me takimin me komunitetin e biznesit. Ata ishin të interesuar që të bëjnë diçka për Kosovën dhe në veçanti për komunën e Rahovecit. Shpresojmë që ajo vizitë e jona ka qenë në interes të komunës tonë dhe nga ajo vizitë presim zhvillime pozitive.

RKL: Sa keni arritur të ndihmoni sektorët e vreshtarisë dhe pemëtarisë ?

 Smajl Latifi: Me buxhetin e komunës është i pamundur subvencionimi i  fermerëve se zakonisht kjo gjë bëhet nga Qeveria. Ne kemi filluar t’i vizitojmë bizneset  si dhe jemi në komunikim aktiv me shoqatën e vreshtarëve. Besoj që edhe komuna po luan një rol jashtëzakonisht të madh në adresimin e shqetësimeve, nevojave dhe kërkesave që kanë. Bie fjala ne kemi një komunikim të mirë me Giz-in, një organizatë qeveritare gjermane që mbështet verërat e Rahovecit. Është meritë e komunës së Rahovecit që është lider i projektit ‘Shtigjet e verës’ që ndikon në hapjen e perspektivave të reja për verën e Kosovës përkatësisht me verën e regjionit vreshtar. Fatmirësisht, Rahoveci ka investime në atë fushë, fermerët, vreshtarët  dhe verëtarët tanë kanë vizita të shumta nga vizitorë jo vetëm të regjionit po edhet të huaj. Sigurisht në këtë proces po ndihmon edhe komuna por edhe agjencitë e donatorët e ndryshëm që i janë përkushtuar këtij procesi me siguri më të madhe. Rrjedhimisht, po ndryshon mentaliteti dhe vetëdija e e fermerëve tanë të vyeshëm, me ç’rast po rritet jo vetëm sasia po para se gjithash edhe cilësia e prodhimeve si një mundësi e mirë për të depërtuar edhe në tregun rajonal edhe tregun evropian. Në këtë drejtim ka rezultate si te Haxhi Jaha, që ka marrë nota shumë të larta pozitive në panairin e Dyzeldorfit nga 100 poenat e mundshme 87 poena i kanë marrë dy tri lloje të venës të podrumit të vjetër.  Këtyre sukseseve ne u gëzohemi dhe këto janë motive shtesë. Ne jemi përkushtuar, i vizitojmë bizneset, fermerët e afaristët e vyeshëm. Po përpiqemi bashkërisht t’i adresojmë temat të cilat ndikojnë në krijimin e rrethanave plotësuese për biznese. Bie fjala, çdo vjet e kemi ndryshimin e rregullores për taksa, tarifa dhe gjoba. Edhe te sektori i pemëtarisë, pika grumbulluese në Xërxë e ka realizuar me sukses fazën e parë. Besoj se gjendja e fermerëve do të zbutet, duhet të zgjidhen edhe shumë çështje të tjera. Ndërkaq, nga ana e qeverisë duhet me ketë një heqje të akcizës dhe të bëjë subvencionimin në fara e karburante, në mënyrë që  prodhuesi ynë të jetë i barabartë me prodhuesin në regjion. Së shpejti do të fillojë një projekt gjigant i hapjes së ETC, diku mes Xërxës dhe Rugovës. Ajo përveç se do t’i punësoj mbi 100 punëtorë, do të zgjidh edhe shumë probleme të bujqve meqë do të jetë pikë grumbulluese, paketuese, dhe shitëse.

RKL: Faleminderit për kohën që ndatë me ne! Suksese dhe të arritura në punën tuaj

Smajl Latifi: Faleminderit. I urojmë suksese Radios ‘Kosova e Lirë’ sepse sa herë që flas për këtë radio më krijohen emocione. Uroj që kjo radio t’i rris kapacitetet e saja emetuese edhe më shumë, ngase Radio ‘Kosova e lirë’  do të duhej të ishte në vend të Radio Kosovës.

6 prill 2012

Kontrolloni gjithashtu

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë tregoi vlerat më të larta atdhetare të Shoqatës.

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë …