Intervistë me z. Sami Salihu, Menaxher i Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve në ATK

RKL: ATK-ja kohët e fundit ka lëshuar një komunikatë me të cilën ka njoftuar se ka identifikuar tatimpaguesit të cilët nëndeklarojnë qarkullimin dhe pagat, mund të na thuani se për cilët persona saktësisht është fjala?

Salihu: Të gjithë personat, të cilët merren me aktivitete afariste, në bazë të legjislacionit tatimor janë të obliguar të deklarojnë Tatimet dhe Kontributet Pensionale në mënyrë reale.

RKL: Sa i përket nëndeklarimit, te cilat kategori është e fokusuar më shumë Administrata Tatimore e Kosovës?

Salihu: Aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqëndrohen pikërisht te kategoritë, si: Bizneset, të cilat nën-deklarojnë pagat e punëtorëve, pra bizneset të cilat paraqesin në mënyrë jo reale pagat e punëtorëve,  Bizneset Mikro, të cilat bëjnë nën-deklarim të qarkullimit, ku qëllimi i tyre është qëndrimi i vazhdueshëm në kuotën fikse prej 37.50 € në çdo 3 muaj. Pra tek ky segment do të trajtohen ato biznese të cilat kanë pretendime ta ruajnë kuotën fikse prej 37.50€ dhe ato të cilat deklarojnë me zero. Bizneset e vogla, të cilat bëjnë nën-deklarim të qarkullimit, qëllimi i të cilëve është qëndrimi i vazhdueshëm nën qarkullimin prej 50 000 € për 12 muaj, për të mos kaluar pragun për të qenë deklarues të TVSh-së.

RKL:  Nëse verifikohet nëndeklarimi, cilat janë masat që ATK do t’i ndërmerrë?

Salihu: Në momentin kur ATK-ja konstaton se ka nëndeklarim, pra nuk janë përmbushur saktë detyrimet tatimore, atëherë do të bëjë vlerësimin e tatimit të pa paguar duke u bazuar në fakte konkrete, si dhe në bazë të metodave indirekte që janë të parapara me Ligjin për Administratën Tatimore dhe Procedurat dhe do të vendos edhe ndëshkimet e parapara me Legjislacionin Tatimor.

RKL: Cilat janë ndëshkimet administrative për personat të cilët nëndeklarojnë tatimin dhe ATK-ja do të mund të  ushtrojë kontroll ndaj tyre?

Salihu: Kur nga një person kërkohet të plotësojë një deklaratë tatimore sipas legjislacionit të zbatueshëm në Kosovë, nën-deklaron shumën korrekte të obligimit tatimor, personi i tillë do t’i nënshtrohet ndëshkimit administrativ varësisht nga shuma e tatimit të nën-deklaruar. Nëse shuma e tatimit të nën-deklaruar është 10% apo më pak, ndryshimi në mes të tatimit të deklaruar nga vet tatimpaguesi dhe obligimi tatimor i rregulluar me kontrollë, pra për këtë diferencë aplikohet ndëshkim 15%. Nëse shuma e tatimit të nën-deklaruar është më shumë se 10%, ndryshimi në mes të tatimit të deklaruar nga vet tatimpaguesi dhe obligimi tatimor i rregulluar me kontrollë, pra për këtë diferencë aplikohet 25% ndëshkim. 100% e ndryshimit mes shumës korrekte të tatimit që duhet të ishte deklaruar dhe shumës që në të vërtetë është deklaruar dhe nëndeklarimi është bërë me qëllim dhe është konstatuar nga një gjyq kompetent. Gjithashtu aplikohen edhe ndëshkimet tjera, si: Ndëshkimi për mosdorëzim të deklaratës tatimore 5% në obligimin tatimor maksimalisht pesë muaj, Ndëshkimi për mospagesën e tatimit 1% në tatimin e papaguar maksimalisht 12 muaj. Aty ku është aplikuar ndëshkimit prej 5%. Njëpërqindtëshi (1%) mbetet i pa aplikueshëm deri në përfundimin e ndëshkimit prej 5%.

 RKL:  Cili është ndëshkimi administrativ për mos-mbajte të tatimit në burim?

Salihu: Çdo tatimpagues i cili nuk ka mbajtur në burim apo nuk ka paguar tatimin e mbajtur në burim do t’i nënshtrohet një ndëshkimi administrativ prej njëzetepesë përqind (25%) në dallimin në mes të shumës së saktë të tatimit që kërkohet të paguhet dhe shumës së tatimit që në të vërtetë është paguar. Ndëshkimi i njejtë vlenë edhe për  mos mbajtjen në burim apo mos pagesën e kontributet pensionale.

RKL: Cili është mesazhi i ATK-së për këto kategori që I cekët më lartë?

Salihu: Sistemi ynë tatimor bazohet në parimet e vetëvlerësimit dhe përmbushjes vullnetare. Përmbushja vullnetare mbështetet nga personat, të cilët vullnetarisht përcaktojnë obligimet e tyre tatimore dhe dorëzojnë deklaratat dhe pagesat. Atëherë, ATK-ja, inkurajon të gjitha kategoritë e lartpërmendura që t’i përgjigjen në menyrë të saktë detyrimeve tatimore, të bëjnë korigjimin e periudhave të nëndeklaruara me qëllim që të përfitojnë nga lehtësirat në ndëshkime, në të kundërtën ATK-ja, do të detyrohet që të ndërmarrë masat ndëshkuese konform legjislacionit tatimor.

RKL: Z. Salihu në  fund keni diçka për të shtuar?

Salihu: Falenderojmë të gjithë tatimpaguesit të cilët përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre tatimore, ndërsa të tjerët i ftojmë t’i bashkohen ATK-së dhe të paguajnë detyrimet e tyre tatimore, sepse vetëm në këtë mënyrë, Shteti i Kosovës mund të sigurojë të hyra, të cilat do t’i plotësojnë obligimet ndaj qytetarëve.

 Intervistoi: Jeton SYLA

Kontrolloni gjithashtu

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë tregoi vlerat më të larta atdhetare të Shoqatës.

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë …