Intervistë me Ministren e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku

RKL: Ministria e Integrimeve është një nga dikasterët relativisht të reja të Qeverisë. A mund të na thoni në fillim të bisedës sonë disa nga të arriturat që janë shënuar duke u bazuar në aktivitetin tuaj në këtë drejtim?

 

Çitaku: Jam jashtëzakonisht e lumtur që drejtoj një ministri e cila në raportin e fundit të progresit në vitin e kaluar është identifikuar si një ndër storiet e suksesshme të Qeverisë së Kosovës. Dhe kjo jo falë punës dhe angazhimit të stafit politik, por falë punës dhe angazhimit dhe profesionalizmit të lartë të shërbyesve civil të cilët shërbejnë në kuadër të Ministrisë për  Integrime Evropiane (MIE). Natyrisht, MIE nuk ka një resor të ngushtë, të ngjashëm me ministritë e tjera. Roli i ministrisë sonë është më shumë bashkërendues. Ne kemi themeluar në të gjitha ministritë nga një departament për integrim evropian dhe bashkërendim të politikave. Gjithashtu kemi mbikëqyrur të gjitha projektet qeveritare dhe tërë agjendën e tyre legjislative. Çdo dokument zyrtar i cili është prodhuar nga Qeveria i është nënshtruar agjendës së integrimit evropian. Me mandatin e ri, agjenda evropiane dhe agjenda qeveritare janë shkrirë duke u shndërruar në një të vetme. Natyrisht, Kosovën e presin shumë sfida. Jemi popull që jemi çliruar të fundit nga pushtimi, jemi pavarësuar të fundit, e që rrjedhimisht kemi pasur më pak kohë se të tjerët për të adresuar sfida të mëdha, të cilat janë kronike në Kosovë. Për shkak të luftës shkatërrimtare Kosova ka trashëguar shumë sfida si në aspektin e infrastrukturës fizike, ligjore, institucionale. Megjithatë duke pasur parasysh shumësinë e vështirësive që kemi pasur si vend i ri, unë mendoj që Kosova ka shënuar hapa të mëdhenj përpara dhe MIE është hisedare e vogël në këtë sukses të Kosovës.

RKL: Cili është vlerësimi juaj mbi fillimin e studimit të fizibilitetit për Kosovën? Zyrtarë të Qeverisë e kanë cilësuar si një fitore të madhe. Sa problematik mund të jetë qëndrimi i pesë vendeve evropiane të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës për këtë studim?

Çitaku: Studimi i fizibilitetit për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit është hapi i parë në procesin e integrimit evropian. Natyrisht ka të tillë që thonë se kjo nuk është e mjaftueshme, megjithatë mendoj që kulmi nuk mund të vihet pa u vënë themelet. E studimi i fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit është themeli i procesit të anëtarësimit të një vendi në strukturat e BE. Dhe është proces në të cilin kalojnë vetëm shtetet të cilat potencialisht mund të bëhen vende anëtare të BE. Ky është hapi i parë, por mund ta quaj edhe historik dhe Kosova është përgatitur për të. Ne jemi të kënaqur që BE përkundër dallimeve të mëdha që ka brenda saj, sidomos pesë vendeve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, ka arritur të gjejë një gjuhë të përbashkët në mënyrë që Kosova të mos mbetet vrimë e zezë në Ballkanin Perëndimor. Evropa s’mund të jetë e plotë pa integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës në veçanti. Integrimi evropian i vendit tonë është një provë e drejtpërdrejtë i funksionalitetit dhe unitetit të politikave të jashtme dhe të sigurisë të BE. Është në pyetje kredibiliteti i saj si lojtar global. E si mund të merret seriozisht BE për çështje shumë më të largëta dhe më komplekse sesa Kosova, në rast se dështon që të zgjedhë dhe adresojë një problem brenda kontinentit evropian. Shihet qartë se BE ka filluar të trajtojë seriozisht çështjen e Kosovës drejt integrimit. Është lajm i mirë që më në fund vendimi për fizibilitetin është marrë.

RKL: Siç dihet, Serbisë iu dha statusi i kandidatës për anëtarësim në BE, pa i plotësuar shumicën e kushteve të parashtruara. Ndërkohë, Shqipëria nuk ka shënuar asnjë hap në drejtim të avancimit të integrimit drejt BE. Cili është mendimi juaj në lidhje me këtë qëndrim të BE ndaj shqiptarëve?

Çitaku: Unë kundërshtoj të besoj që ka një agjendë anti-shqiptare në kuadër të BE, por është më se e qartë që shpeshherë ajo vlerëson me kute të dyfishta vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo është vënë re jo vetëm në raport me Shqipërinë por edhe me Kosovën. Ju e dini që ne kemi punuar shumë më shumë sesa vendet e tjera të Ballkanit në përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave. Ndonëse është hapur zyrtarisht dialogu, ne ende nuk e kemi marrë udhërrëfyesin, ndërkohë që ne njëanshëm kemi bërë përmbushjen e kushteve. Ngjashëm është edhe çështja me Shqipërinë. Është e vërtetë që KE i ka dorëzuar 12 kushte, të cilat duhet përmbushur në mënyrë që të fitohet statusi i kandidatit dhe shumë prej tyre janë peng i plasaritjeve të brendshme politike në Shqipëri. Megjithatë, nuk është aspak reale të vlerësohet që Shqipëria është prapa Maqedonisë, Serbisë apo Malit të Zi në përmbushjen e kushteve politike. Shqipëria në fund të fundit nuk i ka sfidat që i ka Maqedonia me komunitetin shqiptar atje. Kemi çdo ditë incidente të cilat demonstrojnë brishtësinë e brendshme në Maqedoni. Kemi ngjashëm Serbinë dhe mënyrën sesi trajtohet komuniteti jonë atje, ndërkohë që Shqipëria përpos turbulencave të brendshme në aspektin politik, ka përmbushur të gjitha kushtet, qofshin ato politike apo ekonomike. Megjithatë, unë mbetëm me shpresë që Shqipëria do t’i përmbushë kushtet e Ke deri në fund të këtij viti, në mënyrë që 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, ta gjejë atë si kandidat për integrim në BE.

 

 RKL: Në rast të zvarritjes së mëtutjeshme të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, si do të veproni konkretisht, edhe pse dihet se procesi i tillë është shumë i ngadalshëm dhe kërkon durim e pritje?

Çitaku: E thashë edhe më lartë se e mira është që Kosova ka miratuar udhërrëfyesin njëanshëm para tre viteve. Dhe shumë prej kushteve të cilat dalin nga ai udhërrëfyes janë përmbushur. Kam parasysh këtu sigurinë e dokumenteve, digjitalizimin e regjistrit civil, të gjitha zyrat e gjendjes civile në Kosovë janë të lidhur me një server të përbashkët. Kemi filluar edhe prodhimin e pasaportave biometrike, kemi bërë hapjen e zyrave komunale për integrimin e personave të ri-atdhesuar, pra ne jemi shumë hapa përpara drejt BE në këtë proces. E kam thënë shpeshherë që KE ka trajtuar Kosovën padrejtësisht në këtë proces. Është jo-njerëzore dhe jo-etike  që 1.8 milionë banorë të Republikës së Kosovës të mbahen të izoluar. Përveç dimensionit moral, ne kemi bërë edhe përmbushjen e kushteve dhe nuk ka asnjë lloj kuptimi zvarritja e këtij procesi, por në fund fare ky nuk është një proces që varet nga ne. Mund të shprehim revoltë, kundërshti e pakënaqësi, por fare në fund është proces që varet dhe vendoset nga BE-ja.

20 mars 2012

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …